Gjyqe, borxhe dhe shpyllëzim: Pasojat që lanë pas HEC-t në liqenet e Bulqizës
Nga Hysen Likdisha / Sami Curri


Liqeni i Zi në Valikardhë të Bulqizës, i shpallur monument natyror. Foto: Geri Emiri.

Punimet për ndërtimin e HEC-eve që furnizohen nga një grup liqenesh mes Valikardhës dhe Martaneshit, përfshirë Liqenin e Zi që është monument natyre, kanë krijuar një varg konfliktesh dhe procesesh gjyqësore mes kompanisë, autoriteteve dhe banorëve.

Në dhjetor 2018, bashkia e Bulqizës paditi kompaninë “Teodori 2003” me pretendimin se i detyrohej 34.5 milionë lekë qira të papaguar dhe kamatëvonesa. Sipas akt-padisë, kompania që  ka prej vitit 2003 një kontratë koncesionare me qeverinë për të ndërtuar HEC-e duke shfrytëzuar ujin e disa liqeneve akullnajore, duhej t’i paguante bashkisë qira për shfrytëzimin e fondit pyjor, në bazë të kontratave të lidhura më herët me ish-Drejtorinë e Shërbimit Pyjor të Bulqizës.
Bashkia pretendon se qiraja nuk është paguar, ndërsa ka refuzuar të lidhë një kontratë të re me kompaninë për pjesë të tjera pylli, që kjo e fundit kërkon të shfrytëzojë. Në një përgjigje për BIRN, bashkia tha se kompania “Teodori 2003” kërkonte ekonomitë pyjore në Luçan dhe Batër dhe se punimet synonin të devijonin ujërat e liqenit të Sopeve.
“Zhvillimi i këtyre punimeve prek zonën e Martaneshit dhe për pasojë sjell një impakt negativ social në këtë krahinë,”tha Bashkia e Bulqizës, duke shtuar se nuk mund të kishte një kontratë të dytë pa paguar detyrimet e së parës.

Tubacionet e HEC -it
që furnizohet me ujin e
liqenit. Foto: Geri Emiri.

Refuzimi i bashkisë nuk e pengoi kompaninë të vijonte punimet dhe të shpyllëzonte zonën ku pritet të kalojë tubacioni. Megjithatë, konflikti me bashkinë nuk është i vetmi për të.
Ndërtimi i Hec Tërnovës dhe punimet për devijimin e ujërave të Liqenit të Sopeve kanë sjellë prej vitit 2014 përplasje të ashpra me banorët e fshatrave që preken. Banorët e zonës së Valikardhës dhe Martaneshit kundërshtojnë punimet me argumentin se devijimi i ujit të liqeneve u shkatërron atyre ekosistemin, u cënon mundësitë për vaditje dhe madje edhe furnizimin me ujë të pijshëm.
BIRN mësoi gjithashtu se kompania ka dhe një mori problemesh me nënkontraktorë të saj të cilët pretendojnë se ajo u ka borxh qindra mijëra euro prej punimeve të papaguara.
“Kam punëtorë të papaguar dhe detyrime të prapambetura,” tha Ilir Balla, administrator i kompanisë AR=BA 06, i cili shtoi se ndërtuesi i HEC-it i detyrohet atij dhe një kompanie partnere rreth 900 mijë euro.
Teodori 2003 është një biznes shqiptaro-kanadez, me aksionerë Faik Teodorin dhe Shefikat Ngjelën me nga 35 për qind të aksioneve dhe kompaninë kanadeze Albania Hydro Investment Holding me 30 për qind. Kompania ka marrë me koncesion ndërtimin e HEC Tërnovës dhe atë të Zallit të Bulqizës me një investim prej 18.5 milionë eurosh. Kompania ka marrë një finacim nga BERZH me vlerë 6 milionë euro.
Drejtori ekzekutiv i kompanisë Teodori 2003, Erion Komino kundërshtoi pretendimet e bashkisë së Bulqizës, duke e quajtur sulmin e saj të qëllimshëm. Ai tha gjithashtu se kompania ishte në pritje të supervizimeve dhe matjes së volumeve të punës për nënkontraktorët.
“Shteti vendoset në shërbim të privatëve të tjerë, të konkurencës,” pretendoi Komino për BIRN.
Edhe njëri prej aksionerëve, Faik Teodori kundërshtoi akuzat dhe mohoi që kompania të kishte shkaktuar dëme në mjedis. Ai e quajti HEC-in e ndërtuar “një mrekulli”, ndërsa shtoi se banorët ishin shumë të kënaqur me të.
“Duhet të shkosh të pyesësh tani çfarë mendojnë për HEC-in”, tha Teodori. “Pyet ata që organizuan protestat,” shtoi ai.

Ky shkrim është shkruar për reporter.al.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në linkun:
https://www.reporter.al/gjyqe-borxhe-dhe-shpyllezim-pasojat-qe-lane-pas-hec-t-ne-liqenet-e-bulqizes/

KOMENTI JUAJ