Rruga e Arbrit realizohen 30% e punimeve


Pamje nga punimet në Urën e Vashës. Ajo lidh dy tunelet në dy shpatet e malit. Ura përbëhet nga konstruksion metalik në një hark rihter. Ka 27 kolona paralel në të dyja anët e urës, të cilat ngrihen drejt lart. Ura ka një gjatësi hapësirë drite 160 metra, pjesa e kalueshme mbi konstruksion metalik është 220 metra, ndërkohë që vetë ura është 242 metra. (Foto: MIE)

Ministrja Balluku: “E gjithë pjesa e rrugës së Arbrit që ka mbetur për t’u ndërtuar është 54 km, në të cilën konçensionari ka realizuar më shumë se 28% të punimeve”.

TV Klan: Deri tani janë kryer 30% e punimeve totale të rrugës. Afati për të përfunduar totalisht segmentin është në fillim të vitit 2022, por inxhinierët e firmës thonë se nëse punimet vijojnë me këto ritme, aksi do të jetë gati në Pranverë të vitit 2021”.

Buxheti i shtetit lëvron 2.1 miliardë lekë për kompaninë Gjoka. Disa media të tjera e theksuan këtë fakt si një favorizim që qeveria po i bën kompanisë në fjalë. Por në kontratën e nënshkruar mes qeverisë dhe kompanisë thuhet se “pagesat nga Autoriteti Kontraktor kundrejt Koncesionari, do të fillojnë, pasi Koncesionari të këtë kryer 25% të volumit të punimeve të parashikuara në grafikun e punimeve”.

“Rruga e Arbrit është një vepër shumë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të zonës. Gjëja më e rëndësishme është që duhet të përfundojë në kohë, duhet të përfundojë me cilësi”, – deklaroi Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë një vizite në kantierin e Rrugës së Arbrit në fillim të shkurtit 2019.
Në këtë vizitë ajo shoqërohej nga deputetja e Dibrës Almira Xhembulla, kryetari i bashkisë së Peshkopisë dhe pronari i kompanisë Gjoka Konstruksion.
Balluku, siç njoftoj zyra e shtypit pranë kësaj ministrie, inspektoi punimet në kantierin e urës së Vashës, e cila lidh tunelet T5 dhe T6.
Ministrja Balluku ka parë nga afër ecurinë e punimeve dhe është njohur me volumet e punës që janë kryer deri tani. Vepra ka hyrë tashmë në fazën përfundimtare të betonimit dhe hidroizolimit. Ritmet e mira të ecurisë së punës premtojnë për një përfundim të rrugës përpara afatit të parashikuar në kontratë.
“Konçensionari do të ketë vetë mirëmbajtjen e rrugës për 10 vjet, kështu që cilësia është absolutisht një nga kërkesat kryesore, por që dhe juve do t’ju duhet për vazhdimësinë. Shpresojmë të mbarojmë përpara afatit për t’ja dhënë shqiptarëve këtë arterie jashtëzakonisht të rëndësishme sa më parë në përdorim” është shprehur ministrja Balluku .
Ura e Vashës lidh dy tunelet në dy shpatet e malit. Ura përbëhet nga konstruksion metalik në një hark rihter. Ka 27 kolona paralel në të dyja anët e urës, të cilat ngrihen drejt lart. Ura ka një gjatësi hapësirë drite 160 metra, pjesa e kalueshme mbi konstruksion metalik është 220 metra, ndërkohë që vetë ura është 242 metra.
“E gjithë pjesa e rrugës së Arbrit që ka mbetur për t’u ndërtuar është 54 km, në të cilën konçensionari ka realizuar më shumë se 28% të punimeve”, thekson njoftimi për shtyp i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
“Në bazë të kontratës rruga duhet të përfundojë brenda 44 muajsh, por me volumin e kryer dhe me angazhimin e konçensionarit pritet që rruga të përfundojë më herët”, mbyllet njoftimi nga Zyra e Shtypit.
Pak ditë më parë ishte edhe Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka e cila ka inspektuar punimet e “Rrugës së Arbrit”, në afërsi të urës së Drinit që është drejtë përfundimit.
Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) citon ministren Xhaçka të ketë thënë se “Rruga e Arbrit’ përveçse lidh Dibrën me Tiranën, në këtë segment këtu pranë urës së Drinit, zgjidh edhe disa probleme që kemi pasur me parë”.

“Puna në ‘Rrugën e Arbrit’ vijon në të gjithë gjatësinë e saj dhe bashkë me veprat e artit, në Gjoricë po ndërtohet edhe argjinatura, e cila pritet të ulë rrezikun e përmbytjeve, ndërkohë që për banorët do të shtohen mbikalimet, për të lëvizur sa më lehtë nga njëra anë e rrugës në tjetrën”, u shpreh ministrja.
ATSH njofton se punimet po ecin me ritëm të shpejtë ndërsa ka përfunduar ura e Cerenecit dhe është në përfundim ura e Drinit me një gjatësi 260 ml.
Por që nga dita kur kanë filluar punimet, rreth një vit më parë, televizioni KLAN realizoi një kronikë në terren në Rrugën e Arbrit, aty ku po punohet në dalje të Tiranës, pranë Qafës së Tujanit.
“Në kilometrin e 7 të Rrugës së Arbrit, sapo kalon tunelin e parë që lidh kryeqytetin me Dibrën, punimet kanë ecur me 80%”, thotë gazetarja. Ky është kantieri i parë që kompania po punon për ndërtimin e këtij segmenti.
Inxhinieri Laurant Bahollari i tha TV Klan se “deri në fund të muajit Mars, ky aks i rrugës deri në kilometrin e 13-të do të jetë gati për të hedhur shtresën asfaltike”.
“Përfundimi i kilometrave të para do të lidhë fshatrat përgjatë Zall Bastarit me Tiranën. Edhe për disa kilometra të tjera, punimet vazhdojnë për sheshimin e rrugës dhe përgatitjen e saj për të hedhur shtresën asfaltike”.
“Më pas nuk ka më rrugë. Kompania që po ndërton segmentin ka hapur në mal rrugë ndihmëse për të realizuar punimet në tunelin e Murrizit”.
“Këtu po ndërtohen dy tunele, njëri i cili ka vëllim më të vogël do të jetë për emergjencat, ndërsa i madhi, me volum 240 metër kub do të shërbejë për automjetet kur të hapet rruga”, thotë inxhinier Bahollari.
Të dy tunelet kanë një gjatësi prej 3.2 kilometrash. Ky kantier është edhe pika e fundit e kalueshme në këtë rrugë nga Tirana. Për të shkuar në afërsi të Urës së Vashës, një tjetër vepër arti në infrastrukturën rrugore, mundësia e vetme është në rrugën e vjetër, atë që kalon nga Burreli.
Punimet në Urën e Vashës do të arrijnë të bashkojnë dy shpate mali, ku në secilin prej tyre ndodhen dy tunelet e fundit: tuneli 5 dhe 6. Ura do të jetë e gjitha konstruksion metalik me 27 kolona paralele në të dy anët e saj, të cilat ngrihen lart. E gjithë gjatësia e kalueshme mbi të është 220 metra.
Kronika e TV Klan thekson se “deri tani janë kryer 30% e punimeve totale të rrugës. Nga 70 kilometra, kanë mbetur për t’u ndërtuar edhe 54 të tjera. Afati për të përfunduar totalisht segmentin është në fillim të vitit 2022, por inxhinierët e firmës thonë se nëse punimet vijojnë me këto ritme, aksi do të jetë gati në Pranverë të vitit 2021”.

Gjoka Konstruksion merr 2.1 miliardë nga Buxheti i Shtetit

Publiku duket se është i informuar se pagesat e buxhetit të shtetit për kompaninë koncensionare do të fillojnë kur rruga të vihet në funksion, por duket se realisht nuk është kështu. Gazeta “Shekulli” më 18 shkurt raportoi se nga buxheti i shtetit janë lëvruar 2.1 miliardë lekë për kompaninë Gjoka. Disa media të tjera e theksuan këtë faks si një favorizim që qeveria po i bën kompanisë në fjalë.
Por, pavarësisht se informacionet e deritanishme flasin për pagesë pas përfundimit të punimeve, në kontratën zyrtarë të qeverisë shqiptare e kompaninë Gjoka, të botuar në fletoren zyrtare nr.50/2018, në nenin 27, ku flitet për pagesat, thuhet se “pagesat nga Autoriteti Kontraktor kundrejt Koncesionari, do të fillojnë, pasi Koncesionari të këtë kryer 25% të volumit të punimeve të parashikuara në grafikun e punimeve. Pavarësisht përcaktimit në paragrafin e mësipërm, Koncesionari do të paguhet për punimet e kryera në fund të vitit të pare (pasi kontrata të jetë bërë efektive) vetëm nëse ka kryer mbi 20% të volumit të parashikuar të punimeve”.
“Pagesa që Autoriteti Kontraktor do të detyrohet të paguajë gjate gjithë kohëzgjatjes së kontratës për realizimin e objektit të saj, është një vlere prej 33,600,000,000 (tridhjete e tre miliardë e gjashtëqind milionë) lekë plus TVSH-ne, e cilado të paguhet sipas Modelit Financiar të rene dakord mes palëve. Autoriteti Kontraktor do të kryejë pagesat vjetore në 4 (katër) këste të barabarta çdo 3 (tre) muaj. Për efekt të llogaritjes së një viti sipas këtij neni, 1 (një) vit do t’i referohet një periudhe kohore prej 365 ditësh nga data e fillimit të zbatimit të kontratës”, thuhet mes të tjerash në kontratën e botuar në fletoren zyrtare.
Por gazeta “Shekulli” ka zbulua se kur punimet e ndërtimit të përfundojnë, një tarifë do të zbatohet për kalimin e rrugës.
“Kompania ka kërkuar të aplikohet një tarifë mesatare 4 euro për makinë dhe propozon që të ardhurat të ndahen me qeverinë në nivelin 50 për qind. Fluksi mesatar i mjeteve në rrugë pritet të jetë 3690 makina/ditë. “Duke aplikuar një tarifë mesatare prej 4 eurosh/ makinë të ardhurat nga pagesa e kalimit të rrugës do të jenë rreth 53 milionë euro për një periudhë 10-¬vjeçare. Gjysmën e kësaj shume prej 26.5 milionë eurosh e përfiton kompania dhe kjo vlerë zbritet nga shuma totale e të ardhurave nga shteti” shkruhet në shkrimin e “Shekullit” të datës 18 shkurt 2019.

* * *

Kryeministri Edi Rama mëngjesin e 11 shkurtit përcolli një video nga punimet e deritanishme në Rrugën e Arbrit me shënimin “… me këto pamje që s’kanë nevojë për koment nga kantieri i Rrugës së Arbërit, duke ju siguruar të gjithë se sa më shumë të lehin qentë aq më të frymëzuar e të vendosur jemi për ta bërë Shqipërinë që duam”.
Por në një muaj ku situata politike në vend është mjaft e tensionuar, shumë qytetarë janë skeptikë nëse punimet do të vazhdojnë nëse ka ndryshime në qeverisje.
“Ndryshimet politike në vend mund të ndikojnë në vonesë të punimeve në rrugë, por ato nuk do ta cënojnë vazhdimësinë”, i tha gazetës një burim nga kompania Gjoka Konstuksion.
Portali “Tesheshi” e cilësoi mesazhin e Kryeministrit si një “sindrom rrahgjoksi si i paraardhësit të tij Berisha me Rrugën e Kombit”.
“Ajo po ndërtohet, pritet të jetë dhe e standardeve të larta, por në terma ekonomikë ka pikëpyetjet e veta. Sepse fundi i saj është një asgjëkund. Ajo do afrojë fizikisht afro 20 mijë banorë të Dibrës me Tiranën, por kjo jo domosdoshmërisht përkthehet në impakt ekonomik aq sa për ta përligjur këtë vepër gjigante infrastrukturore”, shkruan portali onlinë.
Megjithëse numrit të banorëve i mungon një “zero”, duket se shkrimi më shumë se për të përcjellë një të vërtetë synon të bëjë një analizë kundër kryeministrit. Sipas INSTAT, popullsia e qarkut të Dibrës është 119 mijë banorë më 1 janar 2019, dhe duke marrë parasysh dibranët që jetojnë në Tiranë e Durrës, si dhe ata përtej kufijve shtetërore, rruga do të bëjë një lidhje të drejtpërdrejtë të më shumë 500 mijë shqiptarëve. Ndërsa duke pasur parasysh lidhjen e shkurtër me kryeqytetin, ajo do të jetë një urë komunikimi të më shumë se 1 milionë shqiptarëve.
Nisur nga efekte pozitive që do të luajë në ekonomi kjo rrugë, shoqata Lidhja e Intelektualëve Dibranë, në bashkëpunim me organizata të tjera joqeveritarë do të mbajë gjatë muajit Maj një konferencë shkencore, ku do të evidentohen rrugët dhe mundësitë e rigjallërimit ekonomik me vënien në funksionim të rrugës së Arbrit.
Korresp. Rr.A.