Veip Salkurti, “shqiponja” që po kërkon lartësi të reja


Periudha e pas viteve nëntëdhjetë e gjeti Veip Salkurtin nga fshati i Rashnapojës, pranë qytetit të Peshkopisë, plot me dëshira dhe energji. A do të dinte ai ti shfrytëzonte ata në mënyrën më efikase në dobi të vetes, familjes dhe shoqërisë. Kjo pyetje i rrinte vazhdimisht në kokë dhe kur dyzohej ndonjëherë se cilën gjë duhej të bënte, nga dy ose tre mundësi që kishte, i lutej Zotit, që e besonte aq shumë, për ta ndihmuar.
Veipi kishte fituar zanatin e këpucarit në fillim. Nuk ndenji gjatë në këtë stacion, jo se nuk i pëlqente, por ishte shumë statik si profesion, si një zog në kafaz. Ai kishte forcën dhe energjinë e shqiponjës dhe i duheshin hapësira për të lëvizur. Për pak vite të tjera provoi tregtinë, duke u endur mes Tiranës dhe Stambollit, duke vënë ca para mënjanë. Ishin vite të hershme dhe mund të kishte blerë një truall, apo një shtëpi në Tiranë, si shumë të tjerë. Një forcë e brendshme e tërhiqte drejt vendlindjes, drejt Dibrës dhe ai u kthye për të investuar atje, në fshatin e tij. Ju përvesh bujqësisë, në fillim me tre katër lopë, me misër, grurë e farë jonxhe.
Në vitin 1996 vjen në Dibër shoqata ADAD, me qendër në Francë dhe sjell farë patatje elitë, për fermerët e Kalasë së Dodës. Veipi bashkohet me idenë e tyre për kooperim dhe zhvillim intensiv të bujqësisë. Vetëm kështu mund të zhvillohej e të ecte përpara bujqësia dibrane. Në vitin 2000, bashkë me një grup fermerësh të tjerë, shkon në Savojë të Francës, për të fituar përvoja të reja. Habitet kur shikon se si e mbarështonin atje lopën Taranteze, në alpet me lartësi 3500 metra, në kufi me Italinë dhe Zvicrën. U mrekullua nga fuqia, rezistenca, vlerat dhe cilësitë e larta, që kishte kjo rracë dhe pa u menduar më tej, vendosi të marrë njëzetë krerë të tilla, ti sjellë në Shqipëri dhe të ngrejë një fermë blektorale.
Një vit më vonë, në vitin 2001, vjen në Shqipëri një grup pune nga Franca, për të parë se si po shkonte projekti i patates me Kalanë e Dodës. Hafuz Domi, koordinator i projektit u tregon për Veipin dhe sipërmarrjen e tij. Grupi prej 17 vetash shpreh dëshirën për ti bërë një vizitë fermerit të pasionuar, që po ngjiste shkallët e para të suksesit. Gati po binte mbrëmja dhe shtëpia bujare e Veipit nuk mund ti linte miqtë e largët me një kafe të vetme, ndaj i ndal për darkë dhe pse qenë aq shumë veta. Ishte një nga ditët e muajit të bekuar të Ramazanit. Miqtë vizituan fermën, u mrekulluan nga puna e Veipit, por u mrekulluan dhe nga bujaria e tij dhe e familjes.
– A dëshiron të ngrejmë pemtarinë në Dibër, mbi bazën e modeleve bashkëkohore? – e pyeti francezi, Zhan Sharli, drejtuesi i grupit. – A je i gatshëm për bashkëpunim?
– Patjetër që po, – përgjigjet Veipi, i sigurtë në vetvete, për atë që po thoshte. Vetëm Zotit i takon dhe i ka hije vetmia, ne njerëzve na ka dërguar në tokë për të bashkëpunuar me njëri tjetrin.
Fill pas kësaj bisede, një projekt tresh, mes qeverisë franceze, asaj shqiptare dhe Madës, hyri në zbatim. Për disa fermerë të përzgjedhur u sollën fidanë falas nga Franca, për të mbjellë nga dy dynym pemëtore, si fillim. Përveç Veipit, përfituan Medin Kryemadhi, Fehmi Zebi dhe disa fermerë të tjerë. Ishin përzgjedhur qershi, tre varitete të mollës Gala, si dhe një pjesë të llojit Pazhan 2.
– Tre vite më vonë, grupi francez i punës, vjen sërish në Dibër për të parë se si po ecte projekti i ri me pemtarinë, Veipi nuk i kishte zbatuar porositë e lëna nga specialistët francezë, por i kishte tejkaluar ata. Ata i kishin thënë ti bënte gropat me përmasa 50 centimetra, ai i kishte bërë me fadromë, me gjerësi 1, 5 metra dhe thellësi një metër, normalisht, pa kursyer plehun organik, që e kishte me shumicë. Rezultatet ishin impresionuese. Francezët u befasuan nga ajo që po shikonin dhe thanë se nuk janë fidanët tanë, aq e madhe ishte rritja e tyre. Kur u bindën plotësisht, i thanë Veipit, se vërtet qenke një njeri shumë punëtor. Ata e këshilluan të reduktonte blektorinë dhe të investohej në frutikulturë dhe Veipi ua dëgjoi fjalën ekspertëve francezë.

Hektarë të tjerë me mollë

Veip Salkurti, vendosi të investojë në pemtari dhe kryesisht në kulturën e mollës. Në vitin 2002, si pjesë e një grupi fermerësh, viziton sërish Francën. Këtë rradhë shkuan në rajonin e Azhenit, ku kultivohej molla. Veipi u mrekullua dhe nuk po u besonte syve. Mijëra hektarë të mbjellë me mollë, si në një pikturë mjeshtërore. Ishin vërtet fruta të pjekur, apo një truk dhe punim prej plastike? Veipi afrohet ti prekë dhe ngul gishtin në tulin gjithë lëng, për ta besuar plotësisht. Sytë ju mbushën me lot, kur e krahasonte pamjen e këtushme me realitetin shqiptar, ku shiteshin fidanë të paCertifikuar, kur e merrje për dardhë e dilte ftua, kur e mbillje për qershi e dilte vishnje. A thua mund ta konkurronim ne shqiptarët një perandori të tillë të prodhimit të mollës, atë të Bolzanos në Itali dhe të tjera si këto? Duhej “vrarë” mendja dhe duhej të përvisheshin mëngët. Shumë e shumë vizita bëri Veipi pas kësaj radhe, në Francë, por dhe në shtete të tjera. Ai kurrë nuk shkoi për të ngrënë, apo për të fituar ca dieta në shkëmbim. Ai donte të fitojë njohuri, eksperienca të reja, “të vidhte teknika e teknologji”, për ti sjellë në Shqipëri, për ti aplikuar në fermën e tij dhe të kolegëve dibranë.
Në vitin 2005 ferma e tij regjistronte 25 dynymë të mbjellë me mollë, kurse katër vite të tjera më vonë, kjo sipërfaqe kishte shkuar në 73 dynymë. Të gjitha ishin me mbështetje dhe në distanca 4 x 3 metra. Gjashtë dynymë ishin mbjellë me qershi, kryesisht të llojit Burlat.
Sërish e sërish Veipi dëshiron ti zgjerojë kufijtë e fermës së tij. Ndoshta synon ta plotësojë atë me dhjetë hektarë të mbjellë me pemëtore. Vetëm brenda një viti ai po shton gati një hektar të mbjellë me Arronia, me manaferra dhe lajthi italiane të tipit “Tondo Romano”.

PANAIRE TE SHUMTË, NJOHJE TË REJA

Franca ka qenë vetëm një nga stacionet e shumtë në rrugëtimin e gjatë të Veip Salkurtit. Dy herë ka qenë në panaire që janë zhvilluar në Berlin të Gjermanisë. Tre herë të tjera ka qenë në Bolzano të Italisë, në kufi me Austrinë. Dora e njeriut e ka hijeshuar atë vend, që nuk ka asgjë më tepër nga klima dhe kushtet e vendit tonë. Investime strategjike, një mekanikë supermoderne, vaditje tërësisht me pika dhe rrjeta antibreshër. Fare mirë mund ta kthejmë Dibrën në një Bolzano të dytë, thotë Veipi. Para dy vitesh erdhi në Dibër një kompani italiane për mollën, që operonte në Bolzano. Donin të bënin një plantacion prej 30 hektarësh në Moranicë të Maqëllarës. Analizat e tokës që kishin bërë në Itali kishin pasuar me rezultate fantastike. Nuk e dimë çfarë e pengoi projektin, por sigurisht, paaftësia jonë për ti thithur investimet e huaja.
Vitin e kaluar Veip Salkurti shkoi në Londër të Anglisë, ku paraqiti lëngun e mollës dibrane, të prodhuar prej tij. Lëngu i mollës së tij është dërguar dhe në Ëashington, apo në Hong Kong, duke kapërcyer tashmë dhe kontinente të reja. Të tjera panaire pret të vizitojë Veipi ynë i palodhur. Pas atij të Novi Sadit, në Serbi, në muajin mars, të këtij viti, është i ftuar në Stamboll nga dhoma tregtare e Turqisë, ku do të ekspozojë gjashtë produkte, me siglën e tij: “Koop.Frut.Dibër”.

“Koop. Frut.Dibër” – REALIZIME DHE PERSPEKTIVA

Në një nga vizitat e shumta, që pati bërë në Francë, para viteve 2006, Veip Salkurti takon një të moshuar 83 vjeçar, që prodhonte një lëng molle të shkëlqyer dhe që i ruante për gjatë kohë vlerat organo leptike të produktit fillestar. I gjithë sekreti ishte temperatura në të cilën bëhej pasterizimi, në mënyrë që të ruheshin vlerat e lëngut, që përmendëm më sipër. Kur pa këmbënguljen e Veipit, i moshuari u dorëzua dhe i dha kodin sekret. Veipi bleu në Francë një pasterizator, një mulli bloje dhe një presë për të shtypur mollën e coptuar. Të gjitha këto i montoi në një dhomë te shtëpia e tij dhe për disa vite prodhoi një lëng molle me cilësi e vlera shumë të mira, mjaft i pëlqyer nga njerëzit.
Në vitin 2007, tregon Veipi, ishim në një veprimtari në Hotel Tirana, ku promovohej bujqësia shqiptare dhe skemat e subvencionit të atij viti. Mes shumë të ftuarish ishte dhe ambasadori francez i asaj kohe. Gjatë koktejit të organizuar, ambasadori provoi lëngun e mollës, që kishte sjellë Veipi dhe i pëlqeu mjaft. I premtoi se do ta vizitonte fermën e tij dhe do të shihte nga afër punën dhe përpjekjet e tij, por dhe të fermerëve të tjerë të Dibrës.
Punishtja e vogël e shtëpisë, po i ngjizte në mendje idenë për një projekt të madh. Të hapte një linjë për përpunimin e lëngut të mollës, ku të përfitonte jo vetëm ai, por dhe shumë fermerë të tjerë të Dibrës, që do ta sillnin aty prodhimet e tyre. Ai aplikoi në skemat e “Ipard like”. Kishte shumë punë, shumë lodhje, shumë procedura, për të plotësuar dokumentacionin, por në fund u shpall fitues. Linja u vendos në një objekt, jo larg qytetit të Peshkopisë. Përveç linjës së instaluar, aty ndodhen dhe katër dhoma frigoriferike, me një kapacitet mbajtës prej 500 ton mollësh.
Në vitin 2015 linja ishte gati, por ajo u vendos në punë një vit më vonë, në vitin 2016. Ndonëse ka kaluar vetëm pak kohë nga fillimi i punës, shumë sasi molle janë përpunuar aty, ku vetëm këtë vit kanë qenë rreth 200 ton. Sa ton mollë do të ishin kalbur, po të mos kishte qenë linja, duke u zgjatur jetën me 18 muaj, falë përpunimit!
Nga një produkt, siç qe në fillim lëngu i mollës, tani janë shtuar dhe disa të tjerë. Uthulla e mollës është një prej tyre, që po pëlqehet shumë nga konsumatori për vlerat e saj të shumta, pse jo dhe kurative. Lëng molle i kombinuar me ftua, me boronicë, me qershi, me manaferra, apo lëng dardhe në vete, janë produktet e reja që “Kop.Frut.Dibër” ka hedhur në treg për konsumatorët. Dyqanet e Big Market, të Sparit dhe shumë kompani të tjera prestigjoze kanë hapur dyert për këto produkte shumë cilësore. Këtë vit synohet që lëngjet e prodhuara prej tij të shtrihen drejt jugut të Shqipërisë dhe plazheve të këtij rajoni.
Veipi e di që gjërat e mira e të bukura nuk bëhen kollaj, ai e di se konkurrenca është e fortë, por ka besim se do t’ja dalë mbanë me ndihmën e Zotit. Puna, vizioni, këmbëngulja dhe ndershmëria, janë armët për të arritur suksesin dhe jemi të bindur se Veip Salkurti i posedon këto cilësi.