Rruga e Arbrit: Janë realizuar 40% e punimeve


Rrok Gjoka, Presidenti i Kompanisë “Gjoka Konstruksion”: “Tuneli do të bëhet! Shembja në tunelin e Murrizit është në një gjatësi 60 metra. Inxhinierët po merren me studimin dhe shumë shpejt do t’i propozojmë Ministrisë së Infrastrukturës zgjidhjet teknike”.

Më 18 korrik, ashtu sië është bërë zakon vazhdimisht nga zyra e Kryeministrit, në profilin e tij në facebook është përcjellë një video-informacion 50 sekonda mbi ecurinë e punimeve në Rrugën e Arbërit. Për ndonjë që e njeh terrenin mund të dallojë në to ndryshimet ne ecurinë e rrugës, por për të tjerët është e vështirë. Kjo e ka rritur edhe më shumë spekulimin nëse punimet po vazhdojnë në rrugë apo ato janë ndërprerë.
Gjatë një konference për shtyp më 30 korrik me gazetarët, kryeministri Edi Rama, duke folur për arritjet e qeverisë në infrastrukturë, ka përmendur edhe Rrugën e Arbërit.
“Janë realizuar 40% e punimeve në Rrugën e Arbrit. Është një progres shumë i kënaqshëm dhe falë partneritetit publik, privat, një termi të kriminalizuar si rezultat i shfrenimit propagandistik, shumë shpejt, Dibra dhe gjithë ajo zonë e izoluar prej dekadash, për të mos thënë shekujsh, do të jetë e lidhur me kryeqytetin dhe do të jetë faktikisht një territor i ri, që do të zbulohet në sytë tanë, një jastëk i gjelbër i Tiranës, në një aks me bukuri përrallore dhe me potenciale fantastike”, – tha kryeministri Edi Rama.
Shembja e tunelit të Murrizit ndodhi në mes të majit, por ajo u bë publike në fillim të qershorit, kur një foto iu shpërnda disa portaleve dhe mediave online. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe vetë kompania e pranuan lajmin, por nuk specifikuan se në çfarë gjatësie kishte ndodhur shembja dhe pasojat e saj.

Më datën 2 gusht, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpërndau një video në faqen e saj zyrtare në facebook, ku tregonte një vëzhgim të punës që ministrja Balluku po bënte në dalje të Tunelit të Murrizit, në anën e Klosit.
Duke folur për vështirësitë e hasura gjatë punës, presidenti i Kompanisë “Gjoka Konstruksion” i tha ministres se edhe këtu janë hasur vështirësi, por shpresojmë se pas 30 metrash do të takojmë formacione gëlqerore dhe do të na ndihmojnë për një ecuri më të mirë të punës.
“Para dy ditësh patëm shumë prurje, si përrua dilte, – tha Gjoka. – Tani ka rënë pak uji, pasi po punojnë pompat. Shpresojmë që pas rreth 30 metrash të rregullohet formacioni dhe puna të ecë normalisht”.
Një inxhinier i huaj, që punon pranë Kompanisë, ishte më konkret në shpjegimet e tij. Me një gur në dorë ai tha se: “Ky është një gur, në të cilin po shpojmë tani, që quhet rreshpe argjilore, një lloj guri balte. Ndërsa po gërmojmë, ky lloj shkëmbi, siç e shikoni, mbahet me grila çeliku dhe bulona shkëmborë. Por, kur ky lloj guri has në ujë edhe presion, siç mund ta shikoni, bëhet baltë; është një lloj balte, konsiderohet si një shkëmb shumë i dobët, por mund të punohet me një sistem të fortë mbështetës…”.
Ai shtoi se “presim të hasim gur gëlqeror pas 30-40 metrash, pasi tani jemi në zonën e thyerjes (një thyerje e zgjatur brenda një shkëmbi që shkakton jonjëtrajtshmëri në shtresat shkëmbore të tij- shënim i përkthyesit) mes rreshpës argjilore dhe gurit gëlqeror. Kur të arrijmë gurin gëlqeror, që është me fortësi mesatare, presim që puna të lehtësohet shumë”.
“Nga të dhënat gjeologjike të të gjithë njerëzve këtu në Shqipëri mendohej se rreth 2 km nga Qafë Murrizi në drejtim të Xibrit, do të ishte pjesë gëlqerore-shkëmbore, – thotë në videon e transmetuar presidenti i Kompanisë “Gjoka Konstruksion”. Ai tha se “nga krahu i Tiranës e dinim që është formacioni i dobët, por jo që ka rrëshqitje, dhe rrëshqitje në thellësi shumë të madhe. Dhe kjo pastaj e ka ngatërruar pak punën”.
Ministra Balluku kërkoi të dinte nga Presidenti i Kompanisë “Gjoka Konstruksion” se si po e analizonin këtë situatë dhe cilat do të ishin zgjidhjet.
Rrok Gjoka gjatë fjalës së tij bëri një panoramë të vështirësive të punimeve që kur ato kanë nisur dhe pavarësisht tyre, ai është i bindur se tuneli do të bëhet.
“Që në fillimet e para kur kemi filluar punën vumë re që nuk ishte e njëjta situatë siç ishte parashikuar, – thotë Rrok Gjoka. Bëmë investigimet e para duke vazhduar, duke mos ndërprerë punimet, duke ecur përpara me tunel. Dhe erdhi një moment që konstatuam që situata është shumë më tepër e komplikuar. Mendonim që rrëshqitja në hyrjen e tunelit, ku situata është më e keqe, rrëshqitjet mund të ishin te 20-metërshi dhe pas investigimeve me mjete, me specialistë, rezulton se rrëshqitja është mbi 60 m. Dhe kjo pastaj na detyroi që ta ndalonim në hyrje, ta kalonim këndej nga dalja (Në Xibër- shënimi ynë) për të mos ulur ritmet dhe jemi në përfundim të investigimeve. Besoj se shumë shpejt, punë ditësh, do t’i dalim Ministrisë me propozim e një apo dy variante, të cilat do të vlerësohen se si mund të zgjidhen. Mendojmë se mund t’i dalim me një by pass rrëshqitjes, por për momentin nuk kemi akoma një përgjigje përfundimtare. Fjalën e fundit do ta thonë specialistët dhe inxhinierët që po merren me këtë punë. Por, gjithsesi, tuneli do të bëhet.”
“Për ne është shumë e rëndësishme që gjithë vendimmarrja që do të marrim nga ky moment e tutje për sa i përket tunelit të Murrizit të jetë e bazuar në analiza dhe në skanime që vijnë nga nëntoka. Sigurisht, këto të vlerësuara nga ekspertët tuaj dhe inxhinierët”, – tha ministrja Balluku.
Në fjalën e saj Balluku vuri theksin në përfundimet e punimeve para afatit, siç është premtuar, por ndërkohë edhe në gjetjen e zgjidhjeve teknike të specializuara dhe përfundimtare.
“Për sa kohë marrim vendime bazuar mbi fakte teknike, sigurisht zgjidhja do të jetë e mirë. Zgjidhja është komplekse. Nuk e vëmë në dyshim që do të na harxhojë pak më shumë kohë, por ndërkohë jemi zotuar që ky projekt i gjithi duhet të mbarojë para afatit” – tha Ministrja Balluku.
Për të përfunduar punimet në afat, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku përmendi për herë të parë edhe zgjidhje alternative.
“Shpresojmë që rezultatet që do të dalin nga i gjithë sondimi që ju po bëni në nëntokë të jetë rezultatet që do të na japin një zgjidhje që nuk do na marrë shumë kohë. Megjithatë, ne kemi një plan B, pra, ndërtimin e by pass-it mbi këtë tunel, në rast se nuk kemi mundësi për të proceduar më tutje”, tha ajo.
B. Karoshi

Rruga e Arbrit, Balluku inspekton punimet në tunelin e Murrizit

Belinda Balluku, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë: “Për ne është shumë e rëndësishme që gjithë vendimmarrja që do të marrim nga ky moment e tutje për sa i përket tunelit të Murrizit të jetë e bazuar në analiza. Për sa kohë marrim vendime bazuar mbi fakte teknike, sigurisht zgjidhja do të jetë e mirë. Nuk e vëmë në dyshim që do të na harxhojë pak më shumë kohë, por ndërkohë jemi zotuar që ky projekt i gjithi duhet të mbarojë para afatit. Shpresojmë që rezultatet që do të dalin nga i gjithë sondimi që ju po bëni në nëntokë të jetë rezultatet që do të na japin një zgjidhje që nuk do na marrë shumë kohë. Megjithatë, ne kemi një plan B, pra, ndërtimin e by pass-it mbi këtë tunel, në rast se nuk kemi mundësi për të proceduar më tutje”.

Rruga e Arbrit do të jetë gati dhe e aksesueshme për të gjithë përdoruesit para afatit të parashikuar në kontratë, pavarësisht problematikave të hasura gjatë zbatimit të projektit. Aktualisht në të gjitha veprat e këtij aksi projekti po ecën me ritme të mira dhe punimet po kryhen me cilësi.
Situatë problematike është krijuar vetëm në zonën ku po ndërtohet tuneli i Murrizit, ku përbërja gjeologjike e nëntokës ka shkaktuar rrëshqitje duke krijuar vonesa në ecurinë e punimeve. Prezenca e formacioneve të dobëta të kësaj pjesë të nëntokës ka bërë që inxhinierët dhe specialistët e kompanisë që po kryen punimet kanë nisur punën për gjetjen e një zgjidhjeje që i jep fund kësaj situate.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ishte në tunelin e Murrizit për t’u njohur nga afër me ecurinë e punimeve por edhe me problematikat e hasura në këtë pjesë të rrugës si dhe mënyrën sesi po procedohet nga ana e kompanisë që realizon punimet.
“Pas investigimeve me mjete, me specialistë, rezulton që rrëshqitja është mbi 60 metër. Dhe kjo pastaj na detyroi që ta ndalonim në hyrje, të kalonim, për të mos lënë ritmet këtej nga dalja, dhe jemi në përfundim të investigimeve dhe besoj shumë shpejt, punë ditësh do t’i dalim Ministrisë me propozimin e një apo dy varianteve të cilat do të vlerësohen sesi mund të zgjidhen”, bëri të ditur përfaqësuesi i kompanisë “Gjoka Konstruksion”.
Nga ana e saj, ministrja Balluku u shpreh se pavarësisht problematikave kompania që po kryen punimet është duke e menaxhuar situatën në mënyrë profesionale.
“Çfarëdo që është duke ndodhur sot në këtë tunel tregon profesionalizimin me të cilin ju po e menaxhoni situatën. Kjo është një situatë e vështirë, pavarësisht studimeve që janë bërë, edhe nga Ministria në fillim të projektit, edhe nga vetë kompania, por ka rezultuar që shtresat nëntokësore, formacionet shkëmbore të kësaj zone janë formacione të dobëta, të cilat shpesh herë kanë pësuar rrëshqitje duke krijuar vonesa në punë”, u shpreh Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë garantoi se zgjidhja që do t’i jepet këtij shqetësimi do të jetë ajo më optimale, që do të dalë nga analizat dhe vlerësimet që do të bëjnë specialistët dhe ekspertët e fushës.
“Përsa kohë marrim vendime, të cilat do të jenë të bazuara në fakte teknike, sigurisht zgjidhja do jetë e mirë. Është një zgjidhje komplekse. Nuk e vëmë në dyshim që do na harxhojë pak më shumë kohë, por ndërkohë jemi zotuar që ky projekt i gjithi duhet të mbarojë para afatit dhe shpresojmë që rezultatet që do dalin nga i gjithë sondimi që ju po bëni në nëntokë të jenë rezultate të cilat na japin një zgjidhje që nuk do na marri shumë kohë. Megjithatë, siç ju thatë, ne kemi një plan B për krijimin e një bypass-i mbi këtë tunel në rast se nuk do kemi mundësi për të proceduar më tutje”, nënvizoi Balluku.
Përfaqësuesi i “Gjoka Konstruksion” theksoi edhe një herë se pavarësisht problematikave tuneli do të ndërtohet sipas afateve të parashikuara më herët.

Ndiq këtu videon e shpërndarë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë:
Video e datës 18 korrik: https://tinyurl.com/y5sgz688
Video e datës 2 gusht: https://tinyurl.com/y337ydr3