Edhe një kërcimtari fluturues mund t’i shtohet tempi i valles


U njohëm në fillimvitet ’70 në auditoret e ILA, (sot Akademia e Arteve të Bukura), vite shprese, kulturimi e qytetërimi për ne, si për gjithë rininë shqiptare. Po hapnim një faqe të re në rrugëtimin tonë jetësor dhe profesional. Do gatuanim e farëzonim dhuntitë tona artistike nga mjeshtrit më në zë të shekullit. Do njiheshim me veprat artistike dhe talentet më të mëdha të kombit dhe po futeshim në hullitë e një misioni të madh për të lënë gjurmët tona në trashëgiminë artistike kombëtare. E forcuam miqësinë tonë në auditoret e leksioneve e bashkëbisedimet me pedagogët tanë të paharruar, të cilët qenë mentorët tanë, por edhe ato që na mirëkuptuan që në ditët e para. Ai mirëkuptim e kishte zanafillën jo vetëm në talentin dhe në shpërfaqjen e vlerave të vendorigjinës nga vinim, por edhe se, ne të dy ishim shkëputur nga profesioni i mësuesit, ku vështrimi i ngrohtë i nxënësve na kishte ‘pjekur’ me përgjegjësinë e seriozitetin e të mësuarit. Për herë të parë po e dëgjonim nga i nderuari prof. Ramadan Sokoli se, “ju që nuk keni ardhur me lugë në brez, jeni kontigjenti më i vullnetshëm për të përfituar nga leksionet tona”. Dhe vërtetë disa nga shokët tanë studentë dalloheshin për një dashuri më të madhe ndaj librit dhe frekuentim të rregullt të bibliotekës së shkollës. Nuk mundej ndryshe pasi seminaret me A. Kallullin, R. Brahimin, Xh. Simixhiun, S. Gjikondin, apo njohja e bisedat me aktorë të mëdhenj si Naim S. Frashërin, S. Prosi, kompozitorët Çesk Zadeja, Feim Ibrahimi e Tonin Harapi, këngëtarët dhe pedagogët Ramis Kovaçi e Gjoni Athanas, piktorët Sali Shijaku e Fatmir Haxhiu, deri te bashkëstudentët humoristë Vaso Vangjeli e Veli Rada, apo këngëtaret E. Qazimi, L. Sota, muzikantët F. Deda e A. Krajka, G. Mullahi e S. Tili, Xh. Ujkani, Z. Çoba e Xh. Imeraj, e shokët e degës sonë: M. Berisha, G. Gjeçi, S. Haklaj, K. Susaj etj, ishin projektorë të ndritshëm të një autostrade gjigande e dinjitoze që do të përshkonim gjatë jetës sferën e kulturës kombëtare si specialistë e drejtues.
Dega jonë e kulturës masive, konsiderohej si një aneks i specializuar për drejtues kulture në kooperativat bujqësore. Por ishin pikërisht një numër talentesh që i “prishnin” kufijtë midis specialiteteve të artit. Nga shkëndijat krijuese dhe ambicia jonë personale rrethuar nga gëlimi i jetës së ndezur pedagogjike e artistike ne nuk mbeteshim vetëm në suazën e frymëzimit e inspirimit, por si pjesë e aktive e skenës dhe krijimit.
Duartrokitjet e valles e vënë në skenë nën koreografinë e Xhevatit në vitin 1975 në ILA me interpretimin e shokëve tanë studentë, ishte sinjali profesional se ky student është jo vetëm kërcimtarë fluturues i cilësuar si i tillë në vitin 1971 në Dizhon, por edhe një koreograf i suksesshëm i së nesërmes. Pikërisht për këto dhunti e pasione edhe diplomën e mbrojti me temën rreth kësaj gjinie arti. Por provimin më të madh, më të plotë dhe më cilësore e mbrojti gjatë gjithë karrierës artistike si kërcimtar me origjinalitet të spikatur dhe si krijues e drejtues i valleve në Dibër e Tetovë, Shkup e Prishtinë, Prizren e Burrel. Për më tepër si valltar virtuoz, i veçantë në stilin e vet, ka mbetur në kujtesën e mijëra spektatorëve brenda vendit, por edhe në disa shtete të Ballkanit e të Evropës. Xhevat Fana ishte një talent i mbrujtur me dashuri e komunikim njerëzor, i admirueshëm nga të gjitha trupat e valleve që drejtoi e nderoi dhe i respektuar në hierarkitë e administratës, ku nuk shihej me xhelozi suksesi e talenti.
Njohjen dhe miqësinë tonë e bashkonin norma e principe njerëzore, origjina sociale e dialekti kulturor, angazhimi e misioni profesional. Ishim gjithnjë të pandarë saqë në Institut na i ngatërronin emrat e njëri-tjetrit. Prindërit e të afërmit gjithnjë më pyesnin për ecurinë e karrierës së tij. Cilësitë e shprehura në sjelljen e tij të butë e të ëmbël, të qetë e të qeshur, të mënçur e të shkathët i manifestonte në marrëdhënie me njerëzit e çdo moshe e profesioni, çdo kulture e regjioni.
Nuk mund të lë pa përmendur rastin kur Xhevati “prishi” dasmën e djalit të hallës time në Rremull të Matit në vitin 1976. Pas prezantimit e kafes së urimit për dasmën, dhe pas disa vallesh të kërcyera në odën e burrave të Ibrahim Kukës, radha i erdhi mikut- artist, dibranit që do të merrte famën e asaj ode të mbushur me burra. Kam rastin të cilësoj se vallet e rënda në trevat e Matit, Dibrës e Kukësit flasin me të njëjtën gjuhë artistike e ritmikë krejt të njëjta. Xhevati me mjeshtërinë dhe kulturën e të kërcyerit, stilin e lëvizjet e tij brilante, thekset e elegancën, dinamikën e shkëputjet e tij nga toka emocionuan e mahnitën gjithë të pranishmit në odë. U deshën pak çaste që të dyfishohej oda me njerëz. Me urimet: “të lumshin këmbët”, “zoti të paska bekue më fat të madh, or djal”, Xhevati u ul në vendin e tij diku afër oxhakut. Pas një heshtje të shkurtër zoti i shtëpisë iu drejtua Xhevatit: “Më prishe dasmën, or mek!” Heshtje dhe të qeshura. Ajo e folme, ishte në stilin alegorik të të parëve të krahinës së Xhevatit. “- E rregullojmë prap or majk”, u përgjigj Xhevati. Rifilloi muzika, të pranishmit filluan të shohin njëri-tjetrin, por askush nuk “guxonte” të ngrihej. Megjithëse kërcimtarët vendas nuk mungonin, të kërcyerit e Xhevatit nuk arrihej. Diferenca fliste me heshtjen. Kjo konfirmoi edhe “shqetësimin” e zotit të shtëpisë.
“- Prandaj të thashë “më prishe dasmën” se tani nuk del ma kush me kërcy!”
Do të vinte më pas dasma e martesës sime dhe Xhevati bashkë me vëllanë e tij, Skënderin, i cili luante në fizarmonikë, u bënë sherbeti i asaj nate të paharruar.

***

Xhevati ishte një talent i pajisur me shumë dhunti. Ai ishte një bard me cilësi të rralla si valltarë, si instrumentist edhe si këngëtar. Jeta skenike dhe formimi i tij kulturor ia pasuruan më tej intuitën artistike dhe reflekset e tij të lindura. Qëmtoi e gjurmoi me shumë kujdes e dashuri visaret artistike më të vyera të trevës së vet. Inspirohej shumë me sensin drejt së bukurës, drejt kategorive estetike, ku mbeti gjithë jetën një artist i adhuruar, por edhe një subjekt i rëndësishëm i studiuesve dhe koreografëve të mirënjohur. Atë e çmonin shumë Gëzim Kaceli, Panajot Kanaçi, Ëngjëll Tërshana. E admironte shumë solisti i AKKVP, i madhi B. Zekthi i cili identifikonte vallen dibrane me stilin e kërcimit të Xhevat Fanës. Xhevati mblodhi e krijoi këngë folklorike, mori pjesë gjithnjë në grupin e orkestrinës dhe të rapsodëve të shtëpisë së kulturës “H. Stërmilli”, bashkëpunoi e drejtoi rite e valle tradicionale të Dibrës në të gjitha festivalet folklorike Kombëtare. Xhevati kishte meritën e paraqitjes së koloritit në këto festivale sipas një platforme të mençur studimore të të gjithë zonave e nënzonave etnokulturore të Dibrës duke demonstruar begatinë e gjinive dhe llojeve të valleve të grave e të burrave, lirike e epike, gjithnjë duke ruajtur me fanatizëm origjinalitetin konform kritereve të përcaktuara. Ishte pikërisht ky talent i formuar profesionalisht, që nën drejtimin dhe interpretimin e tij, vallet dibrane rreshtoheshin në vallet më të bukura në skenat e festivaleve e koncerteve kombëtare.
Rendimentin e tij krijues dhe interpretues mendoj se e dëshmoi me recetë. Receta e begatisë së artit të Xhevat Fanës, si e disa artistëve të tjerë të gjeneratës sonë, lidhet me një strategji kulturore të paracaktuar. E përdora termin mjekësor “recetë”, mbasi jo rrallë artistët e kanë parë veten në pavionet e kurimit për shkak të antikonformizmit që dikton vetë profesioni dhe pasioni i artistit. Ajo strategji, vërtetë nuk të cënonte lëvizjet e këmbëve, nuk të linte pa veshje e pa kalendar veprimtarish, pa plane koncertesh e turneshë, kërkonte disiplinë skenike etj. Nuk të ndërhynte as në telat e çiftelisë apo lëkurën e daulles. Synonte dhe punonte t’i mbushte institucionet me profesionistë, të shkolluar, të bindur. Por të gozhdonte me tematikat e boshtin ideologjik. Rekuizita e mesazhi që përcillej domosdoshmërisht do të zbukuronin e glorifikonin fasadën e dështimit të një sistemi, që ne nuk e kundërshtonim dot. E kundërshtoi ndokush, por hija e rëndë e diktaturës dhe e dorës së fshehtë përshkonte çdo qelizë të dukshme e të padukshme dhe të tundte para hundësh tiparet e ‘njeriut të ri”. Madje, për shkak të pasionit dhe mbijetesës profesionale, për shkak edhe të garës së padrejtë e shpesh fyese, u përpoqëm të deshifronim me kujdes orientimet bojëdala të programeve që përpunoheshin e miratoheshin në zyra joprofesionistësh. Nuk ka qenë e këndshme, as e pastër, kur ndokush nga fronti i kulturës paraqitej i devotshëm në zbatimin e atyre orientimeve e më keq kur bëhej gardian i mbrojtjes së tyre. Por edhe në këto raste, kur është fjala për të bërë bilancin krijues e drejtues duhet gjykim i ftohtë e vullnetmirë për të ndarë “punët e shkollës me të konviktit”, përmendëte shpesh një koleg.
***
Ndoshta arkivi i tij personal ruan materiale ku mund të vërtetohet ndonjë punë a përpjekje e tij e pa dalë në dritë, por unë si mik i ngushtë i tij dhe i shumë artistëve të Peshkopisë, si njohës i afërt i cilësive të tij shoqërore dhe profesionale rrekem të aludoj se Xhevat Fana nuk u mirëkuptua plotësisht nga mjedisi rrethues profesional e administrativ, apo nuk u orientua drejt në klimën bashkëpunuese dashamirëse, që ky artist të derdhte në skena gjithë nektarin e shpirtit të tij krijues. Mendoj se, si për shumë artistë të tjerë (sidomos në mjedise ku sundon mentaliteti rural) u vlerësua përkatësia e tij politike. Ky mentalitet administrativ konservator, tepër i dëmshëm për forcat krijuese dhe skenat e artit ka prekur shumë segmente e individë të artit dhe pasojat e tij nuk janë thjeshtë individuale. Të posedosh një artist të përmasave të Xhevat Fanës dhe ta zvogëlosh atë në përmasat e subjektit politik që i përket, është dëmtim që u bën vlerave të trashëgimisë kulturore lokale, por dhe zbehje të efektivitetit të vlerave qytetëruese.
Carl Jung shkruan: “Këpuca që i bie mirë njërit, i bie ngushtë tjetrit. Nuk ka një recetë që mund të jetë e mirë për të gjithë’.
Sfera publike e protagonizmit, talenti dhe kultura profesionale, cilësitë e tij qytetare, sfidat dhe trashëgimia e tij gjenuine e krijuese mendoj se e meritojnë vëmendjen ndaj tij. Sigurisht në këto ditët e para të ndarjes së Xhevatit nga gjiri i familjes, shoqërisë dhe artdashësve, jemi nën ankthin e dhimbjen që shkakton mungesa e tij e papritur dhe mendoj se mirëkuptohemi për ndonjë paqartësi a ngutje. Por institucionet, ku Xhevati punoi e krijoi një jetë të tërë, shpresoj se do të marrin përsipër të promovojnë rrezatimet e dimensioneve të kontributit profesional, si një vlerë e trashëgimisë dibrane në kulturën kombëtare. Peshkopia ka dëshmuar vlera promovuese serioze e profesionale ndaj kontributeve të bijve e bijave të vet nëpërmjet shoqatave të intelektualëve. Shumë miq e bashkëpunëtorë të Xhevatit dhe artistëve ekselentë dibranë kanë se ç’të thonë dhe presin të plotësojnë e pasurojnë panoramën e bukurisë së vlerave të artit e kulturës dibrane si njëra prej trashëgimive me të pasura, të pastra e krenare që duhet t’u lëmë gjeneratave të ardhshme.
Tiranë, gusht 2019