Vjeshtë në Dibër


Foto: Plantacion mollësh në Dibër. Foto: Fotot marrë nga Facebook/Dibra Traditë dhe Turizëm

Molla në Dibër ze një vend të rëndësishëm në kulturat drufrutore. Bashkë me qershinë ata kryesojnë listën me nga 450 hektarë gati secila. Në renditjen varietore të mollës, vendin e parë e zë Starkingu me gati 40 përqind të sipërfaqes. Pastaj vjen Goldeni me gati 30 përqind e më pas Green Smithi me 15 përqind të totalit. Diferencën e bëjnë varitetet e tjera. Por koha tregon se kjo listë, kjo strukturë e kjo përqindje, po përmbyset. Lloje të tjera si Pink Ledi, Fuxhi pak ngapak po përpiqen të dominojnë, duke qenë të preferuarit në tryezën e konsumatorit.

Vjeshta tashmë është ulur këmbëkryq, si në gjithë Shqipërinë, ashtu dhe në Dibër. Kur përmend vjeshtën, menjëherë të bie ndërmend molla, arrat, gështenjat, apo fasulja e njomë. Është bukur dhe romantike, kur i përmend, kur i shikon, kur i shijon, por sa punë, lodhje, mundim e shpesh zhgënjim, kur synon rezultatin final.
Molla në Dibër ze një vend të rëndësishëm në kulturat drufrutore. Bashkë me qershinë ata kryesojnë listën me nga 450 hektarë gati secila. Në renditjen varietore të mollës, vendin e parë e zë Starkingu me gati 40 përqind të sipërfaqes. Pastaj vjen Goldeni me gati 30 përqind e më pas Green Smithi me 15 përqind të totalit. Diferencën e bëjnë varitetet e tjera. Por koha tregon se kjo listë, kjo strukturë e kjo përqindje, po përmbyset. Lloje të tjera si Pink Ledi, Fuxhi pak ngapak po përpiqen të dominojnë, duke qenë të preferuarit në tryezën e konsumatorit.
Viti i kaluar pati risi për sa i përket kësaj kulture. Tejet i bollshëm në prodhim, shumë i dobët në shitje dhe në treg. Të paktën 100 ton mollë u kalbën, ku vetëm dy fermerë, Adriatik Kaja në Gjoricë dhe Premtim Agolli në Maqëllarë patën nga 20 ton të dëmtuar për mungesë të tregut. Shumë humbje patën dhe fermerë të tjerë si Ramazan Xholi, Gëzim Ademi, Hamit Abazi, Jashar Kurti e shumë të tjerë. Shumë fermerë morën dhe dhoma frigoriferike me qira, por këto jo vetëm që nuk e zgjidhën problemin, por shtuan dhe qiranë në koston e mollës, duke bërë që humbja të ishte akoma më e madhe
Këto probleme sollën pasoja për të djeshmen dhe për të sotmen. Shumë fermerë të zhgënjyer nuk patën më zemër, dëshirë, por dhe para për të bërë shërbimet e mollës ashtu siç duhej. Si rezultat prodhimi i tyre për këtë vit, ose është i pakët në sasi, ose i dobët në cilësi, ose të dyja së bashku. Këtë vit punët duken pak më ndryshe me tregun. Në këtë fillim sezoni çmimi i mollës sillet nga 350 lekë, 400, apo 450 lekë për një kilogram mollë. Ka fermerë që i kanë kryer gjithë shërbimet si duhet dhe prodhimin e kanë shumë cilësor. Mund të përmendim si të tillë Medin Kryemadhin, Vëllezërit Tifeku, apo Mehmetajt e Treçës, Qatip Dodën dhe Dan Seitin në Maqëllarë e shumë të tjerënë Tomin e në Kastriot.
Nga një pësim duhet nxjerrë mësim thotë populli. Në këtë betejë për mbijetesë duhet punuar fort e me mençuri si nga fermeri, ashtu dhe nga shteti. Fermeri duhet të informohet e të orientohet nga kërkesat e konsumatorit, kurse shteti duhet të mbështesë fuqishëm, fermerët në çdo fushë e në çdo hallkë të prodhimit. Skemat e subvencionit kanë ardhur duke u zbehur dhe këtë vit nuk është mbështetur, thuajse asnjë masë në mbjellje drufrutoresh, përveç bletës, të imtave, apo diçka tjetër në blegtori. Maqedonia e Kosova i japin më shumë prioritet bujqësisë, duke qenë se aty angazhohet akoma një pjesë e mirë popullate, apo se është një shoqëruese e përhershme e turizmit.

Mungesa e fondeve e tregut, trillet e motit dhe plot rreziqe të tjerë po bëjnë që njerëzit të humbin shpresën se mund të fitohet në bujqësi dhe po marrin udhën për në shtete të tjerë.
Një grup tjetër drufrutorësh, ku po drejtohet vëmendja e fermerit të sotëm, janë dhe arrorët. Shërbimet e pakta, jetë gjatësia e tyre në vite, lehtësia për ambalazhim e transport, po i bëjnë ata gjithnjë e më interesantë për fermerin e sotëm. Deri më sot ky grup është karakterizuar nga një rritje spontane, pemë të mbira vetiu, diku në mezhda arash . Sot po shihen gjithnjë e më tepër blloqe të rinj, të bukur e të sistemuar me arra, lajthi e gështenjë. Deri tani janë mbjellë rreth 200 hektarë dhe rritja vazhdon akoma.
Nuk mund të lëmë këtu pa përmendur ndihmesën e paçmuar që po bën fondacioni “World Vision”, me shefe Majlinda Hoxhën. Para dy vitesh ata stimuluan mbi 70 fermerë të Maqellarës dhe Kastriotit me mbelljen e tre dynymëve me lajthi për secilin prej tyre, pra mbi 20 hektarë sipërfaqe të mbjellë në total Lajthia ishte e llojeve Tondo romano dhe Visoka dhe që tani ata i kanë dhënë frutet e para. Jo vetëm kaq. Në bashkëpunim me sektorin e ekstensionit në Dibër, ata kanë trajnuar fermerët për shërbimet kryesore në këtë kulturë, madje duke bërë dhe vizita në Fier, Gjirokastër e Librazhd, për të shtuar njohuritë e për të krijuar kontakte.
Qatip Doda, përgjegjës i shërbimit të Ekstensionit në Dibër, na tregon se një praktikë e tillë është ndjekur sërish nga fondacioni, në po ato zona. Këtë radhë janë mbjellë nga tre dynymë me gështenjë, për çdo fermer, duke e shtuar me dhjetë hektarë sipërfaqen në total. Dhe këtë vit “World Vision” u mundësoi mbi 20 fermerëve të Dibrës një vizitë në Lezhë e në Shkodër për të marrë eksperiencë e për të parë pikat e grumbullimit, që ndodhen këtu.
Falë një pune plot pasion sot sheh blloqe të mbjellë me arrorë, në sipërfaqe të mëdha, të sistemuar bukur, të rrethuar e me vaditje në formë pikash. Rezultatet janë premtuese e fermerët ndihen optimistë.
Vjeshta ka ardhur në Dibër. Ne duam që ajo të mos jetë thjeshtë e bukur, por dhe me sa më shumë para në xhepat e fermerëve. Secili le të bëjë aq sa mundet në mënyrën e vet, në pozicionin e vet, që gjërat në bujqësi e kudo të jenë ndryshe e këtu të sigurohet punë për të gjithë njerëzit.