Për një shoqatë të vetme kulturore – atdhetare mbarëdibrane


Shoqata Lidhja e Intelektualeve Dibrane gjatë një sesioni shkencor me teme "Përmirësimi dhe ndërtimi i rrugëve lidhëse me aksin kryesor të Rrugës së Arbërit për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe turizmit historik e malor në Qarkun e Dibrës", qershor 2019.

Kësaj kërkese dhe këtij misioni fisnik nuk duhet t’i shmanget asnjë dibran, pavarësisht nga shkalla e arsimimit, gjinisë, përkatësisë krahinore, fetare, politike etj. Nuk ka dy, pesë apo dhjetë Dibra, por ekziston vetëm një Dibër, që falë Zotit, ka një bashkësi me potencial të fuqishëm njerëzor dhe intelektual. E kemi për nder që jemi trashëgimtarët e atyre të parëve tanë që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme për të zënë meritueshëm vendin që u takon në Panteonin e lavdisë së Kombit tonë.

Qëllimi i këtij artikulli nuk synon që t’i bëje radiografinë e plotë gjendjes apatike dhe dobësive alarmante që karakterizon prej vitesh funksionimin jo normal të “shoqatave’’ dhe “shoqatëzave’’ të ndryshme ekzistuese dibrane (legale apo të pa licencuara).

Sikurse dihet, këto shoqata e ushtrojnë veprimtarinë (gjithsesi të papërfillshme) sipas parimit: “Me mirë me pak se asgjë”, nën siglën e etiketave krahinore, profesionale etj. Është për të ardhur keq se këto aktivitete po i realizojnë duke abuzuar me faktin se kinse përfaqësojnë “ komunitetin dibran” ose pjesë të tij. Dashur padashur, ato i kanë faturuar imazhit të kësaj bashkësie, një dëm të konsiderueshëm. Në këtë shkrim dëshiroj të vë theksin kryesisht të problemi se cilat janë rrugët dhe masat më efektive për të bërë një kthesë historike në veprimtarinë shumëplanëshe dhe gjithëpërfshirëse që aspiron dhe meriton shoqëria dibrane në drejtim të informimit, edukimit të shumëllojshëm dhe për sensibilizimin e saj maksimal në rrafshin etnokulturor, atdhetar, shoqëror, madje edhe në atë të solidaritetit human.

Kësaj kërkese dhe këtij misioni fisnik nuk duhet t’i shmanget asnjë dibran, pavarësisht nga shkalla e arsimimit, gjinisë, përkatësisë krahinore, fetare, politike etj. Nuk ka dy, pesë apo dhjetë Dibra, por ekziston vetëm një Dibër, që falë Zotit, ka një bashkësi me potencial të fuqishëm njerëzor dhe intelektual. E kemi për nder që jemi trashëgimtarët e atyre të parëve tanë që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme për të zënë meritueshëm vendin që u takon në Panteonin e lavdisë së Kombit tonë.

Dibra përfaqëson një ndër trevat më të shquara të kombit shqiptar sepse në bilancin e saj historik vetëm nga shek. XV e deri në fund të vitit 1921, në këtë trevë janë zhvilluar mbi 12 kryengritje të armatosura e të dokumentuara kundër hordhive osmane, sllavo-serbe; sllavo-bullgare. Në Dibrën tonë janë mbledhur 13 kuvende e kongrese mbarë dibrane e kombëtare, ku përfaqësuesit e 9 maleve të Dibrës, kanë lidhur “besa-besën” sa herë që ka qenë nevoja për të mbrojtur çdo pëllëmbë toke të trojeve tona etnike dhe të drejtat e tyre kombëtare e njerëzore qoftë edhe duke derdhur gjakun e duke u djegur e rrënuar për mbijetesë. Për sakrificat mbinjerëzore që kanë bërë të parët tanë u jemi borxhli që të gjithë, i është borxhli çdo qeveri e shtetit tonë, për të nderuar veprën e tyre madhore me përmendore, me obeliske e pllaka përkujtimore me libra historike e letrare etj.

Ne jemi krenarë sepse ishim të privilegjuar nga i madhi Zot, që nxori nga gjiri i popullit dibran një Strateg vigan siç ishte Gjergj Kastrioti Skënderbeu më i madhi i epokës së Mesjetës, që me 22 betejat e tij fitimtare gjatë një periudhe 25 vjeçare – arriti që të frenonte turrin e ushtrive të Perandorisë Osmane – më të fuqishmen e asaj epoke. Ishte pikërisht kjo rezistencë skënderbegiane që i dha mundësinë Europës Perëndimore për t’u fuqizuar dhe përballuar agresionin osman.

Dibra jonë e dashur i dha kombit shqiptar Iljaz pashë Dibrën (Qoku), kryetar i “Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” (1878), Dom Nikoll Kaçorrin, përfaqësuesin arqipeshkv të Vatikanit në Shqipëri dhe zv.kryetar të qeverisë së Vlorës (1912), Haxhi Vehbi Dibrën (Agolli) – kryetar i Senatit të Pleqërisë në Parlamentin e qeverisjes së Ismail Qemalit (1912), Riza Tefik Dibrani, filozof, shkrimtar, politikan etj.

Dibra jonë i dha kombit shqiptar, më shumë se çdo trevë tjetër, mbi 30 prijësa popullorë që në kryengritjet e ndryshme u dalluan jo vetëm për zgjuarsinë dhe popullaritetin, por edhe për cilësitë që kishin si strategë të cilët populli me të drejtë iu thuri këngë duke i quajtur “kapedanë” dhe “gjeneralë me tirqe”. Dibra i dha kombit tonë “Kanunin e Skënderbeut” dhe “Kanunin e 9 maleve”.

Dibra u shqua edhe për shumë pleq të famshëm për “qokat” dhe frazeologjinë e tyre të mençur. Ajo nxori një dyzinë teologësh disa prej të cilëve për shumë vite kryesuan komunitetin mysliman dhe katolik. Dibra nuk ka mbetur pas edhe bën drejtime të tjera sikurse janë kontributet në fushën e historisë, letërsisë, arteve, ekonomisë, shkencës dhe teknikës në fushën e sporteve, mbrojtjes etj, etj.  

Dibra i dha luftërave antiosmane, antisllave dhe antifashiste me qindra dëshmorë, dhe 5 “Heronj të popullit. Edhe në periudhën e monarkisë dibranët shkëlqyen në fushën e administratës shtetërore, si politikanë, si ministra dhe si deputetë. Të tillë ishin Zija Dibra, Fuat Dibra, Jashar Erebara, senatorë Xhemal Dibra, ministrat Abdurahman Dibra dhe Faik Shatku, deputete Fiqiri Rusi etj.

Në radhët e ushtrisë sonë kombëtare dhe armës së Policisë së Shtetit, kanë dhënë kontributin e tyre 7 gjeneralë e dhjetëra oficerë madhorë.

Deri më sot, realizimi i një prej kërkesave thelbësore që përmbajnë dhe statutet e shoqatave kulturore sikurse është ajo e sensibilizimit dhe informimit masiv të bashkësisë tonë në rrafshe të ndryshme përfshi edhe kontributet në vazhdimësi të intelektualëve dhe mjeshtrave dibranë në specialitetet që mbulojnë – ka mbetur në nivelet më të ulta. Po të flasim me gjuhën e shifrave, ky sensibilizim kaq i trumpetuar, ka përfshi vetëm 1% të bashkësisë dibrane që i takon Tiranës, ndërsa në qytetin e Peshkopisë dhe në komunën e Dibrës së Madhe, ky sensibilizim ka qenë në përmasa relativisht të kënaqshme.

Foto nga një veprimtari e shoqatës Bashkësia Dibrane, shtator 2019.

Në këtë drejtim, shembullin më negativ nga të gjitha shoqatat që veprojnë në metropolin shqiptar vazhdon ta japë Shoqata e Bashkësisë Dibrane. Me të gjithë zellin dhe përkushtimin e treguar nga kryesitë e radhës të kësaj shoqate, gjatë një periudhe 21 vjeçare, ajo ka zhvilluar rreth 30 konferenca me rreth 50 kumtesa me tematikë të ndryshme, ka kryer 2-3 vizita (pjesëmarrje) në simpoziumet e organizuar nga “Shoqata Votra Dibrane” e Dibrës së Madhe. Në këto aktivitete kanë marrë pjesë, mesatarisht, për çdo vit, rreth 120 veta, që përbëjnë vetëm 0,3- 0,5 % të komunitetit dibran prej rreth 20 mijë familjesh që jetojnë në qytetin e Tiranës dhe në rrethinat e tij. Me këtë veprimtari të varfër, të papërfillshme dhe të njëtrajtshme (vetëm me konferenca), pa përdorur mjetet e komunikimit masiv (radio-televizionin, gazetën, almanake, Buletine dhe koncerte masive argëtuese masive të tipit “Sofra Dibrane”, minimum njëherë në vit) – as që mund të bëhet fjalë se ky aktivitet i kryer nga SH.B.D (e vetme apo në bashkëpunim të rrallë me “Shoqatën e Intelektualëve Dibranë) ia ka arritur qëllimit të sensibilizimit të bashkësisë dibrane. Kam krijuar bindjen se, veprimtaritë e kryera nga shoqatat e ndryshme kulturore dibrane, duke veçuar deri diku atë të Intelektualëve Dibranë që kanë pasur më tepër sukses, janë llogaritur për të pasur vetëm jehonë mediatike, sesa një punë efektive në përputhje me kërkesat e Program – Statuteve përkatëse.

Faktori “decentralizim”, dhe egot e xhelozitë me natyrë të ndryshme, vazhdojnë të pengojnë shkrirjen e plotë të shoqatave e shoqatëzave të ndryshme në një shoqatë të vetme mbarë dibrane me qendër në Tiranë e cila të udhëhiqej nga një Program – Statut i përbashkët, ku të paracaktohen qartë e saktë: Objektivat, mjetet dhe masat propagandistike, kriteret e anëtarësimit, dispozitat me karakter organizativ (forumet drejtuese, procedura e zgjedhjeve, të drejtat e detyrat, kohëzgjatja e mandateve, burimet financiare, etj).

Veprimtaritë tepër të kufizuara të shoqatave  ekzistuese dibrane pothuajse pa asnjë ndikim në masën e gjerë të komunitetit mbarë dibran – shpjegohen dhe nga injorimi i dy faktorëve të tjerë përcaktues në suksesin ose mos suksesin e shoqatave të lartpërmendura.

Të tillë janë: mungesa e fondeve të sigurta financiare që garantojnë një pjesë të konsiderueshme të vetëfinancimit mbi bazën e të ardhurave nga kuotizacione të arsyeshme po të detyrueshme të anëtarësisë si dhe mungesa e strukturimit organizativ në të gjitha nivelet e “piramidës” së “Sh.M.D”.

N.q.s do të pranohet propozimi që “Sh.M.D” të ketë një strukturë të përbërë prej Asamblesë (ose Kuvendit) gjithë përfshirëse mbarë dibrane prej 501-601 anëtarësh cilësorë, Kryesisë qendrore dhe Këshillit Drejtues pranë saj, Degët dhe seksionet në të gjithë rrethet ku ka prani të komunitetit dibran (Tiranë, Peshkopi, Durrës, Krujë, Burrel, Kurbin dhe në Dibër të Madhe) atëherë, me siguri do të ndjehesh forca ndikuese dhe shumë rezultative e Sh.M.D, në rrafshin propagandistik me rezonancë shumë herë më të fuqishme në mbarë komunitetin tonë. Një strukturë e tillë organizative do të krijonte premisat për të siguruar të ardhura financiare – aq të nevojshme për realizimin e shumë aktiviteteve të larmishme në të gjitha rrethet e lartpërmendura.

Një pyetje e thjeshtë, por parimore, do të ishte me siguri kjo: Cili do të ishte kufiri i kuatizacioneve? Lidhur me këtë pyetje do të propozoja që për të gjithë anëtarët e forumeve të strukturës organizative të Sh.M.D, kuotizacioni mujor të ishte i barabartë me 100 lekë kurse për k/familjarët dibranë të anëtarësuar me libreza, kuotizacioni i vjetër të ishte baraz me 100 lekë, dmth 2 caje në vit (duke përjashtuar k/familjarët tepër të varfër të dokumentuar si të tillë). Po t’u shtohen këtyre të ardhurave financiare dhe ato të ardhura të adresuara vullnetarisht nëpërmjet llogarisë bankare përkatëse ose drejtpërdrejtë në pikat e caktuara të degëve dhe seksioneve të Sh.M.D – atëherë këto të ardhura të administruara me transparencën e duhur dhe sipas standardeve të rrepta financiare, do të mjaftonin për të siguruar një gamë të gjerë veprimtarish, sikurse do të ishin:

– Zhvillimi i tre-katër konferencave me tematika të ndryshme për cdo vit nga të gjitha degët e Sh.M.D;

– Botimi i gazetës së përmuajshme, ndoshta me emrin “Besa Dibrane”;

– Botimi i një almanaku të përvitshëm, me përmbajtje të ndryshme tematike.

– Zhvillimi i të paktën 3-4 emisioneve televizive për çdo vit me tematikë nga ngjarjet historike më të rëndësishme që lidhen me Dibrën dhe personalitetet e saja të shquara në fusha të ndryshme;

– Zhvillimi i një koncerti argëtues dhe folklorik të “Odës Dibrane” në Pallatin e Sporteve ose gjetkë, të dielën e parë të muajit qershor të çdo viti në bashkëpunim me Bashkinë e Peshkopisë, Komunën e Dibrës së Madhe, Bashkinë e Kamzës, Bashkinë e Tiranës, Bashkinë e Burrelit etj.

– Organizimi i promovimeve të librave dhe veprave të autorëve dibranë;  

– Organizimi nga degët e Sh.M.D i ceremonive të ditëlindjeve të personaliteteve të shquara dhe veprimtarëve më të shquar dibranë në rrethin përkatës;

– Përfaqësues të kryesisë qëndrore dhe të degëve e të seksioneve, sipas rastit, të bëjnë homazhet në emër të Sh.M.D në rastin e ceremonive mortore për familjarët dibranë që ndërrojnë jetë;

– Dhënia e dhuratave simbolike për nxënësit dhe mjeshtrat e talentuar dibranë në fusha të ndryshme;

– Dhënia e ndihmave simbolike financiare ose materiale-familjeve tepër të varfëra të dokumentuar si të tilla.

Përveç këtyre aktiviteteve, sipas rastit të dhënë, përfaqësuesit e kryesisë qendrore dhe të degëve të sajë, duhet të angazhohen fuqimisht, brenda ligjeve dhe mundësive, për të luftuar për të drejtat dhe ankesat e pjesëtarëve të komunitetit dibran, si edhe të lobojnë pranë organeve përkatëse shtetërore dhe deputetëve dibranë (pa dallime partiake) për investime që i përkasin infrastrukturës, të veprave ekonomike, turizmit, shëndetësisë, arsimit, art-kulturës, sportit etj etj.

Mendoj se, lidhur me propozimet që trajtohen në këtë shkrim, kryesitë e shoqatave ekzistuese duhet të reflektojnë dhe të gjejnë gjuhën e mirëkuptimit me njëri-tjetrin për të vendosur shkrirjen dhe zëvendësimin e tyre me “Shoqatën Mbarë-Dibrane-Gjergj Kastrioti”. Në mos qofshin dakord këto kryesi (që s’ma merr mendja), atëherë s’mbetet rrugë tjetër, veçse kjo nismë të merret nga një grup intelektualësh cilësorë, ndoshta prej 50 vetësh për të thirrur mbledhjen e parë konsultative, mundësisht brenda muajit shkurt 2014, në të cilin të diskutohet e të miratohet me shtesat dhe saktësimet përkatëse.

Projekt – Programin dhe Projekt – Statutin e “Sh.M.D” (ku një variant të tij e ka përgatitur autori i këtij shkrimi).

Në mbledhjen e mësipërme ose në një mbledhje tjetër të posaçme mendoj se duhet të diskutohet e miratohet edhe plani paraprak i masave urgjente me karakter organizativ në afatet kur do të kryhen dhe kush do t’i realizojë ato.  

Ka shumë rëndësi që në mbledhjen e parë, por sidomos në mbledhjen e dytë, të ftohen 7-8 biznesmenë me peshë, pa dallime partiake, që kanë dëshirën dhe vullnetin e mirë për të qenë mbështetës të kësaj nisme, thjeshtë si qytetarë të nderuar dibranë. Për të ngritur një shoqatë të përmasave mbarë dibrane, nuk është detyrë e lehtë. Kjo nismë që propozohet, kërkon në radhë të parë përkushtim, shpirt, sakrifica dhe aftësi organizative. Sigurisht, ajo kërkon edhe një farë periudhe kohore, përgatitore, ndoshta deri dy vjeçare.

Fillimisht, do të ishte e këshillueshme që kjo nismë, të niste, duke marrë si projekt – pilot, kryeqytetin dhe rrethinën e tij. Shembulli dhe rezultatet pozitive që do të arrihen në rrethin e Tiranës do të nxisnin edhe Komunitetet Dibrane të rretheve të tjera që t’i bashkangjiten “Sh.M.D” dhe ta bëjnë shoqatën tonë një shembull mjaft domethënës për të gjithë shoqatat si motra në të gjithë Shqipërinë dhe më gjerë.   

Botuar në gazetën Rruga e Arbërit, nr. 1 (93), janar 2014.

Shënim i redaksisë:  Prof.as.dr. Hyqmet Gonxhja, në shkrimin e këtij numri ngre problemin e unifikimit të shoqatave dibrane, jo vetëm në shkrirjen e tyre në një të vetme, por edhe në reflektimin e saj në më shumë veprimtari për të mirën e komunitetit. Problemet që trajton në shkrim autori janë të debatueshme, kështu që redaksia fton të interesuarit për një debat të hapur mbi këtë temë.