Xhetan Prençi, burri shekullor i Muhurrit e i gjithë Dibrës


Si i shpëtoi burgut, pas incidentit me ish kryeministrin Mehmet Shehu, kur kërkoi investime qeveritare për kanalin vaditës të Fushës së Muhurrit dhe ndërhyrja e Haxhi Lleshit për të mos e mbajtur në arrest pinjollin e familjes, dëshmorët e së cilës, të rënë në luftrat me serbët, edhe sot i kanë varret në Kolosian të Kukësit

Më 5 prill 2020, ish-partizani i Brigadës së 18-të Sulmuese dhe kryetari i parë i Kooperativës bujqësore Muhurr, Dibër, Xhetan Prençi festoi ditëlindjen e 100-të. Zoti i fali këtë jetëgjatësi këtij burri trim e të mençur, simbol i urtësisë dhe i njeriut me shpirt sakrifice e humanizmi, që nderon Muhurrin e gjithë Dibrën. Xhetan Prençi është pinjolli i fisit Prençi, lindur më 5 pril 1920, i cili jeton dhe sot dhe sapo ka mbushur plot 100 vjeç.
Ai mbahet mend nga bashkëmoshatarët për një fëmjëri të mbarë dhe dëshirë për arsimim. Xhetani kishte mbaruar arsimin 5-vjeçar dhe kuptonte shumë mirë zhvillimet e kohës. Në vitin 1943 bëhet aktiv i lëvizjes Nacional- Çlirimtare dhe në gusht 1944 bëhet pjesë e Brigadës së 18-të Sulmuese që u formua në Sllatinë, Diber.
Xhetan Prençi ka luftuar me armë në dorë për 30 muaj, nga gushti 1944 e deri në Janar 1947, kohë kur u shpërnda Brigada e 18-të Sulmuese, ku ai bënte pjesë. Ai ka qenë në vijën e parë të frontit në betejat që kjo brigadë ka zhvilluar në zonën e Prizrenit dhe të Kosovës, deri në kufi me Serbinë.
Pas vitit 1947, Xhetan Prençi ka punuar si teknik pyjesh dhe si drejtues i pushtetit popullor.
Në vlerësim të kontributit të tij në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, më 1 Nëntor 1951, Xhetan Zenel Prençi, është dekoruar me “Medaljen e Çlirimit” nga presidenti i kohës Omer Nishani.
Në vitin 1967 deri në vitin 1969, do t’i ngarkohej detyra e Kryetarit të Kooperativës Bujqësore Muhurr dhe kështu do të ishte kryetari i parë i kooperatives, pas kolektivizimit të bujqësisë dhe kalimit nga prona private në pronë kolektive. Në këtë funksion të vështirë, Xhetani do të dallohej për vullnetin dhe dëshirën për të punuar dhe për të drejtuar mbarëvajtjen e punëve në kooperativën Bujqesore të Muhurrit, me qëllim përmirësimin e jetesës së muhurrakëve, duke ngritur vlerën e ditës së punës. Për këtë ai ishte kërkues ndaj punonjësve muhurrakë, por edhe në organet e larta të partisë dhe pushtetit në rrethin e Dibrës.

SI I SHPËTOI BURGUT PAS “INCIDENTIT” ME ISH KRYEMINISTRIN MEHMET SHEHU

Në vitin 1969, Muhurrin e viziton ish kryeministri i kohës Mehmet Shehu dhe Xhetani do të ishte padyshim njeriu që do e priste bashkë me popullin e Muhurrit. Në takim e sipër, Xhetani, në rolin e kryetarit të kooperatives do t’i drejtohej kryeministrit Mehmet Shehu, duke i kërkuar ndihmë për hapjen e kanalit të madh që merrte ujin në “Gjurrën e Kumullës”, në Rrasë të Bardhë, afër lumit Murra, që do të përshkonte gjithë Muhurrin, duke futur nën ujë e vaditje mbi 450 hektarë tokë në Fushë-Muhurr dhe Vajmdhej. Ky kanal do të ndikonte në rritjen e prodhimit dhe kultivimin e disa kulturave bujqësore.
Kryeministri Shehu, duke parë pozicionin gjeografik të Muhurrit mes dy lumenjeve dhe të rrethuar me male tha: “Muhurri duhet të ishte “Myzeqe për Dibrën”, se i ka të gjitha kushtet klimatike për zhvillim të hovshëm të bujqësisë dhe blegtorisë, por duhet të punoni vetë e njëkohësisht edhe kanalin duhet ta hapni vetë. Po të isha unë kryetar i kooperativës bujqësore Muhurr, nga 50 lek për ditë pune do e kisha ngritur në 200 lekë, por ju kërkoni vetëm nga partia dhe qeveria”.
I gjendur përpara këtij presioni të kryeministrit Shehu, kryetari i kooperativës bujqësore Muhurr Xhetan Prençi, mendoi se zgjidhjen do e gjente tek alegoria dibrane, ndaj i drejtohet kryeministrit duke i thënë: “Shoku kryeministër! Unë nuk e kam fuqinë dhe kompetencat tuaja. Kanali ka nevojë për lëndë eksplozive dhe punë të specialistëve, pasi një gjatësi mbi 5 km e tokës ku duhet të kalojë kanali është shumë shkëmbore, ndërsa ne nuk i kemi as lëndën shpërthyese dhe as specialistët. Edhe pula u mundua ta bëjë vezën sa pata, por i plasi b….”
Kur kryeministri dëgjoi alegorinë, menjëherë urdhëroi arrestimin e kryetarit të kooperativës Xhetan Prençi dhe dërgimin e tij në Peshkopi. Pastaj kryeministri Shehu iu drejtua popullit të Muhurrit se kanali do të hapej nga Partia dhe do jetë dhuratë e Partisë për popullin punëtor të Muhurrit. Për lirimin e Xhetanit nga arrestimi ndërhyri Haxhi Lleshi që shoqëronte Kryeministrin, duke argumentuar se Xhetani kishte qenë partizan dhe ishte nga një familje e mirë që kontribonte në bujqësi e blegtori.  Disa ditë më vonë, filloi puna për hapjen e kanalit dhe shumë shpejt e gjithë toka bujqësore në Muhurr u fut nën ujë dhe në sistemin vaditës.
Xhetan Prençi u lirua brenda ditës nga Dega e Brendshme, por kryeministri kishte urdhëruar se ai nuk do të ishte më kryetar kooperative. Nga ajo ditë, ai ka punuar si Teknik Pyjesh, deri sa doli në pension në vitin 1985.

VËLLAI I VETËM SELIMI, “VIKTIMË” E KËRKIMEVE TË URANIUMIT!

Edhe vëllai i Xhetanit (Selim Prençi), 8 vjet më i vogël se ai, do të kishte një karakter “rrebel” dhe reagim të drejtëpërdrejtë me të gjithë udhëheqësit e pushtetit e të parties, kur ishte nevoja.
Ai do të ishte punonjësi i parë i mbledhjes së taksave pas vendosjes së pushtetit popullor. Më pas punoi si magazinier i tregtisë dhe pastaj për plot 27 vite ishte punonjës në minierat e mermerit në Muhurr dhe Balxhaj. Selimi ka marrë pjesë edhe në kërkimet e Uraniumit si shumë muhurrakë të tjerë, të cilët ashtu sikurse ai, pikërisht për këtë arsye, ndërruan jetë para kohe…

EMRA TË TJERË TË FISIT PRENÇI

Nga fisi Prençi, do të spikasin edhe të tjerë burra si: Bajram Prençi si xhandar trim në Tropojë në kohën e Zogut dhe Mehmet Prençi si oficer i Ushtrisë Shqiptare për 37 vite. Muhurri dhe Dibra nuk do të harrojnë as zgjuarsinë dhe shkathtësinë e Mexhit Prençit nga Hurdhë Muhurr apo vullnetin për punë dhe organizim të Nazif Prençit. Fisi më pas do të ketë më të rinjtë e tij si: Faik Prençi, Ajet Prençi, Besnik Prençi (veteriner e zooteknik në ish Kooperativën Bujqësore e Ndërmarrjet Bujqësore Dibër), Avni Prençi (kryeagronom e më pas kryetar Kooperative në Muhurr) dhe Xhelal Prençi, që do të ishte për 30 vjet mjeshtri duaraartë i mekanikës në SMT, duke nderuar veten, fisin dhe Muhurrin me urtësinë dhe profesionalizmin e tij. Dy djemtë e Xhetanit gjithashtu, kanë dhënë kontribut të madh për komunitetin, pasi Besniku ka punuar si veteriner dhe ndihmësmjek, ndërsa Zeneli si punonjës policie (u vra në krye të detyrës në vitin 2002). Agron Prençi, Shemsi Prençi, Zenel Prençi dhe Adrian Prençi, do të ishin ushtarakët e karrierës të cilët do ta përfaqësonin denjësisht fisin dhe Muhurrin në Dibër dhe në Shqipëri.
Xhetan Prençi kishte dy djem, Besnikun dhe Zenelin, të  cilët kanë dhënë kontribut në komunitetin e Muhurrit. Besniku si veteriner dhe ndihmësmjek, ndërsa Zeneli si punonjës policie, i cili u vra në krye të detyrës në vitin 2002.

“VARRET E PRENÇIT” NË KOLOSIAN

Në Kolosian të Kukësit është një vend me emrin “Varret e Prençit”. Ky toponim nuk ka mbetur rastësisht, por përkundrazi për të përjetësuar luftëtarët trima të këtij fisi të Muhurrit, të rënë në betejën legjendare kundër pushtuesve serbë në Kolosian. Ajo është një histori qëndrese që ia rrit lavdinë jo vetëm fisit Prençi, por gjithë Muhurrit. Kronikat e kohës dëshmojnë se në këtë betejë të përgjakshme janë vrarë disa nga burrat e fisit Prençi si: Rushit Prençi, Isuf Prençi, Bajram Prençi (të vjetrit), Abaz Prençi, Vesel Prençi. Pesë kushërinj janë vrarë në front, ndërsa Mysim Prençin e kanë marrë rob dhe e kanë pushkatuar në Zhur të Prizrenit. Pas luftimesh të përgjakshme, ata kanë rënë heroikisht në Kolosian të Kukësit, pikërisht në atë vend që edhe sot mban emrin “Varret e Prençit”.
Ata ishin pasardhësit e Dalip Prençit, i cili kishte lëvizur shumë dhe e njihte jetën, madje ai kishte qenë një luftëtar i vazhdueshëm në luftrat kundra serbëve, si dhe të Zenel Prençit të vjetër, që ishte njohës i mirë i gjuhës turke, pasi kishte udhëtuar në kurbet për në Turqi dy herë nga 7 vite (1913-1919 dhe 1920-1927) dhe pas kthimit kishte arritur të ngrinte tufat e mëdha të bagëtive me fitimet e kurbetit.
Në gjurmët e tyre eci vendosmërisht edhe Xhetan Prençi, i cili gjatë jetës së tij ka dhënë kontribut të rëndësishëm për përmirësimin dhe shtimin e pyjeve në zonën e Dibrës. Por, ajo që ia rrit vlerat më shumë, është fakti se ka arritur të kontribuojë edhe për pajtime gjaqesh në zona të ndryshme të Dibrës si dhe për sheshimin e mjaft ngatërresave mes individësh apo fisesh. Ne pasardhësit e tij, krenohemi me jetën, mendjen dhe veprën e këtij vigani, luftëtar e patriot, pjesëmarrës me armë në dorë në Luftën e lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare, guximtar e të pathyeshëm në kohën kur drejtonte kooperativën bujqësore. Pasi kundërshtoi hapur ish kryeministrin Mehmet Shehu, vërtet i vuajti pasojat e rebelimit të tij, por këtë e bëri në dobi të prosperitetit të Muhurrit…. Përkushtimin për punën që i besohej do ta shfaqte edhe më vonë për vite të tëra si kontributor shembullor për zhvillimin e pyjeve e të kullotave. Pikërisht për këtë kontribut të çmuar, ai do të frymëzojë brezat. Ndaj nga zemra na del urimi: “I dhëntë Zoti edhe sa më shumë vite jetë në gjirin e familjes së tij të ngrohtë e të nderuar!”.