Katër këngë që frymëzojnë me dashuri dhe atdhedashuri


Periudha e pandemisë krijoji një atmosferë jo të zakonshme në shtëpitë tona, për të cilën pati shumë përpjekje për ta harruar apo për ta kaluar sa më lehtë. Njëra prej këtyre mënyrave ishte edhe krijimi i këngëve të reja, por edhe rikrijimi e riinterpretimi i këngëve të njohura, përmes mënyrave bashkëkohore të komunikimit, disa herë jo të realizuara artistikisht, por gjithmonë me një kënaqësi që buronte prej shpirtit të lirë e artistik të krijuesve.
Në fillim të majit ishin këngëtarët e muzikës popullore Hajredin Gjeta, Lirim Hoxha, Ylber Sopoti, Bledar Kaca, Dritan Jashari dhe Eduart Hoxha, që nën drejtimin e organistit Fatjon Laci risollën plot emocione këngën e Hajredin Pashës.
Disa ditë më pas, Arif Vladi – Mjeshtër i Madh, njëkohësisht edhe Drejtor i Qendrës Kulturore Peshkopi, realizoi në bashkëpunim me Artisten e Merituar Lirie Rasha – Mjeshtër i Madh dhe këngëtaret e njohura Vera Laçi e Flora Shabani, një këngë të re të titulluar “Dibra ime”, një himn dashurie kushtuar vendlindjes.
Kënga u prezantua në emisionin “Ftesë në 5” në Top Channel, të autores e moderatores Bieta Sulo.
Teksti i këngës është shkruar nga Avni Ndreu, me muzikë të Xhelil Imerajt, i cili shoqërohet nga Isak Shehu në Trompë, Xhelil Imeraj në piano, Faik Vojka në saks, Agron Paci në kitarë bas, Shpend Markja në kitarë dhe Landi Tomçini në bateri. Orkestrimi i kësaj këngë u realizua nga kompozitori Edmond Zhulali – Mjeshtër i Madh. Video e kësaj këngë është realizuar nga Adnan Elezi dhe montazhi nga Eduart Muça.
Kompozitori Zhulali në një bashkëpunim tjetër bashkoi tre personalitete nga Dibra, regjisorin Bujar Kapexhiu, gazetarin sportiv Defrim Methasani dhe boksierin Ismail Keta me këngëtarët Altin Sulku, Muharem Borova, Lundrim Paçuku dhe Drita Jashari në një riinterpretim të këngës “Kjo është Dibra maja-maja”, një hit të këngës dibrane, me tekst të Naim Plakut. Kënga pati edhe një jehonë mediatike, edhe për shkak që solli në këngë zërin e një regjisori e karikaturisti, gazetari sportiv dhe boksieri, duke surprizuar edhe shikuesit.
Arif Vladi solli edhe një këngë të re, jo vetëm si këngëtar, por edhe autor teksti, me muzikë të Mark Gjokës dhe orkestrim të Saimir Gjokës – Mjeshtër i Madh.
Kënga “Alo Doktor” pati një prezantim ndërkombëtar, pasi për herë të parë u transmetua ekskluzivisht në radion Zëri i Amerikës më 11 maj 2020.
Kur situata e pandemisë të ketë kaluar, këto këngë nuk do të kujtohen si himne për dashurinë dhe atdhedashurinë, por edhe si këngët që ushqyen njerëzit me dëshirën për te jetuar e fituar mbi Covid-19.

Dibra ime:
https://www.youtube.com/watch?v=o3EJAimEwWU

Alo Doktor

https://www.zeriamerikes.com/a/5415055.html
Kënga e Hajredin Pashës:

https://www.youtube.com/watch?v=SmN7AqRQfSE
Kjo është Dibra maja-maja: