Heroi i kujt ka lindur më 6 maj?


A kemi nevojë që vorbullës së gënjeshtrave që na vërtiten dita ditës t’i shtojmë edhe ditëlindjen e Skënderbeut? A ia vlen që shprehjes së përditshme të padijes dhe krenarisë për të qënin të paditur t’i shtojmë edhe një dëshmi tjetër? A nxjerrim ndonjë dobi duke i shtuar fakteve të shumta për mungesën e kulturës dhe etikës, për mosnjohjen e parimeve më të thjeshta morale të të drejtës dhe të vërtetës, edhe një mashtrim tjetër? A nuk mjafton që shtiremi sikur jemi, pa qënë aspak ekspertë në politikë, filozofi, letërsi, art, sport, mjekësi, inxhinieri, sociologji, gazetari, gjuhësi, sizmiologji, por duam të dalim edhe si specialistë në fushën e historisë duke shpikur apo përhapur gënjeshtra për data që nuk i ka përcaktuar dot asnjë shkencëtar deri më sot? Apo ndoshta imazhi që i kemi krijuar vetes si patriotë, nacionalistë, atdhetarë, shqiptaromëdhenj nuk ndihet shumë i sigurt pa i ngjeshur edhe disa mballoma rrenash që as vetë nuk i dijmë kush i ka sajuar?

Gjergj Kastriotit nuk i dihet dita e lindjes. Ky është fakt, është një e vërtetë. Të vërtetat nuk hidhen poshtë me gënjeshtra. Ato hidhen poshtë me fakte. E vërteta që Gjergj Kastriotit nuk i dihet dita e lindjes nuk mund të hidhet poshtë duke shpikur ditë lindje sipas dëshirave dhe interesave të grupimeve të caktuar dhe duke ftuar sa më shumë vetë që ta pranojnë gënjeshtrën. Të vërtetën që Gjergj Kastriotit nuk i dihet dita e lindjes mund ta hedhësh poshtë vetëm me një të vërtetë tjetër – duke gjetur një dokument që e vërteton atë. Përderisa nuk je në gjendje ta gjesh, atëherë më mirë hesht. Dita e saktë e lindjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut nuk është gjetur ende. Të paktën deri sot nuk ka dalë në dritë asnjë dokument që ta vërtetojë atë. Përcaktimi i 6 Majit është një veprim arbitrar, propagandistik, keqdashës dhe i dëmshëm që shfrytëzon injorancën tonë për të zënë rrënjë. Ai është edhe një veprim i ulët, tinzar, krejtësisht anti-shqiptar.

Fakti që Gjergj Kastriotit nuk i dihet dita e lindjes – madje as muaji i lindjes; madje-madje, as viti i lindjes – nuk ia ul aspak vlerat atij si Hero Kombëtar i shqiptarëve. Ai mbetet figura historike më e rëndësishme e kombit, simboli dhe frymëzimi i krijimit të tij.

As përpjekjet për t’i caktuar arbitrarisht një datë lindjeje atij nuk ia ulin rëndësinë figurës së Gjergj Kastriotit. Ato na ulin vlerat dhe rëndësinë ne, sepse na paraqesin si një tufë injorantësh emocionalë të papërgjegjshëm, që jemi gati të gëlltisim çdo lloj karameleje që na shërbejnë. Duke i shpërndarë këto broçkulla ne s’bëjmë gjë tjetër veçse iu japin argumente për të vërtetuar tezat e tyre anti-shqiptarëve, ose anti-Kastriotëve.

Dhe, meqë ra fjala e sa për sqarim të gjithë patriotëve të flaktë, 6 Maji është zgjedhur pikërisht për t’ua hequr shqiptarëve heroin kombëtar dhe për ta kthyer atë në një figurë të ortodoksëve sllavë të Ballkanit. 6 Maji është caktuar arbitrarisht si ditëlindja e Gjergj Kastrioti Skëndërbeut pasi është data kur serbët, kroatët, maqedonët, bullgarët–përgjithësisht sllavët ortodoksë të Ballkanit festojnë Shën Gjergjin.

Po ta shohësh me kujdes kjo është për të vënë duart në kokë. Shën Gjergji i Krishtërimit është një figurë gjysmë-imagjinare, si shumë shenjtorë të tjerë, që mendohet se ka ekzistuar diku në shekullin e dytë, të tretë, të pestë ose të gjashtë. Hapni çdo enciklopedi, kontrolloni Wikipedian në Internet (dy minuta kohë) për të parë sa pasaktësi ka për shekullin kur ka jetuar ai. Shën Gjergji njihet si ushtar romak i krishterë që mposhti kuçedrën, ose dragonin (sipas Kishës në përgjithësi). Për detajet, Kishat ndahen sipas denominacioneve. Katolikët, protestantët dhe ortodoksët grekë  ngulin këmbë që Shën Gjergji është vrarë në 23 Prill (dijnë datën, por nuk e kanë fare idenë as për vitin, as shekullin kur ka ndodhur). Ortodoksët  rusë thonë se është fikur diku në Shtator. Ndërsa sllavët e Ballkanit ia festojnë ditën e vdekjes në 6 Maj.

Dita kur ai është vrarë festohet si dita e Shën Gjergjit. Pra, për hir të këtij Shën Gjergjit që paska vrarë kuçedrën (përrallë me bisht), që ka jetuar në shekullin e (oh, nuk dihet shekulli), por që është vrarë ose në 23 Prill, ose në 6 Maj, ose në Shtator, ne duhet t’i marrim pikërisht datën 6 Maj, atë datë kur ortodoksët sllavë të Ballkanit mendojnë se është vrarë  heroi i tyre që vrau kuçedrën dhe t’ia veshim atë si ditëlindje Gjergj Kastriotit, heroit tonë Kombëtar. Pse? Sepse kështu na serviret nga kisha ortodokse e cila kërkon ta kthejë atë nga Heroin Kombëtar të shqiptarëve që hodhi themelet e identitetit kombëtar shqiptar, në hero të krishtërimit.

Ja këtu të çon padija e veshur me kostum patriotizmi. Prandaj përpara se ta postoni dhe ripostoni çdo 6 Maj atë përshëndetje patriotike gjithë pathos për ditëlindjen imagjinare të Gjergj Kastriotit, mendohuni pak në emër të kujt po gënjeni.

(Marrë nga flasshqip.ca)