Sabri Lusha – Njeriu shembull


Njeriu shembull Sabri Lusha u përkujtua me një dokumentar, në një vjetorin e ndarjes nga jeta. Familjarë dhe miq të tij të shumtë, të cilët e ndoqën me interes të veçantë dokumentarin e realizuar mjeshtërisht nga ikona e gazetarisë sportive, Defrim Methasani, jo vetëm u përlotën por edhe shprehën nderimin dhe respektin e veçantë për të paharruarin Sabri Lusha.

Ai lindi në Ndërshenë, në këtë fshat të bukur dhe piktoresk, në këtë vend të bekuar, por disi të fshehur mes malesh te larta, ku ndahet Reçi me Lurën.., aty ku të duket se toka takon me dorë qiellin. Pikërisht në këtë fshat, lindi një djalë, që më vonë do të ishte një emër i njohur në mbarë vendin. Emri i tij do te niste të lakohej kudo për mirë, që kur në moshën 13 vjeçare mori rrugët e Shqipërisë dhe ku do të punonte dhe jetonte, sa në Rrëshen, e  më pas në Fierzë e Koman, por edhe në Mamurras më vonë, në atë qytet ku jetoi e punoi jo pak, por për katër dekada me radhë. 

Në shtator të vitit 1973, Sabriu zyrtarizoi lidhjen martesore me njeriun e zemrës dhe të jetës, me një vajzë të zgjedhur në fisin Dodgjini të Lurës e cila quhej Naze. Ajo do të ishte bashkëshortja dhe gruaja e duhur e njeriut fisnik Sabri Lusha dhe nëna e pesë yjeve të tyre.

Dokumentari i mjeshtrit Met-hasani na paraqet jetën nëpër kantiere dhe hidrocentrale që e bëri atë një njeri shumë të dashur dhe të njohur. Po kështu edhe Mamurrasin, një qytezë kjo e bukur, ku Sabriu ndërtoi familjen e tij të re. Jeta në Mamurras (për afro katër dekada) pati bukurinë e saj, sepse aty lindën katër vajzat dhe djali, konkretisht Etleva vajza e parë (sot një mësuese shembullore), Mbaresa, Esmeralda dhe Eri. Dhe pas disa vitesh, si një bekim prej Zotit, erdhi në jetë Klevisi, djali dhe trashëgimtari i vetëm që gëzoi edhe gurin e drurin, jo më familjen Lusha që e ngriti në qiellin e shtatë. 

Në dokumentarin e zotit Methasani flasin të përlotura: bashkëshortja Naze, por edhe vajzat: Etleva e motrat e saj. Flasin edhe ata që e njohën e punuan me Sabri Lushën. Fjalë zemre por edhe mallëngjimi për njeriun shembull që u fali dashuri e respekt pa kufi. Flasin kështu,  daja i tij Isuf Poleshi, Nazmi Koçeku, por edhe Nazja, Etleva, Mbaresa, Esmeralda dhe Eri, si dhe mbesa Fatmire, që sjellin me zërin qe ju dridhet, vlerësimin për shokun, bashkëshortin, për babain e xhaxhain e tyre të shtrenjte dhe të dashur qe ju mungon kaq shumë…

Ardhja e tij në Tiranë ndryshoi rrjedhën e jetës dhe shënoi një stacion tjetër, që për fat të keq, ishte i fundit në jetën e mbushur plot ngjarje të Sabri Lushës. Shkollimi dhe shumë arsye të tjera e bënë atë që të shkëputej nga Mamurrasi dhe të vinte në kryeqytet. Ai nisi punë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe aty i bëri vend vetes duke qenë një shok, mik dhe koleg i përkryer në sektorin që ju besua. Shefi i tij në këtë dikaster të rëndësishëm, Ylli Pinari, në ato pak fjalë dhimbjeje, nderimi dhe respekti për ish-kolegun shembullor, të shprehura edhe në sinkronin e këtij dokumentari, evidenton kontributin, përkushtimin, profesionalizmit por dhe për dimensionin  njerëzor të Sabri Lushës.

Shprehje e këtij vlerësimi qe edhe dekorimi nga “Bashkësia Dibrane”, të cilën në këtë aktivitet përkujtimor ia dha Familjes kreu i kësaj shoqate, Prof.Dr.Bujar Kapexhiu – “Nderi i Kombit”.