Ç’kemi asaj Dibre!


Në foto: Pamje nga by-passi i Rrugës së Arbrit, shtator 2020.

Pas shumë muajsh ndërprerje të kësaj rubrike, po rinis me Presidentin. Jo se është i pari i vendit, por se e kemi “majkun ma t’majr”. Dhe “majkut t’majr” i pritet berri, i bahet fli e petulla e i jepet vend n’krye t’vendit…
Presidenti Meta ishte këtë muaj në Dibër. Rrugës u ndal te Ura e Topojanit. Për të bërë ca foto mbi Drin dhe për të parë urën e re të Edi Ramës, aty ku priten të mblidhen votat në prillin e ardhshëm. Ndërsa po firmoste edhe dekoratat, sepse nuk kishte pasur kohë, a prej inatit për Ramën, a prej erës që frynte, të gjitha dekoratat ranë në Dri… “Ehu, – tha, tani, unë nuk merrem me to, kush të dojë të hidhet dhe t’i kapë”. Ca dibranë dolën në Katund të Ri dhe i kapën dekoratat, ca në Muhurr, ca në Fushë-Alie, të tjerë në Zall-Dardhë. I mori kush i mori – por thonë se ca të tjerë kaluan Urën e Dodës dhe përfunduan në Ujmisht, e mandej në Liqenin e Kukësit. Në Kukës nuk ka me lajme nëse u hodh ndokush për ta marrë dekoratën, apo e hëngri luçiperka…
Aq shumë e mërzitën Presidentin dibranët, sa ai anuloi edhe raftingun. Kishte frikë mos mbytej në Dri…
Presidenti, kur pa që ca intelektualë të gjallë e të vdekur u mërzitën që nuk morën dekorata, i qetësoi dibranët: “Sa të keni dhëndrin në Presidencë dhe Bujarin kryetar të Shoqatës, plot me tituj e dekorata do ta mbush Dibrën”…
Pas një viti në pushtet ia arriti qeveria të ndërtojë një rrugë në Radomirë… Rrugët e tjera mbushen me dhè, veç kur kalon ndonjë drejtues shteti… Me këtë ritëm në pesëdhjetë vitet e ardhshme do t’i ndërtojmë të gjitha rrugët – sigurisht nëse nuk ndërtohet Skavica…
Skavica deri më tani është ndërtuar 3-4 herë në letra e projekte. Ndalo të parin e ndërto të dytin, veç lekë për projekte njoftohen se dalin. Ca dibranë duan të ndërtohet, ca të tjerë duan të mos folet. Por shkon si shkon puna, Skavica i ka rrëzuar ca qeveri…
Si çdo vit, edhe këtë vit, pati zjarre në pyje e kullota. Jo nga temperaturat e larta, por nga kurioziteti i lartë: merr zjarr a jo me një fije shkrepëse… Dhe pastaj mund të bësh edhe ca foto të përpjekjeve për t’i shuar me kazma e lopata…
Meqë jemi te zjarret, ia vumë edhe fushës së plehrave. A nuk themi shpesh se plehrat duhen djegur?
Vitin tjetër kemi zgjedhje në pranverë. Në PD kanë filluar votimet. Ata që fituan online, nuk u futën fare në listë, ndërsa ata që humbën në listë, i shpallëm armiq menjëherë pas votimit… Armiq të tjerë priten të dalin në tetor, ndërsa në prill do dalin bashkëpunëtorë e bashkëfajtorë për humbjen e radhës…
Te PS kanë shpëtuar nga ky siklet: listat akoma i bën kryetari nga lart, me sms nga populli poshtë…
Meqë jemi te zgjedhjet, na e mori qeveria një deputet: nga 6, na bëri me 5. Ta kishte ulur më mirë në 4, se kështu si e kanë vendosur, na kanë hequr mundësinë e barazimit…
Meqë po flitet shumë për listat e hapura, janë hapur fare edhe listat e kandidatëve… Kanë filluar dibranët elozhet për Dibrën, kush e kush mundët ta lëvdojë më shumë… Në çdo tre dibranë, njërit duhet me qan se s’ban deputet, qoftë edhe në Skrapar, ndryshe rrofshin listat!
Ky vit ishte i vështirë edhe në Dibër. Kovid-i shkon e vjen, por dibranëve as ua ndjen. Plot bulevardi, plot edhe festat.
Kovidi ka futur në punë qeverisjen vendore. E kanë hequr maskën nga fytyra dhe e kanë vënë te goja. Se çfarë thonë e se çfarë bëjnë, e di veç facebooku… Për të tjerat nuk lejohet asnjë informacion, derisa të ikë Kovidi…
Meqë jemi të Kovidi, zbuluam sa të varfër kishte në qytet e në katunde. Mbushur plot makinat me ndihma katund e katund e lagje më lagje, e mbushur plot facebooku me falenderime e lavde. Rrofsh, o Kovid, që zbulove bamirësinë tonë!
Kovidi nuk ka sjellë vetëm panik e frikë. Ka sjellë edhe rritje të të ardhurave nga gjobat… Jo vetëm për kafetë dhe lokalet e dasmave, por edhe për ahengjet në oborret e shtëpive…
Kovidi në Dibër ka ndaluar çdo veprimtari… Ndryshon puna kur shkon Presidenti a kryeministri…
Një lajm i ditëve të fundit thoshte se janë rritur të punësuarit në katër bashkitë e qarkut… Tani u bë më e vështirë të gjesh se kush nuk punon në bashki… Sepse ata që punojnë, nuk ndihen, veç kur vjen fushata. Thuhet se kështu të punësuarish ka edhe në ca institucione të tjera, por ato do të merren vesh nëse ndodh rotacioni…
Viti i ri shkollor filloi dhe me këtë rast u zbulua se rrogën më të mirë e merr mësuesi që jeton në… Londër…
Në Dibër nisi viti shkollor me protestë. Nuk e duan mësimin online. Online duan vetëm diplomat…
Kanabis herë pas here i shkulin nga një rrënjë. Dhe para se t’i shkulin, policia njofton se ka arrestuar shkronjat e para të emrit dhe mbiemrit. Me emër e mbiemër njofton veç OFL-ja…
Turizmi këtë vit ishte i dobët shumë… Hashtagu #PushoShqip duket se nuk hyri në punë. Nuk ishte shkruar dibrançe, thanë ca zëra lokaliste…
Në Bulqizë gjithçka shkon normalisht… Minatorët punojnë, por kromi nuk po shitet…
Në fund e di që keni merakun për rrugën, por mos u shqetësoni: Do ta hapim vitin tjetër me by-pass. Rruga me by-pass është si i sëmuri me zemër: rriten rrahjet e zvogëlohen, por jeta vazhdon, plot adrenalinë…