Rënia e çmimit të kromit çon drejt kolapsit galeritë e Bulqizës


Mbi 30 kompani që kanë koncesione në Martanesh dhe Bulqizë kanë bërë shkurtime dhe kanë vonuar prej muajsh pagat për minatorët për shkak të rënies së çmimeve të kromit në bursa, duke zhytur në varfëri qindra familje që mbajnë frymën gjallë me punën nëntokë.

Shumë minatorë që po vuajnë mungesën e pagës shprehen se nuk kanë protestuar dhe as kanë denoncuar pranë institucioneve shtetërore, me shpresën se dita-ditës kjo situatë do të marrë zgjidhje. Paga nga galeritë është shpesh i vetmi burim të ardhurash për shumë familje në Bulqizë, ku shumë gra punojnë si seleksionuese të mineralit.

Agimi* ka afro 20 vite që punon në galeritë e kromit të Bulqizës, por deri tani nuk kishte parë një krizë të tillë. Ai aktualisht punon si armator në një prej galerive e të ashtuquajturës zona D, nën kontrollin e një kompanie koncesionare dhe tregon se ka tre muaj që nuk paguhet.
Punëdhënësi i ka thënë se nuk po e shesin dot mineralin që kanë nxjerrë për shkak të rënies së çmimit të kromit në tregjet ndërkombëtare.
“Fëmijët në shtëpi, nuk duan shumë të dinë nëse është shit kromi apo jo, por duan që të hanë,” thotë ai.
Eltjon Deda, administratorë i dy kompanive që operojnë në këtë fushë, thotë se kriza filloi në pranverë të vitit 2018, kur çmimet e kromit ranë nga 250 USD për ton në rreth 140 USD.
Ai shpjegoi se tani kromi i cilësisë së mirë me 42% mineral shitet për 140 USD për ton, por shumica e galerive nxjerrin mineral me cilësi më të dobët, ndërsa për çdo pikë ulje në cilësi, çmimi ulej me 10 USD.
“Aktualisht jemi në periudhën që me një çmim të tillë, prodhimi është nën koston e nxjerrjes,” shprehet Deda.
Një zyrtar i Inspektoritatit të Punës në Dibër i tha BIRN se rreth 30 kompani të vogla minerare kishin probleme me pagat, por numri i punëtorëve të prekur nuk ishte i qartë.
BIRN mësoi gjithashtu se të tjera kompani planifikonin të mbyllnin galeritë në të cilat punonin në vjeshtë, në qoftë se çmimi i shitjes së mineralit nuk do të rritej.
Institucionet e ndihmës sociale shprehen se gjatë muajve të fundit ka pasur një rritje të punëtorëve që kanë aplikuar për pagesën e papunësisë dhe të familjeve në ndihmë ekonomike.
Kriza në sektorin e minierave rrezikon të zhysë në krizë ekonomike të gjithë zonën. Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, AKBN, gjatë vitit 2018, në galeritë e kromit punonin 3170 punonjës, ose rreth 1 në çdo 10 banorë të Bulqizës sipas censusit të vitit 2011. Kjo është pjesa dërrmuese e krahut të punës në qytet.
E ndërsa një pjesë e subjekteve po futen në muajin e katërt që nuk paguajnë pagat e punëtorëve, pasojat ekonomike kanë filluar të ndjehen në ekonominë e qytezës minerare. Shumë nga pronarët e kafeneve dhe ushqimoreve në lagje tregojnë se lista e borxheve po shtohet çdo ditë edhe më shumë.

Lexo reportazhin e plotë në lidhjen e mëposhtme:
https://www.reporter.al/renia-e-cmimit-te-kromit-con-drejt-kolapsit-galerite-e-bulqizes/