Eh sikur kështu të fliste për Drinin edhe në Zallë-Dardhën që mbytet Presidenti!
Nga Abdurahim Ashiku


I kërkoj ndjesë zotit president që tjetërsova emrin “Vjosa” në “Drini i Zi” dhe emrin “Kalivaçi” me emrin “Skavica”. Besoj se do ta pranojë ndjesën sepse e din se sa i dashuruar jam pas Drinit të Zi dhe luginës së tij dhe se sa e urrej mbytjen e Dibrës nga ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës.

Presidenti ynë Ilir Meta ishte në Zallë- Dardhë të Dibrës.
Piu, këndoi sa u ngjir këngën “veshur me fustan jeshil”, foli “pa maskë” dhe zbrazi një thes me dekorata.
Poshtë rridhte Drini i Zi në shtratin e tij mijëravjeçar; i pastër, i virgjër, shtrat historik i betejës së parë të Gjergjit të Gjon Dibranit, betejës së Torviollit më e njohura në historinë e Shqipërisë dhe të botës ku osmanlinjtë në kulmin e lavdisë morën goditjen e parë të madhe, dhe më së afërmi betejën e Lanë Lurës, tetor 1921, që mbyti në Drin armikun më të betuar të trojeve shqiptare në Verilindje, serbo-jugosllavët.
Nuk e pashë a lexova të flasë për këto dhe në se dërgoi ndonjë nga punonjësit e tij të verë një tufë me lule në muzeun e Skënderbeut në vendlindjen e tij, Sinë, apo të ngjiteshin rrëpirës së Lashkizës e Qanit dhe të vendosnin një tufë me lule në lapidarin e shkatërruar të betejës madhore të Maleve të Dibrës, Betejës së Lanë-Lurës, obligim për përkujtim madhështor në mos më shumë, por sa 100 vjetori i Vlorës, vitin e ardhshëm, në 100 fitores historike të saj..
Drini i Zi, sipas deklaratave të Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, në janar të vitit 2021 do të kthehet në liqen. Skavica do të përmbytë trevën më me histori të vjetër dhe të re, Dibrën. Drini i Zi, nga momenti që niveli i ujit arrin kuotën maksimale në digën e Skavicës, shuhet, i harrohet emri.
Nëmja e plakave për fëmijët plëngprishës “Tu harroftë emri” do të bie mbi një lum e mbi një luginë me emër.
Nuk do të ketë më emër “Drini i Zi” dhe as “Lugina e Drinit të Zi” sepse as lumi dhe as lugina nuk do të ekzistojnë fizikisht…
Presidenti Meta nuk iu kundërvu Ramës (siç bën në çdo rast) për Skavicën, mbytjen e Dibrës, shuarjen e lumit Drini i Zi, luginës pjellore e historike të tij.
Nuk iu kundërvu as si president dhe as si dhëndër i Dibrës.
Dy ditë më vonë presidenti u pa në Vjosë, në një fjalë të ashpër kundër Ramës dhe në një fjalim plot ndjenjë për virgjërinë e Vjosës dhe lënien e saj si e ka krijuar Zoti e shpalljen Park Kombëtar.
Bashkohem me të dhe i përkulem me respekt. Si specialist i natyrës, i tokës dhe gjelbërimit dua që asnjë pëllëmbë e gjelbër të mos preket, mos betonohet, mos hidhen themele, mos përmbytet.
Dua që edhe pjesa që ka mbetur e Drinit të Zi, pjesa më pjellore e luginës së tij, të mbetet ashtu si e ka krijuar Zoti.
Desha që presidenti im të thoshte në Zallë-Dardhë po ato fjalë që tha për Vjosën dje në Qendrën Ndërkombëtare Shkencore për të.
Po e përshtas me ndryshim emri, nga Vjosë në Drini i Zi, fjalimin e presidentit…
“Është kënaqësi të takohemi së bashku këtu në Zallë-Dardhë për një ngjarje mjaft pozitive, përurimin e Qendrës Kërkimore Ndërkombëtare për Drinin e Zi. Hapja e kësaj Qendre Kërkimore ndërkombëtare është bërë e mundur në sajë të bashkëpunimit mes Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës, Universitetit të Vjenës dhe Universitetit të Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës në Vjenë, Austri (BOKU). Dëshiroj t’i falënderoj këto universitete për dedikimin e tyre për çështjen e lumit Drini i Zi dhe njëkohësisht dhe Kryetarin e Bashkisë Dibër z. Dionis Ymeraj, për mbështetjen e vazhdueshme që japin kësaj kauze!
Qëllimi i krijimit të kësaj Qendre është ofrimi i infrastrukturës për zhvillimin e studimeve shkencore në luginën e lumit Drini i Zi dhe formalizimi i bashkëpunimit mes 3 universiteteve themeluese.
Ne zhvilluam dje në Tiranë, Tryezën e Rrumbullakët për të ardhmen e lumit Drini i Zi me pjesëmarrjen e shumë personaliteteve të shquara dhe shkencëtarëve nga vende të ndryshme të Evropës.
Dua të vë në dukje kontributin e tyre të jashtëzakonshëm dhe përpjekjet e vazhdueshme në mbrojtje të lumit Drini i Zi.
Lumi Drini i Zi është një pasuri natyrore kombëtare por edhe ndërkombëtare, që ne kemi fatin ta kemi këtu, por që në të njëjtën kohë është i rrezikuar nga planet për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës.
Edhe pse në kohë të vështira, siç jemi tani në situatën e COVID-19, jemi mbledhur për të diskutuar mbi këtë çështje të rëndësishme në një moment kyç për të ardhmen e luginës së Drinit të Zi – para lëshimit të Deklaratës mjedisore nga Ministria e Mjedisit për hidrocentralin e Skavicës.
Unë shpresoj që qeveria të marrë në konsideratë serioze si peticionin e nënshkruar nga 776 shkencëtarë nga e gjithë botë, në mbrojtje të lumit Drini i Zi, ashtu edhe konkluzionet e nxjerra nga tryeza e djeshme, që iu dorëzuan Presidentit të Republikës dhe që do të dërgohet pranë të gjitha institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare që merren me këtë çështje.
Unë do të vazhdoj të mbetem në mbështetje të nismës në mbrojtje të lumit Drini i Zi, dhe ky aktivitet, i organizuar në këto dy ditë, është vetëm i pari i shumë të tjerave, që do të organizohen në mbështetje të kësaj kauze, por dhe kauzave të tjera që lidhen me mbrojtjen e mjedisit.
Uroj dhe shpresoj që tryeza e djeshme dhe hapja sot e Qendrës Kërkimore Ndërkombëtare për Drinin e Zi, të mundësojnë e lehtësojnë dialogun e munguar mes shkencëtarëve, shoqërisë civile dhe institucioneve, duke bërë të mundur që të dëgjohet zëri i shkencëtarëve që studiojnë lumin Drini i Zi prej vitesh!
Zhvillimi i qëndrueshëm i vendit arrihet vetëm duke rritur vlerat e pasurive të tilla të jashtëzakonshme siç është lumi Drini i Zi dhe lugina e tij, duke mbështetur ekonominë e gjelbër, duke zhvilluar agro-turizmin dhe ekoturizmin në zona me vlera të rralla natyrore siç janë ato të Dardhës, Reçit, Sllovës, Kalasë së Dodës, Lurës, Korabit etj.
E ardhmja e Drinit të Zi nuk mund të jetë kurrsesi shkatërrimi i tij përmes ngritjes së hidrocentraleve, por shpallja si Park Kombëtar, duke sjellë kështu impakt pozitiv dhe zhvillim të qëndrueshëm për zonën dhe komunitetin për sot dhe për gjeneratat e ardhshme.”
I kërkoj ndjesë zotit president që tjetërsova emrin “Vjosa” në “Drini i Zi” dhe emrin “Kalivaçi” me emrin “Skavica”.
Besoj se do ta pranojë ndjesën sepse e din se sa i dashuruar jam pas Drinit të Zi dhe luginës së tij dhe se sa e urrej mbytjen e Dibrës nga ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës.
Athinë, 25 shtator 2020