Hajredin Shehu i shehelerëve të Zerqanit, kleriku dhe atdhetari në gjurmët e të parëve


Veprimtaria e Sheh Hajredin Zerqanit ishte dhe do të mbetet një shembull i lartë patriotik për brezat, në mbrojtje të çeshtjes kombëtare.

Në vend të hyrjes
Ashtu si dhe në jetëshkrimet për Sheh Mustafën e Sheh Sulën e Zerqanit, edhe në realizimin e jetëshkrimit, për Sheh Hajredinin e Zerqanit, jam mbështetur në materiale të shumta dokumentare e historike, në kujtimet gojore të familjes, trashëguar ndër breza, si dhe dokumenteve e dëshmive të marra nga Muzeu i Dibrës, mbledhur e sistemuar me shumë kujdes nga Fadil Shehu, djali i Sheh Hajredinit të Zerqanit.
Hajredin Shehu (Sheh Hajredini i Zerqanit), pinjolli i brezit të tretë, të shehelerëve të Zerqanit,ushtroi veprimtarine e tij, klerikale dhe atdhetare, duke ecur pa u lëkundur në gjurmët e të parëve të tij, gjyshit Sheh Mustafa dhe xhaxhait Sheh Sula. Lindur e rritur në oborrin e një familje të madhe, siç ishte ajo e shehelerëve të Zerqanit, Hajredin Shehu, ruajti traditën e të parëve të kësaj familje, duke mbajtur të pacënuar emrin e saj, të mirë, në udheheqje të malit të Grykës së Madhe Zerqanit, duke bërë emër që në të gjallë të Sheh Sulës.

Shkollimi dhe largimi nga Stambolli.
Lindi më 1882. Vitet e para të fëmijërisë, i kaloi pranë teqesë së Zerqanit, nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Sheh Sulës. . Nga prindërit e veçanërisht nga Sheh Sula u edukua dhe mësoi mbi bëmat e të parëve, për fe e atdhe.në luftë kundër pushtuesit osman. Mësimet e para i mori në mejtepin turk, hapur nga qeveria turke në Zerqan. Mbi veprimtarinë atdhetare të xhaxhait, Sheh Sulës, Hajredini ende pa mbushur 10 vjeç, mësonte duke dëgjuar në dhomën e selamllëkut të teqese, ku mblidheshin burrat e dheut. Pasi mbaroi mësimet e para në vendlindje, nën kujdesin e prindërve, u dërgua në Manastir, ku për 7 vjet, kreu shkollën e ulët dhe të mesme. Manastiri në atë kohë ishte qendër e vilajetit dhe njëherësh e lëvizjes kombëtare shqiptare. Aty kryqëzoheshin përpjekjet e atdhetarëve nga të gjitha vilajetet me Stambollin. Në Manastir në këtë kohë, zhvillonte veprimtari atdhetare e për shkollë shqipe, Hamdi Ohri, i biri i Iliaz Pashë Dibrës (Qoku), me të cilin Sheh Sula, kishte patur bashkëpunim. Kështu përveç arsimit të marrë, këtu Hajredini u vu në lidhje edhe me rrethet patriotike, ku lidhje të ngushtë vendosi me patriotin Hafiz Sherifin. Sapo kish kaluar të 20-tat, më 1903, kthehet në vendlindje, Zerqan. Në këtë kohë, roli i teqesë së Zerqanit, ishte rritur dukshëm, jo vetëm në Dibër, por edhe më gjërë. Familja ishte fuqizuar edhe ekonomikisht. Rreth vitit 1904, Hajredin Shehu, dërgohet për studime të larta, në Stamboll, ku kishin përfunduar studimet edhe paraardhësit familiarë të tij. Në shkollë veç shkencave të kohës, mëson edhe turqisht, arabisht, persisht, anglisht e frëngjisht. Atje njihet me shume shqiptarë e njerëz nga Gryka e Madhe dhe Bulqiza, ndër të cilët edhe me Hamza Gurrën, officer në ushtrinë turke, me të cilin bisedon për zhvillimet politike, veçanërisht për lëvizjen xhonturke. Në një nga këta biseda të zhvilluara, në një kafene të Stambollit, një turk u afrohet pranë dhe u thotë: -“Juve u duhet Turqia dhe Sulltani, dhe jo Shqipëria”. Hajredini ngrihet në këmbë, nxjerr nga xhepi revolen dhe e vret turkun. Për t’i shpëtuar hakmarrjes, largohet nga Stambolli për në Tripoli. Deri në pragun e revolucionit xhonturk, qendron nën mbrojtjen e Rexhep Pashë Matit, një mik i vjetër ky i familjes, i lidhur me Sheh Sulën.
Revolucioni xhonturk dhe interesimi i turqëve të rinj, për ta patur teqenë e Zerqanit, në krah të tyre.
Revolucioni i turqëve të rinj, e gjeti Hajredinin në Zerqan, pranë xhaxhait Sheh Sula dhe kushëririt Tush Shehu.. Këtu propogandon idetë e turqëve të rinj dhe bashkë me Tushin e luftëtarë nga Gryka e Madhe, angazhohet në përpjekjet që bëheshin, për përmbysjen e Sulltan Hamitit. Turqit e Rinj shfaqin interes për ta patur teqenë e Zerqanit, në krahun e tyre. Kështu pas revolucionit, ata i ofrojnë Hajredinit detyra të ndryshme. Fillimisht e caktojnë komisar policie në Shkodër e më pas në Tiranë. Gjatë shërbimit në Shkodër dhe Tiranë, u njoh e lidhi miqësi me patriot të shquar si; Refik bej Toptanin, Halil Kuqi etj. Në këto detyra qendroi për një kohë të shkurtër, rreth 1.5-2 vite, pasi mosha e thyer e Sheh Sulës dhe kryengritjet e viteve 1909-1912, bënë që ai të kthehet pranë familjes në Zerqan, për të ofruar ndihmesën e tij, në udhëheqje të Grykës së Madhe (Zerqanit). Që më parë, pranë teqesë, kushëriri i tij, Tush Shehu, nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Sheh Sulës, kishte ngritur çetën e tij, me vullnetarë, në mbrojtje të krahinës. Hajredini bashkëpunon me të dhe me çetat e tjera të Grykës së Madhe dhe Bulqizës, ku bashkë me ta merr pjesë në një sërë aksionesh luftarake, kundër pushtuesit osmnan. Bashkë me Tushin, merr pjesë në të gjitha kuvendet e dheut që organizonte Sheh Sula me krerët e tjerë të maleve të Dibrës.. Gjatë kryengritjes së përgjithëshme të vitit 1912, Hajredini bashkë me Tush Shehun, vihen në ballë të aksioneve luftarake, kundër pushtuesve osmanë e ushtrive serbe. Kështu çeta e komanduar nga Tushi, vihet në mbështetje të shtabit kryengritës, i cili e kishte vendosur qendrën e tij, në Tërnovë të Zerqanit. Nën kujdesin e saj, bëhej edhe lëvizja e krerëve nacionalistë, mes të cilëve edhe Irfan bej Ohrit.
Me organizimin e xhandarmërisë shqiptare nga qeveria e Vlorës, ne dhjetor 1913, Hajredin Shehu, emërohet komisar politik, duke i ofruar detyra në radhët e saj, ku shërbeu në Krujë dhe Durrës. Në këto detyra ai vinte pas përvojës së krijuar nga shërbimet e kryera më parë në Shkodër dhe Tiranë, ndaj dhe i kreu me shumë sukses.
Me ardhjen e princ Vidit, Hajredini vendoset në Durrës, duke i ofruar mbështetjen qeveris së tij. Me largimin e princ Vidit, edhe Hajredini si shume nëpunës të tjerë në shërbim të tij, u largua nga Durrësi dhe shkoi në Zerqan. Këtu vihet në shërbim të teqesë, për kryerjen e shërbesave fetare, pasi mosha e thyer tashmë, e kishte kufizuar mjaft ndjeshëm Sheh Sulën, në kryerjen e tyre. Në veprimtaritë fetare, Hajredini kishte pranë edhe dervish Ibrahim Shehun (ish officer në ushtrinë turke) që e ndihmonte. Gjatë Luftës së Parë Botërore, bashkë me Tushin merr pjesë në një sërë aktivitetesh politike dhe me armë. Kështu gjatë kësaj periudhe zgjeron kontaktet me krerë nacionalistë nga Dibra dhe Mati, ku bisedohej për situatën në të cilën ndodhej vendi, në interes të mbrojtjes së çështjes kombëtare shqiptare.

Vdekja e Sheh Sulës dhe vendosja e Hajredinit, në kryesimin e teqesë.
Vdekja e Sheh Sulës, ishte një humbje e madhe, jo vetëm për teqenë e Zerqanit, por edhe për lëvizjen kombëtare në Dibrën e Epërme. Pas Sheh Sulës, Hajredini ishte pinjolli më i përshtatshëm dhe i denjë në krye të teqesë së Zerqanit, pasi kishte shkollimin, inteligjencën dhe përvojën e duhur, si në veprimtarinë fetare, ashtu edhe në atë të veprimtarisë kombëtare në dobi të atdheut, për të mbajtur lart emrin e të parëve, gjyshit Mustafait dhe xhaxhait Sulejmanit. Dhe Sheh Hajredini nuk zhgënjeu në këtë drejtim. Kështu pa mbushur vitin në krye të teqesë, Sheh Hajredini, bëri emër me pjesmarrjen e tij aktive, në ngjarjet kryesore të kohës, ku bashkë me krerët nacionalistë nga Dibra dhe Mati, shpaloste cilësitë atdhetare, në mbrojtje të vendit. Një nga këta tubime të rëndësishme, ku mori pjesë Hajredini, ka qenë ai i mbajtur më 17.03.1919 , në katundin Murrë të Qafë-Murrës, ku morën pjesë 42 vetë nga Dibra dhe Mati. Kuvendi del me një letër dërguar Delegatës së Punëve të Brëndëshme Durrës, që t’i kërkojë Konferencës së Paqes në Paris, se para se të ndajë kufijt, të hedhë vështrim në Shqipërinë e robnueme, ku ka për t’pa shqiptarët në lufë me armiqt që e rrethojn. Ishte koha kur krerët e 9 maleve të Dibrës, lëviznin vrullshëm, sa në Dibër ashtu edhe në Mat. Hajredin Shehu, jo vetëm në sajë të lidhjeve të vjetra të krijuara nga të parët, por edhe atyre të krijuara prej tij drejtpërsëdrejti, vihet në kontakt me krerë të Dibrës së Poshtëme si; Elez Isufi, bajraktarët Selim e Murat Kaloshi, Abdulla Murren etj. Në Dibrën e Epërme e Fushë, krijon lidhje me krerët nacionalistë Dine Dema, Shaqir Cami, Dine e Izet bej Nasufi (Maqellara), Maliq Kërçishta (Agolli), Riza bej Dibra, Nazif Grazhdani etj. Në këto lëvizje, në nënprefekturën e Matit, Hajredini takohet e mban lidhje të forta me krerët Ahmet Bozhiqi, Mahmut Zeneli, Riza bej Çela, Kapllan Allamani, Mal Terziu, Hamit Lezi, Kadri Karrica, Sulë Husa, Lim bej Çela etj. Hajredin Shehu dhe krerët e tjerë dibranë e matjanë, që përbënin krahun e atdhetarëve nacionalistë demokratë të këtyre trevave, në bashkërendim mes tyre, analizuan situatën e vështirë në të cilën ndodhej vendi, veçanërisht trevat e pushtuara nga serbët.

Sheh Hajredini i vendosur në krahun nacionalist e demokratik, në krah të Fan Nolit.
Në fillimvitin 1919, Gryka e Madhe dhe Bulqiza, vazhdonin të ishin zona të nxehta, ku përplaseshin forcat serbo-esatiste me çetat e prira nga Tush e Hajredin Shehu, Ymer Pervizin, Destan Puca, Mehmet Duriçi etj, që duhej të përballonin një forcë të organizuar ushtarake serbe prej rreth 1000 vetësh, të komanduar nga Halit Lleshi, një nga krerët dibranë, që tashmë i kaluar në krahun e serbëve, duke tradhtuar lëvizjen kombëtare shqiptare. Nga Gryka e Madhe dhe Bulqiza, gjegjësisht nga teqeja e Zerqanit dhe teqetë e tjera, nuk evidentohet asnjë rast i kalimit të krerëve, apo personave, në krahun e forcave serbo-esatiste. Përkundrazi, Sheh Hajredini, Tushi, Destan Puca, Dile Voci, Mehmet Duriçi, Ymer Pervizi dhe krerë të tjerë, u bënë barrikadë, kundër forcave serbo-esatiste, që kalonin në këto anë. Kështu në fillim të gushtit 1919, Halit Lleshi në krye të 150 forcave, ndodhej e vepronte me forcat serbe, i përqendruar në Zerqan. Në përplasje me çetat vullnetare të zonës, detyrohet të tërhiqet drejt Dibrës së Madhe. Pas një riorganizimi aty, mësyn sërish në drejtim të Grykës së Madhe dhe Bulqizës. Forcat e shumta serbo-esatiste, arritën deri në Bulqizë, ku ndeshën në rezistencën e organizuar nga Mehmet Duriçi, i cili kordinon veprimet me çetat e Grykes së Madhe, të komanduara nga Tush dhe Hajredin Shehu, Ymer Pervizi e Destan Puca, si dhe me luftëtarë të ardhur në ndihmë nga Gryka e Vogël (Homeshi). Këto zhvillime, përcillen edhe nga ish nënprefekti i Matit, i cili më 15 gusht 1919, i shkruan Delegatës së Punëve të Brëndëshme Durrës: “ Populli i Homeshit dhe Zerqanit, 60 vet pa armë dhe 100 vet të armatosur, gjenden në jug të Bulqizës. Ushqimin e ka siguruar nga populli i Bulqizës, por nga zgjatja e situatës së luftës, po vuajnë fort. Ushqimi i këtyre vullnetarëve, që janë të lidhur me qeverinë e Durrësit, e që janë t’u u përpjek me mish e me shpirt, të sigurohet nga qeveria ose të formohet një komision për të mbledhë ndihma nga populli.
Vjeshta e 1919-tës, mbetej tejet e vështirë për Dibrën dhe dibranët, pasi mbeteshin të okupuar nga serbët, në lakminë e tyre për coptimin e Shqipërisë. Një situatë e tillë, i detyron 12 krerët nacionalistë të krahut demokratik të Dibrës, mes të cilëve, Elez Isufi, Dan Cami, Hajredin Shehu, etj, që të apelojnë për qeverinë e Durrësit, për padrejtësitë në qendrimet e Beogradit, që nuk kanë lënë këto territore ( dy Dibrat shënim F.SH), të lidheshin me qendrën (Durrësin FSH), për zgjedhjen e kryepleqëve në Prefekturën e Drinit. Por edhe në zgjedhjet e 15 tetorit 1919, qeveria e Durrësit, nuk arriti të realizojë zgjedhjen e kryepleqëve. Ndërkohë qeveria e Durrësit, po e ngushtonte dita-ditës, shtrirjen e veprimtarisë së saj në Dibër. Në të tilla kushte shumë intelektualë atdhetarë, nisin e distancohen prej saj, duke menduar për një tjetër kuvend kombëtar, i cili të mund t’i mbronte më mirë interest kombëtare. Sheh Hajredini ndjek me vëmendje këto zhvillime të reja dhe ofron ndihmesën e tij, pro tyre.

Sheh Hajredini, në mbështetje të Kongresit të Lushnjës.

Mbështetja që Sheh Hajredini i bëri Kograsit të Lushnjës, bëri që qeveria e Sulejman Delvinës, t’i ofroi atij detyra të rëndësishme. Fillimisht u caktua nënprefekt në Fullqet të Matit, detyrë që e mbajti deri më 1922. Në vitet 1920-1924, Sheh Hajredini, u vu në mbështetje të fuqishme për lëvizjen me karakter demokratik e përparimtarë. Ai, veçanërisht kushëriri i tij, Riza Shehu, një tjetër pinjoll ky i familjes së madhe të shehelerëve të Zerqanit, i cili u vu në udhëheqje të shoqërisë kulturore, të formuar më 1921, në nënprefekturën e Zerqanit. Madje Riza Shehu u zgjodh edhe në krye të degës “Bashkimi” Dibër, në nënprefekturën e Zerqanit. Sheh Hajredini e Riza Shehu, bashkëpunojnë me të tjerë luftëtare të idealeve demokratike si; Vaid Kurmakun, Mustafa Dervishin, Destan Pucën, Mehmet Duriçin, Dile Vocin etj.
Sheh Hajredini, i rreshtuar me krahun nacionalist democrat, kundër Zogut dhe pro Fan Nolit, qeveria e të cilit, e emëroi nënprefekt në Zerqan.
Sheh Hajredini, si shumë krerë të tjerë, vihet në ballë të përpjekjeve kundër rikthimit të Ahmet Zogut, në Shqipëri. Në vijim të këtij qendrimi, krerë si, Elez Isufi, Hajredin Shehu etj, më 18 shtator 1924, organizojnë në Peshkopi, një tubim të gjërë, i quajtur ndryshe “Kongresi i Malsisë”. Në zhvillimet e armatosura gjatë kthimit të Ahmet Zogut në Shqipëri, Sheh Hajredini, qendroi në distancë duke mos u përfshirë në përleshjet me armë.
Vitet në vijim i kaloi pranë teqesë, duke u vënë totalisht, në organizimin e saj. ku më vonë u vesh Sheh. Në teqe, krahas shërbimeve fetare, bisedonte me mbështetësit edhe për situtën e krijuar në vend. Ndryshimet pozitive të bëra nën qeverinë e Zogut, bënë që Sheh Hajredini, të krijojë një tjetër imazh për Ahmet Zogun.

Historia e shkopit, që Sheh Hajredini, ja bën “dhuratë” Viktor Emanuelit.

Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, Sheh Haredini, caktohet në delegacionin që do t’i dërgonte kurorën e Skënderbeut, Perandorit të Italisë, Viktor Emanuelit të III-të. Pa dëshirën e tij, vijnë dhe e marrin në Zerqan, dy oficerë të fashios italiane dhe e bashkojnë me dërgatën e Dibrës, për ta çuar në Romë. Shehu në momëntin që avioni po ulej për t’i marrë, i drejtohet kolegut të delegacionit me të cilin po bisedonte: -Të lutem ma mbaj pak shkopin se erdha dhe zhduket. Avioni ulet, por shehi, nuk dukej gjëkundi. Ora e nisjes së avionit erdhi dhe ai nuk mund të priste më gjatë Sheh Hajredinin. Sapo avioni ngrihet lart, ai shfaqet në shesh dhe ngren shikimin lart, në drejtim të avionit, ku belbëzon; – “amanet shkopin”. Kjo përveçse kujtimeve gojore të familiarëve të teqesë ndër vite, konfirmohet edhe nga një dokument i lëshuar nga Muzeu i Dibrës, të firmosur nga kryetari i Lidhjes së Historianëve Dibër Adem Bunguri dhe ish drejtori i Muzeut Dibër Gafurr Zoto, ku tekstualisht thuhet:
“Pasi u paraqit në Romë delegacioni që dërgonte kurorën e Skënderbeut, Perandorit të Italisë, kryetari i delegacionit i tha Viktor Emanuelit të III-të se gjithë paria është prezent, vetëm Sheh Hajredini nuk është, por ai në këmbë të tij më ka dhënë këtë shkop (bastun). Pastaj edhe ai copë dru thane I maleve tona, kaloi dorë më dorë. I pari e mori Viktor Emanueli, pastaj Beneto Musolini, Konti Çiano….e përsëri në suart e perandorit i cili tha: -Sinjore, të mos e harroni ta merrni me vete këtë bastun, kur të shkojmë në Shqipëri, se kam dëshirë ta njoh edhe atë, të zotin e këtij bastuni, se është një symbol vllazërimi?!! Ata që e njihnin, thanë me vete, do ta njohësh, edhe ai vetë, një shkop thane është”.
Po sipas këtij dokumenti thuhet se; -ditët e prillit 1940, Sheh Hajredini, u helmua nga fashistët italianë dhe vdiq më 6.04.1940. Tre ditë pas varrimit, fashistët italianë, vijnë dhe i hapin varrin, Sheh Hajredinit, për t’u bindur nëse ka vdekur vërtet, ky atdhetar i flaktë që kishte rrokur pushkën, që më 7 prill 1939 kundër fashizmit.
Gjithsesi bëmat e Sheh Hajredin Zerqanit, ishin dhe do mbeten një shembull i lartë patriotik për brezat, në mbrojtje të çeshtjes kombëtare.