Bechtel kërkon Skavicën përmes ndihmës së qeverisë shqiptare dhe asaj amerikane


Një foto pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit.

Skavica do t’i sjellë Shqipërisë energji të pastër shtesë, që do të reduktojë përmbytjet, do ta bëjë prodhimin e energjisë shqiptare më pak të varur nga reshjet vjetore të shiut.

Skavica duhet të ketë një projekt që mbron mjedisin në afatgjatë, e mbi të gjitha duhet të jetë një projekt model sa i përket kompensimit të pronës private, dhe rentës që duhet të përfitojnë bashkitë që preken nga kjo vepër.

Paje nga fshati Fushë Alie, i cili përmbytet në të dy variantet e ndërtimit të Skavicës.

Më 3 tetor në Tiranë u nënshkrua një memorandum Bashkëpunimi Ekonomik mes Shqipërisë dhe SHBA, i cili u firmos për palën shqiptare nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe për palën amerikane nga Nënsekretari i Shtetit për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin, Z. Keith Krach.
Një nga pikat më të rëndësisshme të marrëveshjes ishte marrëveshje me kompaninë amerikan Bechtel për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës.
“Memorandumi që nënshkruajmë sot për Bashkëpunimin Ekonomik mes Shqipërisë dhe SHBA-së faktikisht do të ndikojë ndjeshëm në hapjen e nje kapitulli të ri për investimet e drejtëpërdrejta, jo vetëm amerikane, por në tërësi të huaja në Shqipëri. Do të rrisë eksportet shqiptare, duke përmirësuar ndjeshëm bilancin tregtar dhe do të fusë në rrugën përfundimtare të realizimit një ëndërr 50 vjeçare, që është ndërtimi i HEC-it të Skavicës. Gjë që e kthen Shqipërinë nga një vend i pasur në burime hidroenergjitike, por i varur në vijimësi nga moti dhe nga importi, në një vend sovran në aspektin e prodhimit të energjisë”, tha kryeministri Rama në ceremoninë e nënshkrimit të marëveshjes.
Më pas Kryeministri falenderoi nënsekretarin Krach për angazhimin e tij personal për të nxitur bizneset që të vazhdojnë në këtë proces, “ku qeveria amerikane hedh hapin e parë, duke u futur vetë përmes këtij Memorandumi dhe duke u angazhuar vetë për të mbështetur me ekspertizën e vet, me teknologjinë amerikane dhe patjetër për financimin, gjë për të cilën do të punojmë bashkërisht, – ndërtimin e Skavicës, në mënyrë që të tjerët të vazhdojnë të ndjekin këtë shembull”.
Në fjalën e tij, Keith Krach, Nënsekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillimin Ekonomik, Energjinë dhe Mjedisin tha se “drita e investimeve të huaja, veçanërisht për firmat në Shtetet e Bashkuara, do të krijojnë vende puna më të mira, mundësi më të mira për të rinjtë në Shqipëri e do të ndihmojnë në krijimin e një mjedisi më të mirë biznesi”.
“Jam i entuziazmuar të dëshmoj nënshkrimin e një marrëveshje mes kompanisë më të madhe të ndërtimit të Amerikës, Bechtel dhe Shqipërisë për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës”, theksoi Krach.
“Ky është një projekt ambicioz, shumë i nevojshëm, që të ofrojë siguri energjetike dhe përfitime mjedisore për Shqipërinë. Nuk mendoj që mund të kishit zgjedhur një partner më të mirë për hidrocentralin tuaj, sesa firma që ndërtoi digën më të famshme në SHBA, digën Hoover dhe projekte të tjera të famshme të ndërtimit. Sakavica do t’i sjellë Shqipërisë energji të pastër shtesë, që do të reduktojë përmbytjet, do ta bëjë prodhimin e energjisë shqiptare më pak të varur nga reshjet vjetore të shiut, sikurse ndatë më herët me mua. Ky projekt historik do të jetë një pasuri kombëtare për popullin e Shqipërisë dhe një që vazhdon të ndërtohet mbi lidhjet tona tashmë të ngushta”.
Po në të njëjtën ditë, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe përfaqësuesi i kompanisë Bechtel, Justin Siberell, President i Rajonit të Europës dhe Lindjes së Mesme, në prani të kryeministrit Edi Rama dhe Nënsekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillimin Ekonomik, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për Bashkëpunimin në lidhje me Projektin e HEC Skavicë.
“Projekti i Qeverisë Shqiptare për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës ka gjetur mbështetjen e Qeverisë Amerikane, e cila ka shprehur angazhimin e drejtpërdrejtë, për të mbështetur Shqipërinë në këtë iniciativë kaq të rëndësishme”, thuhet në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Variantin A: Kosto e ndërtimit – 308 milionë euro, nga të cilat 58 milionë euro për shpronësime dhe infrastrukturë. Kuota e hidrocentralit është 388 metra mbi nivelin e detit, lartësia e digës 92 metra

Variantin B: Kosto e ndërtimit – 510 milionë Euro, nga të cilat 160 milionë euro për shpronësime dhe infrastrukturë. Kuota e hidrocentralit është 443 metra mbi nivelin e detit, lartësia e digës 147 metra.

Sipas njoftimit të MIE, “në dokumentin e nënshkruar theksohet rëndësia e Projektit të HEC Skavica, si një projekt me interes kombëtar, i cili do të mundësojë që Shqipëria të krijojë pavarësi të plotë nga importimi i energjisë dhe do ta pozicionojë vendin tonë si si qendër energjie për rajonin”.
“Memorandumi vlerëson përvojën unike dhe të zgjeruar të Bechtel në projektimin dhe zbatimin e zgjidhjeve inxhinierike novatore si dhe të financimit të nevojshëm për realizimin e këtij projekti kompleks, zgjidhje të cilat nuk janë zbatuar ende në Shqipëri”.
“Përmes nënshkrimit të këtij Memorandumi Bashkëpunimi, palët angazhohen të punojnë së bashku në të gjitha fazat e këtij procesi për të gjetur zgjidhje të përshtatshme për realizmin e këtij projekti me rëndësi kombëtare. Palët kanë shpehur interes gjithashtu, që krahas bashkëpunimit të tyre në fushat e projektimit dhe zbatimit të punimeve, të trajtojnë edhe financimin e duhur të Projektit, që të jetë i pranueshëm për Qeverinë e Republikës së Shqipërisë”.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompania Bechtel do të përgatisin dhe miratojnë bashkarisht Planin e Veprimit për zbatimin e Projektit, i cili do të përfshijë edhe statusin aktual të dokumentacionit teknik të projektit, planin e veprimtarive të projektit, modelet e propozuara të financimit, drejtuesit e veprimtarive të projektit dhe afatet për zbatimin e suksesshëm të Projektit.
Kryeministri Rama e dha lajmin në një postim në Facebook, ku shkruan se “Projekti i HEC-it të Skavicës është një ëndërr gjysëmshekullore që do ta realizojmë me miqtë amerikanë dhe përmes këtij investimi madhor me ekspertizë, financim e teknologji amerikane, do ta pavarësojmë Shqipërinë nga importi i energjisë dhe do të hyjmë në një fazë të re për Shqipërinë që Duam”.
Lajmi për nënshkrimin e marërveshjes u bë publike një ditë më parë, më 2 tetor, gjatë një konference shtypi të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe atij të Kosovës, Abdulla Hoti. Në këtë takim, përveç entuziazmit të kryeministrit shqiptar për nënshkrimin e marrëveshjes me Skavicën, bëri të ditur edhe përfshirjen e qeverisë së Kosovës në këtë projekt, kryesisht me bashkëpunimin në fushën e energjisë, pasi diversifikimi i burimeve mes dy vendeve, mbetet një treg për t’u integruar bashkërisht me shumë poetencial të madh.
Kundërshtitë
Drejtuesit e shoqatës “Për Mbrojtjen e Pellgut të Drinit të Zi” e kanë kundërshtuar nënshkrimin e kësaj marrëveshje. Kryetari i saj, Nazmi Drizi, tha përmes telefonit se ne as nuk do të pranojmë dhe nuk do të njohim asnjë marrëveshje të nënshkruar nga qeveria shqiptare, mbi të cilën nuk është firma e banorëve”.
Drizi tha se po organizohen për nisjen e protestave të vazhdueshme, në Dibër dhe Tiranë, madhe edhe para ambasadës amerikane, por kjo është penguar deri më tani nga policia.
“Për shkak të kushteve të vendosura në situatën e pandemisë, policia nuk na ka lejuar takimet publike, por së shpejti ne do ti nisim ato, duke shkelur në çdo fshat, në në çdo shtëpi. Përmbytja e Dibrës është e papranueshme”.
Dritan Shano, një nga ekspertët e ekonomisë në vend, në një status në Facebook më 4 tetor, shkroi se “deri më tani nuk ka investitorë amerikanë në këtë projekt.”
“Investitorët në Skavicë janë Shqiptarët – buxheti i shtetit; zbatuesi është amerikan – Bechtel”, shkruan Shano.
“Që të bëhet Skavica nuk ka ndonjë gjë të keqe. Shqipëria derdh në det 1800 m3/s dhe akoma nuk i plotëson nevojat e veta për energji, si dhe nuk ka ujë të pishem 24 orë në rubinet. Por, mendoj se meqenëse jemi në shekullin e 21, Skavica duhet të ketë një projekt që mbron mjedisin në afatgjatë, e mbi të gjitha duhet të jetë një projekt model sa i përket kompensimit të pronës private, dhe rentës që duhet të përfitojnë bashkitë që preken nga kjo vepër”, shkruan Shano mes të tjerash në statusin e tij në Facebook.
Qeveria shqiptarë bëri publikë në qershor dy variantet e ndërtimit të HEC të Skavicës.
Në variantin A, kosto e ndërtimit do të jetë 308 milionë euro, nga të cilat 250 milionë për ndërtimin dhe 58 milionë euro për shpronësime dhe infrastrukturë. Në këtë variant kuota e hidrocentralit është 388 metra mbi nivelin e detit, 92 metra lartësia e digës, 17.6 km2 sipërfaqja e rezervuarit, 326 milion metër kub ujë, me fuqi instalimi 120 MW dhe prodhim vjetor 479 GHh.
Në variantin B, kosto e ndërtimit parashikohet në 510 milionë Euro, nga të cilat 350 milionë për ndërtimin dhe 160 milionë euro për shpronësime dhe infrastrukturë. Në këtë variant kuota e hidrocentralit është 443 metra mbi nivelin e detit, 147 metra lartësia e digës, 54 km2 sipërfaqja e rezervuarit, 2319 milion metër kub ujë, me fuqi instalimi 210 MW dhe prodhim vjetor 915 GHh.
Ndërkohë që thotë se “ky projekt do të sigurojë optimizimin e Kaskadës së Drinit, eliminimin e përmbytjeve në zonën e fushë Shkodrës dhe fushë Lezhës, si dhe rritjen e sigurisë dhe efiçencës në veprat hidrike në HEC-et ekzistuese të kaskadës”, ajo nuk thotë asgjë për përmbytjen e luginës së Drinit të Zi dhe humbjet që i vijnë popullatës dhe mjedisit nga kjo.
“Ne jemi të ndërgjegjshëm se alternativa më e madhe në fakt përmbyt një sipërfaqe të madhe, por sigurisht është një proces konsultimi, shpronësimi dhe bashkëpunimi mund ti japë një opurtinitet më të madh zonës”, tha drejtori i KESH Benet Beci në prezantimin e projekteve pesë muaj më parë.
Pas kësaj deklarate qeveria nuk ka dhënë asnjë të dhënë për shpronësimet, shpërnguljet e banorëve, infrastrukturën e nevojshme dhe të ardhmen e banorëve që preken nga shpërngulja.