Rebelohu Dibër në shekullin e ri!


  •  Sot më shumë se kurrë, dibranët e dy Dibrave kudo që ndodhen, duhet të aktivizohen në protesta të fuqishme, kundër vendimeve të qeverisë Rama, për ti thënë, “JO” Skavicës dhe planit ogurzi të sllavo-maqedonasve dhe shërbëtorëve të tyre shqiptarë, të dashuruar me sllavët ndër shekuj, dhe për ti thënë një “PO” të fuqishme Dibrës dhe pasurive të saj.
  • Vetëm protestat masive popullore do të shmangin përmbytjen e të gjitha fshatrave të Dibrës së poshtme nga Zall-Reçi deri në fushat e Gjoricës, përfshi dhe Fushën e Torviollit, pjesë e historisë së Skënderbeut, Dibrës dhe shqiptarëve që sakrifikuan jetën për trojet shqiptare.
  • Bashkohuni në kauzën tonë për ta mbrojtur Dibrën, pasi së shpejti do nisin takimet dhe protestat e mbarë dibranëve.

Prej 35 vitesh, Dibra dhe dibranët vazhdojnë të kërcënohen prej qeverive se: tokat e gjyshërve dhe baballarëve, do të mbulohen me ujin e Drinit të Zi dhe gjithë lumenjve të tjerë, që zbresin përgjatë maleve që lartësohen në lindje dhe në perëndim të luginës së Drinit..!
Kërcënimet e qeverive shqiptare, ngjasojnë tamam si kërcënimet e Sulltanëve të Turqisë, të cilët vërshonin drejt Dibrës për ta nënshtruar, por me një ndryshim se: ajo e kërcënon Dibrën dhe dibranët për ti pushtuar me ujë dhe jo me Hajredin Pashën e ushtrinë e tij…
Ditët e fundit kryeministri Rama, ka prezantuar projektin, për ta përmbytur Dibrën në dy variante, pjesërisht dhe tërsisht, por në çdo rast me një strategji për ta shuajtur Dibrën dhe historinë e Torviollit të Kastriotëve dhe gjithë Dibrës…
Po a janë shuar vërtet dibranët?
Këtë do e vërtetojë koha, ashtu si e ka vërtetuar ndër shekuj, reagimin e Dibrës dhe dibranëve për liri, pavarësi e dinjitet, në Dibër dhe në mbarë trojet Shqiptare.
Siç duket, dy Dibrat, të cilat janë kërthiza e Shqipërisë etnike, po paguajnë haraç! Kështu u veprua në vitet 1960 me Dibrën e Madhe në ish-Jugosllavi, duke ndërtuar hidrocentralin “Spile”, liqeni i të cilit përmbyti zonën e Udovës, “Myzeqenë e Dibrës së Madhe”.
Kjo situatë e rëndë shkaktoj migrimin dhe emigrimin masiv të dibranëve drejt Turqisë dhe vendeve të Evropës dhe SHBA.
Me gjithë kundërshtimet e popullatës, sistemi monist i ish-Jugosllavisë, ja bëri me qëllime të caktuara Dibrës, duke e gjunjëzuar me dhunë e duke futur nën ujë pjesën më të mirë të zonës dhe konkretisht Udovën, që nuk e kishin nënshtruar Turqit.
Po kështu, tani në “demokraci” filluan manovrat e qeverisë Maqedonase për të rrëmbyer lumin Radika në burim, për të furnizuar liqenin e Mavrovës e që prej andej edhe fuqizimin e prodhimit të hidrocentralit Vërtok në zonën e Gostivarit.
Dibranët dhe mbarë Shqiptarët kundërshtuan me protesta të forta në Dibër të Madhe, Peshkopi, Shkup e Tiranë dhe zbrapsën qëllimin ogurzi të ëndrrave sllavo-maqedonase për devijimin e ujërave të lumit Radika, ashtu si donin të bënin në vitet 1960-1970 me ujërat e Drinit të Zi, për ti devijuar drejt territorit Maqedonisë dhe për të mos u shfytëzuar nga Shqipëria dhe për të shkaktuar një katastrofë florës dhe faunës në luginën e Drinit të Zi në pjesën e Shqipërisë!
Ndaj, sot më shumë se kurrë, dibranët e dy Dibrave kudo që ndodhen, duhet të aktivizohen në protesta të fuqishme, kundër vendimeve të qeverisë Rama, për ti thënë, “JO” Skavicës dhe planit ogurzi të sllavo-maqedonasve dhe shërbëtorëve të tyre shqiptarë, të dashuruar me sllavët ndër shekuj, dhe për ti thënë një “PO” të fuqishme Dibrës dhe pasurive të saj.
Vetëm protestat masive popullore do të shmangin përmbytjen e të gjitha fshatrave të Dibrës së poshtme nga Zall-Reçi deri në fushat e Gjoricës, përfshi dhe Fushën e Torviollit, pjesë e historisë së Skënderbeut, Dibrës dhe shqiptarëve që sakrifikuan jetën për trojet shqiptare.
Të parët tanë jua kanë dalë shumë luftërave dhe kanë fituar, ndërsa ne sot nënshtrohemi edhe para tekave e qëllimeve të qeveritarëve të babëzitur, të cilët nuk e duan Dibrën, por e duan nën uji atë, ndërsa vetë bëhen aksionerë në veprat fitimprurëse edhe kur ata ndërtohen në tokat e gjyshërve tanë!
Kështu veproi edhe Enver Hoxha me tokat e Kuksit dhe qytetin e Kukësit të Vjetër, në vitet 1970-1980, kur ndërtohej Hidrocentrali i Fierzës dhe që prej asaj kohe kuksianë për plotë 40-45 vjet, trokasin dyerve të institucioneve shtetërore për kompensimin e pasurive dhe kurrë nuk i kanë marrë e kurrë nuk do i marrin dëmshpërblimin e pronave…
Kështu do të veprohet dhe me Dibrën e dibranët, por vetëm duan të na mbushin mendjen me projekte në “3D” dhe pasi të na pushtojnë me ujë, do bëjnë si të duan me pronat tona, duke na tallur…
Dibra e Madhe dikur vërtet ishte e Madhe, kurse pas përmbytjes së vitit 1960 , e kemi thirrur “Dibra e Madhe” për traditë, ndërsa në fakt ka mbetur si territor dhe popullsi disa herë më e vogël se Dibra e mbetur në shtetin Shqiptar, pas procesit të delimitacionit dhe demarkacionit (ndarjes dhe caktimit kufijve) në vitin 1913.
E pra, kjo tkurrje i ndodhi që kur u përmbyt Udova dhe mori jetë hidrocentrali “Spile”, ndërsa nesër po u ndërtua Skavica, Dibra e Vogël ose Dibra e Shqipërisë, do të quhet Dibra e Vockël, sepse pronarët dhe qeveritarët e sotëm do ta kenë të veten Dibrën nën uji dhe Hidrocentralin Skavica…
Nëse Dibra dhe dibranët janë shuar, le të bëjnë si të duan me Ramën e qeveritë sot e nesër, por nëse janë gjallë dhe në trupin e tyre qarkullon gjaku i të parëve, tamam gjak dibrani, e ndoshta dhe ndonjë pik nga gjaku i Kastriotëve, le të rebelohen një herë në shekullin e parë të mijëvjeçarit Ri, e ta marrin vesh kryeministri e qeveria e tij, se me Dibrën e dibranët nuk bëhet shaka e plane për ta pushtuar a përmbytur…
Unë nuk jam shuar, po Ju?!
Bashkohuni në kauzën tonë për ta mbrojtur Dibrën, pasi së shpejti do nisin takimet dhe protestat e mbarë dibranëve.
Zoti e ruajt Dibrën dhe dibranët kudo që jetojnë e punojnë!

* Autori është drejtues i degës së Tiranës të Shoqatës për Mbrojtjen e Pellgut të Drinit të Zi. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim nuk përcjellin qëndrimin e redaksisë. Redaksia, ashtu si edhe në të kaluarën, mbetet e hapur për të botuar pikëpamjet e të gjitha palëve, në lidhje me këtë projekt.