Rrëfime nga një profesor i gjeologjisë


Ai ka dalë tani në pension, por mua më duket ende ai nxënësi i pjekur i ish Teknikumit të Minierave dhe Gjeologjisë në Prrenjas në vitin 1968, ku unë nisa karrierën time si mësues i matematikës por që i shoqëroja nxënësit bashkë me inxhinier Luanin nëpër marshuta në zonat minerale të Pishkashit, Bushtricës, Katjelit, Gurit të Kuq, Çervenakës etj. Mandej student në Fakultetin e Gjeologjisë dhe të Minierave ku unë gjithashtu dhashë mësime matematike disa vjet. Pastaj Veselin e takoja më rrallë, për shkak se atë e “rrëmbeu” puna në terren, në ekspedita gjeologjike në zonën e Dibrës. Kur më takonte, ai më tregonte për punën në kërkimet gjeologjike, për martesën, për të atin, për shokët e tjerë. Sigurisht një student dhe inxhinier i talentuar do “përthithej” nga Universiteti Politeknik më vonë, sidomos pas vitit 1990. Aty Veseli u ktheu studentëve përvojën e tij të pasur praktike, i shoqëroi edhe ata në ekspedita dhe ekskursione mësimore nëpër Shqipëri.
Lumturohesha kur i shihja fotot e tij me studentët, që tani ishin shumica vajza, ndryshe nga përpara 1990.
Mësimdhënien ai e vijoi edhe kur nisi punën në Institutin e Gjeoshkencës. Pikë kulmore e karrierës ishte marrja e titullit “Profesor”, që më krenoi edhe mua! Lum ai mësues që nxënësi ia kalon!
Një muaj më pare, profesor Veseli më dhuroi librin-ditar “Shënime në çadër”, me rreth 560 faqe, që do pasohet nga vëllime të tjera, sikurse më tha.
Një titull i gjetur mjeshtërisht, sepse përmbledh gjithçka shkruhet aty: punën e gjeologut hulumtues, mjedisin shoqëror, natyrën, meditimin për problemet madhore të zhvillimit të vendit etj.
Libri është ndërtuar mbi një material shumë të bollshëm shënimesh në kohë, faktesh të regjistruara në ditarin vetiak, letërsinë historike, politike dhe artistike të shfletuar në vite, padyshim edhe në pasurinë gojore popullore. Kjo pasqyrohet kudo në libër.
Edhe fotot cilësore me ngjyra, të bëra ndër vite, e plotësojnë dhe e sqarojnë tekstin dhe faktet e treguara.
Dua të nënvizoj disa veçori që përmban i tërë rrëfimi në libër.
Së pari, janë tregimet plot dashuri dhe mirënjohje të merituar për kolegët dhe profesorët, si edhe për bashkëpunëtorët e tjerë më të thjeshtë (punëtorë, kuzhinierë, kafsharë, fshatarë mikpritës etj.) Rrëfimet e sinqerta dhe plot ngjyra për ta, na nxisin ti nderojmë më shumë këta “heronj të heshtur” të shkencës sonë.
Së dyti, janë përshkrimet e hollësishme të zonave minerale e minerare të Dibrës e më gjerë, që ngjallin edhe ato, krenari të ligjshme për atdheun tonë. Krahas tyre, lexuesi njihet edhe me fakte historike ku më i madhi është vendlindja e heroit tonë kombëtar, e shtruar si tezë nga historian Kristo Frashëri.

Dy foto të vendeve ku mendohet të ndërtohet diga në
afërsi të Tejdrines apo ajo në afërsi të Skavicës.

Së treti, të bie në sy qasja e autorit ndaj problemeve zhvillimore që lidhen jo vetëm me industrinë minerare, por edhe me Rrugën e Arbrit dhe ngritjen e hidrocentraleve të vegjël që shfrytëzojnë pasurinë e madhe hidroenergjetike të zonës. Madje, profesor Veseli merr pjesë me argumente të besueshme edhe në debat me një kundërshtar të këtyre hec-eve.Por, si pjesë e inteligjencës inxhinierike, ai ngre, sikurse ka bërë edhe më parë përmes shtypit,  edhe çështje të organizimit shkencor në fushën e gjeoshkencës, duke tërhequr vëmendjen e institucioneve vendimmarrëse për këtë qëllim.
Libri në tërësi i shkruar në një shqipe të rrjedhshme dhe në stil të këndshëm, mund të lexohet edhe pjesë – pjesë, pasi është plot rrëfime tërheqëse, jo vetëm nga ata që kanë punuar me Veselin.
Disa fragmente nga libri
Destani
Destan Visha, që e takova në fshatin Ceren, ishte me profesion mësues. Kishte një komunikim njerëzor dhe me shumë humor. Ishte tepër kurajoz dhe shumë praktik. Fliste pak.  Nuk fliste për gjera që nuk i realizonte. Thoshte të vërtetën, por harronte se, në disa raste, duhej të thoshte atë që donte e mendonte nëna Parti dhe jo atë që, me të drejtë thoshte dhe mendonte kryetar Destani ose disident Destani.
Ndërsa në mendje bluaja problematikën e vajtjes në Bjeshkën e Shehut për të filluar punën, pasi po ikte edhe qershori, më tërhoqën vëmendjen daljet e fuqishme të gjipseve në anën e majtë të rrjedhjes së Përroit të Veleshicës. Një pamje madhështore dhe me mozaikët e panumurt të shkaktuar nga erozioni kimik e fizik i tyre. )f. 28-29)
– Terreni, puna fushore të jep krahë, të jep mundësinë të ballafaqohesh me lloj-lloj dukurish nga më të ndryshmet, në një farë mënyre të teston dijet e të ndihmon t’i shumosh ato hap pas hapi, sidomos kur nuk je vetëm dhe në rastin më të mirë kur shokun e ke më të ditur se vetja- vazhdova bisedën unë (me inxhinier Alaudin Kodrën, sot një ndër profesorët e shquar të gjeologjisë së Shqipërisë e më gjerë) (f. 63)
Ndjeva një gëzim të madh në zemër, pse jo, edhe një vlerësim, që dekani së bashku me një pjesë të profesorëve të mij të fakultetit, po më bënin një “vizitë” tek ekipi ku punoja dhe drejtoja unë. E konsiderova këtë një nder dhe nxitje për punët që më prisnin. Profesor Puma një njeri i qetë dhe autoritar ishte marrë kryesisht me kërkim-zbulimin e mineraleve të hekur-nikelit, kësisoj ishte i interesuar për kërkimet e hekurit në zonën e Korabit. Kryegjeologu Bushi kishte udhëhequr itinerarin e udhëtimit.( f.73)
Një mik nga Bullgaria, që kam pasur fatin ta shoqëroj nga fshati Sllatinë në malin e Korabit e më gjerë, kur i kam shqiptuar emrin e vendit “Sllatinë”, me humor më tha: – E dini kuptimin e kësaj fjale? Ndonëse e kisha mësuar nga shkrimtari dhe poeti i talentuar dibran Agron Tufa, atij iu përgjigja se nuk e di dhe pse me të komunikoja në gjuhë sllave.
-Ëmbëlsirë- e ka kuptimin në shqip- u përgjigj kolegu bullgar.( f. 93)

Elektriçisti Isuf Lela
Punonte nga mëngjesi deri pasditen vonë. Punonte shumë e nuk bënte zhurmë, e as nuk e rrihte ndonjëherë gjoksin. Shefave nuk u thosh asnjëherë “jo”. Provova një herë të thoja “jo” dhe e di ç’më gjeti, thosh me shaka. Ku nuk e gjeje Isuf Lelën. Nga fshati Ploshtan ku fillonte linja jonë e tensionit të lartë e gjerë tek kabina  në majat e Sorokolit (Gurët e Kodrës, etj) me largësi rreth 3.3 km, gjithçka ishte vepër e tij. Po ashtu, nga kabina e ekipit e deri te sondat, galeria apo stacioni i argjilës, gjithçka mbante vulën e Isufit.( f. 105)
Më afrohet aty pranë, zotni Misim Daku, një tjetër punëtor veteran i gjeologjisë, i cili më thotë një fjalë të urtë popullore, duke e lidhur me faktin e kohës së mirë që na mbajti. “Moti ndihmon atë që punon!” Drejt e ke zotni Misim, Zoti ndihmon atë që punon. Misimi për momentin nuk e kuptoi përgjigjen time, pasi fjalën “mot” unë ia zëvëndësova me fjalën “Zot”. Për ta mbyllur bisedën unë shtova: – Nuk kanë thënë kot Misim se “trëndafili ka aromën, njeriu ka fjalën e urtë”.( f. 124)
Ditët e pushimit kaluan shpejt dhe dita për tu nisur erdhi. Me ato mundësi që kishte nëna më bëri gati. Me bënte gati me dashuri, sa herë që më përcillte, se dashuria e nënës nuk plakët. Nuk kishim shumë rroba në atë kohë, se ishim shumë të varfër falë dhe faktit se ishte verë. (f. 158)

Në odën e Sabriut
Për të më respektuar mua, byrazerin, i ati i Sabriut kishte ftuar për darkë njerëz të afërt të fisit, sikurse është traditë në Dibër. Në bisedë e sipër, i drejtohem njërit prej tyre (plakut nga fisi Hoti të Borie Lurës) me urimin “U bëfsh 100 vjeç!” (për një ngjarje të bukur që na tregoi me një thënie nga filozofia popullore). Thelbi i tregimit ishte se “errësirën e dëbon drita, drita e besimit..dhe urrejtjen e dëbon dashuria..mes vëllezërve, mes fisit, mes fshatit, mes krahinës, mes kombit e më gjerë. Babai i Sabriut, Aliu (rreth 77 vjeç në atë kohë) më tha me shaka “100 vjeç u bëfsh ti, për këtë e di Zoti”! Ai i ka kaluar të njëqindëtat”.( f. 163)

Pëllumb Belishova
Në çadër  kishim ing. Pëllumb Belishova dhe teknikun Kol Lleshi. Pëllumbi ishte vëllai i Liri Belishovës (ish anëtare e Byrosë Politike të PPSH, e dënuar me burg dhe internim). Ai ishte i kujdesshëm në biseda me të tjerët. Ishte specializuar për petrografi në universitetin Lomonosov në Moskë. Kishte një kulturë profesionale dhe të përgjithshme për t’u patur zili. Prej tij mësuam shumë. (f. 173)

Me profesor Alaudinin në Kosovë
Në fund-shtatorin 2009 bashkë me profesor Alaudinin u nisëm për në Kosovë. Atje na ndihmoi kolegu kosovar Dukagjin Shala. Do hulumtonim brezin kufitar për të rakorduar hartat gjeologjike në shkallë 1:50 000. As në ëndërr nuk e kisha menduar se do bëhej Rruga e Kombit me përmasa të tilla, standarde të larta, njësoj si në vendet e tjera. Në Kosovë përjetova shumë emocione, si nacionalist i pandreqshëm që jam…Frymëzimi është vëllai i punës- ka thënë Sharl Bodler. Dhe puna është çelësi i thesarit me emrin dituri- ka thënë P. Buast. Thuhet se edhe Zoti punën e ka çmim me anë e të cilit ai Ai shet të mirat e Tij.
Kemi përjetuar lumturi tek punonim nga mëngjesi deri në mbrëmjen e vonë bjeshkëve të Sharrit, në Restelicë, në Brod, në Krushevo, në Zli Potok, në Glloboçicë, në Crni Kamen, në Kësulën e Priftit, në Majën e Abdavit, në malin e Sharrit, në malin e Rosnikut, etj., etj., duke ndjerë e materializuar thënien e Leonardo da Vinçit se lumturinë e përjeton ai që punon, të cilës do t’i shtoja se lumturinë e përjeton dyfish ai që punon për llogari të vëllait të tij, i cili sapo ka dalë nga zgjedha shekullore. (f. 189)

Fshati i lindjes
Fshati im i Blliçes ka një pozicion të lakmueshëm dhe strategjik. Ai shtrihet në kurrizoren e kodrës që ndan Fushën e Kastriotit (Fushën e Thatë ose Hasin e Thatë, siç e thërrisnin rëndom të vjetrit e krahinës), me atë të fshatrave Laçes dhe Fushë Alie duke u zgjatur e duke lagur këmbët e gjata në Lumin e Drinit të Zi.
Jo vetëm kaq por, fshati im i lindjes, Blliçja, edhe nga ana gjeologjike (kësaj shkence që i kushtova jetën dhe me të cilën rrita fëmijët e mi të dashur), është e vendosur mbi formacione gjeologjike të sigurta, ku, e thënë në gjuhën popullore, mbi themele të forta (shtresat e tokës ku vendosen shtëpitë e banimit janë të ngjeshura, edhe në gjendjen e tyre natyrale) dhe shtresat e ngjeshura nuk janë shumë thellë sipërfaqes së tokës. (f. 215-216)

Pse fshatarët interesoheshin për ne
Aty ku gjeologjia kishte rezultate, mundësitë e zhvillimit ishin më të mëdha dhe garantonin perspektiva punësimi, tërhiqnin vëmendjen e shtetit për infrastrukturën në atë zonë, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e gjendjes ekonomike të popullatës, pasi të ardhurat në kooperativë, sidomos në zonat malore, ishin qesharake. (f. 256)
Ku mund të ndërtohen hidrocentrale të vegjël
Përroi i Mallës së Lurës, përroi i Setës, përroi i Murrës, përroi i Veleshicës, përroi i Pëshkut në Selishtë, përroi i Gramës, përroi i Llixhave, liqeni artificial i Gramës, ujësjellësi i Preshit, Gjura e Hoteshit, Gjura e Kovashicës, Zalli i Bulqizës, Zalli i Okshtunit, rezervuari i Bllacës etj., janë disa nga vendet ku mund të fillojë studimi, projektimi dhe ndërtimi i tyre. (f. 288)

Profesor Selami
…..Asokohe drejtoja ekspeditën gjeologjike të Peshkopisë, por profesori nuk me kishte telefonuar thjesht për pozicionin e detyrës, ndonëse nuk mungonte të shprehej për rastet kur specialist të mirë drejtonin punët (nuk i bihet me shkop kalit kur i ke vënë para gomarin – shpesh i pëlqente ta përdorte këtë shprehje, duke e shoqëruar me një qeshje të lehtë dhe mjaftë karakteristike), atij pothuaj nuk i interesonin fare këto lloje gradash, ai shqetësohej për grada të tjera, për grada që të jepte puna fushore e gjeologut, puna e specializuar, puna shkencore në hartografime, në kërkime e zbulime minerali, në saktësime petrografike, mineralogjike e moshore që qartësojnë stratigrafinë dhe orientojnë punët në gjeologji etj.( f. 293)

Skavica ose Tejdrinja
Këtu unë bie ndesh me shume personalitete që kanë marrë mundimin të shkruajnë për këtë vepër, që në mendjen time nuk bëhet fjalë për një digë, por për disa të tilla. Shkurt, unë nuk mendoj që mbi lumin në fjalë, Drinin e Zi, të ndërtohet vetëm e ashtuquajtura Skavica, vetëm me një digë të madhe dhe me këtë të mbyllet ky problem. Kjo do të ishte vërtet një fatkeqësi e madhe dhe jashtë logjikës rekomanduese të studimeve komplekse, që janë në pajtueshmëri me mjedisin ose i shkaktojnë atij, dëmin më të vogël të mundshëm. (f. 334)
…Njerëzit shkruajnë në shtyp me mendimin e mirë se do të kontribuojnë sadopak në lidhje me problematikën që marrin përsipër të trajtojnë, pa lënduar njeri dhe pa i bërë karshillëk askujt.
Në demokraci njeriu është i lirë të shkruaj pa paragjykime, për një problem që mendon se e njeh sadopak, por, pasi të jetë përpjekur të kuptojë shkrimet e të tjerëve, edhe pse ato mund të bien ndesh me mendimet e tij. Dhe këtu qëndron bukuria.( f. 342-343)

Rreth reformave në instituteve
Kur gjërat bëhen hapur duke respektuar liritë akademike, askush nuk duhet të kundërshtojë. Varësia në Universitetin Politeknik të Tiranës e Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë Ujit dhe Mjedisit, ka vërtetuar e po vërteton dita ditës se ky i fundit, nuk i ka mundësitë të financojë punime fushore, në veçanti ato të gjeologjisë në shërbim të thellimit të punimeve shkencore (ndoshta nuk duhet t’i takojë një përgjegjësi e tillë dhe, këtu mendoj se flen lepuri, pra kjo gjë ia vlen të diskutohet thellë dhe me shpejtësi të madhe duhet të korrigjohet), as të financojë ngritjen e laboratorëve më të domosdoshëm, ashtu siç i kanë të tjerët ku duam të integrohemi, qoftë dhe në nivelin e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar ku ishim, në të mirë të hapjes së perspektivës së mineraleve të dobishme të vendit tonë, për të cilat ka nevojë ekonomia jonë, për të cilat ka nevojë populli për t’u punësuar.( f. 355 )
Dikush mund t’i kundërshtojë këto që parashtrova por, një rishikim i ecurisë së deritanishme të reformës nga specialistë të përgatitur të stafeve akademike, këtu kam parasysh edhe plejadën e papërsëritshme të profesorëve të Fakultetit të Gjeologjisë dhe të Minierave dhe të ish Institutit të Kërkimeve e Studimeve Gjeologjike, e thënë ndryshe të themeltarëve të gjeologjisë shqiptare, tashmë në pension, që e njohin thellësinë e problemit dhe që shiu i ftohtë i lartësive, jo rrallë herë u ka pikuar në tasin e përsheshëve në çadrën e tyre të ngritur mes maleve e pllajave në kërkim të mineraleve të dobishme etj., do të përbënte një garanci e premisë, dhe një ogur të mirë për të ecur në drejtimin e duhur. Punët e mira bëhen me njerëz të ditur që përfundimi të jetë i ndritur. Nëse nuk ndodh kështu do kemi pasoja shumë të kushtueshme për ekonominë e vendit.( f. 360)
Nuk janë  të rastit që në shumë vende të trevës së Dibrës gjenden me shumicë emërtime si Kroi i Mbretit etj. Mendoj se kjo lidhet me cilësinë e ujërave, në rastin konkret me ato të formimeve paleozoike të Malit të Sorokolit, të cilat i konkurrojnë nga cilësia edhe burimet ujore që lidhen me shkëmbinjtë karbonatikë, kryesisht ato të pjesës lindore, të Malësisë së Korabit, edhe pse këto formacione janë të metamorfizuara (gëlqerorë të mermerizuar deri në mermere).(f. 375)
Le t’shpresojmë se do të vijë ajo ditë
Kur dhe ne do bëjmë zgjedhje të lira,
Që n’kry të kemi të diturit, të drejtët
Që këtë vend t’nxjerrin nga errësira (f. 392)
11 shtator 2020.

Dy fjalë për autorin prof. Bardhyl Selimi (Mezini)

Ulind në 25.08.1945 në Ferizaj, Kosovë, qytetar i Shqipërisë dhe i Kosovës. Ka mbaruar studimet në Universitetin e Tiranës, 1963-1967, dega Matematikë, me diplomë “shkëlqyeshëm”; Ka shërbyer si mësues matematike, Teknikumi i Minierave dhe Gjeologjisë në Përrenjas 1967-1968; pedagog- në katedrën e filozofisë dhe matematikës, në vitet 1968-1972, dhe i jashtëm 1972-1976; redaktor për shkencën, tek gazeta “Zëri i Popullit” (1973-1975) etj.
Shkruan e flet rrjedhshëm gjuhët Ruse dhe angleze me dëshmi universitare, marrë në vitin 1972 nga Fakulteti i Gjuhëve të huaja, Esperanto me dëshmi nga komisioni provues i ILEI-it (Lidhja Ndërkombëtare e Mësuesve Esperantiste) – Zagreb, me dëshmi , 1996.
Ka botuar disa libra për matematikën zbavitëse, bashkëpunëtor në tekstin e matematikës viti III, gjimnaz, kumtesa për lidhjen matematikë-filozofi, për Esperanton, përkthime në shqip të librit «Fashizmi-Shteti Totalitar” të z. Zheliu Zhelev, të monografisë «Probleme të zgjedhura të linguistikës» të z. Valter Zhelazny, dhe anasjellas, romanet e letërsisë bashkëkohore shqipe (Kadare, Kongoli, Aliçka etj.), artikuj në shtypin vendas dhe të huaj, biseda në Radio e TV, referate shkencore jashtë vendit (Trieste 1998 dhe 2001, Bydgoszcz 1998, 2007, Timishoara dhe Firence 2006, Roterdam 2008, Strasburg 2011), bashkëpunëtor i rregullt i revistës MONATO (Belgjikë) dhe i revistës LA GAZETO (Francë) etj.
Nuk është I angazhuar me parti politike, kryedelegat i Organizatës Botërore të Esperantos (UEA) për Shqipërinë, drejtues i Seksionit Shqiptar të Mësuesve të Esperantos, sekretar i Shoqatës Kombëtare Shqiptare të Esperantos, anëtar i Akademisë Ndërkombëtare të Shkencave, San Marino AIS, anëtar i OSIEK-organizata ndërkombëtare e konferencave shkencore në Esperanto, pedagog i jashtëm i Shkollës së Lartë për Turizëm e Kulturë Ndërkombëtare në Bydgoszcz (Poloni) dhe i Universitetit Privat të Karlovo-s (Bullgari).