Protestë kundër HEC Skavica


Pamje nga protesta e 1 dhjetorit 2020

Rreth 100 kryefamiljarë në Dibër, pavarësisht aktit normativ të qeverisë që ndalon tubimet, protestojnë në Laçes, 10 km larg qytetit të Peshkopisë, për të kundërshtuar planet për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. Policia gjobit organizatorët, ndërkohë që nuk kishte marrë asnjë masë për parandalimin e tubimit.

Nga Bujar Karoshi

Më 1 dhjetor 2020, banorët e fshatrave të Fushë Alies, Laçes, Kastriot, Blliqe e Arras u mblodhën për të kundërshtuar vendimet e qeverisë shqiptare për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës. Protesta e zhvilluar në një kodër buzë Drinit, në Laçes, u thirr nga shoqata “Për Mbrojtjen e Pellgut të Drinit të Zi” me qëllim zgjedhjen e një përfaqësie nga banorët dhe koordinimin e tyre, me qëllim që në bisedimet qeverinë, të mbrohen sa më mirë interesat e banorëve të Luginës së Drinit.
Protesta u zhvillua aty ku ngrihet Lapidari i Betejës së Torviollit, ku Skënderbeu mundi keq ushtrinë e Sulltan Muratit II. Ky lapidar, i ngritur me kontributin e banorëve në 25 nëntor 2014, përkujton gjithashtu edhe Masakrën e Çidhnës të kryer nga ushtria e osmane në vitin 1466, kryengritjet antiosmane 1560-1833 si dhe luftrët kundër serbëve në vitet 1913-1920.

Tashmë ky lapidar do të shërbejë edhe si pikënisja e kundërshtimit të planeve të qeverisë shqiptare për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës, uji i së cilës do të mbulojë këtë lapidar dhe gjithë tokat e pellgut të Drinit të Zi, nga Skavica deri në Gjoricë.
Memorandumi i bashkëpunimit ekonomik Shqipëri-ShBA, i nënshkruar në Tiranë më 3 tetor 2020, mes ministres së Financave Anila Denaj dhe Nënsekretarit të Shtetit për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin z. Keith Krach si dhe memorandumi tjetër i nënshkruar nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe përfaqësuesit të kompanisë Bechtel, Justin Siberell, nën pranin e kryeministrit Edi Rama i ka irrituar shumë banorët.

“Nuk ka vendim pa dakordësinë e banorëve”
Nazmi Drizi, kryetar i shoqatës u kërkoi banorëve të mbledhur që të mbajnë maskat dhe të ruanin distancat. “Ne kërkojmë që të tjerët të respektojnë ligjet dhe rregullat, ndaj edhe ne duhet ti respektojmë rregullat për mbrojtjen e shëndetit”, u tha ai pjesëmarrësve para nisje së protestës.
“Nuk duam t’i hapim luftë askujt, s’duam të përplasemi me askënd, por kërkojmë të mbrojmë të drejtat tona – tha Nazmi Drizi në fillim të protestës.
Duke iu referuar marrëveshjes me kompaninë amerikane Bechtel, Drizi tha se “argumentet se duke ndërtuar Skavicën, sigurojmë energjinë elektrike dhe shpëtojmë Shkodrën” është fyes për dibranët, por edhe për shkodranët.
“Shkodra është e jona, tha Drizi, malësorë si ne. Qindra dibranë kanë lënë kokën për ndihmë të Shkodrës kundrejt Malit të Zi, ndaj edhe qeveria nuk duhet ta sjellë më këtë argument: Dibra është Dibëra dhe Shkodra është Shkodër”.
Drizi, duke u shprehur kundër ndërtimit të Hidrocentralit, kërkoi nga qeveria shqiptare që me çdo kusht, përpara se sa të marrë vendime, të ulet me popullin.
“Për 30 vjet, tha ai, qeveria nuk ka bërë asgjë për këtë popull: nuk ka rregjistruar tokat dhe shtëpitë, nuk ka bërë asnjë investim, ndërsa tani merr vendime: të mbytim Dibrën!”.
Ai vuri në dukje se nuk do të pranojnë asnjë vendim të qeverisë shqiptarë, asnjë marrëveshje bashkëpunimi apo investimi, pavarësisht se kush ndërton apo kush investon, pa një dakordësi të të gjithë banorëve.
Haki Përnezha, historian, banor i Fushë-Alies, tha se “shteti vërtet mund të marrë vendime për interes publik, por gjithashtu shteti shqiptar ka nënshkruar konventat për të drejtat e njeriut, e cila na jep të drejtë të kundërshtojmë, të kërkojmë të drejtat tona, të maksimalizojmë pronën tonë”.
“Për fat të keq, tha Përnezha, ne e dimë se ku jetojmë dhe këtu tek ne nuk ndodhin gjëra të tilla, prandaj dhe sensibilizimi është kaq i madh”.
Përnezha, duke iu referuar historisë, tha se “nuk po bëhet asgjë për evidentimin e vlera të historisë, arkeologjisë dhe trashëgimisë së këtij popullit”.
“Instituti i Arkeologjisë nuk ka caktuar ende një person të vijë të identifikojë dhe t’i studiojë, pa folur për historinë e periudhës së Mesjetës, pa folur për betejën e Torviollit, me të cilat ne krenohemi”.
Haki Përnezha vuri theksin në hartimin e qëndrimeve të drejta e të arsyeshme, të cilat do të detyrojnë qeverinë të marrë vendime të drejta për këta njerëz dhe këtë popull.
“Ligjet europiane na japin të drejtë të mbrojmë tokën tonë, pasurinë tonë, shtëpinë tonë”
Ali Hoxha, i cili kishte udhëtuar nga Tirana për këtë proteste, mban edhe detyrën honorifike si “President Nderit i Shoqatës për Mbrojtjen e Pellgut të Drinit të Zi”
“Sot jam këtu për çështje kombëtare. Kam ardhur për të ruajtur tradita tona. Të parët tanë këtë truall e kanë mbrojt me gjakun dhe me jetën e tyre dhe na e kanë trashëguar ne sot. Sistemi diktatorial na shpronësoi, por ja që sot ne i trashëgojmë sërish ato”.
Hoxha, duke iu referuar kompanisë amerikane “Bechtel” tha se “nuk po e bëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës këtë hidrocentral, po e bën një kompani amerikane. Ne jemi mësuar me konceptin e shtetit të diktaturës, dhe akoma nuk ka na dalë frika nga barku. Nuk është shteti i diktaturës sot. Janë ligjet e demokracisë evropiane, ligje të cilat na mundësojnë ne të mbrojmë tokën tonë, pasurinë tonë, shtëpinë tonë”.
Hoxha, duke bërë një historik të dhënies me koncension e tenderave që nga viti 2005, tha se deri më tani ne i kemi kundërshtuar dhe rrëzuar këto vendime, në sajë të përpjekjeve tona të përbashkëta dhe sepse kemi pasur të drejtën me vete”. Ai u bëri thirrjeve drejtuesve të pushtetit lokal dhe përfaqësuesve të Dibrës në parlament, që ti mbrojnë fort interesat e banorëve.
Nazmi Skepi, i cili mban edhe detyrën e Sekretarit të Shoqatës, tha se “ne i themi Jo Skavicës dhe Po Dibrës”.
“Këtu nuk ka të majtë dhe të djathtë, këtu jemi të gjithë bashkë për të mbrojtur tokën tonë. Ne luftojmë për të mbrojtur trojet tona, traditat tona, historinë tonë”, tha ai.
Dalip Alia, njëri nga banorët e Fushë-Alies, tha se “këtu nuk kemi të bëjmë me shpronësim, ashtu sikur e interpretojnë disa pushtetarë. Këtu kemi të bëjmë me shpërngulje masive të popullit. Historia përsëritet dhe tani po përsëritet në një formë tjetër, jo me armë, jo me luftë, por me të drejtat demokratike, duke i dalë për zot vatanit ashtu sikur i dolën paraardhësit tanë për mbrojtjen nga serbët. Ne jemi duke protestuar për të mbrojtur të drejtat tona, dinjitetin tonë”.
“Dibra edhe ne, nuk kemi troje dhe toka për të shitur apo për t’i falur kujt”, – tha Aranit Skepi, ish-kryetar i komunës së Fushë-Çidhnës.
“Këto janë pronat tonat dhe bashkërisht do t’i mbrojmë, me protesta të vazhdueshme, me beteja ligjore, duke filluar prej këtu edhe në Strasburg – tha Skepi. Sepse është një e drejtë universale e çdo individi ta mbrojë tokën dhe pronën e vet deri në pikën e fundit. Se kështu na e kanë lënë amanet brezat dhe ne do ua lamë pasardhësve tanë. Nuk ka qeveri dhe nuk ka individ apo dikush tjetër që të vijë t’i grabisë dhe t’i marrë këto toka. Nuk janë për qëllimet tona dhe për të mirën e këtij vendi, por janë për të mirën e mafies, ato vijnë dhe i marrin tokat tona, ato vijnë dhe na pushtojnë. Ne jemi të bashkuar në protesta, jemi të bashkuar në betejat ligjore, sepse kemi të drejtë”.
“Kjo tokë këtu ku jetoni, është blerë me napolona floriri dhe kurrsesi nuk mund të shitet me kartmonedhë. Është e pafalshme dhe e patolerueshme që të bëhet Skavica. Gjyshërit tanë na kanë mësuar si mbrohet dhe si do e mbrojmë, por kemi dëshirë që ta mbrojmë me paqe, por ne dimë ta mbrojmë dhe ndryshe”, tha Tofik Xhika, një banor i Fushë-Alies.
Protesta u zhvillua e qetë, por kjo nuk e ndaloi policinë që të shoqëronte në komisariat dy drejtuesit e shoqatës, Ali Hoxha dhe Nazmi Drizi, të cilët u akuzuan më pas për grumbullime në kundërshtim me aktin normativ të qeverisë së datës 15 mars 2020, në lidhje me marrjen e masave administrative kundër infeksionit Covid-19.

Dhuroni për shoqatën
Shoqata për Mbrojtjen e Pellgut të Drinit të Zi u bën thirrje banorëve dhe përkrahësve të çështjes së saj, që të ndihmojnë sadopak financiarisht shoqatën. Të ardhurat që do të mblidhen do të përdoren për të mbështetur shpenzimet që do të duhet të kryhen gjatë veprimtarisë së tyre.
Kontributin tuaj mund ta jepni në numrin e llogarisë 8604030886, Raiffeisen Bank, e cila i përket shoqatës.
Kryetari Nazmi Drizi dhe sekretari Nazmi Skepi i falenderojnë paraprakisht të gjithë ata që do të ndihmojnë në këtë proves.
Për më shumë informacion, telefononi në nr.355 68 233 2447