Besnik Shatku, një personalitet i komunitetit dibran


 

“Dashamirësia dhe ëmbëlsia me familjarët, fëmijët, miqtë dhe shokët, ishin mesazhet më të bukura të Besnikut, të cilat i shprehu deri në fundin e jetës së tij.”
Nuk është aspak e thjeshtë për të shkruar këto fjalë homazh për njeriun e dashur të familjes, dhe shoqërisë, për kolegët dhe të gjithë komunitetin tonë dibran në Tiranë dhe SHBA.
Një homazh i paharruar për të gjithë ne, të afërmit dhe familjarët, do të mbetet Besnik Shatku, fjalëmbël dhe buzagaz, i cili u nda nga jeta, para disa ditësh.
Besniku, do të rritej nga një familje e nderuar e Dibrës, kur të parët e tij kanë qenë njerëz të fjalës dhe të besës, të punës dhe të nderit.
Të gjithë e thërrisnin Besnik Shatkun, me emrin përkëdhelës Niku, pasi që në fëmijëri, por dhe në maturë dhe derisa jetoi nuk e ndryshoi karakterin e tij emocional që i rrezatonte që në sytë e tij bojëqielli, me mendje hapur në përballjen e problematikave sociale, por dhe njeri me shumë durim dhe maturi, në zgjidhjen e sprovave jetësore dhe të punës, të cilat lindën nga vuajtjen e sistemit të kaluar shoqëror.
Besniku ynë i dashur, do të ishte një nga djemtë e nderuar të familjes së Behxhet Shatkut, i cili me sakrificë, durim dhe punë të ndershme, i rriti fëmijët e tij, ku një ndër ta ishte dhe Besniku.
Besnik Shatku, u rrit në një mjedis, ku u arsimua dhe u edukua, nga dy prindër të mrekullueshëm, familje e cila në fillim të shekullit XX, ishte shpërngulur nga Dibra e madhe pas genocidit serb të shtatorit 1913 duke u vendosur në Peshkopi.
E quante për krenari të ishte nip i atdhetarëve Shatku, të cilët ishin ndër të parët figura të lëvizjes kombëtare të cilët pasi studiuan jashtë vendit, depërtuan në Shqipëri për të ndërtuar themelet e para të shtetit Shqiptar.
Besnik Shatku, pas lëvizjeve demokratike të vitit 1990 do të transferohej në Tiranë familjarisht, ndërsa Adriani, djali i madh i kësaj shtëpie do të kalonte me sukses Atlantikun për në SHBA-ve, për të themeluar më tej dijet e tij, duke u bërë një ndër biznesmenët më të suksesshëm Shqiptar në New York të SHBA-ve.
Besnikun e takoje në librari, gazetari, bibliotekë, apo ulur diku në një kafene, dhe i cili kujdesej edhe për botimet më të reja që dilnin për figurat kombëtare, si dhe për të afërmit e tij, i cili i ç’monte duke thënë se i shërbyen me dinjitet dhe reputacion shtetit të sapo formuar Shqiptar dhe mbretnisë.
Besnik Shatku, ishte jo vetëm një familjar, prind i devotshëm, por dhe koleg dhe shok i zoti, i cili dinte t’i koordinonte raportet e jetës dhe të familjes me pjekuri dhe dashamirësi, ku pesha kryesore e tij ishte emocioni, mendimi, dhe aftësia për të kontribuar me të gjitha ç’ka kishte për të tjerët, por dhe të mendonte për shokun, kolegun, e aq më tepër për të afërmit.
Bashkëshortja, fëmijët, nipat e mbesat, me largimin e Besnik Shatkut më 29 janar të 2021, humbën jo vetëm njeriun e tyre të zemrës, por dhe shtyllën kryesore të familjes. Ndërsa shoqëria dhe kolegët e tij, humbën njeriun që mbështeste të rinjtë të ecnin përpara në dije dhe në punë.
Me hidhërim komuniteti dibran i Tiranës njofton humbjen dhe i përcjell familjes, të afërmve dhe miqve të tij, ngushëllimet më të përzemërta për këtë humbje të parakohshme të familjes.
Kryesia dhe Këshilli “Bashkësia Dibrane”