Ç’kemi asaj Dibre!
Nga Bujar Karoshi


“Bora bllokon rrugët, por Dibra ka shpëtuar, se ka akoma një traktor të kohës së Enverit…” Foto: Bulqizaime.

Asaj Dibre ka filluar fushata… Na kanë hequr një deputet, por nuk na kanë hequr dëshirën për premtime…
Ata që janë në pushtet, thonë se kanë ndërtuar rrugë, ujësjellësa, kanë hapur vende pune e kanë gati projekte, por kërkojnë të tretin, që të mbajnë premtimet… Kush nuk i sheh sukseset, është veç me opozitën…
Ndërsa opozita do të bëjë mrekullira, sapo të fitojë me vota nga kutia…
Meqë është fushatë dhe gënjeshtra është e para, del e vërteta pa e kërkuar. I djathti deputet ka dalë të kërkojë vota majtas dhe na kërkon ta besojmë se kalon nga rruga e Arbrit kur shkon në parlament… Ndërsa ne të tjerët, populli domethënë, duhet të vazhdojmë t’ia mbajmë nga Miloti…
Fushata zbuloi se çdo të thotë asistencë: dikur paska qenë karburant për makinat, tani qenka karburant për stomakun…
Dy vite më parë deputetët thonin se “u hanë duart për punë”, ndaj donin të bëheshin kryebashkiakë. Ndërsa tani kryebashkiakët u lodhën duke i shërbyer ditë e natë popullit, ndaj duan ta vazhdojnë shërbimin si deputetë…
Gjatë fushatës u zbulua gjithashtu se:
– qeveria paska blerë ambulanca, por opozita i ka hequr rrotat;
– qeveria paska ndërtuar shkolla të reja – “atje ku nuk ka nxënës” – thotë opozita;
– qeveria zgjedh mësuesit më të mirë – por në katundin e demokratëve dërgon mësuesit pa shkollë;
– ujë ka sa të duash maleve, por nuk ka tuba për ta dërguar 24 orë në qytet e në fshat;
– investimet në rrugë janë rritur, por rrugët vazhdojnë të jenë që nga koha e monizmit,
– mësimi vazhdon online, por do ta rihapim universitetin e Dibrës;
– investimet janë rritur në agroturizëm e frutikulturë, por paratë paksan shkuar në xhepat e preferuar të pushtetit;
– rrugët e asfaltuara mungojnë në njësitë administrative, por ama bulevardin e kemi shtruar me gurë;
– dritë prodhon Komani e Fierza, por era e bora na këputin telat në shtylla;
– prodhojnë bujqit e blegtorët drithëra e bulmetra, por lejen për tregti duhet ta marrin në Shkodër…
Kjo fushatë zbuloi se edhe minatorët mund të kandidojnë për deputetë, nuk qenka veç për të nxjerrë kromin nga nëntoka…
Meqë lodrat nuk i përdorëm dot këtë vit për dasmat, kemi filluar t’u biem për fushatë: një premtim – dy dum-dume me topuz e tre me thupër…
Në kohë fushate bëhen të gjitha punët: mjafton një akt-marrëveshje me firmë dhe vulë, dhe brenda natës bëhet rruga për Lurë…
Ra bora e na zbardhi faqen dhe fotot për instagram e facebook, por nxiu punët në tre D: na u bllokuan rrugët, na u këputën telat dhe mbetëm pa drita…
Bora bllokon rrugët, por Dibra ka shpëtuar, se ka akoma një traktor të kohës së Enverit…
Shiu e stuhia sikur janë me opozitën: na morën për përroi investimin e lungollixhave…
Meqë jemi edhe në pandemi: coronavirusi ka frikësuar kandidatët e qeverisë, por nuk po e tremb fare opozitën…
Shkojnë apo nuk shkojnë punët mirë në Dibër, por futbolli e ka në terezi: Korabi është gati për ngjitje në kategori…
Kjo fushatë solli në skenë Skavicën… Lum kush do të fitojë që ta gëzojë… ryshfetin.
Skavicën duhet ta bëjmë të madhe apo të vogël: kjo është çështja. Ndërsa për hallin e atyre që përmbyten e zhvendosen, mendojmë pas votimeve…
Populli në fushatë ka dalë të shesë votën: dikush me një vend pune, dikush me ca lekë; ndërsa disa katunde e japin votën vetëm për rrugë, ujë e drita…
Jemi në fushatë dhe të gjitha premtimet do të realizohen. Ndaj, o popull, kur të kthehesh nga votimet, mos harro ku ke vendosur lopatën, kazmën dhe shatin…