Një nga 100 fshatrat turistikë, që nuk ka as rrugë…*
vëzhgim


Tre muaj pas afatit të fundit, përgjatë së cilit duhet të rilindnin “100 fshatrat turistikë”, 4 ministritë përgjegjëse e kanë të vështirë të rendisin arritjet e premtuara. Heshtjen e tyre e thyejnë, rrugët e pashtruara, mbetjet urbane, dhe braktisja financiare në këto zona rurale si fakte të pamohueshme të një dështimi qeverisës. “Vetting” ka udhëtuar, në disa prej këtyre fshatrave, si Rabdishti i Peshkopisë, ku banorët që prej 30 vitesh presin shtrimin e një rruge 6 kilometrike, kanë vendosur që të mos u japin politikanëve atë që më shumë lakmojnë, votën dhe mundësinë e riciklimit të premtimeve të gënjeshtërta.

Sapo kapërcen Peshkopinë, një hapësirë e madhe të shfaqet me bukuritë e rralla. Vargmali Deshat- Korab të duket sikur sfidon veprat monumentale më të arrira të njerëzimit, e bashkë me Bjeshkët, prej së largu, bëhen busull për syrin e kalimtarëve që duan t’i prekin nga afër. Si për kontrast të kësaj panorame magjike, rruga e amullt, e ngjashme me premtimet e politikanëve, shton pritjen për të mbërritur në destinacion. 6 km prej Peshkopisë, Rabdishtin, nuk e ka shpëtuar nga bataku i infrastrukturores rrugore, as përfshirja në programin e 100 fshatrave turistikë.
Shtegu i “Luginës së Shërimit”, prej nga kalohet për në fshatin e “gurtë”, pavarësisht ujërave termalë të llixhave nga të cilat përshkohet, duket se e humbet forcën kurative përballë ritualit të gënjështërt të qeverive që shkojnë e vijnë. Të përpiktë, siç thonë banorët që kanë mbetur në 80 shtëpitë e banuara të Radishtit, politikanët njëherë në katër vjet i takojnë për t’u kënduar të njëjtin refren; Rrugë, ujë, drita, zhvillim, e në fund Rilindje totale rurale… Ajo çka ndodh në të vërtetë është që Rabdishti, lihet si një vend eremit, por kësaj here kupa e durimit ka nisur të derdhet. Prej vitit të kaluar banorët kanë vendosur të bojkotojnë atë çka më së shumti politikanët lakmojnë, votën.
Historia e Rabdishtit, nuk është e zakontë. Ata i kanë rezistuar 3 masakrave serbe, të cilët e dogjën fshatin dy herë radhazi në vitet 1913 dhe 1915. Por Rabdishti rezistoi, edhe për të dëshmuar … Bijtë e këtij vendi e ngritën fshatin e gurtë, për ta ruajtur me sqimë edhe sot arkitekturën unike, shtëpitë tradicionale… E tillë është edhe bujtina “Sabriu”, që tri vite më parë priti politikanët e radhës, për marrë premtimin se kohë t e vështira për banorët e Rabdishtit iu kish ardhur fundi. Sepse Rabdishti ishte klasifikuar në projektin 100 fshatrat.
Prej asaj kohe, pak gjëra kanë ndryshuar. Uji dhe ndriçimi për fshatit është një investim i rëndësishëm por nuk vjen nga qeveria, sepse banorët thonë se investimi është kryer nga një kompanie holandeze. Sabri Shahini, thotë se e transformoi biznesin e tij falë një projekti gjerman dhe sakrificave të tij në emigracionit. Pas 15 viteve në Itali, me shpresën e mbajtur gjallë edhe nga këto premtime, ai u kthye për ta ndërtuar të ardhmen në vendlindje.
Ekonomia e këtij fshati, nuk mbështetet në turizmin e premtuar, por çapitet në mbledhjen e bimëve mjekësore e boronicave. Banorët e këtij fshati shkojnë bjeshkëve të Mavrovës në kërkim të bukës, sepse kultivimi pa kriter në malet e tyre ka bërë që të mos prodhohen më boronica. Sabriu ndjehet i zhgënjyer, sepse është lënë i vetëm në përpjekjet e tij për t’i treguar turistëve vendlindjen me bukuri të rralla natyrore. Po i vetëm i duhet të përballojë edhe kostot për t’u siguruar turistëve mjetin e udhëtimit, për t’i mikpritur më pas në bujtinë.
Shtëpitë e kalldrëmet e gurta, pemët e ahut e pishat që rrethojnë zonën si ruajtës besnikë të gjelbërimit, gatimet tradicionale pas të cilave vizitorëve magjepsen, i bëjnë banorët të ëndërrojnë, e ti shndërrojnë shtëpitë në bujtina. Por, ajo çka i mbyll këto shtigje shprese, janë premtimet e pambajtura, për një rrugë të shtruar e zbatimit të projektit “100 fshatrat”.
Sokakët e qëndisur me kalldrëm, këtë vit ka gjasa të mos shkelen nga asnjë politikan për fushatë, nëse më parë nuk nis rehabilitimi i rrugës. Banorët e Rabdishtit, duken të vendosur ta çojnë deri në fund rrugën dhe të lënë pas shpresën nga qeveria shqiptare.
Zemërimi i tyre, ushqehet nga çdo takse që zbrazin në xhepin e shtetit. Një pjesë e këtyre të ardhurave siç rrëfejnë, shkojnë edhe për të paguar disa punëtorë që të mirëmbajnë rrugën, por ata në këto vite nuk kanë lëvizur asnjë gurë. Në këto kushte s’u mbetet tjetër veç t’i dalin fshatit të tyre për zot, e lopatë pas lopate, të mbushin gropat e premtimeve për një rrugë prej 6 kilometrash.
Banorët e Rabdishtit i mbajnë shpresat në Maqedoninë e Veriut…. Bjeshkëve të Marovës, ku u duhet të ngjiten sërishmi për tufën e radhës së luleve mjekësore. ..Edhe për t’i shitur shteti fqinjë ua lehtëson punën, ndërsa i yni siç rrëfejnë, i trajton si të ishin duke kultivuar kanabis sativa. Në këtë pikë, pas një shekulli rezistencë ndaj masakrave të serbëve, e talljes 30-vjeçare të qeveritarëve tanë, ata që kanë mbetur ndaj shumicës që kanë zgjedhur emigracionin, janë të gatshëm t’i dorëzohen Maqedonisë. Të ngulin në ato shpate flamurin e vendit fqinjë, si shenjë turpi për politikanët tanë.
Rabdishti është vetëm njëri prej 100 fshatrave pjesë e projektit të qeverisë, të prezantuar në 2 shkurt të 2018-ës. Do të emërtohej “100 fshatrat turistikë”, vizioni i kryeministrit për rilindjen Rurale, pas asaj që u quajt Rilindja Urbane. Për zbatimin e këtij projekti do të caktoheshin 4 institucione shtetërore; ministria e Bujqësisë, e Turizmit, e Kulturës dhe ministria e Infrastrukturës.
Prezantimi i listës së 100 fshatrave, u pasua asokohe dhe me përcaktimin e afatit maksimal të përmbushjes së projektit, që do të ishte viti 2020. Jemi në mars 2021. Projekti 100 fshatrat ka mbetur vetëm në fillimet e tij….

* * *
Në këtë pjesë të Shqipërisë, Rilindja Urbane dhe ajo Rurale kanë lënë gjurmë të rëndësishme.
Investime në kuadër të projektit “100 fshatrat” raportohen të jenë bërë edhe në disa fshatra të tjerra si Lepushë, Zogaj, Nivicë,Tragjas etj. Në disa prej fshatrave të tjera kanë nisur të shfaqen investime fillestare. Kështu, në Kaninë është shtruar rruga, ndonëse pjesa tjetër e projektit është stopuar.
Në përpjekjen tonë për të kërkuar sqarim zyrtar pranë Ministrisë së Bujqësisë, si një ndër strukturat kryesore që promovoi projektin e 100 fshatrave, përgjigja që morëm është se “nuk disponon asnjë informacion, pasi institucioni që po e ndjek këtë projekt është Fondi Shqiptar i Zhvillimit”.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i ngarkuar për të kryer realizimin e këtij projekti në 3 vjet, ka zgjedhur të heshtë para pyetjeve tona që lidhen me rezultatin e projektit “100 fshatrat”. Deri në këto momente që po transmetohet emisioni, Fondi Shqiptar i Zhvillimit nuk ka asnjë përgjigje lidhur me pyetjet: Sa për qind e projektit është realizuar?; Sa fshatra kanë përfunduar investimin e parashikuar?; Cilat janë fondet që janë shpenzuar?; Për cilat arsye nuk janë realizuar projektet në 100 fshatrat?.
Në mungesë të informacioneve që duhet të merrnim nga këto institucione, do ti referohemi një raportimi të “BIRN”.
Në dhjetor 2020, në mbyllje të afatit të projektit 100 Fshatra, BIRN publikoi disa të dhëna që vinin nga Ministria e Bujqësisë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, të cilat përmblidheshin në një listë me projekte në infrastrukturë, të përfunduara dhe në zbatime që preknin 19 nga 100 fshatrat. Lista, sipas ministrisë ishte marrë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe përfshinte 10 miliardë lekë investime nga institucione financiare ndërkombëtare dhe 857 milionë lekë nga buxheti i shtetit. Por Fondi Shqiptar i Zhvillimit i dërgoi BIRN një tjetër listë. Në këtë të fundit investimet në total arrinin 8.5 miliardë lekë. Ndërkohë, në të dy listat, edhe pse nga i njëjti burim, ndryshonin edhe projektet që përmendeshin si pjesë e programit, edhe fshatrat që ishin prekur nga këto investime.
Në këtë raport, Ministria e Bujqësisë informoi se investimet e Fondit Shqiptar për Zhvillim kishin prekur 19 fshatra, por, sipas Fondit investimet e kryera dhe në zbatim preknin vetëm 18 fshatra. “Po ashtu, të dyja palët dhanë lista të ndryshme të zonave ku ishin bërë investimet në përfundim të afatit të zbatimit të projektit 100 fshatrat”, citohet në raportimin e BIRN në dhjetor të 2020-ës.
Drejtuesi i Shoqatës së Bashkive Agron Haxhimali shpjegon, pse sipas tij, ky projekt ishte i dështuar qysh në zanafillë. Mungesa e transparencës, sipas Kreut të Shoqatës së Bashkive është një tjetër hallkë kyçe e moszbatimit të projektit. 100 fshatrat e Shqipërisë, të projektuara për t’u kthyer në atraksione turistike, sot janë njësoj si të gjitha fshatrat e tjera të vendit tonë. Vuajnë mungesën e infrastrukturës, mungesën e shkollave, shërbimit shëndetësor, vuajnë varfërinë. Braktisja e institucioneve shtetërore, bën që fshatrat e Shqipërisë të boshatisen dita-ditës për shkak të emigracionit. Ndërsa banorët e mbetur nëpër këto zona vazhdojnë të shijojnë versionet 3D të fshatrave të tyre që kanë mbetur ekraneve të propagandës qeveritare.
* Botohet me shkurtime. Titulli është i redaksisë. Titulli origjinal: “Fshatrat që nuk rilindën, banorët: 3 gurra, por ujë nuk kemi, duam rrugë dhe drita” Veting / abcnews.al
Veting / abcnews.al

Ndiq videon e plotë të emisionit:
https://youtu.be/dpsfmzZJA2g