Kopshti i Kërçovës


Në kërçovë gjenden katër komunitete të ndryshme, shqiptarë, maqedonë, romë e turq. Sa vështirë për të punuar në të tilla kushte, kur dhe një lëvizje e vogël, mund të lëvizë ekuilibrat njerëzorë të këtyre komuniteteve. Jo, nuk ka pasur probleme, diskriminimi e përçmimi të njërës palë, apo tjetrës. Sadiku e njeh psikologjinë e gjithsecilit, ndaj sot gëzon vlerësimin dhe mbështetjen e të
gjithë prindërve, pa përjashtim.

Ftesën e drejtoreshës së Dibrës, Ajrie Dachi, për të vizituar kopshtin e fëmijëve të Kërçovës e prita me shumë kënaqësi. Arsyet për këtë ishin të shumta. Unë nuk kisha qenë më parë në këtë qytet dhe ja tek më jepej tani një rast i mirë. Kisha dëgjuar për to, se janë njerëz të punës dhe shumë bujarë, por dhe trima të çartur, kur e lypte nevoja, për të mbrojtur vatanin e atdheun. Vizita jonë ishte në kuadër të shkëmbimit të eksperiencave mes institucioneve homologe, fqinje, dhe ishte nder për mua të isha pjesë e ekipit. Aq më tepër, kur drejtoresha më pat thënë se atje është vendosur një drejtor i ri, që ka punuar më shumë se unë.
– Më shumë se ju, drejtoreshë?! Po si ka mundësi të ketë njeri të punojë më shumë se ju? Vetëm nëse është dikush që nuk flen dhe natën, duke punuar. E mendova se kjo është shenjë e modestisë së zonjës Ajrie dhe dëshirë e saj për të vlerësuar kolegët.
U nisëm për në destinacion dhe bashkë me drejtoreshën, ishte pedagoge Irena dhe psikologe Albana. Në timonin e makinës, si zakonisht, Hysen Kazani, shoferi legjendar i kopshtit Breshia. Fjalëpakë dhe punëtor, i vëmendshëm e korrekt, Hyseni nuk ka bërë dhe një gërvishtje të vogël me mjetin në këto dy dekada, pasi për aksidente, as që bëhet fjalë. Bora e trashë, që kishte rënë tre katër ditë më parë, na shoqëroi gjatë gjithë rrugës. Lamë pas qytetin e Dibrës, kaluam dhe urën dhe u futëm në luginën, ku gjarpëron lumi i vogël i Radikës.
Ujërat e tij janë të pastra dhe pa ndotje. Asnjë qeskë, asnjë shishe, apo lloj tjetër plastike. Vetëm ujërat që vezullojnë nën rrezet e diellit pranveror, dhe përthyen në mijëra forma, kur përplasen me gurët e shtratit të lumit. Pyje të dendur në të dy anët e luginës, kryesisht drunj ahu, përthyer me pisha të vetmuara, apo vende-vende dhe në grupime më të mëdha. Mbi degët e tyre kanë mbetur akoma copëra dëbore akoma e pashkrirë, duke dhënë pamje magjepsëse, që çdo piktor do ta kishte zili. Kaluam Mavrovën turistike, pa u ndalur, pasi këtë gjë do ta bënim në kthim. Lamë Gostivarin në të majtë dhe morëm në të djathtë. Kur kishim akoma dhe ndonjë çerek ore për të arritur, mori në telefon drejtori i Kërçovës, nëse ishim pranë qytetit. Po, vetëm pak na kishte mbetur. Arritëm Zajazin, fshatin më të madh të Kërçovës, e kaluam atë dhe dy tre fshatra të tjerë dhe më së fundi ndaluam pranë kopshtit të Kërçovës, kur ora po shkonte gati njëmbëdhjetë.
Mesa duket, drejtori i Kërçovës, na kishte pikasur nga dritarja e zyrës së tij dhe na doli përpara. Na tha se mund ta parkonim mjetin tonë aty pranë dhe na ftoi me dorë në zemër, brenda ambienteve të institucionit, që drejtonte. Pasi u pyetëm për shëndetin, bëmë prezantimet, nuk vonuan dhe qerasjet e rastit. Emri i drejtorit ishte Sadik Ahmeti dhe ishte nga fshati Zajaz, i përmendur për besë e trimëri. I kërkuam të na tregonte pak për kopshtin, sa vite kishte në drejtimin e tij dhe problemet që kishte hasur. Sadiku kishte një trup mesatar dhe dukej që akoma nuk i kishte mbushur të dyzetat. Ai e kishte të vështirë të flasë e të tregojë për punën e tij dhe shpesh thoshte, që merita për këtë është e gjithë stafit, që ai drejtonte. Vetëm para tre vitesh kishte marrë detyrën e drejtorit. Ishte hera e parë, pas gati dyzetë vitesh, nga themelimi i këtij institucioni, drejtimin e tij e merrte një shqiptar. Kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari e kishte marrë në kafe dhe i kishte thënë, se kërkonte shërbimin e tij , për të drejtuar kopshtin e fëmijëve, që mbante emrin “Ollga Miceska”. Përgjigjja e parë e Sadikut kishte qenë një jo, ndoshta jo aq e prerë, por gjithsesi, nuk buronte thjeshtë nga modestia. Nganjëherë, gjërat nuk varen thjeshtë nga një person, por është një amalgamë faktorësh, që ndërhyjnë në një proces. Po sikur të mos ja arrinte suksesit, si do ti dilte përpara kryetarit të Komunës? Për më tej, si do të justifikohej përpara popullsisë shqiptare, që përfaqësonte? Sadiku ishte nga fisi Ahmeti i Zajazit dhe nuk ishte mësuar që të thyhej, apo të ngelte në klasë. Me insistimin e kryetar Fatmirit, më së fundi e pranoi propozimin dhe të nesërmen e asaj dite u paraqit te puna e re.

FILLIMET E PARA
Dy persona, shefi i arsimit komunal dhe kryetari i këshillit drejtues të institucionit, bënë prezantimin e drejtorit të ri. Sadiku kishte mbaruar për sociologji në Tetovë dhe kishte punuar për dhjetë vjet te Qendra për punë dhe politikë sociale, ku kishte shërbyer me devotshmëri. Nuk e kishte menduar kurrë se një ditë do të drejtonte kopshtin e fëmijëve, ku hidheshin hapat e para të jetës së tyre. U njoh me stafin e ri, por pritja nuk ishte aq e ngrohtë. 25 të punësuar ishin në atë kohë dhe 80 fëmijë, nga të cilët, vetëm dy të punësuar dhe dhjetë fëmijë ishin shqiptarë. Dy personat, që e prezantuan, pasi mbaruan procedurën, shkuan në punët e tyre. Sadiku mbeti vetëm. Iu duk vetja si një person, që e dërgojnë te varri dhe më pas largohen. Ndryshimi ishte se ai akoma merrte frymë dhe një shpresë e vakët, akoma i ngrohte zemrën. Hodhi sytë nëpër muret e zyrës. Prej kohësh të palyera, sikur koha kishte mbetur në vend. Tavanet po ashtu dhe dritaret ishin të vjetra. Kishte vende, ku ndërtesa dhe pikonte, në kohë shirash. U ngrit dhe vajti në kuzhinë, të shihte ku gatuhej ushqimi. Kuzhinierja, si padashje, përplasi kazanin në tokë.
– Më fal, mos u lëndove diçka? – pyeti drejtori, punonjësen e kuzhinës. Ajo nuk foli, por e rregulloi kazanin në vendin e tij dhe vazhdoi punën.
Dy tre javët e para ishin një stres i paparë për Sadikun. Infrastruktura mjerane, stafi jo bashkëpunues , mungesa e eksperiencës dhe shumë faktorë të tjerë, po ja bënin të pamundur drejtimin. Një ditë, ai shkoi të kërkojë dorëheqjen, por kjo gjë nuk u pranua nga kryetar Fatmiri dhe Sadiku shkoi sërish te institucioni, por këtë radhë akoma më i vendosur.
E filloi me rregullimin e ambientit të jashtëm. Ca drunj të shtrembër, ferra e shkurre të ndryshme, prej vitesh prishnin imazhin e kopshtit, që në hyrje. E sistemoi bukur me rrugica me lule, kur një punë shumë më e madhe e priste brenda. Pak e nga pak, gjërat filluan të ndryshojnë për mirë. Mbështetja e Fatmirit, kryetarit të Komunës, ishte e pamatë, por dhe prindërit filluan ti shohin, vlerësojnë dhe pse jo dhe ti mbështesin nismat e reja të drejtorit.
Në kopshtin “Ollga Micesku”, kishte ekzistuar një listë pritje. Ajo do të thoshte, që kur një prind i ri bënte kërkesë për të regjistruar fëmijën në kopsht, shkruhej emri dhe datëlindja e fëmijës në një listë. Mund të duheshin muaj, por nganjëherë dhe më shumë akoma, që të shqyrtohej lista e të pranohej fëmija. Ndoshta ideja se më pak fëmijë, do të thoshte më pak shpenzime, më pak andrralla e telashe, e kishte frenuar shtimin e numrit.
Një ditë, tregon drejtor Sadiku, isha tek zyra e punës dhe po përcillja një imejl të punës. Më thanë se më kërkonin dhe personi që priste të më takonte ishte një grua shtatzënë. E pyeta se si ishte puna dhe më tha se donte të regjistronte në kopsht fëmijën e saj.
-Sot, nuk e kemi sekretaren, por po e marr unë përsipër, që mos të të mundoj dy herë. Të lutem më thuaj emrin dhe mbiemrin e fëmijës, si dhe datëlindjen!
– Drejtor, po fëmija nuk ka lindur akoma. Ja tek e kam. Gishtin tregues të dorës së djathtë e drejtoi për tek barku i saj. Kur e pa që drejtori mbeti si i shushatur, u përpoq të sqarojë situatën.
– Kisha dëgjuar se këtu ka një listë pritje, që ndonjëherë zgjat me muaj, ndaj mendova që ti paraprij në kohë.
Jo zonjë! Ka ca kohë, që ajo listë nuk figuron më. Mund të shkoni te shtëpia dhe uroj të keni një lindje të shëndetshme. Kur të vijë momenti, mund ta bëni kërkesën me një telefonatë dhe ajo do t’ju pranohet menjëherë. Zonja u nis për nga shtëpia e saj, duke falënderuar disa herë drejtor Sadikun.

TRE VITE MË PAS
Kanë kaluar vetëm tre vjet, nga marsi i vitit 2018, kur Sadik Ahmeti, mori detyrën e drejtorit të kopshtit të fëmijëve në Kërçovë. Tre vjet punë e palodhur, përkushtim maksimal në zbatimin e objektivave të vëna përpara. Rezultatet janë me të vërtetë impresionuese. Nga 25 të punësuar, që kishte stafi në fillim, sot janë 63, kurse numri i fëmijëve që frekuentuan kopshtin, vitin e kaluar ishte 469, nga 80 që kishte në fillim. Është përmirësuar tërësisht infrastruktura e këtij institucioni, që nga hyrja, klasat, sallonet e gjëra e plot dritë, kuzhina, që shndrit nga pastërtia, deri te personeli, gjithmonë i gatshëm të përballet me sfida të reja e ti fitojë ato. Në këtë kopsht sillen fëmijët, që nga mosha nëntëmuajshe e deri në gjashtë vjeç, për ti hedhur më tej në bankat shkollore. Këtu u jepet katër herë ushqim, fjetje, si dhe procesi edukativ dhe arsimor. Prindërit paguajnë vetëm 25 euro në muaj dhe unë me të vërtetë habitem, se si ja dalin këta njerëz,ti ushqejnë fëmijët në mënyrë cilësore katër herë në ditë, tu blejnë lodra dhe të përmirësojnë në mënyrë të ndjeshme infrastrukturën e kopshtit? Kjo gjë mund të realizohet vetëm nga njerëz me zemër të madhe, që nuk vjedhin paratë e fëmijëve dhe punojnë me dashuri në profesionin e tyre të nderuar.
Këtë vit është ndërtuar dhe një objekt i ri, falë bashkëpunimit të Komunës me Agjencinë turke “Tika”, godinë, e cila plotëson më së miri nevojat në rritje të kopshtit të fëmijëve.
Drejtor Sadiku, një djalë energjik e vizionar, hedh sytë tej, në kërkim të objektivave të reja. Tashmë, janë hapur dhe dy objekte bija për qëndrimin dhe edukimin e fëmijëve në Zajaz dhe Osllome, me nga 25 fëmijë, duke synuar këtë më tej dhe në rrethina të tjera.
Në Kërçovë gjenden katër komunitete të ndryshme, shqiptarë, maqedonë, romë e turq. Sa vështirë për të punuar në të tilla kushte, kur dhe një lëvizje e vogël, mund të lëvizë ekuilibrat njerëzorë të këtyre komuniteteve. Jo, nuk ka pasur probleme, diskriminimi e përçmimi të njërës palë, apo tjetrës. Sadiku e njeh psikologjinë e gjithsecilit, ndaj sot gëzon vlerësimin dhe mbështetjen e të gjithë prindërve, pa përjashtim.
Do të thoshim se të gjitha këto arritje të realizuara në kaq pak kohë, nuk do të kishin qenë të mundura pa ndihmën dhe përkrahjen e Komunës dhe në veçanti të Fatmir Deharit, i pari kryetar komune shqiptar, që këtu e 100 vjet të shkuara . Dhe në ndonjë moment dobësie, në fillimin e punës, kryetari i dha Sadikut shpresë, zemër e mbështetje për të ecur përpara, duke arritur së bashku këto rezultate surprizuese.
Një vizitë në Zajaz, tek varrezat e dëshmorëve dhe një drekë pune në lokalin “Palma”, me ushqime tradicionale, e përfundojnë vizitën tonë në qytetin e bukur të Kërçovës. E dimë që ka dhe plot gjëra të tjera për të eksploruar, por ndoshta do të mbeten për ndonjë radhë tjetër. Gjatë bisedës, Sadiku na tregonte për një porosi të babait të tij. “Bir, kudo që të shkosh, të ndërtosh një shtëpi”. Në fillim këshilla i qe dukur e habitshme, por pastaj arriti të zbërthejë kuptimin e vërtetë. Ne, ekipi që vinim nga qyteti i Dibrës, sapo e kishim ndërtuar një shtëpi. Kishim bërë një mik të mirë e të sinqertë, si Sadiku, me të cilin shpresojmë të kemi takime të tjera të bukura, si ky i sotmi.
Të kënaqur e me përshtypjet më të mira, marrim rrugën e kthimit. Hyseni kap timonin e mjetit, ndërsa ne diskutojmë akoma mbresat e këtij udhëtimi të paharruar. Nuk kishte sesi të mos ndalonim për një kafe në Mavrovën turistike, akoma të mbuluar nga dëbora. Drejtoresha, Ajrie Dachi na qeras bujarisht me kafe dhe ëmbëlsira e më pas, kur mugëtira bëhej gati t’i zinte vendin ditës, kishim arritur në qytetin e Dibrës.