Na bashkoi poezia – Dibra ime


Libri “Na bashkoi poezia”, i cili përmbledh poezi nga poetë Dibran, ishte një buqetë e bukur që më erdhi në dorë. Me një frymë fillova të shijoj shpirtin e autorëve që kishin derdhur ndjenjat e tyre në çdo faqe, në çdo varg. Sigurisht që u lumturova pa masë kur ndër autorët isha dhe unë. Kjo gjë sa më ngazëlleu, aq dhe më dha krahë për të vazhduar këtë rrugë e për ta përfaqësuar Dibrën tonë sa më mirë në të gjitha kohërat. Në këtë vëllim poetik shtrihej tej e tej si një kacavjerrës jasemini që përshkon duke u varur në të gjithë gjeografinë poetike të trevave të Dibrës dhe duke shpërndarë gjithandej petalet e bukura dhe aromën poetike të viseve plot art e muzë, plot ndjenjë, gëzim, dhimbje.. Libri është i përgatitur me përkushtim nga Ilmi Dervishi dhe Bujar Muça. Teksa kalon të gjitha faqet e tij, shfaqet bukur me plot bereqet sofra e vërtete me shijet e artistëve dibranë. Një sofër e shtruar bukur, e shijshme dhe e servirur me plot sqimë.. Është sofra që mblodhi rreth vetes vargjet më të bukura, shpirtin e ndjeshëm poetik, ndjenjën e lumtur e të trazuar, të gëzuar dhe të dëshpëruar, të ëmbël dhe të hidhur. E gjithçka dedikuar Dibrës, me kulturën, historinë, zakonet, mikpritjen, bujarinë, trimërinë dhe intelektualitetin. Duke lexuar gjithë librin gjen universin e origjinës tonë. Të duket vetja si në një Odë Dibre, tek dëgjon kuvendimin e mendjeve të matura e të ndritura të asaj treve, të mbledhur së bashku përreth sofrës dibrane e së bashku formëzojnë substancën e librit që kam në dorë. Gjejmë në këtë libër emra autorësh dhe intelektualesh të shquar dibranë. Emra që kanë lënë shenjë me kontributin e tyre. Individualitete të spikatur me plot merita dhe talent. Emra që kanë kontribuar për Dibrën dhe Shqipërinë dhe kanë spikatur me vizionin dhe aktivitetin e tyre.
Ky libër ka grumbulluar poezi që përgjithësisht i janë dedikuar vendlindjes. Secili nga autorët ka derdhur në poezinë e tij të gjithë dashurinë dhe nostalgjinë e natyrshme për trevën nga ka origjinën. Kanë derdhur në këto poezi pasionin, talentin, dashurinë, mallin e paanë. Janë përfshirë në këtë vepër një brez shkrimtarësh dibranë me emër të spikatur në profesionalizmin dhe dije shkencore në fushat ku kanë debutuar. Vend të veçantë në libër zënë edhe krijimet folklorike të autorëve dibranë që janë mjaft të njohura nga publiku, pasi vargjet e këtyre krijimeve janë formëzuar aq bukur në këngët e lavdishme që materializojnë luftërat dhe historinë shekullore të Dibrës dhe dibranëve. Jo rrallëherë këto derdhen e pasqyrohen në vargje tamam si në librin “Na bashkoi poezia”. Sigurisht, në këtë vepër janë përfshirë dhe një plejadë autorësh të rinj dhe shpresëdhënës, që meritojnë të përkrahen e të stimulohen. Treva e Dibrës për nga vlera universale është një brum i ardhur që artistet dibranë kanë ditur më së miri ta kthejnë në një bukë të shijshme, siç janë edhe shkrimet e poezitë e këtij libri, ku autorët na dhurojnë nektar të këndshëm fjalësh e metaforash fantastike. Në këtë kohë kur teknologjia po merr një pjesë të kohës së konsiderueshme, sidomos tek të rinjtë që ditëve të sotme studiojnë çdo herë e më pak, thirrja ime, si një vajzë e re e ardhur pikërisht nga vendi i sofrës së dijes është: Tani është koha për ndryshim. Është koha për t’iu rikthyer librit, vargut e poezisë. Është i vetmi ushqim për mendjen e shpirtin. Kjo është një antologji poetike ku marrin pjesë emra te shquar të letërsisë, si: Agron Tufa, Haziz Ndreu, Islam Çenga, Halil Rama, Ahmet Prençi, Edmond Zhulali, Haxhi Maqellara e sigurisht pa harruar të tjerë të cilët kanë lënë gjurmët e tyre të përjetësuara në kompozime këngësh e poezish dedikuar vendlindjes, Skënderbeut, Malit të Korabit, mallit për vendlindjen e shumë të tjera që i dallojmë që në titujt e poezive të shkruara në këtë libër. Libri “Na bashkoi poezia”, që lexuesi ka në dorë, është i veçantë, i pandeshur ndër shkrimtarët e sotëm, se mënyra e të përgatiturit të këtij libri është tërheqës dhe ndikues dhe luan plotësisht misionin e tij për të promovuar vlerat dibrane. Libri është botuar nga ‘Botimet M&B’, që i ka gjithmonë dyer të hapura për të promovuar çdo dibran në çdo fushë të caktuar. Urime për të gjithë pjesëmarrësit me poezitë e tyre në këtë libër, si dhe falënderoj z.Ilmi Dervishi, që më përfshiu edhe mua mes intelektualëve dibranë, duke botuar edhe poezinë time dedikuar vendlindjes.