Një gotë qelqi veneciane nga kështjella e Peshkopisë


Pamje nga afër e kështjellës së Peshkopisë.

Kështjella e Peshkopisë, e njohur me emrin “gradishtë“, gjendet në rrethinën juglindore të qytetit të sotëm, midis fshatit Begjunec në jug dhe përrroit të Peshkopisë në veri. Koordinatat gjeo-topografike të saj janë: x-41o41‘ 0‘‘; y-20o 26‘ 54‘‘ dhe z-698m. Terreni i brendshëm i saj me prerje eliptike ka syprinë të sheshtë, me pjerrësi të lehtë jugore dhe orientim lindje-perëndim. Ajo me bie me shpate të pjerrta e shkëmbore nga jugu dhe nga veriu, përkatësisht mbi fushën e fshatit Begjunec dhe përroin e Peshkopisë. Në lindje, nëpërmjet një qafe të lehtë në trajte shale, ajo lidhet me vargun kodrinor që ngrihet më në thellësi, ndërsa nga perëndimi, ulet gradualisht deri në lagjen “Bulke“ të qytetit. Në këtë lagje, deri në vitet ‚80 të shekullit të kaluar ruheshin rrënojat e kishës së Peshkopisë, njëherësh manastir dhe qendër episkopale1. Nga sipërfaqja e kalasë kontrollohet lehtësisht fusha e Peshkopisë, ku në periudhën antike romake kalonte „Udha e Karvaneve“ ose „Udha e Madhe“2, degëzimi verior i Egnatias, që bashkohej në Kukës me rrugën Lissus-Naissus si dhe rruga sekondare e përroit të Peshkopisë, që nëpërmjet qafës së Skërtecit lidhte këtë rajon me Pollogun (Gostivarin) (fig. 1-2. Pamje nga afër dhe nga larg e kështjellës së Peshkopisë).
Në vitin 2000 gjatë një survej sipërfaqësor, konstatuam gjurmët e një fortifikimi prehistorik dhe u hartua planimetria e kështjellës, ndërsa në vitin 2006 u krye nga autori një gërmim i vogël me karakter sondazhi3. Nga gërmimi rezultoi se kështjella e Peshkopisë ka qenë banuar në tri periudha të ndryshme kronologjike, përkatësisht gjatë periudhës së Bronzit të Vonë (shek.XIV-XII para Kr.), periudhës së vonë antike (shek. IV-VI pas Kr.) dhe asaj mesjetare (shek. XIV-XV pas Kr.)4. Kjo kështjellë, ruan në gjirin e saj depozitime kulturore të jetës gjatë periudhës iliro-arbërore dhe përfaqëson padyshim protohistorinë e qytetit të mëvonshëm të Peshkopisë dhe të rajonit gjegjës.
Në gjetjet arkeologjike të periudhës mesjetare, tërheq vëmendjen një gotë qelqi, e vetme në llojin e saj, që përbën objektin e këtij artikulli. Pozicioni i saj kulturor dhe stratigrafik lidhet me skajin jugperëndimor të syprinës së brendshme të kështjellës: sond. I (2x2m), Nj. Str. 002, thellësia 0.40m. Gota u gjet e thyer në 51 fragmente, tani e restauruar në pjesën më të madhe të saj5. Ruhet në fondet e Institutit Arkeologjik Tiranë, nr. inv. 17.442. Përmasat e saj janë: lartësi 130mm, diametri i grykës 120mm dhe i fundit 80mm; pesha 110gr. Gota ka formë trungkonike, grykë të zgjeruar në trajtë hinke dhe fund konkav unazor të tërhequr në anën e brendshme. Është prodhuar me teknikën e fryrjes në kallëp. Qelqi është i tejdukshëm me ngjyrë të bardhë në gri të hapur. Trashësia e pareteve është 1.5mm në pjesën e sipërme afër grykës,1.1mm në pjesën qëndrore të trupit dhe 0.6mm në gjysmën e poshtme afër fundit. Trashësia e vetë fundit është 1.4mm, ndërsa thellësia e brendshme e konkavitetit të tij është 30mm. Fundi është unazor i plotë dhe i zbukuruar në anësitë e jashtme me një shirit plastik të përdredhur të valëzuar ose të dhëmbëzuar (fig. 4-tab. I).

Pamje nga larg e kështjellës dhe manastirit të Peshkopisë

Nga mënyra e modelimit të fundit, gota e Peshkopisë është e ngjashme me disa fragmente gotash trungkonike të shek. XIV-XV dhe XV-XVI pas Kr. të qytetit mesjetar të Beratit6 dhe atij të Drishtit7, të Kepit të Rodonit8 etj, ndërsa jashtë vendit tonë me disa kupa qelqi të shek. XV të Bottiglias9 (Itali) dhe ato të periudhës së vonë bizantine (shek. XII-XV pas Kr.) të Korinthit10.
Gota është e zbukuruar. Elementi kryesor dekorativ është një shirit i hollë plastik me ngjyrë blu i aplikuar përqark buzës. Shiriti me gjërësi 2mm dhe prerje të rrumbullakët, është lyer me varak ngjyrë blu11 në vjollcë me përmbajtje oksid hekuri (tab. I, 1a-b). Ky koncept dekorativ është tipar i përbashkët i gotave të importuara nga Venecia në prapatokën e Adriatikut Lindor, të zbuluara në Kakanj-Zgośća12, Blagaj13, Kraljeva Sutjeska14 (Bosnje-Hercegovinë), Gradac (Kroaci)15, Stalac (Serbi) 16 etj. Trupi i saj është i zbukuruar me 12 brinjë plastike vertikale me prerje shiritore, me gjatësi 50mm dhe lartësi 0.7mm të vendosura në largësi 20mm larg njera tjetrës, që ulen nga qafa deri 40mm afër fundit. Në prapatokën e Adriatikut Lindor ajo është shumë e ngjajshme me një gotë të shek. XIV-XV pas Kr. të manastirit françeskan Kraljeva Sutjeska të Kakanjit (Bosnje-Hercegovinë)17, gjë që shihet si në formën trungkonike të trupit dhe në zbukurimin e tij me brinjë plastike vertikale, ashtu edhe në shiritin ngjyrë blu të aplikuar përqark buzës. Për analogji, edhe gota e Peshkopisë datohet në shek. XIV-XV pas Kr., datë që shërben edhe si një terminus post quem i kufirit të sipërm kronologjik të jetës së këtij vendbanimi mesjetar. Gota të ngjashme me formë trungkonike dhe shirit blu të aplikuar përqark buzës, vazhdojnë të përdoren edhe në periudhën e vonë Paleologe (shek. XV-XVI pas Kr.) në Thessalonik18. Në Ballkanin Perëndimor vazo të tilla konike me trup të zbukuruar me brinjë plastike vertikale dhe shirit të hollë blu të aplikuar përqark buzës, konsiderohen si importe veneciane19.
Bazuar në tiparet morfologjike dhe stilistike të gotës, veçanërisht në shiritin e hollë me ngjyrë blu të aplikuar përqark buzës, 20në modelimin e grykës dhe të fundit, në brinjët plastike vertikale që zbukurojnë trupin e saj si dhe në analogjitë e përmendura, mund të themi se gota është importuar nga punishtet mesjetare të italiane të prodhimit të qelqit, ndoshta nga Murano (Venecia), pohim që konfirmohet edhe nga analizat kimike21. Importi i enëve të qelqit nga Venecia drejt Ballkanit është i dokumentuar që nga gjysma e parë e shek. XIV pas Kr., e veçanërisht pas vitit 133022. Gota e Peshkopisë përfshihet në fazën e parë më të hershme të importeve veneciane të Adriatikut Lindor të shek. XIV-XV pas Kr., krahas gotave të tjera të këtij rajoni të përmendura më lart.
Kjo gotë përfaqëson një enë luksi importi dhe është ndër enët e rralla të këtij tipi të zbuluar në Shqipëri. Ajo mund të jetë porositur nga shtresa e pasur fisnike e rajonit të Peshkopisë, që banonte në kështjellën me të njëjtin emër, ose është blerë nga manastiri i Peshkopisë23, ku burimet kishtare dëshmojnë ekzistencën e një peshkopate24. Pas pushtimit osman të Dibrës në gjysmën e dytë të shek. XV pas Kr, gota mund të jetë marrë për nevoja utilitare në vendbanimin mesjetar të kështjellës së Peshkopisë, shumë afër këtij manastiri. Cilado qoftë e vërteta, zbulimi i kësaj ene importi në kalanë e Peshkopisë, e përfshin Dibrën në sistemin e marrdhënieve tregëtare me një nga qendrat më të fuqishme të Adriatikut Perëndimor, siç ishte Venecia. Nuk kemi të dhëna të sigurta në se këto marrdhënie janë realizuar nëpërmjet portit të Durrësit në jug apo atij të Raguzës në veri. Megjithatë, bazuar në të dhënat më të fundit nga Drishti, ku enët e qelqit të periudhës mesjetare rezultojnë se kanë ardhur nëpërmjet portit të Raguzës dhe atij të Shën Shirgjit25 në lumin Buna, porti i fundit mund të ishte më afër të vërtetës. Për këtë supozim mbështetemi në rrugët e trafikut tokësor Raguzë-Prizren-Shkodër26 dhe rrugët që lidhnin Shkodrën me Dibrën përmjet luginës së Drinit. Kjo gotë qelqi, gjithashtu na jep shkas të besojmë se kështjella e Peshkopisë, ruan në gjirin e saj edhe të dhëna të tjera të vlefshme mbi historinë e mesjetës bizantine të Peshkopisë, çka shpresojmë ta sjellin kërkimet e ardhshme.

Referenca
1 Jastrebov 1904, 138.
2 Kaca 2003, 16.
3 Bunguri 2006, Arkivi i Institutit të Arkeologjisë (më tej: AiA).
4 Një paraqitje e plotë e rezultateve të këtyre sondazheve, do të jepet në një punim tjetër.
5 Restaurimi është bërë nga F. Stamati dhe E. Davidhi, të cilët i falenderojmë për punën e tyre të kujdesshme, ndërsa vizatimi nga I. Zaloshnja që gjithashtu është i falenderuar.
6 Spahiu 1990, 181, tab. XLV, 11-14.
7 Pushimaj 2018, 447-448, nr. kat. 1-3, tab. I, 1-3; 450-451, nr. kat. 17-19, tab. I, 17-19.
8 Hoti 1987, 261, tab. XI, 2, 4
9 Boldrini 1994, 499-516, tab. I, 12.
10 Antonaras 2010, 413, fig. 40, nr. 1-3. Krhs
11 stamati 2008, AiA, 1.
12 BIKIĆ 2006, 202-203, fig. 3, nr. 1.
13 Idem, 202-203, fig. 3, nr. 3, 10.
14 Idem, 203, fig. 3, nr. 5-6, 11.
15 Idem, 202-203, fig. 3, nr. 3, 5-6, 10-11.
16 Idem, 202, fig. 3, nr. 1, 7, 10-11.
17 Idem, 203, fig. 3, nr. 11.
18 Antonaras 2010, 415, fig. 42. shën.183-184.
19 Antonaras 2010, 414-415, shën. 179.
20 Analizat kimike u realizuan nga F. Stamati në Institutin e Fizikës Bërthamore Tiranë me SXRF. Një fragment i enës u analizua për përbërjen kimike në Institutin e Fizikës Bërthamore në Slloveni me anë të PIXE. Sipas analizave rezulton se përbërja e qelqit është tipike veneciane e periudhës së mesjetës (shek. XIV-XV pas Kr.) dhe se mund të jetë prodhuar në punishtet e Muranos. Gjithashtu u konstatua se shiriti me ngjyrë blu i aplikuar përqark buzës ka përqindje të lartë komponimesh hekuri, veçori karakteristike e prodhimeve të qelqit të këtyre punishteve.
21 BIKIĆ 2006, 202.
22 Krhs. Jastrebov 1904, 138:“Vetë emërtimi i fshatit Peshkopia, na jep të drejtë që të supozojmë ekzistencën e kësaj peshkopate. Dhe faktikisht, në lindje të këtij fshati (Peshkopisë) dhe të teqes, në një tarracë më të lartë, në krahun e majtë të përroit që rrjedh nga mali i Korabit, duken disa rrënoja mjaft të mëdha të një manastiri dhe themelet e një kishe jo shumë të vogël, që gjenden në mes të rrënojave….Manastiri zotëronte edhe fshatrat Brezhdan, Shumbat, Dobrovë dhe Peshkopi, si çifligje të vetat„.
23 Emri „Peshkopi“ i qytetit të sotëm është transformim fonetik i emrit latin „episkopia“ i kishës së mësipërme. Krhs. Ceka 2001, 257. I njëjti emër, si mbetje toponimike e qendrave episkopale, ndeshet edhe në distriktet e Pogradecit, Korçës, Vlorës dhe Gjirokastrës.. Krhs. Meksi 1983, 105-106, fig. 37; Meksi 2004, 69.
24 Pushimaj 2018, 447.
25 Baçe 1984, 63-64.