‘Rruga e Arbrit’, fushata e fundit e premtimeve?


Pamje nga traseja e rrugës së Arbrit në Xibër, Klos, 27 shkurt 2021. Foto: © Hysen Uka

Bujar Karoshi

Në fjalorin e politikanëve të qeverisë dhe opozitës, Rruga e Arbrit duket se do të jetë një çështje elektorale edhe këto zgjedhje parlamentare

Rruga e Arbrit duket se do të jetë një çështje elektorale edhe këto zgjedhje parlamentare. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kandidatët për deputetë në Dibër nga ana e opozitës janë përfshirë në njoftime kontradiktore në lidhje me ecurinë e punimeve në Rrugën e Arbrit.
Si një tregues i “mbajtjes së premtimeve”, kryeministri Edi Rama postoi më 23 shkurt në faqen e tij të Facebookut një video prej 100 sekondash* që tregon punimet në Urën e Vashës që nga fillimi deri në ditën e përfundimit. Kjo video ka marrë mbi 800 ndarje dhe mbi 900 komente, të cilat sa janë optimiste dhe mbështetëse, po aq ka edhe kritika.
“Ky është një premtim i mbajtur nga Kryeministri, prandaj dibranët duhet të votojnë PS”, është një mesazh që përcillet nga një pjesë e madhe e komentuesve.
Një ditë më pas, më 24 shkurt, Dhurata Çupi Tyli, ish deputete e Dibrës dhe me sa duket do të jetë edhe numri 2 i listës së së deputetëve në këtë qark për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, përcolli në facebook një video prej 57 sekondash, në të cilën thekson se Edi Rama “dështoi me Rrugën e Arbrit”**
“Sa herë ka zgjedhje, Edi Rama mashtron dibranët për Rrugën e Arbrit. Në 8 vjet, ai dështoi në mënyrë të turpshme për të mbaruar Rrugën e Arbrit, e nisur nga PD që në vitin 2012. Premtime pas premtimesh të pambajtura të Edi Ramës dhe dibranët janë akoma më të izoluarit dhe më të braktisurit e kësaj qeverie të dështuar.”, shkruan ajo në Facebook.
“Kam qenë e bindur gjithmonë se Rrugën e Arbrit do ta përfundojë PD!”, thekson ajo.
Një ditë më pas, më 25 shkurt, ajo publikoi një video tjetër me pamje nga rruga e Arbrit, të cilat tregojnë punime të pambaruara***.
“Pamja sot nga Rruga e Arbrit. Asgjë e ngjashme me propagandën qeveritare. Rruga ngjan si vetë qeveria Rama, e lodhur, e copëtuar, pa shpresë.
Sipas premtimit të Edi Ramës, rruga duhet të jetë e përfunduar tërësisht për më pak se 3 muaj. E vërteta është se rruga-shpëtim e dibranëve, me ritmin e Edi Ramës, nuk përfundon as vitin tjetër. Ne na duhet Rruga e Arbrit për t’i dhënë fund izolimit dhe zbrasjes së qarkut të Dibrës nga njerëzit në këto 8 vjet dështim të Edi Ramës”, shkroi Dhurata Çupi Tyli në profilin e saj në Facebook.

* * *
Ndërtimi i rrugës së Arbrit, që nga ideja deri në realizimin e saj ka kaluar përmes një procesi politik të gjatë: plot me premtime dhe afate përfundimi. Edhe tani kur ajo po shkon drejt përfundimit – sado që jo në standardet e kërkuara, përfshirja në debatin parazgjedhor duket se do të jetë i pranishëm edhe këtë herë.
Që prej korrikut të vitit 2005, kur kryeministri i asaj kohe, Fatos Nano nisi punimet në Fushë-Bulqizë një javë para zgjedhjeve, për 16 vite me radhë rruga e Arbrit është përfshirë në fjalorin elektoral përmes premtimesh, të cilat kanë rezultuar gënjeshtra të radhës.
Më poshtë po sjellim disa deklarime publike vetëm të Kryeministrit të Shqipërisë, që nga viti 2004, në lidhje me premtimet për nisjen dhe përfundimin e punimeve në Rrugën e Arbrit.
1. Kryeministri Fatos Nano, Peshkopi, 26.10.2004: “Vitin e ardhshëm do të fillojnë punimet për Rrugën e Arbrit. Kjo rrugë do të kushtojë 120 milion dollarë dhe distanca juaj me tregjet kombëtare dhe rajonale do të shkurtohet ndjeshëm, ndërsa rruga Peshkopi-Tiranë nga 180 km që është aktualisht do të jetë vetëm 72 km. Qeveria shqiptare për mirëmbajtjen e kësaj rruge ka marrë një kredi prej 72 milion lekë nga Banka Botërore.”.
2.Kryeministri Sali Berisha, Bulqizë, shkurt 2007: “Në mandatin 4 vjeçar ju jap fjalën se Rruga e Arbrit është prioritet absolut dhe kombëtar për qeverinë.”
3. Kryeministri Sali Berisha, Bulqizë, 21 qershor 2009: Sapo inauguruam segmentin e parë të rrugës së Arbrit me një gjatësi 20 km. Në datën 15 (qershor) u shpall tenderi për segmentin tjetër Bulqizë-Klos dhe unë ju garantoj se brenda vitit do të nisë edhe Klos-Tiranë, Tiranë-Klos.
4.Kryeministri Sali Berisha, Bulqizë, 28 gusht 2009: “Dua t’u garantoj Ju se në krye të dy viteve, do të vini në Tiranë dhe do të zbrisni drejt brigjeve të Shqipërisë, në rrugën më të re të Ballkanit, në rrugën e Arbrit. Ju garantoj se në 2 vjet kjo rrugë do të kapë Tiranën dhe ju do të zbrisni në Tiranë në një kohë prej 40 deri në 60 minuta”.
5. Kryeministri Edi Rama, Beograd, 16 dhjetor 2014: “U nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit me Chinese Exim Bank për hapjen e një kantieri projektesh në Shqipëri me financime kineze. Projekti i parë që do të çelë siparin e një epoke të re bashkëpunimi mes Shqipërise e Kinës do të jetë Rruga e Arbrit, e cila do të nise vitin e ardhshëm”.
6. Edi Rama, Bulqizë, 8 Qershor 2015: “…me këtë tunel jepet edhe mesazhi shumë i qartë për gjithë Dibrën, që rruga e Arbrit nuk është më një fantazmë elektorale që shfaqet vetëm nëpër fushata, por është një realitet mbi të cilin ne po punojmë fort. Kemi siguruar edhe financimin për pjesën më të vështirë, me një kompani ndër më të mëdhatë e Kinës.
7. Edi Rama, Pekin, 27 nëntor 2015: “Takimi me kryeministrin për të diskutuar ecurinë e projekteve të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Kinës; finalizimin sa më parë të negociatave financiare për të nisur punimet në Rrugën e Arbrit”.
8. Kryeministri Edi Rama, postim në Facebook, 12 prill 2017: “Projekti i parë i Programit Kombëtar 1 Miliardë për Rindërtim hyri sot në fazën finale: RRUGA E ARBERIT. Pas 25 vjetësh premtime boshe e zhgënjime pas çdo votimi, viti 2017 është viti i nisjes së punës për këtë aks, që e bën Dibrën fqinje të afërt të Tiranës dhe do t’i japë hov zhvillimit ekonomik, social e turistik të një zone të tërë bukurish e burimesh të jashtëzakonshme natyrore, që për çerekshekulli u la në rrënimin e harresës”.

***
Kontrata me kompaninë Gjoka Konstruksion për ndërtimin e Rrugës së Arbrit u firmos në fillim të vitit 2018, ndërsa më 28 mars qeveria shqiptare e miratoi kontratën në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Ndërsa punimet kishin nisur, zyrtarisht ato nisën në Klos më 17 qershor 2018. Pavarësisht se afati i kontratës është 44 muaj (rreth 4 vite) në ceremoninë e inaugurimit, presidenti i kompanisë Rrok Gjoka premtoi se “punimet do të mbarojnë për dy vite”, periudhë e cila përkon me zgjedhjet parlamentare të këtij viti. Vështirësitë e krijuara në tunelin e Murrizit mund ta shtyjnë afatin e përfundimit të punimeve, por premtimi për nisjen e qarkullimit mund të mbahet edhe para zgjedhjeve. Dhe për këtë u desh ndërtimi i një by-passi rreth 9.5 km të gjatë.
Në projekt rruga është e parashikuar sipas strandardit C2, me dy korsi lëvizje nga 3.5 metra dhe shpejtësi 60 deri 100 km/orë.
Nisja e qarkullimit në rrugë para zgjedhjeve parlamentare mund të jetë një kërkesë apo dëshirë e qeverisë, por standardet e ndërtimit dhe të sigurisë në qarkullim janë më të rëndësishme për përdoruesit e rrugës.
Bujar Karoshi

*https://fb.watch/3-n9WfxYX3/
**https://www.facebook.com/1642908865/videos/10222085419758180/
***https://www.facebook.com/1642908865/videos/10222090978217138/)