Çfarë i kërkoi Elez Isufi perandorit të Austro-Hungarisë?


Nga prof. Bajram Xhafa

Në me rastin e 100 vjetorit të betejës në Lanë Lurë, 28 tetor 1921, e fundit në ballafaqimet luftarake të dibranëve me serbët, në Luftën Çlirimtare të Dibrës kundër Intervencionit Ushtarak Jugosllav të viteve 1918 – 1921.
Nën hijen freskuese të blirëve, anës bulevardit të bukur të Peshkopisë që mban emrin “Elez Isufi”, heroit dibran të luftës me serbët, duke pirë kafe me dy zotërinj të fisëm, sheherlinj të Peshkopisë, Ruzhdi Shehu dhe Rexhep Stojku, një ditë gushti 1995 shënova edhe këto:
Elez Isufi dhe Abdi Kola te perandori austro – hungarez.
Elez Isuf Ndreu, pari’ e Dibrës për Reç, Dardhë e Ujë e n’Ujë dhe Abdi Kola, bajraktar i Gimajve të Shalës (së Dukagjinit), gjatë Luftës së Parë Botërore priten në audiencë (në Vjenë) nga perandori i Austro – Hungarisë. Gjatë prezantimit, nisur nga emri i tij mysliman, Perandori i qenka drejtuar Abdi Kolës:
– Ti qenke “Yll e Hanë” – i paska thanë, – po ky Ndreu, kryqtar është?
– Jo, – i përgjigjet bajraktari i Gimajve Perandorit austriak, – ún’ jam i kryqit (katolik); Elez aga i Dibrës asht Yll e Hanë.
“Turk Isuf e Lulash Ndre / Hajshin mish e pishin venë / Se merrte vesh qeni qenë / Kush asht turk e kush i kshtenë”. Kështu shkruan Tahir Dizdari në “Fjalori i Orientalizmave në Gjuhën Shqipe”.
Abdi Kola i Gimajve më vonë ka ardhur për vizitë tek Elezi në Sllovë e ky pastaj e ka çuar, siç ishte zakon ndër shqiptarët, edhe tekmiqtë e vet, Kaloshet, në Sinë.

Elez Isufi me reçjanë e dernjanë
në Kolesian kundër serbit

Elez Isufi kishte një histori të gjatë të luftës me serbët. Gjatë agresionit ushtarak të Serbisë kundër Shqipërisë, së bashku me Islam Spahinë dhe lumjanët e tij, hasianët etj., ai i bani pritë ushtrisë serbe dhe luftoi me heroizëm në Qafë të Kolesianit në nëntor 1912.
Gjatë tërheqjes së ushtrisë osmane të shpartalluar nga avancimi i ushtrive të koalicionit të krishterë ballkanik, Elez Isufi kishte marrë e strehue një tetëshe ushtarësh turq bashkë me nji top e me disa gjyle. Përleshja me ushtrinë serbe përfshin kodra e kodrina, shpate e shpatina që do t’ia lehtësojë barrën Qafës së Shkretë (të Kolesianit), shkruan Tahir Kolgjini në “Luma dhe luftërat e saj” (SH. B. e Lidhjes së Shkrimtarëve, Tiranë 1993, f. 33-34).
Vjen Elezi me Reç e Dardhë, tue pasë me vete ushtarët që kishte strehue dhe topin të cilin e vendosën në një kodër që dominonte mbi pozicionet e armikut. Moti ishte i lagët dhe shumë i keq. Kënduen gjelat për së tretë. Qe! Erdhi ora! Bumlloi topi për herë të parë kundër pozicionit t’anmikut. Krisi pushka në tabet e Qafës. Krisi pushka në Mustafaj, në Gjabricë, në skaj të Osmanaj dhe në vende të tjera të largëta e t’afërta. Vlonte pushka në të gjitha anët. Populli, me krahë të përvjelun, në mëngjes herët e kishte msy ushtrinë serbe tue e hutue në befasi.
Të vramë e të plaguem prej dy palëve…
Besabesë, burra!…Me dorë djem!…Mtani, djem,
Ani!…Ani, ani!…S’ka gja!…
Ma mirë n’vorr me u qa për mall,
Se me mbetë nën shkja për t’gjallë!” (Fishta)
Gjëmon topi për herë të dytë…Ushtria serbe habitet:
– “Ç’kërkon (topi) në dorë të malësorve? Sigurisht do të jetë ndonji forcë ushtarake e Perandorisë!…”
Apo nuk ia kishin provue fërtomën serbët ushtrisë së Sulltanit shekuj me rradhë? E kjo vlejti për me iu ra zemra në fund të barkut.
Lufta ndizet e rreptë. Sulmet bahen ma të denduna e ma të furishme. Asht krijue nji mishamash. Veç topi i praruem po bumllon si rrallë. Po qet rrallë se s’ka gjyle i mjeri. Por, sido që t’jetë, ndikesën e dëshirueshme e bani. Tashma e kanë punën trimat, që, me hov i janë afrue anmikut.
Lufta ushton. Lum e lum për t’lumin Zot. Luftëtarët, me vikama, i shtojnë trimni përbi trimni njani tjetrit. As nuk duen me dijtë se arma e anmikut ka plumb. Jeta për ta s’ka randësi ma. Rrethi vjen tue u ngushtue dhe këta, vazhdojnë me iu avitë flakës së vdekjes.
Të vramë e të shituem në të dy palët.
Në rradhët e anmikut ka fillue hallakama….(Tahir Kolgjini, Luma dhe luftat e saj” f. 34, 35)..

Kërkesa e “çuditshme”
e Elez Isufit drejtuar perandorit
të Austro-Hungarisë

Gjatë tërheqjes së ushtrisë serbe drejt jugut për shkak të sulmit të ushtrisë austro-hungareze, tre regjimente të divizionit të Nishit, të nisura nga Prizreni morën drejtimin nga Luma dhe Dibra për të dalë në Durrës. Më 2 dhjetor 1915 kolona e gjatë e saj, e armatosur dhe e pajisur me të gjitha mjetet e luftës, nga zona e Lumës hyri në zonën e Dibrës. Elez Isufi vetë i shtati i bëri pritë tek Qafa e Trojakut. Krismat e pushkëve ngritën të gjithë zonën. Ushtria serbe la këtu mbi 2000 të vrarë, ushtarë, oficerë dhe material të shumtë luftarak.
Për luftën që kishte ba Elez Isufi kundër serbëve, armiqve të Austro-Hungarisë, u përfshi në delegacionin shqiptar qe do të bënte një vizitë në Vjenë, në kryeqytetin austro-hungarez. Ata patën një takim edhe me perandorin austro-hungarez. Me synimin për të rritun kapacitetet luftarake të forcave shqiptare në luftën kundër Serbisë dhe fuqive të Antantës, Perandori austro-hungarez i paska pyetur edhe për nevojat që kanë shqiptarët, duke pasur parasysh kryesisht nevojat ushtarake, armë, municione etj. Nisur nga mendësia e zakonshme e shqiptarëve për “mundësitë e mëdha të kralit të madh”, Elezi i ka bërë një kërkesë tek e cila ai kishte merakun më të madh: sigurimi i kufijve të Shqipnisë nga sulmet e shkjave.
– Meqenëse më pyetët vetë, dua, – ka thënë Elezi – që të më jepni 12 mijë kallëpe (blloqe) mermeri ose graniti.
– Çfarë të duhen, – paska pyetur fort i çuditur Perandori për këtë kërkesë që i dukej sa e çuditshme aq edhe fantastike.
– Më duhen që të rrethoj kufinin i Shqpnisë me shkjaun. Dua t’i vë piramida përgjatë gjithë kufirit të Shqipnisë prej vendit ku hyn Vardari në Greqi e deri në Tivar që ti shohë mirë e të mos i kalojë shkjau.
Nuk e dinte Elez Aga atë anekdotën e atij persit që shkoi të shohë Spartën 2400 vjet më parë, pasi kishte dëgjuar se ajo ishte një “kala” e pathyeshme. E përfytyronte atë të bamë me mur guri të skalitur, mure të lartë e të trashë, me bedena të forta, fortifikuar me kulla për rojet, rrethuar me kanale të thella mbushur me ujë, si kështjellat e zakonshme. Kur arriti në Spartë ai nuk pa asgjë nga ata që kishte përfytyruar. Përkundrazi, vendi ishte i sheshtë dhe i hapur nga të gjitha anët. – Ku është kalaja, ku janë muret mbrojtëse, pyeti ai. Përgjigjja që mori, ishte: çdo Spartan është një tullë. Të gjithë sëbashku përbëjnë kështjellën… Kufijtë i mbajnë dhe i ruajnë njerëzit. Ato janë kalaja mbrojtëse e vendit.
Vên shqyptarët gur e kufi / Për me dijtë se kû âsht Shqipni, / Kû Serbi e kû Mal i Zi; / Çohet Shkjau e gurt i lot, / Thue ‘imend aj m’Shqypni âsht zot, / Duen Shqyptarët pûnën me kapë? / Ngrifet Shkjau pûnën me u a prapë, / E u a zjerrë tregun prej dore, / E u a mêrr gjaksit me ndore; / E i pabesë edhé mizuer, / Ftyren zymtë, sýnin terthuer, / Tjetër n’mend s’shkon tue perblue, / Veç Shqyptarët aj si me shue: / Si atê Zoti e pasët marrue, / N’tokë, e n’gja, e n’djalë, e n’grue: / Hangërt vedin, Zot, me dhamë! / Hik, moj Zânë, mos t’rrijm tue namë, / Pse kjo nama isht’ arma e t’ligut, / E s’i a trêmte sý’n anmikut, / Veç se e bate ajo me qeshë / N’mos me qeshë, po, me u ngerdheshë, / S’e mûn luftën, besa, nama, / As s’e mûn, jo, vaji e gjama, / Dokrrat tha tue përpushë n’hi; / Por nji zêmër plot trimní, / Por nji pushkë me barot t’zi, / Por dishiri për liri, / E nji besë e fortë çelikut, / Mos me u thye kjo m’ballë t’rrezikut, / Mos me u ligë n’sý t’metelikut: / Si e kan pasë besën Shqyptarët; / Qi s’lanë hasëm për pa çartë, / Kur kta, lidhë me besë të Zotit, / N’ ato kohët e Gjergj Kastriotit / Bijshin n’luftë për Atme e Fe, (Gjergj Fishta, “LAHUTA E MALCIS”, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, f. 232-233).
A mendojnë ndopak shqiptarët sot në vitin 2020 siç mendonte Elez Isufi më 1917, 100 vjet më parë për kufijtë e Shqipërisë Etnike dhe sigurimin e tyre apo e kanë mendjen vetëm si të shkojnë “tek Evropa”, a thue se ato janë në Hanë?

Bajram Curri në Peshkopi
dhe Lurë më 1924

Më 1924 Bajram Curri ka qenë në shtëpinë tonë. Baba im, Shehat Shehu, tregon Ruzhdiu, nga shehlerët e Peshkopisë, një burrë i urtë, në portretin e të cilit janë skalitur histori të pafund vuajtjesh, në atë kohë ishte kryetar i bashkisë së qytetit. Bajram Curri me 300 vetë, tregon z. Ruzhdiu ishte nisë për Tiranë. Kur të nesërmen kanë dalë nga shtëpia jonë, deri tek përroi i Tominit, forcat e tij i kanë mbajtë armët me grykë poshtë në shenjë nderimi për pritjen që iu është ba. Kjo, mbase edhe nga fakti se paria e Dibrës në shumicë ishin me forcat kundërshtare të revolucionit të qershorit, ishin me qeverinë dhe me Zogun, prandaj armët me grykat lart përmes territorit të Dibrës do të ishin një provokim dhe sfidë.
Që aty, Curri ka shkuar tek Elez Isufi. Halit Tollja (Peshkopi) e njeh mirë ardhjen e Bajram Currit në Peshkopi, thotë z. Ruzhdiu.
Në marshimin drejt Tiranës, në Lurë Bajram Currin e ka pritë Brahim Gjoçi, (më vonë oficer i Zogut, akademist,) i cili ishte në gjak me Menet e Lurës, bajraktarin e Lurës. Atëkohë Brahimi ishte shumë i varfër dhe Bajram Currin e ka pritë me harxhet e Menës, me të cilin ishin hasëm. Nuk mund t’i mbetej në derë Lurës turpi pa u pritë Bajram Curri siç e meritonte. Turpi do të binte edhe mbi bajraktarin. Miqtë e largët prej Gjakove nuk kishin pse ta dinin se Brahim Gjoçi ishte fukara dhe në gjak më bajraktarin me të cilin as nuk hynte e as nuk dilte. Por bajraktari e mori vesh se kush ka ardhur dhe i çoi harxhet e pritjes, megjithëse bënte pjesë në krahun politik kundërshtar. Ardhja e Currit kërkonte të mbaje qëndrim. Kur të largohej Bajram Begu, hasmëria le të mbetej si më parë.
I jati i Hakikut (Menës), bajraktari, para se ta linte këtë dynja, e la me gojë të vet që, kur ai të vdiste, morten e tij ta drejtonte Brahim Gjoçi. Ali Gjoçi është i biri i Brahimit, e mbyll bisedën e tij z. Ruzhdiu.

Brahim Gjoçi tek Ali Rizaj

Alush Stojku (dëshmori i Luftës Çlirimtare Antifashiste, i jati i Bajramit), ka qenë byrazer me Brahim Gjoçin. Gjatë Luftës kundër intervencionistëve jugosllavë më 1920 – 1921. Alushin e kapin forcat e kapiten Ali Rizajt (komandant i Batalionit Drini të formuar me rezervistë dhe vullnetarë dibranë) sepse dyshonin se kishte lidhje me serbët dhe kishin vendosur ta varnin në Lanë Lurë. Brahim Gjoçi i hyp kalit dhe niset me vrap rrufeje tek Ali Rizaj. Kur mbërriti atje, e thërret me zë të lartë që nga dera e shtëpisë ku ishte vendosur komandanti. Kapiten Ali Rizaj i thotë (e fton) të hyjë brenda, por Brahim Gjoçi i përgjigjet:
– Jo, unë nuk hyj brenda pa nxjerrë jashtë Alush Stojkun.
Trekëmbëshi ishte ngritur dhe litari ishte në voj. Çdo gjë ishte gati për ekzekutimin.
– Alush Stojku asht i yni, – i tha Brahimi Ali Rizajt dhe ky i fundit e liroi.

Kërkesat e Elez Isufit
anglezes Sibill Llojd

Në Shqipërinë e drobitur nga ndërhyrjet e huaja, situata politike më 1924 kishte shkuar në prag të shpërthimit. Shteti i ri endé i pakonsoliduar, ishte mbarsur me revolucion. Anglezët, që janë prezent në çdo vend ku luhet politikë, kishin dërguar misionarë politikë tek konaku i Elez Isufit në Sllovë.
– A do të marrësh pjesë në këtë fushatë të madhe për çështjen kombëtare (1920 – 1921) Elez Aga, – e ka pyetur anglezja Sibil Llojd. – Kjo luftë ka një qëllim të madh, – i ka thënë ajo.
– Unë jo vetëm dua dhe do të marr pjesë, por ama, për këtë punë duhen tre qese, – i është përgjigjur Elez Aga. – Po nuk pata këto, nuk bahet.
– Cilat janë ato Elez Aga?
– Një qese duhet të jetë me tru, një tjetër me pare (lekë) dhe një me zemër. Kjo don të thotë: program të qartë, mbështetje të sinqertë nga jashtë dhe vullnet politik, që shqiptarëve nuk u ka munguar.
(Marrë nga B. Xhafa, Peshkopi,
3 gusht 1995)