Destan Puca i Grykës së Madhe, prijës i vegjëlisë


Nga Zabit Lleshi

Në historinë e Dibrës, konkretisht në atë të Grykës së Madhe, Destan Puca është një protagonist i saj dhe zë një vend të veçantë. Veprimtaria e tij patriotike dhe atdhetare shtrihet në vitet 1890-1930. Bashkëkohës me Elez Isufin, Mersim Demën, Dan Camin, Sheh Sulën, Jakup Canin, Sulë Hupin, Dalip Karajin, Mehmet Duriçin, Liman Alliun etj, të cilët kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në luftën kundër Perandorisë Osmane, për pavarësinë e Shqipërisë, mbrojtjen e saj nga shovinistët serbë e bullgarë, austriak si dhe në atë për demokratizimin e jetës së vendit 1921-1924.
Origjina e hershme e familjes Puca është nga Pusi i Thatë i Hasit të Malsisë së Gjakovës. Në gjysmën e parë të shekullit XVIII, ata lanë vendlindjen dhe erdhën në fshatin Venisht të Sllovës. Ishin tre vëllezër, njeri prej tyre Hyseni, në marrëveshje me dy të tjerët la Venishtin dhe erdhi në Godvi të Grykës së Madhe-1).
Vendasit i pritën me ngrohtësi dhe u krijuan një mjedis miqësor. Hyseni i vjetër trashëgoi Fejzën, Fejza-Salën, Sala-Hysenin, Hyseni-Destanin dhe Mehmetin. Në traditën e saj kjo familje njihej si punëtore e me shpirt atdhetar. Për fat të mirë, këtë e trashëgoi nga brezi në brez në vendbanimin e ri. U shqua në mënyrë të veçantë Destani.
Lindi më 1870. Në fëmijëri u dallua ndër moshatarët për zgjuarsi natyrale. Në odat e Grykës së Madhe vinin të freskëta episodet e luftës kundër Hajredin Pashës, të Fejzë Bulqizës, Lam Dacit. Ishin dëshmitarët e gjallë të atyre luftërave që përcillnin tek brezi i ri heroizmin e Grykës së Madhe, Bulqizës dhe Dibrës, kundër Perandorisë Osmane.
Destani e rriti dashurinë për atdheun, por më shumë iu shtua urrejtja kundër ushtrisë turke, që hasej në fshat për të mbledhur taksa, nizamë, armë etj.
Lufta për mbrojtjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kishte lënë gjurmë të thella në ndërgjegjen e patriotit të ardhshëm. Shije mjaft të hidhur i kishin lënë ndjekja, vrasja, burgosja e veprimtarëve të Lidhjes së nga ana e autoriteteve turke, prandaj ndonëse në një moshë të re mori rrugën e mërgimit. Gryka e Madhe mërgonte kryesisht në Stamboll. Babai i Destanit, Hyseni ishte njeri prej tyre, ndërsa Mehmeti, i vëllai, emigroi dhe nuk u kthye më në vendlindje.
Kontakti me patriotët shqiptarë në Stamboll, ndërmjet tyre edhe dibranë, u bënë një frymëzim për Destan Pucën. Lëvizjen patriotike të Rilindjes e përcillte në vendlindje sa herë që vinte për t’u çmallur me familjen e bashkëmoshatarët.
Në Dibër lufta për mbrojtjen dhe zbatimi i programit kishin dhënë rezultate si bashkimi i luftëtarëve rreth Lidhjes, vetëqeverisja, bashkëveprimi midis krahinave mbarëshqiptare etj: Shpërndarja e saj u bë një mësim i madh. Për këtë u gjallëruan lëvizjet kaçake. Ato vërtet e kishin origjinën para Lidhjes, por luftën kundër perandorisë Osmane filluan ta përshtatin disa formave të reja, siç ishin marrja peng e klerikëve të lartë, grabitja e karvaneve ushtarake sidomos atyre që furnizonin ushtrinë, sulmi i stacioneve të xhandarmërisë etj.
Lëvizja kaçake në Dibër zhvillohej në kuadrin e Lëvizjes Kombëtare 2). Në komandë të çetave ishin prijës popullor, kundërshtarë të regjimit osman. Ata morën përsipër të mbronin vegjëlinë, pronat, familjet nga detyrimet e taksave, detyrimin ushtarak etj.
Destan Puca më 1896 takoi në Stamboll Dervish Himën. Tashmë ai kishte fituar pjekurinë e një atdhetari. Kish ardhur koha që t’i përkushtohej çështjes kombëtare dhe nuk u shkëput asnjëherë prej saj. Ai kishte grumbulluar rreth vetes një masë të konsiderueshme luftëtarësh vullnetarë ku herë veç e herë bashkarisht me çetat e tjera vepronin në mbarë Dibrën.
Një lëvizje e tillë u organizua në Grykën e Madhe kundër rekrutimit të ushtarëve për luftën e Jemenit më 1898. Autoritetet ushtarake turke sulmuan Grykën e Madhe dhe konkretisht Sofraçanin si porta hyrëse e Valkalisë për të dalë në Qafë të Buallit. Rezistenca e Grykës së Madhe dhe Bulqizës u kthye në një pengesë serioze, prandaj dërguan ushtri për kapjen e “rebelëve”. Përplasja u bë në Zall të Shupenzës siç e tregon edhe kënga popullore-3)
“Në Zall të Shupenzës, në një va,
Bimbasht’ e turkut i kanë vra.
Jakupi dhe Sula fira,
Bashkë me Sulën është Destani,
për vatan luftojnë te shkami. . . . “
Sipas këngës prijësit popullor Destan Puca, Jakup Sofraçani, Sulë Hupi ishin në krye të luftës kundër fushatave ndëshkuese të pashallarëve turq ndaj patriotëve që luftonin për vatan, nder, dinjitet e prosperitet.
Besëlidhja e Dibrës më 1899 i dha një hov të ri lëvizjes antiosmane në Dibër, u rritën kërkesat ndaj perandorisë siç ishin ato për autonominë e Shqipërisë nën mbikëqyrjen e Sulltanit, bashkimi i trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm, administratë me nëpunës shqiptarë, hapjen e shkollave shqipe, mbrojtjen me çdo kusht të trojeve shqiptare etj. 4)
Qëndrim aktiv Destan Puca mbajti ndaj bandave serbo-bullgare, duke mbështetur patriotët e Dibrës së Madhe Sefedin Pustina, Bilal Ballanca, Tahir Tola etj.
Më 1905 u krijua Komiteti i fshehtë i Manastirit për lirinë e Shqipërisë, i cili dha udhëzime për organizmin e forcave të fshehta nëpër katunde, si ndihmë e çetave të armatosura, për t’u mbrojtur nga ndjekjet e autoriteteve civile dhe ushtarake turke.
Numri i çetave erdhi duke u shtuar. Çetave të armatosura të Destan Pucës, Sheh Sulës, Mersim Demës që mbanin të shkruar në qylaf “ja shahit, ja gazi”(vdekje ose fitim), iu shtuan edhe ato të Jakup Canit, Liman Alliut, Dan Camit, Hoxhë Moglicës, Kurt Ballës, Hysen Destanit etj.
Në ditët e para të marsit 1909 sulmohet kulla e Hazis Xhekës në Gjoricë me 400 ushtarë nën komandën e Can Aliut. Malet e Dibrës u mblodhën tek varret e Shupenzës dhe vendosën të hyjnë në luftë me turqit për mbrojtjen e Hazizit-5).
Destan Puca dhe Jakup Sofraçani morën pjesë në mbështetje të forcave të Mersim Demës në frontin mbrojtës Ura e Çerenecit-Viçisht, duke ruajtur me kujdes kodrat e Shupenzës dhe Sofraçanin, portën hyrëse të Grykës së madhe.
Në Kuvendin e Dheut, në Gropat e Ukut, çetat vullnetare të Grykës së Vogël, të Grykës së madhe, të Bulqizës, malësorë nga e gjithë Dibra u mblodhën në ditët e para të majit 1912 dhe i shtruan disa kërkesa Portës së lartë në Stamboll. Ajo lëvizje njihet në historinë e Shqipërisë si” Lëvizja e plugut”.
E tronditur nga themelet Qeveria turke u detyrua të tërhiqte nga Nëntë Malet e Dibrës gjithë ushtrinë e oficerët duke lënë disa karakolle në pika strategjike , të vendosura në kohën e Turgut Pashës(1910) në Reç, Arras, Homesh, Ostren, Valikardhë.
Destan Puca, Haxhi Karaj, Osman Zeneli në qershor 1912 sulmuan në Valikardhë postën e xhandarmërisë-6), duke larguar ushtarët e oficerët turq, morën paisjet, armatimet dhe ua shpërndanë luftëtarëve të çetave. Ishin ushtarët e fundit turq që u larguan dhe nuk u kthyen më në teritoret e Dibrës.
Lufta ballkanike përshiu gjithë vendin tonë. Serbia, Mali i Zi, Bullgaria, Greqia kishin shprehur interesa për t’i ndarë mes tyre tokat shqiptare. Patriotët dibranë u mblodhën herë në Gjurrën e Mazhicës, herë tek Ferra e Pashës (Dibër të Poshtme), u betuan për luftë, bashkëveprim, mobilizim të të gjithë popullsisë, falje të gjaqeve. Destan Puca erdhi përkrah Elez Isufit në ndihmë të Lumës-7).
Në betejën e Kolesjanit 14-17 nëntor 1912, luftëtarët e Grykës Madhe bashkë me vëllezërit lumjanë shënuan një histori suksesi kundër serbëve. heroizmi i tyre i kishte kaluar kufijtë lokal duke i bërë një shërbim të çmuar çështjes kombëtare.
I shoqëruar nga Shaban Duriçi, Destan Puca udhëtoi për në Vlorë në ditët e shpalljes së pavarësisë duke marrë prej atje jo vetëm kujtimet mbresëlënëse të asaj ngjarje madhore për kombin siç ishte pavarësia por edhe flamurin për ta valëvitur në Grykën e Madhe. Gëzimi i madh për pavarësinë u kthye në dëshpërim. Kur erdhën në vendlindje trupat serbe kishin pushtuar Dibrën. Ata kishin mësyer për të zënë kufirin strategjik Steblevë-Qafë Buall-QafëMurrë-Lan-Lurë-Qafë Gëlqere-Ura e Dodës Reç.
Pushtuesi i vjetër shekullor u zëvendësua me një pushtues të ri, më i egër e më barbar. Prapë Destan Pucën , vegjëlia e zgjodhën prijës, komandant , i besoi ruajtjen e pavarësisë, lirinë, të ardhmen.
Në shtator 1913 Destan Puca do të merrte pjesë në luftë për çlirimin e Peshkopisë dhe Dibrës së Madhe, një fitore e rëndësishme por e përkohshme sepse siç dihet Serbia i ripushtoi në saj të forcave të mëdha ushtarake në njerëz e teknikë luftarake.
Me bashkëvendasit e tij Hajredin Shehu, Ramiz Alliu, Riza Shehu, Sadik Kamberi, mbështeti me forcë përpjekjet e Sheh Sulës për funksionimin e shkollës shqipe në Zerqan. Ramiz Daci më 1915 organizoi një kurs për mësimin e gjuhës shqipe me disa të rinj nga Gryka e Madhe e pjesëtarë të familjes Puca-8).
Një dritë jeshile u shfaq pas pushtimit austriak. Në vitin 1916-1917 u rihap shkolla në Zerqan dhe një shkollë në Sopot. Erdhën mësuesit Riza Shehu, Ramiz Alliu e Osman Moglica.
Më 1918 Destan Pucën e gjejmë të angazhuar në luftën për mbrojtjen e Martaneshit kundër serbëve, në mbështetje të patriotit Ali Llanit, por edhe në Fushë-Bulqizë tek kulla e Shabës në Dragu me Mehmet Duriçin, gjithnjë kundra ushtrisë serbe.
Ardhja në Arras e administratës së Prefekturës së Dibrës, në ditët e para të muajit gusht 1920 ishte një shpresë për patriotët dibranë, prandaj Destan Puca me Jakup Canin nuk vonuan me luftëtarët e tyre vullnetarë.
Destan Puca u zgjodh në Shtabin e Luftës të kryengritjes kundër serbe bashkë me Ramiz Dibrën, Ramiz Dacin, Ismail Strazimirin, Isuf Xhelilin, Jashar Erebarën, Riza Lushën etj. Çetat vullnetare u vunë nën komandën e Elez Isufit(komandant i përgjithshëm). Gjithashtu Destan Puca mori detyrë të mbrojë bashkë me çetat e Grykës Madhe frontin Ura e Çerenecit-Viçisht. Çetat vullnetare të Tërnovës, Bulqizës e Sopotit të udhëhequra nga Osman Zeneli, Mehmet Duriçi e Destan Puca u shkaktuan humbje të mëdha forcave serbe në Vorre të Vrame në shtator 1920-9).
Viti 1921 do të shënonte fitoren përfundimtare të luftëtarëve dibranë kundër ushtrive serbe në Lanë-Lurë. Në muajt gusht-tetor 1921 Destan Puca nuk u shkëput nga Elez Isufi në betejat e Gropës Gëlqeres dhe Lan-Lurës, që shënojnë fitoren e madhe përfundimtare të luftëtarëve dibranë kundër pushtimit serb. Nëntë vjet luftë, lodhje, sakrifica. Krahas maleve të tjerë të Dibrës, Gryka e Madhe luftoi me nder e dinjitet për mbrojtjen e çështjes kombëtare. Destan Puca mori pjesë në lëvizjen e marsit 1922 për përmbysjen e një qeverie çifligare dhe hapjes së rrugës të një demokracie borgjeze e përparimtare. Tashmë ai kishte grumbulluar një përvojë të gjatë në luftën për liri e pavarësi, demokraci e përparim. Vazhdimisht për rreth tij grumbulloheshin luftëtarë vullnetarë, dashamirës, bashkëfshatarë, kryesisht nga vegjëlia e Grykës së Madhe e Bulqiza. Në kohë paqe ata punonin pranë familjeve të tyre, një pjesë në emigracion. Me thirrjen për luftë mblidheshin me armë e pa armë. U miqësua me Elez Isufin, Ramiz Dacin, Mersim Demën, Jakup Canin, Mehmet Duriçin. Bashkë i ndanë fitoret por edhe humbjet, asnjëherë nuk i shkëputën lidhjet me popullin e thjeshtë e luftëtarët trima dibranë.
Në bashkëpunim me Riza Shehun si kryetar i shoqërisë “Bashkimi”, për nënprefekturën e Zerqanit, Vahid Kurmakun, Osman Moglicën, Jakup Canin, Dan Alliun, Sali Metën, Ali Gurrën, Ramiz Alliun, Sadik Kamberin etj, organizuan gjithë Grykën e Madhe në rivarrimin e Ramiz Dacit, në Maqellarë më 27 nëntor 1924.
Pas revolucionit të vitit 1924, Destan Puca nuk e ndërpreu veprimtarinë e tij në dobi të fshatit, Grykës së Madhe, nën/prefekturës së Zerqanit për ruajtjen e rendit e qetësisë, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve etj. Mbështeti deputetin e parlamentit shqiptar Dine Dema për hapjen e shkollave, veçanërisht për hapjen dhe funksionimin e Internatit të Homeshit. Si gjithnjë edhe pse në moshë të vjetër fshati e zgjidhte përfaqësues të tij, kryeplak.
Në vitin 1922 familja e Destan Pucës erdhi në fshatin Zall-Sopot. Ajo u bë një familje e madhe me shumë meshkuj e burra luftëtarë.
Familja Puca ka dhënë bukë e ka strehuar udhëtarë, muhaxhirë, qiraxhinj, tregtar e hallexhinj. Ashtu si Sheh Sula, Salë Zeneli në Valikardhë, Lam Hysa në Peladhi, Bajram Zeneli Tërbnovë, Jakup Cani në Sofraçan, u dallua për besë, trimëri e bujari.
Më 6 maj 1931 Destan Puca u nda nga jeta duke lënë prapa një trashëgimi të mirëfilltë atdhetare, në dobi të Atdheut. Figura e Destan Pucës i kalon kufijtë e Dibrës dhe më gjerë. Është për të ardhur keq që institucionet tona i kanë lënë në harresë disa figura që meritojnë të vlerësohen sipas meritave dhe kontributeve. Duke harruar të kaluarën nuk mund të ndërtojmë të ardhmen.

Referenca:
1-Shaqir Skarra, “Venishti, kurora ma e bukur e Ujemujës”. Tiranë 2019, faqe 62.
2-Mois Murra, “Historia e Dibrës, nga antikiteti në monarki”, Tiranë 2017, faqe 263.
3-Zabit Lleshi, “Jakup Cani i Sofraçanit” Tiranë 2017, faqe 39.
4-Kristo Frasheri, “Historia e Dibrës”. Tiranë 2012
5-Aqif Lleshi “Kujtime të veteranëve”, vjelë nga autori, 1980.
6- Kristo Frashëri, “Historia e Dibrës” Tiranë 2012, faqe 330.
7-Mois Murra, “Ushtima e maleve” 18 shtator 1982.
8-Destan Rama, “Zerqani, vatra e dijes”, faqe 113.
9-Mois Murra, “Ushtima e maleve” 18 shtator 1982.