Hoxhë Kalla


Nga Shaqir Skarra

Edhe në ato vite kur veprimtaria e tij arriti kulmin e sot që ka më shumë se 80 vjet që ka vdekur, gjithmonë në popull është njohur si Hoxhë Kalla. Shumë pak e dinë emrin e tij të vërtetë. Emri i tij tek ne si nëpërmjet legjendës. Ai ishte dhe mbeti Hoxhë Kalla. Kanë shkruar për të shumë në Dibër si: Ismail Strazimi, Haki Stërmilli, Xhafer Martini, por përciptazi me emrin e njohur në popull si Hoxhë Kalla. Kanë shkruar dhe vizitor të ndryshëm, që vinin në familjen e Elez Isufit, e kanë përmendur në kujtimet e tyre Hoxhë Kallën për ndihmën dhe kontributin që dha në fushën e arsimit në Ujemujë.
Po kush ishte Hoxhë Kalla? Ku e kur kishte lindur? Si e kishte emrin e vërtetë? Ku ishte arsimuar? Kur dhe ku vdiq?
Hoxhë Kalla ishte njëri ndër dy djemtë e Ali Gjokës nga Kalla. Kishte lindur më 27 shkurt 1870 në fshatin Kallë të Ujemujës dhe quhej Selam. Vëlla kishte Qazim Gjokën.
Në moshën 6 vjeçare së bashku me babanë e tij i ra shorti të emigronte në Stamboll. Në ato vite jo vetëm Stambolli, por në shumë vise turke kishin shkuar për punë mjaft emigrantë shqiptarë, por që djemtë e rinj dhe vizionarë edhe mund të arsimoheshin në Turqi.
Nën kujdesin e të atit, pasi kryen shkollën e nivelit të ulët dhe të mesëm, arsimohet në nivelin e lartë të shkollimit turk. Sipas gojëdhënave ka mbaruar në “Robert Kolegj” të Stambollit, por të dhënat e fundit nga nipërit e Qazimit (vëllai i Selamit, që banojnë në Stamboll), tregojnë që ka mbaruar Universitetin “Hoxha Tasim”. Në atë kohë shkollimi turk kishte, veç profilit civil, edhe atë ushtarak. Ai studioi për teologji si degë civile dhe për ushtarak. Gjithmonë sipas gojëdhënave (pasi nuk kemi asnjë dokument), niveli i tij i intelektit kish qenë shumë i lartë dhe ai u diplomua në të dy fushat.
Selàmi, pasi përfundoi studimet në Stamboll, provimet e fundit përmbylleshin me një kryeprovim (provim shteti), i cili kishte kryesisht lëndën ushtarake e politike të të gjitha viteve të studimit. Ky provim do të jepej në Ankara. Këtë provim do të jepnin ata studentë të cilët kishin zgjedhur të punonin në administratën shtetërore. Selàmi ishte ndër këta të përzgjedhur. Kryetar i komisionit të provimit ishte gjeneral Turguti (Turgut Pasha). Provimi ishte shumë i rëndësishëm dhe për Selàmin përgatitja për këtë provim kishte qenë shumë e mirë. Përgjigjet e tij jo vetëm ishin shumë të sakta, por komisionit i ra në sy elokuenca e tij dhe mprehtësia e artikulimit.
Kjo i kishte tërhequr vëmendjen gjeneralit turk, i cili ishte interesuar për të dhe ju kish kërkuar anëtarëve të komisionit, të cilët ishin pedagogët e tij, t’i sillnin një CV (Curiculum Vitae) ose siç e quajmë ne karakteristikë gjithëpërfshirëse të viteve të tij të studimit. Pak para se të dilte nga salla e provimit, Selàmi sëmuret rëndë dhe detyrohen ta dërgojnë me urgjencë në spital.
Kjo ngjarje e bën Turgut Pashën të interesohej se si kishin rrjedhur ngjarjet me këtë student. Selàmi, pasi bëhet mirë del nga spitali dhe kthehet në Stamboll. Përgatitet dhe jep disa provime pasuniversitare dhe para një komisioni të lartë shtetëror laureohet me gradë shkencore në teologji (ekuivalente me doktor i shkencave).
Turgut Pasha informohet se studenti Selàm Arnauti (shqiptari, pasi kështu thirrej atje), ishte emëruar si nënprefekt në një qytet në kufi me Irakun. Më vonë, përsëri nga interesimi i tij, ai mëson se ishte kthyer në Shqipëri dhe se sipas një telegrami, thuhej se kishte vdekur.
Pas provimeve, në moshën 25 vjeçare, në bazë të rregullave të shtetit turk, ai duhet të zgjidhte njërën nga diplomat për të punuar dhe i ofrohet si ushtarak punë në një qytet në lindje të Turqisë në kufi me Irakun, ose si hoxhë në njërën ndër xhamitë e Stambollit. Ai pranoi të punojë në administratën shtetërore dhe u emërua me punë si nënprefekt.
Babai i tij Aliu vdiq kur ai kishte filluar studimet e larta. U varros në Stamboll. Para vdekjes së tij i lë porosi Selamit që të shkojë në Shqipëri e të marrë nënën dhe të vëllanë Qazimin. Qazimi mbërriti vetë në Stamboll pak pas vdekjes së Aliut. Për të çuar në vend porosinë e të atit, ai merr leje 2 mujore për të ardhur në Shqipëri, Sllovë, në fshatin Kallë, ku kishte nënën, Naslien, për ta parë dhe për ta marrë me vete.
Udhëtimi më i shpejtë në ato kohëra ishte udhëtimi me tren nga Stambolli në Selanik. Me këtë tren ai mbërrin në Selanik, i shoqëruar nga bashkatdhetarë nga zona e Kalasë së Dodës. Nga Selaniku nisen me karvanë duke udhëtuar përmes Maqedonisë së sotme, dalin në Hanin e Elezit dhe prapa malit të Korabit, ku ishte rrugëkalimi i zonës së Kalasë së Dodës për në Shkup. Natën e fundit të udhëtimit ai qëndron në shtëpinë e Maliq Dakut në fshatin Çernjevë të Kalasë së Dodës. Të nesërmen e përcjellin për në Kallë. I veshur me rroba ushtarake si oficer turk, në hyrje të fshatit disa burra i zënë pritë. Pas shumë debatesh në mosmarrëveshje nga mosnjohja e gjuhës, arrin që t’ju thotë pritvënësve se jam djali i Aliut.
Pritvënësit e shoqërojnë dhe e çojnë në shtëpi. E ëma, Naslia, nuk arrinte të besonte se ishte i biri. Nga lodhja e dëshpërimi iu deshën disa ditë të marrë veten.
Ngjitur me shtëpinë e tij ishte shtëpia e kushëririt të tij Mulla Dalipi ose Dalip Xhoka, i cili kishte njohuri të gjuhës turke. Mulla Dalipi shquhej për maturi e pjekuri dhe prezenca e tij në marrëdhëniet me Selàmin u shndërruan në një domosdoshmëri për përshtatjen në mjedisin e ri në të cilin ai u ndesh. Nëpërmjet tij ai mësoi gjuhën shqipe.
Leja e qëndrimit të tij ishte për 60 ditë dhe sipas planit Qazimi, i vëllai i tij më i vogël, do t’i dërgonte biletën e kthimit me anije. Rreth vitit 1893-‘95, Qazimi, vëllai i tij, pas ndarjes që pati me të shoqen dhe për t’ju larguar hasmërisë me njerëzit e ish gruas nga Trojaku, fisi i Çere, largohet për në Turqi dhe vendoset te vëllai i tij Selàmi. Asokohe mënyra më komode dhe ndoshta e vetmja (veç karvaneve) ishte ajo me anije. Kaluan 60 ditët dhe njoftim për biletën e anijes nuk kishte. Një gjë e tillë e zemëroi pa masë.
Mënyra e qeverisjes në atë kohë në Shqipëri bëhej me anë të bajraqeve. Zona e Sllovës, që në atë kohe quhej “Ujë e në ujë” (bëhet fjalë për të gjithë zonën që fillon nga përroi i Kapçit, bjeshka e Gramës deri në Dri nga ana lindore, nga përroi i Veleshicës që rrjedh nga Korabi deri në Drin në anën veriperëndimore. E gjitha kjo zonë komandohej nga Elez Isufi ose Elez Ndreu. Ky ishte një komandant civil, por me influencë si në zonë e më gjerë dhe në administratën turke. Për të qenë më i saktë, ndikimi i tij shtrihej edhe më gjerë se në zonën e Sllovës, konkretisht edhe në Zall Dardhë e në Reç, ku nga kjo e fundit kishte dhe origjinën para ardhjes në Lisivalle – Sllovë.
Nuk u deshën shumë kohë dhe Selàmi ra në sy për nivelin e tij intelektual, për njohuritë e thella të marra nga arsimimi i tij në Stamboll dhe për rrjedhshmërinë e përdorimit të arabishtes, persishtes dhe turqishtes, që i zotëronte aq mirë. Këto karakteristika të tij i ranë menjëherë në sy Elez Isufit, i cili, i shtytur edhe nga shumë njerëz rreth tij, vendosi që ta mbajë pranë vetes. Këtë ai vendosi ta realizojë në fshehtësi. Ajo që ne sot quajmë telekomunikacion, asokohe bëhej me korrier. Ata emëroheshin e paguheshin nga autoriteti lokal. Kështu, në krye të dy muajve, sipas asaj që kishin vendosur dy vëllezërit, Qazimi i kishte prerë biletën për udhëtim me anije Durrës-Stamboll dhe njëherësh i nis telegramin që në datën e caktuar e kish biletën e prerë. Telegrami i ardhur kalon në dorë të Elez Isufit (Ndreut), i cili e gris atë dhe nuk i tregon.
Edhe dy herë të tjera Qazimi i dërgon telegram e biletë, por nga ana e Elezit telegramet grisen. Në të njëjtën kohë nga qendra e punës ku ai duhet të fillonte punë, i kërkohet komandës ushtarake të korpusit të Shkupit që të mundësojë kthimin e Selamit në detyrë.
Krahas kësaj i dërgojnë edhe telegram Selamit, ku i kërkohej të paraqitej në detyrë. Këtij telegrami Elez Isufi i përgjigjet duke u thënë se Selàmi kishte vdekur. Vlen të përmendet një fakt që ka të bëjë me këtë. Me porosi nga Stambolli, Turgut Pasha nis një ditë një togë ushtarësh nga ky korpus me shërbim për në bajrakun e Sllovës. Veç të tjerash, kësaj toge i jepet detyrë për të kërkuar dhe takuar Mulla Selàmin dhe për të mësuar arsyen e moskthimit të tij në detyrë. Pasi arrin në Sllovë, komandanti i togës kërkon dhe takohet me Elez Isufin.
Pak kohë më parë, Elezi i kishte dërguar një letër komandantit të korpusit turk në Shkup, ku komandant kishte ardhur Turgut Pasha. Në këtë letër ankohej për disa mosmarrëveshje me disa personalitete të tjera në zonë. Këtë letër e kishte shkruar në turqisht Mulla Selàmi. Turgut Pashës i tërheq vëmendjen shkrimi dhe konceptimi i një niveli të lartë i kësaj letre dhe bindet se kjo letër ishte shkruar nga Mulla Selàmi, ish nxënësit të tij. Kur i jep porosi komandantit të togës, i kërkon njëkohësisht që ta takojë personalisht Mulla Selàmin, pasi kjo letër është shkruar prej tij dhe kjo do të thotë se ai punon me Elez Isufin. Komandanti i togës, duke pasur një farë dyshimi se si mund ta njohë Turgut Pasha shkrimin e Mulla Selamit, ia bën këtë pyetje pashait:
-Pasha, pse jeni i bindur se këtë letër e ka shkruar Mulla Selàmi?
-Vetëm sheh Prizreni (Ymer Prizreni) dhe Mulla Selàmi e kanë përdorur kështu turqishten dhe asnjë tjetër, – i përgjigjet pashai. – Pastaj, mos harro, se nga ky bajrak vetëm ai ka studiuar në universitetin e Stambollit.
Me të mbërritur në Sllovë komandanti kërkon takim me Elez Isufin dhe diskutojnë rreth problemit për të cilin kishin marrë porosi. Pas këtij momenti, komandanti i togës i kërkon Elezit të thërrasë Mulla Selamin, pasi ishte i porositur nga Turgut Pasha. Elezi i thotë se kjo është e pamundur, pasi Mulla Selàmi ka vdekur. Komandanti i togës kundërshton dhe thotë që nuk mund të ketë vdekur, pasi kjo letër që i ke dërguar pashait është shkruar prej tij, sepse vetë pashai më ka thënë se vetëm dy veta mund të shkruanin kështu turqisht, Mulla Selami dhe Sheh Prizreni. Kjo thënie i erdhi menjëherë në ndihmë Elez Isufit dhe thotë se këtë letër e ka shkruar Imer Prizreni.
Mulla Selàmi mbeti në Kallë. Me këmbënguljen e nënës, Naslies, ai detyrohet të martohet në vitin 1906 me Alijen, e cila ishte nga fshati Bushtricë në lagjen Gërboll dhe ishte e motra e Ibrahim Kovaçit. Ibrahimi vritet në luftë me serbët në vitin 1917 dhe nuk la fëmijë. Ndërkohë, Selàmi kryente detyrën e sekretarit pranë Elez Isufit. Në vitin 1908 ndodh një ngjarje e papritur për Selàmin. Zona e Sllovës ishte një zonë disi e thellë. Ndikimi i korpusit turk që ishte i vendosur në Shkup me komandant Turgut Pashën e kishte humbur dita-ditës ndikimin në zonë. Po kështu, lëvizjet patriotike kishin sjellë ndikim në një fare autonomie. Një gjë e tillë nuk i interesonte Portës së Lartë (kështu quhej në popull Sulltanati në Stamboll). Një vit më parë, në vitin 1907 në krye të korpusit turk në Shkup kishte ardhur Turgut Pasha (gjeneral Turguti). Për të vendosur autoritetin e Sulltanit ai ndërmerr një inkursion në të gjithë Vilajetin e Shkupit, ku dhe Dibra, Sllova bënin pjesë. Gjenerali me disa taborë (njësi ushtarake) vendoset në kodër të Kaushit (kodër mbi Trojak) dhe i dërgon fjalë Elez Isufit të paraqitet për bisedime. Elezi, duke e njohur mirë fuqinë ushtarake të Turgut Pashës, vendosi të shkojë për bisedime dhe të mos i kundërvihet. Si përkthyes merr sekretarin e tij, që në këtë rast ish Mulla Selàmi (tashmë në zonë kështu e thërrisnin) dhe paraqiten në çadrën e fushimit që kishte ngritur Turgut Pasha. Sapo Elezi dhe Selàmi u futën në çadër, ky i fundit, Selàmi, njohu gjeneralin turk, por e përmblodhi veten, pasi bisedimet do të ishin të tendosura. Me Turgut Pashën tani duhej të ballafaqohej në të tjera rrethana dhe ku pashai turk në këto bisedime përfaqësonte Sulltanin dhe fuqinë e tij ushtarake. Ai ishte Komandanti i Korpusit për Ballkanin. Në të tilla rrethana nisën bisedimet. Elez Isufi në përgjithësi shquhej për mprehtësi dhe maturi, por në këtë rast, situata ishte tepër e koklavitur, pasi ai kishte dalë shumë herë kundra vendimeve të Portës së Lartë dhe duhej të paraqitej me një diplomaci të hollë.
Bisedimet ecën në një rrjedhë normale deri në momentin kur Elezi shfaqi kundërshti e mosbindje në disa kërkesa të pashait. Kjo e detyroi pashain t’i kujtojë Elezit se ai ishte arratisur nga ushtria në vitin 1880 dhe qëndrimet e tij kishin qenë kohët e fundit kundra Portës së Lartë. Elezi ndihet keq dhe tenton të ngrihet e të largohet nga bisedimet. Ky veprim ishte tej mase i pamatur nga Elezi, pasi çadra ishte e rrethuar nga ushtarët turq. Falë njohjes shumë të mirë të gjuhës turke nga Selàmi, ky i fundit kishte kapur bisedat e shkëputura që bëheshin rreth çadrës se, me të dalë nga çadra, Elezi do të arrestohej.
Në momentin që Elezi tenton të ngrihet, ndërhyn Selàmi, ku, me një shenjë tipike të zonës, i dikton Elezit që të ulej. Ndërkohë Selàmi nis bisedën me pashain turk dhe i kërkon të shpjegojë pse Porta e Lartë kishte dy standarde në politikën e saj të jashtme dhe pse ajo nuk i njeh meritat e shqiptarëve për kontributin e madh të dhënë si në luftë, ashtu dhe në qeverisjen e Turqisë, duke i kujtuar atij se jo vetëm gjeneralë shqiptarë, por edhe vezirë (ministra) shqiptarë kanë kontribuar në perandorinë turke. Këto pyetje e tërhoqën pashain në debat, i cili mori përmasa të tilla, ku të dy bashkëbiseduesit (si pashai dhe Mulla Selàmi) po diskutonin me argumente të forta.
Njohja e thellë e politikës turke dhe elokuenca e mprehtësia e mendimeve dhe rrjedhshmëria e të folurit të turqishtes e bënë pashain turk të ndërpriste bisedën dhe t’i drejtohej bashkëfolësit (Mulla Selàmit):
– Kush jeni ju, që e njihni kaq mirë politikën e Portës së Lartë dhe që flisni turqishten si në mes të Stambollit?
Autoriteti i pashait ishte i lartë, po kështu dhe konsiderata që kishte krijuar Selàmi për të gjatë kohës si student, ishte po ashtu e lartë. Në këto rrethana, Selàmi nuk mund të mos i thoshte atij se kush ishte. Kështu ai i thotë pashait se kush ishte dhe ku kishte studiuar. Me gjithë autoritetin e tij që kishte si ushtarak, për momentin pashai shtanget dhe i thotë se ju jeni ai studenti i shkëlqyer, por që u sëmurët në sallën e provimit në Ankara? Selàmi pohon me kokë.
– Përse nuk u kthyet në detyrë pas përfundimit të pushimeve, – e pyet pashai?
– Unë prisja të vinte bileta nga im vëlla, – i përgjigjet Selàmi, – por ajo biletë nuk erdhi kurrë.
– Nuk di si është puna e biletës, – ndërhyn pashai, – por unë di se nga këtu ka ardhur një telegram, ku për juve thuhej se kishit vdekur. Ka qenë kjo dëshira e juaj për të mos ardhur apo ndonjë kurthi i kësaj ane?
– Në këtë kohë, një lëvizje e pakontrolluar e tradhtoi Elezin dhe, kur u panë sy në sy me Selàmin, fytyra e tij, që në përgjithësi nuk kish ngjyrë, u bë flakë e kuqe.
– Pabesi të madhe ke bërë zotni Elez, – i thotë Selàmi, – më paske prerë në besë dhe më ke marrë në qafë, por aq shumë sa unë besoj në perëndi, aq i madh qoftë ndëshkimi për ty.
I keqardhur nga sa mësoi pashai nga kjo bisedë, i kërkon Selàmit të kthehet në Stamboll.
-Tashmë është vonë për mua pasha, – i thotë Selàmi, – nuk mund ta lë nënën në gjendjen që është.
– Për respektin që kam pasur dhe kam për ju, taboret turke do të largohen që këtu dhe ju do të vazhdoni të mbeteni një zonë me një farë autonomie nga Porta e Lartë dhe, nëse ndërroni mendje, ju ish studenti im, mund të ktheheni në Stamboll dhe do të keni mbështetjen time – thotë pashai duke u ngritur e duke dalë nga çadra.
Kështu përfunduan bisedimet. Elez Isufi shpëtoi nga arrestimi. Elezi e Mulla Selami morën rrugën e kthimit dhe gjatë gjithë rrugës nga Kaushi deri ku ndahet rruga, asnjëri nuk hapi gojë. I mërzitur dhe i dërmuar shpirtërisht nga pabesia e bërë nga ana e Elez Isufit ndaj tij, Selàmi kthehet në shtëpi dhe vetëm nesër në mëngjes pi një kafe dhe i shkon në shtëpi dhe i kërkon shpjegim Elezit.
-Në Stamboll ka shumë si ti Hoxhë efendi, – i thotë Elezi, – këtu të kemi vetëm ty. Na duhesh këtu. Shumë burra ka kjo zonë dhe i ka trima, por të shkolluar si ti nuk kemi. Unë të bëra të vdekur, por vetëm për turqit ama, se ne të kemi si kokrra e mollës. Falë njohjes tënde Hoxhë efendi, pashai turk u largua dhe nuk qe nevoja të bënim pushkë me të.
– Nuk bëjnë fajde më këto fjalë zotni Elez, – i përgjigjet Selàmi. – Me gjithë mend unë frymën e kam gjallë, por duke filluar nga sot, unë për ty i vdekur jam.
Ngrihet e largohet përfundimisht nga ajo shtëpi dhe nuk shkeli më kurrë atje.
Gjatë viteve që punoi me Elezin Hoxha i kërkon disa herë që të mundësojë hapjen e shkollës. Kjo i kishte pëlqyer Elezit dhe me 1909 e bën të mundur këtë gjë. Më 1909, menjëherë pas përfundimit të Kongresit të Manastirit, në të cilin u miratua alfabeti shqip, Mulla Selàmi hapi shkollën e parë në Sllovë dhe ishte mësuesi i parë aty. Këtu mësuan edhe nipërit e Elezit, fëmijët e Hysen Elezit ose Cen Elezit, siç e thërrisnin në zonë. Mësuesi i parë i kësaj shkolle ishte Mulla Selàmi, i cili jepte mësim si në shqip, edhe në gjuhën turke e arabe. Pas disa vitesh, me kërkesën e tij për të sjellë mësues të kualifikuar të gjuhës shqipe, Elez Isufi solli si mësues të shqipes Haki Sharofin nga Dibra e Madhe, që ishte me shkollë profesionale dhe me eksperiencë të pasur pedagogjike. Më 1916 Haki Sharofi hap shkollën në Trojak dhe më 1918 shkon në shkollën e Sllovës. Qëndron aty deri në vitin 1920. Në vitet që qëndroi në Sllovë qe një mik i ngushtë i Mulla Selàmit. Pas largimit të Haki Sharofit në vend të tij vjen Shaban Sharra nga Shkodra, i cili ishte një mësues dhe edukator i shquar. Pas tij vjen edhe Abdulla Çanga, po nga Shkodra. Që të tre kanë shërbyer edhe si sekretarë të Elez Isufit.
Kjo shkollë ka funksionuar deri në vitin 1939. Nxënës të kësaj shkolle kanë qenë të gjithë fëmijët e Cen Elezit, ndër ta ka qenë edhe Xhelal Ndreu.
Me kërkesë të fshatit Kallë, Mulla Selàmi hapi mejtep edhe në Kallë, në të cilën shkonin edhe vajza. Krahas kësaj ai ka shërbyer si imam në disa zona. Nga Myftinia e Peshkopisë, e kryesuar nga Haxhi Vehbi Dibra (Agolli), Mulla Selàmi u caktua si imam në fshatin Erebarë. Gjatë periudhës që qëndroi në këtë fshat ka një ndodhi.
Disa vite më parë në fshatin Vleshë vdiq Dullë Beçì, i ati i Rizvan Beçìt, i cili ka jetuar deri në fillimvitet ’80. Sipas riteve fetare, para varrimit do të falesh xhenazja, rit që bëhet edhe sot. Në varrim merrnin pjesë të gjithë burrat e fshatit Vleshë e Kallë. Prezent ishte Mulla Selàmi dhe sheh Zumani i Vleshës (përfaqësuesi kryesor i teqesë së lagjes së sipërme të Vleshës). Atij i takonte të falte xhenazen.
– Mulla Selàmi, fale ti xhenazen, se je më i ri nga unë, – i thotë sheh Zumani.
– Me lejen tënde, po sheh Zuman, – i përgjigjet Mulla Selàmi.
Mulla Selàmi fali xhenazen, por të gjithë pjesëmarrësit shprehën habi dhe kënaqësi në atë mënyrë të faluri që bëri Mulla Selàmi. Me të mbaruar, sheh Zumani, që i qëndronte në krah, i tha:
– Zoti na i ka caktuar ditët hoxhë efendi, por meqenëse unë jam më i vjetër se ti, mendohet se do të vdes përpara dhe ti më ke borxh që të më falësh xhenazen, siç fale xhenazen e Dullë Beçit.
– Në qofshim gjallë është e bërë sheh Zuman, – i përgjigjet Mulla Selàmi.
Nuk kaluan shumë kohë dhe Mulla Selàmi u caktua imam në fshatin Erebarë, pranë Maqellarës. Një natë vjeshte vonë, në orën 3 të mëngjesit zgjohet e ngrihet nga shtrati. Zgjon të shoqen, Lijen, dhe i thotë më bëj gati ujin për banjë, se kam rrugë.
– Çfarë rrugë ke në mes të natës, more burrë? – i thotë e shoqja.
– Kam rrugë, se ka vdekur sheh Zumani i Vleshës, – i përgjigjet Mulla Selàmi.
– Mos ju zër besë ëndrrave, more burrë, se sheh Zumani është shëndosh e mirë.
– Jo, moj grua, ai ka vdekur dhe i kam bërë një premtim për t’i falur xhenazen, ndaj duhet të nisem sa më shpejt, se kam rrugë të gjatë për të bërë.
Nga Maqellara në Vleshë duheshin 7–8 orë rrugë për të bërë. Bëhet gati shpejt e shpejt, merr kalin e komshiut me dy traste tagji për kalin dhe niset për rrugë. Në orën 7.30 të mëngjesit ishte në kodër të Kubenit.
Përballë tij një burrë i mbledhur me një gunë, hipur mbi një kalë, ku pas tij ishte i lidhur dhe një kalë tjetër. Kur u afrua, u ndal para tij.
– Mulla Selàmi, për ku jeni nisur kështu? – pyet kalorësi përballë, duke menduar se mos vallë e kanë thirrur në ndonjë vdekje tjetër.
– Për në Vleshë, – i përgjigjet Mulla Selàmi, se ka vdekur sheh Zumani.
– Kush ju lajmëroi, hoxhë efendi, se unë për t’ju lajmëruar juve jam nisur.
– Më lajmëroj sheh Zumani vetë, more bir, por kthehu se edhe ty të paska dashur fort, që të kurseu lodhjen.
Në vitin 1917, nga pushtimi serb e gjithë zona në veri të Drinit (mbi lumin Drin) u larguan nga barbarizmat serbe dhe zbritën në qendër të Shqipërisë dhe Mulla Selàmi me fëmijët e tij vendoset në Kavajë me ndërmjetësimin e disa miqve të tij në Komitetin Mysliman në Tiranë. Gjatë kohës që qëndroi në Kavajë u pagua nga ky komitet si iman në këtë zonë dhe me një pikësynim të largët ai grumbulloi një sasi parash. Me disa miq të tij një ditë zbret në Durrës dhe pret biletë për udhëtim me vapor për në Stamboll.
Në ato vite Durrësi ishte një qendër e rëndësishme, pasi ishte i vetmi port që vazhdonte të mbante lidhje me Stambollin.
Disa persona nga zona e Sllovës e shohin Mulla Selàmin dhe i afrohen për ta përshëndetur dhe ulen për të pirë çaj. Kur bëhen gati për t’u ngritur, Mulla Selàmi u thotë të përshëndetemi, se nuk do të shihemi më, pasi do të largohem pas një jave për në Stamboll. Ditën që ishte prerë bileta, herët me natë, me ndihmën e disa personave dashamirës nga fshati ku ishte strehuar, vendosin fëmijët në qerre dhe nisen për në Durrës. Sistemojnë fëmijët në vapor dhe Mulla Selàmi zbret për t’u përshëndetur me shoqëruesit e tij. Tek po ngjiste shkallët për në anije, dëgjon një zë nga pas. Kthen kokën dhe shikon një grup njerëzish, që kishin në mes Elez Isufin. Zbret shkallët dhe i takon. Pas fjalëve të para përshëndetëse, Elezi e pyet:
– Ku po shkon, hoxhë efendi?
– Atje nga erdha, Elez aga, – i përgjigjet Mulla Selàmi.
– Nuk ke për ta bërë këtë Mulla Selàmi, – i thotë Elezi. – Po e përsëris prapë atë që të kam thënë shumë vite më parë se atje në Stamboll ka shumë si ti, por këtu të kemi vetëm ty. Prandaj në beson në Zot, zbriti fëmijët dhe mos shko.
Në ditët e sotme një gjë e tillë, një kërkesë e tillë nuk do të ndikonte në ndryshimin e vendimit të tij apo të kujtdo tjetër, por për Mulla Selàmin, të bëje bé në perëndi ishte një urdhër suprem për të. Mbeti për disa minuta i ngrirë dhe me lot në sy zbriti fëmijët, të cilët u sistemuan edhe një herë në qerre dhe përfunduan në fshat. Ishin njerëzit me të cilët piu çaj një javë më parë, të cilët çuan fjalë tek Elez Isufi, i cili ndikoi në kthimin e tij pas.
Kohë më vonë pas largimit të forcave serbe, popullsia e zhvendosur kthehet prapë në vendin e tyre. Fshatrat ishin të gjitha të djegura dhe jeta filloi nga e para, por me shumë vështirësi. Vazhdoi të punojë si hoxhë në mejtep dhe si imam. Që nga fillimi i ardhjes së tij në fshat, pasi u vendos se nuk do të ikte më, ai nisi të bisedojë me fshatarët për shumë ndryshime që ai mendonte se duheshin bërë në fshat. Këto kishin të bënin kryesisht për përmirësimin e jetës së fshatit. Njëri ndër këto probleme kishte të bënte me sistemimin e ujërave të zeza të fshatit. Fshati Kallë është i vendosur në terren të pjerrët dhe kjo mundësonte shkarkimin e ujërave drejt e në përrua, që quhet edhe sot Përroi i Xhokës. Po kështu, u përpoq shumë që të bindte fshatin për të sjellë ujin e pijshëm të Baravecit, që ishte sipër fshatit. U përpoq për shumë kohë që fshati të organizohej me punë vullnetare, të sistemonin rrugët e fshatit, t’i shtronin ato me kalldrëm, por kurrë nuk u realizua.
Mënyra e kundërshtisë së fshatit ishte e tillë që e zhgënjeu tej mase, ishte problem mentaliteti dhe jo pamundësi financiare. Këto e çuan në një zhgënjim total dhe qe shprehur se nuk donte të vdiste në Kallë.
Ishte dimri i vitit 1937. Në Kalis, në lagjen Pardhuke ishte martuar Fatimja, vajza e madhe e tij. Pasi bëri një banjë, me tre orë ditë, duke u përshëndetur me fëmijët e tjerë, siç e kishte zakon, niset për tek e bija. Te dera, duke u përshëndetur me Lijen, i thotë:
– Ndoshta mund të rri nja dy net, por në u vonoftë ardhja ime, ti i di porositë e mia. U përshëndetën dhe u ndanë, për të mos u parë më për së gjalli. Atë natë në darkë te Fatimja, pasi bënë të gjitha zakonet, ngrënien e darkës, faljen e jacisë, vazhduan të bëjnë muhabet. Dhoma ishte e mbushur plot me burra. Haliti (Halit Lita), i shoqi i Fatimes, që ish dhëndëri i tij, ishte kujdesur që ta priste më së miri vjehrrin e vet dhe kishte ftuar për darkë shumë nga njerëzit e fisit të tij. Siç e ka zakoni në ato anë, kur tek dikush ka ardhur një mik apo mysafir, pas darke mblidhen për muhabet (në shenjë respekti për mysafirin) gjithë burrat e fshatit. Në rastin konkret mysafiri (Mulla Selàmi) ish një mysafir i nderuar për ta. Bisedat vazhduan deri vonë dhe rreth orës një pas mesnate sipas orës së sotme (asokohe ora matej në mënyrë tjetër, me orën turke ose allaturka).
Pasi ranë të flenë në dhomën e miqve, ku zakoni e donte që në këtë dhomë do të flinte edhe dhëndri, rreth mëngjesit Haliti dëgjon disa rënkime dhe ngrihet, i afrohet shtratit të vjehrrit dhe shikon se ishte i gjithi në djersë të ftohta dhe i zbehtë. Thërret Fatimen, e cila tepër e shqetësuar i afrohet pranë dhe i kap dorën. Selàmi e tërheq pak pranë vetes dhe i thotë:
– Ti e di që duhet të më varrosni këtu, nuk do të më dërgoni në Kallë. Fatimja e kishte dëgjuar këtë porosi të tij më parë.
– Porositë e tua të gjitha do të plotësohen baba, por ti do të bëhesh mirë. Tek po i thoshte këto fjalë, dora e tij lëshohet dhe bie poshtë. Mulla Selàmi mbylli sytë njëherë e përgjithmonë.