Guva e vizatuar e Reçit


Nga Prof. Adem Bunguri

Foto e guvës së Reçit (2010:217)

Një faqe mjaft interesante e jetës kultike dhe shpirtërore të banorëve të epokës së bronzit, është përjetësuar në shkëmbin e Kojzakut, që ndodhet midis fshatrave Gjur-Reç, Tharkë dhe Arat e Poshtme të zonës së Reçit1. Në anën perëndimore të guvës, hapet një tarracë e gjërë, e përshtatshme për banim, e njohur me emrin “Kalishte”, ku ruhen gjurmët e një vendbanimi prehistorik dhe antik ose antik të vonë2.
Ekzistenca e vendbanimit prehistorik dëshmohet nga gjetja në sheshin para guvës, e fragmentit të një tasi me buzë të prerë pjertazi, i punuar me qeramikë me fakturë mesatare me lustër të zezë, karakteristikë për bronzin e mesëm dhe atë të vonë. Tasa të këtij tipi janë gjetur në shtresën e bronzit të mesëm dhe atij të vonë të Manasdrenit (Manasdren I-II)3, të Nezirit V-VI(Mat)4 Zagorës I-II (Shkodër)5 etj.
Vizatimi i skalitur gjendet në faqen veriore të strehës shkëmbore të Kojzakut6, në vendin e quajtur “Kepi i Keq”, që përfaqëson një masiv të lartë shkëmbor, me faqe të thiktë mbi 30 m të lartë, i shembur përshkaqe natyrore. Streha shkëmbore e njohur me këtë emër ka gjatësi 20 m dhe lartësi 4-5 m. Faqja e saj paraqitet lehtë e mysët me një reze që nuk e kalon metrin. Zona me motive të skalitura zë një hapësirë relativisht të sheshtë me përmasa 1.80×1.80m të kësaj faqeje. Vizatimet fillojnë nga lartësia 1.30m mbi sipërfaqen e tokës deri në lartësinë 2.90m. Këtu gjenden të skalitura në shkëmb mbi 47 figura të llojeve të mëposhtme: 29 kryqe të thjeshtë, 11 rozeta, 4 katrorë, një romb me figura të brendashkruara si dhe 2 figura njerëzore të skematizuara etj. Të gjitha figurat janë realizuar me anë të inçizimit. Vijat që krijojnë motivet kanë gjërësi dhe thellësi 1 cm. Kompozimi zhvillohet në tri zona, A, B dhe C (fig. 58, a-b).

Skicë e vizatimit shkëmbor (2010: 217)

Zona e parë më kryesore “A” është nga ana e majtë e guvës, ku kompozimi zë një sipërfaqe me përmasa 1.50×0.60m. Ai përbëhet nga 9 rozeta, 13 kryqe të thjeshtë, një romb i madh me figura të brendashkruara, një katror dhe një figurë njerëzore e skematizuar. Kompozimi fillon me një rozetë me diameter 0.20m, të përshkuar me dy diametra në trajtë kryqi, dhe 0.08 m poshtë saj, vijon një figurë e madhe në trajtë rombi me diametrat 0.50 x 0.56m. Kulmi i sipërm i këtij rombi zihet nga një rozetë me diameter 0.25m, e përshkuar gjithashtu nga dy diametra në trajtë kryqi, si dhe 7 figura gjeometrike jo aq të regullta, prej të cilave 5 drejtkëndësha dhe dy trekëndësha përmasash të ndryshme. Menjëherë nën këtë romb, djathtas tij, vijojnë 3 rozeta me diametër 0.10m, të përshkuar nga 6 diametra të kryqëzuar, të vendosura 0.06m larg njera tjetrës. Paralel me rozetën e fundit, 0.50m në të majtë të saj, vijon një rresht tjetër prej 3 rozetash vertikale, me diameter 0.10m, të vendosura 0.42 m nën anën e majtë të rombit të mësipërm. Kanë të njëjtën formë dhe madhësi si edhe rozetat e mësipërme, përveç largësisë së vendosjes, e cila nga 0.24 m midis rozetës I e II, ulet përsëri në 0.06 m midis rozetës së dytë e asaj të tretë. Ky rresht rozetash mbyllet me një katror me brinjë 0.10×0.08m, i vendosur 6 cm nën rozetën III dhe i përshkuar nga dy kryqe. Kompozimi vazhdon me dy kryqe të thjeshtë me brinjë 0.10×0.10m dhe një rozetë me diametër 0.10m. Midis dy reshtave të rozetave, në pjesën qëndrore të figurës, janë vendosur 6 kryqe me brinjë 0.10m, si dhe një figurë skematike njerëzore me gjatësi 0.10m.
Zona e dytë “B” është vendosur 0.20 m larg zonës së parë. Ajo përbëhet nga 12 kryqe të thjeshtë me brinjë 0.10m, dy katrorë me brinjë 0.06×0.06m dhe 0.10×0.12m, të përshkuar nga kryqe të brendashkruar, si dhe një figurë njerëzore e skematizuar, me krahë horizontalë. Distancat midis çdo karakteri, ashtu si edhe në zonën e parë, janë të njëjta 0.06m.
Zona e tretë “C” është vendosur 0.40m larg katrorit të zonës së dytë “B”. Ajo përbëhet nga 2 rozeta me diameter 0.10x10m, të përshkuar nga dy a më shumë diametra, një katror me brinjë 0.10×0.12m, i përshkuar nga një kryq i brendashkruar, si dhe 4 kryqe të thjeshtë me brinjë 0.10m. Distanca e kryqit të parë nga katrori është 0.20m, ndërsa largësia midis kryqeve është ashtu si dhe në zonat tjera të kompozimit është e njëjtë 0.06m.
Guva e Kojzakut përfaqëson një vend kulti, në përmasat e një tempulli pagan të banorëve prehistorik të zonës së Reçit, dhe në radhë të parë të vendbanimit prehistorik të Kalishtës. Motivet e skalitura lidhen në mënyrë të qartë me kultet astrale, ku rozetat simbolizojnë diellin, ndërsa kryqet yjet e kupolës qiellore7 etj. Për lidhjen e vizatimit shkëmbor të Reçit me kultin e diellit është shprehur edhe prof. M. Korkuti8.
Guva e Kojzakut me motive të skalitura shënon analogji me “shpellën e shkruar” me motive të ngjashme të Xibrit (Mat)9. Ajo gjithashtu ka elementë të përbashkëta me pikturën shkëmbore të Bovillës në afërsi të Tiranës10, me pikturën shkëmbore të Zhlijebit afër Vishegradit në Bosnjën perëndimore, me pikturat prehistorike të Valcamonica-s në Italinë e veriut11 etj. Ndërkaq guva me motive të ngjashme, të realizuara me pikturim dhe të datuara në harkun kohor nga neoliti i vonë deri në epokën e bronzit, njihen në hapësirën e gjërë euroaziatike, që nga Finlanda deri në nga Iran12.

_________
1 M. Korkuti, Arti shkëmbor në Shqipëri, Tiranë 2008, f. 56-61, tab, IV, fig. 29-32. Guva është zbuluar në vitin 1981 nga mjeku nga Durrësi S. Prifti, i pasionuar pas arkeologjisë, që atëherë punonte në zonën e Reçit. Shih: S. Prifti, Vështrim mbi disa rrënoja antike të Reçit e Lurës, Dibra dhe Dibranët, Peshkopi 1981, f. 55-56. Për të arritur tek guva e Kojzakut mund të ndiqen dy rrugë, që zgjasin mbi 2.5 orë. Rruga e parë shumë malore dhe e vështirë është ajo Zall-Reç-Tharkë-Arat e Poshtme, ndërsa rruga e dytë, më e lehtë është ajo Zall-Reç- Ura e Dodës-Arat e Poshtme, përgjatë luginës së lumit Malla e Lurës.
2 Vendbanimi i periudhës antike ose antike të vonë, aktualisht mund të ndiqet përmjet toponimeve si “Lugu i qytetit”, “Livadhi i gjatë”, “Sheshi i madh”, “Arat e Kalishtës”, “Braka e Kalishtës”, si dhe gjurmëve të mureve të rrethimit të anës veriore, të cilat do të mund të flisnin shumë më tepër në se do të bëheshin objekt gërmimesh të mirëfillta arkeologjike.
3 A. Bunguri, Vendbanimi prehistorik i Manasdrenit, (dorëshkrim).
4 Zh. Andrea, Vendbanimi shpellor i Nezirit, Iliria 1990, 1-2, f.31, tab. XII, 8; tab. XVI, 18.
5 Po ajo, Vendbanimi i Zagorës, Iliria 1996, 1-2, f. 26, tab. II,12-13; tab. X, 8-9.
6 Në vitin 1983 guva u vizitua nga M. Korkuti, A. Bunguri dhe Y. Pupli që përgatiti edhe dokumentacionin e saj grafik, ndërsa në vitin 2006 u rivizitua nga autori për të plotësuar dokumentacionin fotografik të saj. Me këtë rast falenderojmë z. N. Daci, Sh. Leka dhe Z. Tahiri, për shoqërimin gjatë këtyre vizitave.
7 A. Stipčević, Ilirët, Historia, jeta, kultura, simbolet e kultit, Struktura e simbolizmit ilir, Tiranë, 2002, f. 274-279. Ai mendon se kryqi tek ilirët ka patur domethënjen e simbolit të jetës dhe të dritës. Po aty, f. 279.
8 M. Korkuti, Arti shkëmbor në Shqipëri, Tiranë 2008, f. 61.
9 Po aty, f. 67, tab. V, a-d, fig. 35, 36.
10 Po aty, f. 73, tab. VI, fig. 42-43.
11 Po aty, f. 99.
12 Eva M. Walderhaug, Changing art in a changing society : the hunters ‘ rock-art of western Norway, The Archaeology of Rock-Art (published by Christopher Chippindale- Paul S.C. Tacon), Cambridge 2000, f. 285-299.
(Marrë nga libri “Prehistoria e Dibrës”, Botimet M&B, Tiranë 2010, faqe-215-219)