“Me rrugën e Arbrit, Dibra është pjesë e kryeqytetit”


“Ju jeni ndër shqiptarët që kanë udhëtuar më shumë brenda vendit, dreqi e mori, sepse ju është dashur ta merrni aq shumë herë këtë rrugë që, më besoni, sa herë më është dashur të nisem, ka qenë një stres. Do kisha ardhur në Dibër 100 herë më tepër për gjithë këto bukuri që janë në gjithë këtë zonë, sikur të mos ishte ai stres, por një stres që tani po merr fund për të gjithë ju”

Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës te Ura e Fshatit, Klos. 14 prill 2021Më 14 prill 2021, kryeministri Edi Rama mbajti një tubim elektoral në fushën e stadiumit “Korabi”, ku mes të tjerash foli për disa nga problematikat e zhvillimit të Dibrës, siç janë punimet në rrugën e Arbrit, zhvillimin e turizmit, bujqësisë apo hidrocentralit të Skavicës.

“Me rrugën e Arbrit, Dibra është pjesë e kryeqytetit”

“Sot pata mundësinë që ta shikoj gjatë gjithë gjatësisë rrugën e Arbrit, cila është drejt përfundimit, por tanimë është një aks i lidhur. U gjenda shumë shpejt, si asnjëherë më parë, në Mat e Burrel”, tha në fillim të fjalës së tij kryeminstri Rama gjatë takimi elektoral që zhvilloi në Peshkopi, 14 prill 2021.
“Ju jeni ndër shqiptarët që kanë udhëtuar më shumë brenda vendit, dreqi e mori, sepse ju është dashur ta merrni aq shumë herë këtë rrugë që, më besoni, sa herë më është dashur të nisem, ka qenë një stres. Do kisha ardhur në Dibër 100 herë më tepër për gjithë këto bukuri që janë në gjithë këtë zonë, sikur të mos ishte ai stres, por një stres që tani po merr fund për të gjithë ju”
Në lidhje më këtë çështje, kryeministri theksoi se “me rrugën e Arbrit, Dibra është pjesë e kryeqytetit, nuk është më një vend në fund të botës, që mund të ishte i mrekullueshëm, por askush nuk do merrte mundimin të shkonte”.

“Dibra do të jetë një destinacion turistik”

“Përpara se të vija këtu pata një kënaqësi të jashtëzakonshme për vizitën që bëra në bujtinën e Jufkave, ku takova një grua që më ka lenë mbresa të forta kur e kam takuar për herë të parë, bashkë me një grup grash dibrane, nëna punëtore të jashtëzakonshme, shumë të vendosura, që në atë takim më kërkuan ndihmë për të çuar më tej ëndrrën e tyre të transformimit të atyre punishteve të vogla në një sipërmarrje që mund të zhvillohet e që mund të krijojë punë, jo vetëm për anëtarët e familjes së tyre, por edhe për të tjerë”, tha kryeministri Rama.

“Dibra do të jetë një destinacion turistik edhe për ata qindra mijëra e miliona turistë që do të vijnë në Shqipëri, duke filluar menjëherë pas daljes nga tuneli i pandemisë e duke u rritur vit pas viti”

Më tej ai shtoi se “falë kurajes, falë vendosmërisë, falë punës së jashtëzakonshme të asaj gruaje dhe familjes së saj dhe falë mbështetjes që i dhamë jo vetëm asaj, por disa grave në Dibër, sot mund të shikoje konkretisht se çfarë do të jetë Dibra nesër, çfarë do të jetë për Tiranën Dibra dhe çfarë do të jetë Tirana për Dibrën. Jo më dy qytete të largëta, por dy zona që i përkasin njëra – tjetrës. Jo më një Tiranë kryeqytet dhe një Dibër e izoluar, por një Tiranë që është graviteti i jetës ekonomike, sociale, graviteti i gjithë lëvizjeve të qarkullimit dhe një Dibër që do të jetë jastëku i gjelbër i metropolit të Shqipërisë”.
“Kështu si unë sot dhe nesër – jo nesër pas dhjetëra vitesh, por nesër,- vit pas viti, ne do të shikojmë sesi mijëra e mijëra njerëz do të nisen çdo ditë nga Tirana drejt Dibrës, duke hyrën përmes atij aksi të mrekullueshëm që zbulon një pjesë Shqipërie të panjohur për shqiptarët, një copë të parajsës së natyrës sonë, për të ardhur drejt Dibrës e për të shijuar bukuritë e natyrës e mikpritjen, për të qëndruar këtu në fundjava. Dibra do të jetë një destinacion turistik edhe për ata qindra mijëra e miliona turistë që do të vijnë në Shqipëri, duke filluar menjëherë pas daljes nga tuneli i pandemisë e duke u rritur vit pas viti.
Ky nuk është më një vizion që thuhet nga dëshira e madhe. Ky është një vizion që po jetësohet”.
Për nxitjen e turizmit Kryeministri premtoi një ndihmë prej 5000 Eurosh për çdo të ri që kthehet nga emigracioni dhe investon në kthimin e shtëpive të vjetra në fshat në bujtina mikpritëse.

“Tregu i Tiranës do të nxisë prodhimet në Dibër”

“Sa shumë kanë vuajtur deri më sot fermerët e Dibrës, për t’i nxjerrë prodhimet matanë atij hendekut të jashtëzakonshëm mes Dibrës dhe tregjeve jashtë saj, deri në Tiranë. Më thonë vazhdimisht dhe më jehojnë në kokë fjalët që kam dëgjuar nga fermerët e qershive qysh në krye të herës. “Qershitë tona prishen kur arrijnë në Tiranë”. Vetëm me këtë lidhje midis Tiranës dhe Dibrës parafytyroni sa shumë më shpejt dhe sa shumë më tepër prodhime të Dibrës do arrijnë në Tiranë dhe sa shumë të tjerë do nxiten për të prodhuar e për të rritur prodhimin, sepse pikërisht tani, Tirana është një lagje matanë, jo një qytet në fund të botës”.
Kryeministri premtoi se nuk do të ketë “taksë për 5 vitet e para për çdonjërin që investon në agropërpunim”.
“Këtu në Dibër janë disa agropërpunues, – tha ai, po njëri është i famshëm, ai që bën lëngun e mollës. E pra, ka shumë më tepër mundësi dhe hapja e këtij tregu nuk është hapja e një rruge, është hapur një treg. Nuk është hapur një rrugicë, është hapur një hapësirë e pafundme për zhvillim ekonomik familjar përmes punës, për zhvillim ekonomiko-komunitar”.

“Skavica duhet ndërtuar”

“Energjia ishte një problem shumë i madh për ne”, – tha në fjalimin e tij Kryeministri Rama.
“Sot, ne kemi arritur në një nivel tjetër, por nuk kemi arritur në majë. Maja është ta bëjmë Shqipërinë eksportuese neto të energjisë, që do të thotë, Shqipëria të mos blejë më asnjë euro energji nga jashtë, por vetëm të shesë energji e ndërkohë të ketë siguruar energjinë për vete. Pa diskutim, kjo është e mundur. Duhet ndërtuar Skavica.

“Duhet ndërtuar Skavica. Çdo familje që do të preket nga Skavica do të ketë po atë që patën familjet që u prekën nga tërmeti, që do të thotë, do të marrë një shtëpi shumë më të mirës se ajo që ka e patjetër, për pjesën e tokës do të kompensohet ashtu siç e meriton. Që do të thotë që do t’i jepet perspektiva e një jete, që është një perspektivë shumë më e mirë se perspektiva që ka në atë zonë”.

“Çdo familje që do të preket nga Skavica do të ketë po atë që patën familjet që u prekën nga tërmeti, që do të thotë, do të marrë një shtëpi shumë më të mirës se ajo që ka e patjetër, për pjesën e tokës do të kompensohet ashtu siç e meriton. Që do të thotë që do t’i jepet perspektiva e një jete, që është një perspektivë shumë më e mirë se perspektiva që ka në atë zonë”.
“Skavica, nga njëra anë e transformimi i TEC-it të Vlorës në një port të gazit të lëngshëm, të dyja këto nuk janë ide. Të dyja këto janë marrëveshje me qeverinë e SHBA-ve, në ndërkohë që marrëveshjet janë nënshkruar me dy nga kompanitë më të mëdha amerikane që po punojnë për këto dy projekte”.
Korresp. Rr.A.