Lum ç`sokola ka le Lura, si Marka Ndreca, burrë mbi burra…


Nga MEVLUD BUCI
Poet, studiues, publicist.

Koha dhe jeta, njerëzit dhe traditat, bëmat dhe vlerat, sikur blerojnë, ato nuk vyshken, sepse gjurmët rrezatojnë, ndaj kurdoherë mbeten frymëzim për brezat. Madhështia, thjeshtësia, provat, përkushtimi, shembëllimi dhe nderimi për popullin, për detyrën e besuar, ngjajnë me mineralet, kurrë nuk treten. Lura (bajrak), Lura e besës dhe e qëndresës, e bijve për liri e për flamur, e “300 nuseve me duvak”, u flet kohërave me gjurmët e atyre që jetojnë në altarin e lirisë. Ndër ata bij fisnikë është e do të jetë edhe Marka Ndreca.

* * *
Lura dhe lurjanët janë treva e Karareve, të cilët përbëjnë modelin e drejtësisë, e veçantë kjo dhe rrezatuese. Me Kararet e kullëse të fisit u rrit dhe u edukuia Marka Ndreca. Historia e dëshmon dhe e gdhend me provat e qëndresës, të mirësisë dhe të vlerave. Geni i të parëve të Marka Ndrecës dëshmon për atdhetari e luftë për të mbrojtur trojet, për liri e për flamur.
Epika historike thotë:
Dedë Mardoda e Can Neka
Po luftojnë me dy kuçedra.
Para vitit 1900, në këto beteja shquhet edhe paraardhësit e Marka Ndrecës, deri te babai Ndreca, që vrau më sëpatë dy pushtues austriakë, e më pas mbeti i vrarë nga armiqtë, në moshë të re. Histori jete e qëndrese, plot dinjitet për atdhe e liri. Breza të patundur për trojet e veta, për këtë tokë të përgjakur, për të ardhmen e brezave.

* * *
Marka Ndreca u lind më 10. 05. 1916 në Lurë të Vjetër. Ndonëse që në moshë të vogël mbeti jetim, ai u edukua me traditat e fisit, të dajave, të Doçit të atdhetarisë. Përfundoi katër klasë të shkollimit në Lurë me mësues, të nderuarin Tërshana, Jashar Kaci, Halit Gjon Doçi etj. Shquhej për intelekt e zgjuarsi. E tregoi edhe jeta se ishte “me pak shkollë e mendjehollë, jo shumë shkollë e mendjeshollë”.
Ai u ndihmua dhe u strehua në shtëpinë më të afërt të trungut familjar të Dodë Bibë Vladit. Ishte nip te fisi atdhetar i Doçit. Mbasi u rrit dhe u martua, ndërtoi kullën me mure guri ku, në krye të derës, u gdhen e u skalit shqiponja me flamurin kuq e zi në vitin 1940 nga mjeshtri i Fanit të Mirditës, Llesh Vorfi.
Marka Ndreca përkrahu luftën NAÇL dhe dha ndihmesë në strehimin e partizanëve dhe në paqtimin dhe vllazërimin në popull. Ai u rrit dhe u burrërua në llogoret e luftës, në shtigjet e lirisë. ”Marka Ndreca-shkruan Nezir Mena-bashkë me shokun e tij, Llan Kacin, Ahmet Përlekën, Selman Bucin, Dedë Bibë Vladin, Cen Morisenin, Kolë Dedën, Gjon Dedën, Isuf Dullë Hotin i pritën forcat partizane me përzemërsi dhe i strehuan në shtëpitë e fshatarëve. Ai, së bashku me Dodë Bibë Vladin dhe Bibën, djalin e tij, në kishën katolike të Fushë-Lurës, strehuan komandën e Divizionit të Parë, Dali Ndreun dhe Mehmet Shehun me anëtarë të tjerë të shtabit, ku u krijuan kushte jo vetëm përbanim, por edhe për punë të rëndësishme. Kur hynë forcat partizane në Lurë, nuk pati asnjë të vrarë, as nga lurasit, as nga partizanët. Kjo ishte meritë e Markut dhe Dodë Bibës me shokë.
Pas çlirimit, ai shërbeu në detyra të ndryshme, në Komandën e Vendit në Lurë dhe në Selishtë të Dibrës. I zgjedhur në organet drejtuese të pushtetit lokal në Lurë dhe si kryetar i organizatës së Frontit Demokratik të Shqipërisë për Lurën, Marka Ndreca me shokët e tij: Ramadan Gjoka, Ahmet Përleka, Osman Musa, Selman Buci, Ramadan Mena, Ahmet Kaçorri, Bibë Doda, krijoi këshillat antifashiste nacional-çlirimtare në Lurë. Ai luftoi për mbajtjen e rendit e të qetësisë, si njeri I maturisë, besës, urtësisë, pajtimit dhe i provës në ballë të detyrës. Bashkëpunon me Sheh Muratin duke forcuar e dritësuar bashkëjetesën fetare, pajtimin e gjaqeve, thelloi luftën kundërkrimit dhe konflikteve në vitet e para të pushtetit popullor. Ai njohu dhe fitoi konsideratat e figurave të larta të kohës si Haxhi Lleshi, Jashar Mezenxhiu, Banush Goxha e shumë kuadro të tjerë drejtues në Dibër, MPB nëTiranë etj, sepse ishte i zoti për t`i kryer detyrat e besuara, i drejtë, i vendosur, misionar dhe vizionar.
Im atë, kur isha mësuesi ri, më thoshte:”Ne Lukani dhe zona e Katër Grykëve (Selishtë) nuk e harrojmë ish-shefin e sigurisë së rendit, Lurajanin Marka Ndreca dhe Bibë Dodë Vladin, që na kanë shërbyer si u ka hije. Ishin burra me karare, me urti e të guximshëm”.
Vërtet, Marka Ndreca ka lënë gjurmë të urtësisë prej intelektuali fisnik e punonjësi të devotshëm. Muza populloore, të urtët, më pleqtë, shpesh në dasma e valle të odave në Lukan, Selishtë, Lurë kujtojnë Marka Ndrecën për provat në shërbim të njerëzve. Në një dasëm në Lukan të Dibrës, kur martohej një djalë i vetëm, në fillim të viteve 50, ishte i pranishëm edhe Marka Ndreca. Banorët iu lutën, që, sipas traditës të merrnin pushkë për këtë gëzim, -tregon Dr. Hazis Ndregjoni. Marku u tha:Ju që i keni me leje dhe ata që i kanë të fshehura, të qëllojnë, vetëm të mos bëjnë aksident, më pas t`i dorëzojnë vetë sipas ligjit”. Ashtu u bë dhe malësorët e mbajtën fjalën.
Marka Ndreca ishte valltar i talentuar, kënaqte të tjerët me vallet e tij, njihte mirë shpirtin dhe artin e popullit. Së bashku me bashkëshorten, Dilen, punuan dhe jetuan si u ka hije. Marku la tre djem: Ndrecën, Leninin dhe Dedën. I treti ende nuk kish lindur kur Mar ra heroikisht. Fëmijët e vegjël u rritën nën kujdesin e nënë Dilës, një grua burrneshë, nënë dhe veprimtare e shquar, drejtuese e grave lurjane, shembull i traditave të kullës së Lleshit të Mërkurthit, ku ishte bijë dhe e vlerave të fisit Lufi ku ishte mbesë. Nënë Dila rriti dhe edukoi djemtë me vlerat e kullës dhe të fisit, me dashurinë për dije. Më i madhi, Ndreca, u bë mjek I përkushtuar dhe shërbeu në disa zona si: Reç, Lurë, Kurbnesh. Lenini dhe Deda u bënë oficerë karriere dhe shërbyen me devotshmëri në forcat e armatosura deri sa dolën në rezervë. Lenini doli në pension me gradën e nënkolonelit, ndërsa Deda, me gradën e majorit. Në derën e kullës së Marka Ndrecës ku është shqipja dykrenore e gdhendur, sikur rilind vepra e Markut dhe e Dilës, të cilët lanë aty gjurmë fisnikërie dhe atdhetarie.
Marka Ndreca ra në krye të detyrës më 1. 01. 1954 në shërbim të popullit në atë mot me stuhi dëbore në Zabel të Nikës duke kryer misionin në shërbim të rendit. Provat prej luftëtari dhe aksionet për rindërtimin e vendit, ndihmesa në pajtimin e gjaqeve, në sigurimin e bashkëjetëses fetare, në vëllazërimin e pajtimin në popull do t`u rrezatojnë brezave. Jeta etij është një flakadan lirie, se ai luftoi dhe ra në kryetë detyrës, ndaj për të nuk do të mjaftonin dhjetëra shkrime, poema, balada, këngë.

* * *
Sot, 22 nipër dhe mbesa shkojnë në gjurmët ku rrezatojnë vlerat e Marka Ndrecës dhe i çojnë ato më përpara. Marku i Ri, prej këtu e27 vitesh është emigrant në Gjermani. Edhe atje, ai i manifeston këto vlera që i përcjell gjyshi dhe gjyshja e tij. Edhe nuset e djemve si Martine Kolmarku, Tereze Vorfi, Frosina Koçi krenohen me vjehrrin dhe vjehrrën e tyre.
Për figurën e Marka Ndrecës, poeti Halim Laçi ka shkruar këto vargje:
Shtëpi e Markut me mur guri,
Pushka e varë mbështet për muri,
Sofra shtrue natë e ditë,
Luftë me hasmin grykë për grykë.
Në krye të sofrës, në kuven me burra,
Marka Ndreca nga Lura,
Emri i Markut nuk harrohet
Brez pas brezi do të kujtohet,
Vazhdoi punën në shi e në borë
Në krye të detyrës ra dëshmor. .
Si kjo epikë e madhërishme është veprae Marka Ndrecës, i cili në moshën 37-vjeçare, ra për të mos u harruar kurrë. Dhe zemra të thotë që ky shkrim të mbyllet me epikën më të re:
Nipi Doçit, i Doç trimërisë,
Ra në detyrë në armë të policisë,
Lum ç`sokola ka rrit Lura
Si Mark Ndrecën, burrë mbi burra. .
Si vetë shqiponja e gdhendur në gurin e derës së kullës, janë gdhendur veprat e burrërisë, të Marka Ndrec Vladit, këtij luriani të qëndresës, i cili rron në zemrat e brezave, në altarin e lirisë dhe të historisë.