Mullirit i Postovirës, mulliri i shenjtë


Nga Drini Vlesha

Mullirit i Postovirës është një mulli shekullor, i cili ndodhet në luginën e lumit Drini i zi. Ai është ndërtuar fisi Marku nga fshati Vrej (Kukës). Në ndarjen administrative i takon Kukësit, por në jetën shoqërore të atyre anëve, njihej si mulliri që bashkonte Dibrën dhe Kukësin, konkretisht fshatrat nga njësitë administrative Reç në Dibër dhe Arën në Kukës
Mulliri u shërbentë të gjithë banorëve, dhe shpesh herë – tregojnë njerëzit, mullixhiu në disa raste ka shërbyer edhe si shkues. Duke qenë se në të bluanin banorët nga të dy krahinat, ai tregonte se kush ka vajzë e kush ka djalë për të martuar.
Njerëzit, duke pritur radhën në mulli, miqësoheshin me njëri-tjetrin dhe nga këto miqësi krijonin dhe krushqi. Tregohet se ndonjëherë bëheshin martesa që në djep, por edhe pa lindur akoma, që në bark. Martesa që në bark ishte atëherë kur dy persona kishin gratë shtatzënë, krijonin miqësi: nëse është e imja vajzë dhe i joti djalë dhe anasjelltas, na qoftë përhajër miqësia dhe fëmijët martoheshin kur mbushnin moshën. Nesë fëmijët ishin të të njëjtës gjini, nuk kishte martesa, por ngeleshin miq.
Mulliri është dy katësh, punon me ujë që rrjedh nga Burimi i Postovirës. Kati i parë është mulli për blurjen e drithit, ndërsa kati i dytë kishte funksion për prodhimin e shajakut (kashnikut), që ndryshe quhet Valanicë. Sot është shumë vështirë të gjesh një të tillë në Shqipëri.
Banorët tregojnë një histori për këtë mulli, që është shumë interesant.
Një hajdut niset natën për të vjedhur drithin që ishte në mulli. Pasi merr çfarë mundet, niset për të ikur në shtëpi. Gjatë gjithë natës kishte ecur dhe në të zbardhur e gjen veten përsëri te dera e mullirit. I tronditur nga kjo, lë drithin dhe rrëfehet te mullixhiu. I tregon të për vjedhjen e drithit dhe për udhëtimin që e ktheu prap aty. Pas kësaj ngjarje askush nuk vodhi më në mulli. Pas kësaj ngjarje vendi u konsiderua si vakëf.
Mulliri dhe valanica sot nuk punojnë, por në memorien e banorëve mbetet e veçantë. Nëse bëhet Skavica, nuk ka më mulli, ka thjeshte “na ishte dikur një mulli me fshatrat për rreth tij”.