“Fjalor nga e folmja e Bulqizës”


Shtëpia botuese “PRINT-AL” boton studimin shkencoro-gjuhësor të autorit Agim Demiri

Shtëpia botuese “PRINT-AL” nxori nga botimi librin “Fjalor nga e folmja e Bulqizës” me autor mësuesin e gjuhës shqipe dhe të letërsisë, Agim Demiri, i cili jeton e punon prej vitesh mërgimtar në Terni, Itali. 

Lënda e këtij fjalori është vendosur në 310 faqe dhe përbëhet prej 4250 fjalësh vetëm të kësaj krahine, të mbledhura me kujdes gjatë kohës kur Agimi jetonte dhe punonte si mësues në Fushë-Bulqizë. Çdo fjalë shoqërohet me shpjegime gjuhësore, sinonimet dhe përdorime të fjalës nga shkrimtarë si Fishta, Dara, Kadare, Xoxe, Agolli, Kuteli, etj. 

Janë fjalët që flet krahina e Bulqizës, të bukura, që tregojnë pasurinë e madhe gjuhësore të saj, që nuk ka vetëm krom si pasuri e nëntokës, por ka dhe etnografi të tillë shumë të pasur, ka dhe mundësi të mëdha turistike, ka dhe gjuhë shumë të pasur, ka dhe banorë të zot, që jetojnë bukur e këndojnë bukur, kërcejnë bukur, flasin bukur, jetojnë bukur… 

Fjalët në libër autori i ka dhënë, të shpjeguara, të pajisura me shembuj si i flet krahina, duke bërë kështu një pasqyrim të një pjesë fjalësh që mund të humbnin me kalimin e kohës, që brezat e rinj duhet t’i njohin dhe përdorin dhe që gjuha shqipe duhet t’i bëjë pjesë të saj. 

Autori paraqet në këtë fjalor fjalë që përdoren si emërtime vendesh, bimësh e drurësh, gatesash, veshjesh etj., që janë shumë të bukura dhe duhet të njihen dhe të gjurmohen më tej si një pasuri shumë me vlerë. Këtë lëndë autori e përshkruan në faqet e këtij fjalori në mënyrë të krahasueshme me fjalë të tjera me kuptim të njëjtë, apo të afërt që fliten në gjithë krahinat shqipfolëse, apo që janë përdorur bukur nga autorë të ndryshëm, duke bërë kështu një “gjeografi-fjalor”, zgjedhje e re bashkëkohore kjo e botimeve tona gjuhësore, shumë e nevojshme për shkallën ku ndodhet hapja e gjuhës së folur shqipe në jetën tonë të përditshme shqiptare.

Fjalët që shpjegohen jepen të shoqëruara me shumë fjalë të tjera shqipe, që të krijojnë mundësi që ta kuptosh dhe ta shijosh më mirë kuptimin e saj dhe që bulqizaku të njihet me shumë fjalë të tjera me të njëjtin kuptim, ose me kuptim të afërt, që ka në gjithë krahinat tjera ku flitet shqip. 

Ka mjaft raste që autori ka shënuar dhe shpjeguar fjalën, duke e shoqëruar me shprehje të bukura të kësaj krahinë, nga sasia shumë e madhe e tyre, që autori ka në arkivin e tij dhe që meritojnë të paraqiten si një botim me vete si pasuri shumë e madhe e kësaj krahinë. Në këtë fjalor autori ka dhënë në mjaft raste edhe shpjegime të mënyrës interesante të jetesës dhe të etnografisë së Bulqizës, duke e bërë fjalorin edhe më tërheqës për studiuesit përdoruesit e apasionuar.

Fjalori gjithashtu ka paraqitur në hyrje veçoritë fonetike të të folmes së kësaj krahinë, duke përcaktuar hollësisht afrim- largimet, që ka kjo e folme me gjithë gjuhën shqipe dhe që do të jenë bazë dhe do të ndihmojnë më tej studimin e gjuhës shqipe dhe të kësaj të folmeje si pjesë e saj. Nga të gjitha këto, mendojmë se fjalori do të jetë një libër i bukur dhe i vlefshëm për Bulqizën dhe të folmen e saj dhe që do të zërë vendin e duhur në bibliotekat e bulqizakëve e të studiuesve të gjuhësisë.

 

Si krijova një fjalor…

Në shenimet e mia u krijua një “arkiv” me folklor, përralla dhe gjuhë të folur të krahinës. E thellova këtë punë në mërgim, ku të folmën e Bulqizës e krahasova me shumë fjalorë dhe enciklopedi italiane e  deri edhe Arbëreshe. Në këtë mënyrë përpunimi dhe ristudimi i çdo fjale, bëri që të përpiloj këtë fjalor me fjalë të veçanta të bukura të kësaj krahine, duke i shpjeguar dhe përdorur me shembuj.

 

Nga AGIM DEMIRI

 

Këto ditë doli nga botimi një fjalor me  fjalë të të folmës së Bulqizës.Lexuesi aty do të gjeje të shenuar,të shpjeguar dhe të përdorur me shembuj nga krahina e Bulqizës për rreth 4250 fjalë shumë të bukura që tregojnë vlerat kulturore të kësaj krahine dhe janë të denja për të qenë pjesë e fjalorit të gjithë gjuhës shqipe. Krahas saj kam paraqitur në hyrje edhe një studim të hollësishëm të veçorive fonetike të kësaj të folmeje. Këte fjalor e krijoi dashuria e madhe për të studiuar gjuhën shqipe që në fillimet e mia të mësimeve shkollore gjatë gjithë kohës.Lexoja, përfytyroja dhe përjetoja çdo gje dhe përpiqesha të hyja në kuptimin e çdo fjalë.Kjo bëri që të krijoj zgjerim fjalori vit pas viti dhe lexim pas leximi.U shtua kjo në moshën e rritur,sidomos kur studiova për dramaturgji,që i vihej rëndësi me një metodikë analizë shumë më të thellë, që e kishte teksti dhe ti duhet ta bëjë tënden,duke e interpretuar,duke i dhënë mish e gjak.Gjatë studimit të mëvonshëm për mësues i gjuhës shqipe dhe letërsisë vura re se gjuha shqipe mësohej më tepër në formë teorike,rregull pas rregulli dhe nuk bazohej sa duhet të fjala dhe studimi e kuptimi i saj.Po kështu nëpërmjet këtyre njohurive pashë se ajo që quhej gjuhë letrare ishte një gjuhë e tillë, që nuk përfshinte gjithë hapësirën gjuhësore,përkundrazi,ishte një gjuhë e drejshkrimuar, që ndryshonte shumë nga gjuha e folur e gjithë vendit dhe sidomos e Veriut.Gjuha dialektore e këngëve, që këndoheshin në gjithë vendin dhe e shumë autorëve ishte deri edhe krejt e ndryshme.

Gjuha bëntë sikur bazohej te dialektet,por në fakt ndodhte krejt e kundërta ;ndiqte gjuhën e tribunave të kongreseve.Shkruhej në gazetë se kishin folur njerëz të ndryshëm në të gjithë vendin,por fjala e tyre nuk paraqitej, siç ishte shprehur,por e përpunonte gazetari dhe gazeta deri edhe duke e ndryshuar krejt.Studimet dialektologjike nuk ishin bazuar te fjala,gjeografi-fjalori ,por te disa veçori të përgjithshme kryesisht morfologjike. Për të folmën e Bulqizës psh nuk kishte asnjë studim.

Në praktikën pedagogjike nuk ndiqej studimi i gjuhës shqipe si zgjerim fjalori, por rregulla dhe vetëm rregulla gjuhësore.Një rubriken”Fjalë dhe shprehje “që ishte e posaçme për një gjë të tillë,në ciklin e ultë, ku me fjalë të ndryshme nxënësit të krijonin dhe të mësonin të krijonin fjali ,duke qenë larg konceptimit të jetës së tyre në fshat(=kini parasysh Benin te filmi”Beni ecën vetë”),nuk zhvillohej dhe kontrollohej fare dhe nuk i vihej deri edhe fare rëndësi…dhe për pasojë nuk zbërthente dhe mësonte nxënësit që të mësonin të shpjegonin kuptimin e çdo fjalë dhe të bazonin njohuritë gjuhësore te kjo.

Nga ana tjetër analiza e asaj që lexonin nuk bazohej në “studim teksti” dhe të çdo fjale,por në nxjerrjen e idesë, disa ideve kryesore që duke dashur të përshtatëshin me kohën shpjegoheshin në përgjithësi dhe duhet të mbaheshin mend siç i kishtethënë mësuesi,por se çfarë thoshte  teksti dhe si i kishte përdorur fjalët nuk bëhej fare,siç kam parë tekstet e huaja.Thuhej nëpër të ndonjë figurë letrare,por edhe kjo jo duke i parë si kuptim fjale,por si figurë letrare.Kjo e bëntë gjuhën të vështirë për t’u mësuar.Në ciklin e lartë gjuha mësohej vetëm si rregulla gramatikore,sintaksore pa u bazuar fare te kuptimi i fjalës dhe as te asnjë lloj studimi teksti.Kjo bëri që t’i hyj që t’i mësoj nxënësit që të analizonin  dhe shpjegonin kuptimin e çdo fjale dhe bashkë me to,të gjurmonim  shpjegimin kuptimor të çdo fjale që lexonin, a kuptimin dhe të bëjmë “Studim teksti”për të kuptuar kuptimin e çdo fjale. Kjo bëri që në shenimet e mia të krijoj një “arkiv”me folklor, përralla dhe gjuhë të folur të krahinës siç flitej dhe t’i studioj.E thellova këtë punë në mërgim ,ku përvoja e gjatë në.mësimdhënien e gjuhës shqipe dhe lënda e grumbulluar në të folmën e Bulqizës e krahasova për një periudhë rreth dhjetëvjeçare me shumë dhe studime dialektologjike, me shumë fjalorë dhe enciklopedi italiane e  deri edhe Arbëreshe duke krijuar një fond fjalori të gjuhës shqipe për rreth 600.000 fjalë për të krahasuar me to fjalët e Bulqizës dhe fjalët e huaja në formë përqasjesh sinonime. Në këtë mënyrë përpunimi dhe ristudimi i çdo fjale, bëri që të përpiloj këtë fjalor me fjalë të veçanta të bukura të kësaj krahine ,duke i shpjeguar dhe përdorur me shembuj.Në këte mënyrë është krijuar mundësia që këto fjalë të bukura të mos humbasin më dhe të jenë të shpjeguara duke u përqasur me gjithë sinonimet me to në gjuhën shqipe.Kjo do të bëjë që i riu bulqizak dhe më gjërë,të njihet,të njohe kuptimin e tyre dhe t’i përdore si pjesë e gjuhës shqipe.

Faleminderit dhe lexim të mbarë dhe me shendet që lexuesit e nderuar do t’i bëjnë  këtij fjalori krahas librave të tjera të bibliotekës së tyre!