Lëvizja demokratike e Marsit 1922


Nga ZABIT LLESHI

Lëvizja e Marsit ishte një lëvizje demokratike e progresive që synonte të konsolidonte themelet e demokracisë të hedhura në Kongresin e Lushnjës.

Viti 1921 mbylli nje etapë të rëndëndësishme në historinë e shtetit të pavarur shqiptar. Ai kurorëzoi luftën e popullit shqiptar për ruajtjen dhe konsolidimin e pavarësisë së Shqipërisë të tërësisë së saj territoriale1.

Kriza politike që shoqëroi shtetin e qeverinë shqiptare tregonte për demokracinë e brishtë shqiptare që e shoqëroi me antagonizma të fuqishme shoqërinë shqiptare në gjysmën e dytë të vitit 1921.

Qeveria e Xhafer Ypit ardhur pas rrëzimeve të disa kabineteve qeveritare ishte një hap mbrapa në jetën politiko-shoqërore të Shqipërisë u shpreh deputeti Stavri Vinjau në një nga mbledhjet e Parlamentit. Ahmet Zogu mbajti postin e Ministrit të Brendshëm. Ai ndaloi grumbullimet, mitingjet, pa autorizimin e xhandarmërisë ose të Ministrit të Brendshëm. U krijua Gjyqi i Lartë i Shtetit të cilin Zogu e përdori me mjeshtri për të gjithë kundërshtarët politikë. Aparatin e xhandarmërisë dhe policisë e vu në veprim për të mbështetur klikën e tij. Shfrytëzoi një ligj tjetër që miratoi këshilli kombëtar “Për djegien e shtëpive dhe konfiskimin e pasurive” të të pandehurve dhe të dënuarve që arratisen2.

Natyrisht duke shprehur interesat e çifligarëve, feudalëve, të tregtarëve të mëdhenj kjo qeveri nuk mund të pajtohej me interesat e fshatarësisë që kërkonte tokë bashkë me liritë demokratike. Kështu pra kemi një kontradiktë që nuk mund të zgjidhej me paq, me marrëveshje, por vetëm me organizim nga ana e forcave demokratike përparimtare për rrëzimin e qeverisë së Xh. Ypit. Kjo qeveri për të mbijetuar zgjodhi, dredhitë, mashtrimet dhe masa represive për shtypjen e rezistencës që kishte filluar muaj më parë si në parlament, në fshat e qytet, ndonëse luftohej kundër ushtrisë serbe.

Me një urdhëresë më 8 janar qeveria vendosi, që popullsia shqiptare me detyrim të paguante taksat e prapambetura qysh prej vitit 1919, këstet e vitit 1921 bashkë me ato të vitit në vazhdim. Hyri në fuqi shërbimi ushtarak i detyrueshëm filloi aksioni për mbledhjen e armëve. Ahmet Zogu siç shkruan në kujtimet e tij Hoxha Kadriu donte të zhdukte parinë e viseve mbi Shkumbin dhe pastaj mbasi të mbetej fill i vetëm si sundues këtu t’i sillej Toskërisë e ta shtypte edhe këtë duke u bërë kështu një kryetar qeverie më autoritar se Esat Pasha.

Ahmet Beu nuk kërkon të bëhet vetëm diktator. Qëllimi i tij ishte, mbasi e ka një fuqi të gatshme në dorë, të zhdukë armiqtë e tij personal si Aqif Pashën, Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Ramiz Dacin, Irfan Ohrin etj. 

 

  1. BESA E SHENJTË

 

Dibranët vendosën t’u pëgjigjen flakë për flakë masave represive të Qeverisë. Më 15 dhjetor 1921 u mblodhën në kullën e Islam Spahisë në Lumë, Bajram Curri, Elez Isufi, Halit Lleshi, Sali Ohri etj, lidhën “Besën e Shenjtë” me qëllim që të pengonin ardhjen e Konservatorëve në Qeveri. Për zgjidhjen e krizës politike duam një Qeveri që do ndihmonte në rimëkëmbjen e vendit, zhvillim paqësor të ekonomisë e vendosjen e lirive demokratike.

Jemi lidhur për me sigurue interesin e atdheut urtësisht” – thuhej në thirrjen që lëshuan Halit Lleshi e Sali Ohri menjëherë pas formimit të Besës së Shenjtë3.

Elez Isufi i kishte deklaruar Ismail Strazimirit “U besatuem me Bajram Currin që të marshojmë mbi Tiranë për me kërkue që të mblidhet Asamblea e Përgjithshme dhe të caktohet fati i popullit të ngratë4.

Në elitën patriotike të Lumës, Dibrës, Matit, Elbasanit, Tiranës, Shijakut, Kavajës ish përpunuar mendimi për një bashkim e koordinim të forcave që ishin në gjendje të mblidheshin rreth tyre për të zgjidhur 3 probleme.

  1. Të ndaleshin ose ndërpriteshin ngatërresat, grindjet në parlament e jashtë tij.
  2. Të ndërpriten abuzimet dhe shkeljet që bëhen nga elita politike në pushtet ndaj statutit të Kongresit të Lushnjës.
  3. Të mblidhej Ansambleja Kushtetuese për normalizim e gjendjes në vend. 

  Për të realizuar këto u pa me vend të intensifikoheshin përpjekjet dhe të fillonin menjëherë e pa vonesë veprimet. Dibra shihej si një garanci dhe shpresë qoftë edhe me armë.

Më 28 janar 1922 në Malin e Dhoksit në besën e Mehmet Duriçit (Bulqizë), Ali Llanit – Martanesh, Bajram Zenelit – Tërnovë, u zhvillua një mbledhje ku erdhën Bajram Curri, Elez Isufi, Halit Lleshi, Ramiz Alliu, Destan Puca. Këtu u vendos të realizoheshin objektivat e lëvizjes për demokraci. Asnjë kompromis as me reaksionin e brendshëm asnjë tundim nga përkëdheljet e armiqve të jashtëm të vendeve fqinj.

Në ditët e para të muajit shkurt 1922 në Allajbegi në shtëpinë e patriotit Demir Kaja përsëri u mblodhën Elez Isufi, Halit Lleshi, Suf Xhelili, Murat Kaloshi, Dan Cami5

Duheshin veprime konkrete pa humbur kohë, vonesa ishte në dëm të lëvizjes, sepse qeveria kishte marrë informacion e dijeni të plotë nëpërmjet emisarëve të saj në Prefektura e Nënprefektura (për Besën e shenjtë). Ajo dërgoi emisarët e vetë për mbledhjen e armëve në Dibër, Martanesh, Lumë, Elbasan, Çermenikë, Krujë, Kavajë, Shkodër etj. Shefqet Korça, komandant i operacionit për mbledhjen e armëve në Dibër e Martanesh më 22 shkurt 1922 në letrën që i dërgonte Komandës së Përgjithshme në Tiranë shkruante “Krerët e Dibrës”, Elez Isufi, Suf Xhelili, Halit Lleshi, Dan Cami, Murat Kaloshi dhe dy a tre bulqizakë, kanë lidhur besën që të bëjnë një kryengritje kundër qeverisë6

Ramiz Daci bashkë me Zija Dibrën, Dan Camin, Halit Lleshin, ishin protagonistë aktivë. Ato gjatë të shkurtit 1922 shkelën pothuajse gjithë fshatrat e Dibrës, takuan mjaft luftëtarë vullnetarë. Prijsat popullore biseduan në odat e kullave dibrane në Maqellarë e Kastriot, Grykë e Vogël, Çidhën e deri në Kullat e Elez Isufit në Sllovë për të koordinuar veprimet për aksion të përbashkët të armatosur7.

Patriotë të tjerë dolën në mbështetje të kësaj Lëvizje që në historinë e Shqipërisë njihet si “Lëvizja e Marsit 1922” si Luigj Gurakuqi, Mustafa Kruja, Abas Kupi, Hasan Prishtina, Aqif Pashë Elbasani, Lym Petrela, Hamit Toptani etj.

Më 1 mars nisi marshimi i kryengritësve në drejtim të Tiranës. Bajram Curri e mori drejtimin e parë Gjakovë-Tropojë-Kukës-Shkodër-Tiranë.

Në drejtimin Dibër e Epërme-Gollobordë-Martanesh-Qafë Priskë-Tiranë, forcat udhëhiqeshin nga Halit Lleshi e Dan Cami.

Murat Kaloshi do të sulmonte Peshkopinë për të marrë prefekturën (Pefekt ishte Sali Vuçiterrni).

Elez Isufi u nis nga Dardha-Gjur Reç-Krej Lurë-Selitë-Krujë-Tiranë.

Një drejtim tjetër ishte Kavajë-Durrës-Shijak-Tiranë, nga Hamit Toptani, Lym Petrela, Bajram Xhani, Imer Delialliasi. Osman Lita një nga krerët bajraktarë kishte sinjalizuar për planin e lëvizjes së kryengritësve. Në Pukë dhe Çermenikë u zhvilluan beteja të ashpra me forcat qeveritare8.

Elez Isufi, Isuf Xhelili, Ismail Strazimiri, me 350 forca pasi kaluan Matin erdhën në Krujë, prenë linjën telefonike që lidhej me tiranën. Në Tapizë u ndeshën me trupat qeveritare të komanduara nga Meleq Frashëri, i cili vritet në veprimet e para luftarake. Ushtria qeveritare u tërhoq dhe zuri pozicionin e mbrojtjes në Rrapin e Treshit. Elez Isufi u fut në Tiranë qëndroi në Kodër të Kuqe vetëm me forcat e tij. Në Borizanë erdhi Zija Dibra me 30 forca ndërsa Mustafa Kruja dhe Abas Kupi nuk kishin forca të armatosura me vete.

Me dibranët në Kodër të Kuqe u bashkuan Lym Petrela e Can Huqi. Shtëpia e Canit u bë baza e kryengritjes dhe selia e Elez Isufit. 

Muhaxhirët i ndihmuan luftëtarët e Dibrës, i strehuan, u kujdesën për të plagosurit. Motra e Ramiz Dacit Meleqja e martuar tek Tërshanët u tregua mjaft aktive dhe humane në ndihmë të luftëtarëve dibranë në lëvizjen e Marsit9.

Qeveria reaksionare e Xhafer Ypit e trembur nga vrulli i kryengritësve dibranë tregoi një çoroditje, një mungesë besimi. Në ushtrinë qeveritare: u krijua një anarki. Ministrat lanë detyrat dhe shkuan në Elbasan, ndërsa Zogu qëndroi ne zyrën e tij në pritje për bisedime me Elez Isufin.

Halit Lleshi me Dan Camin mbasi kaluan Ostrenin u ngjitën në Martanesh, nëpërmjet Çermenikës zunë vend në Labinot-Fushë10. Ata u përballën me forcat e Ferit Frashërit në ndihmë të të cilit erdhi edhe Shefqet Korça. Aqif Pashë Elbasani sipas marrëveshjes duhet të mbështeste me luftëtarët e tij trupat e Halit Lleshit, por ata nuk morën asnjë angazhim në veprime luftarake ndaj trupave qeveritare. Aqif Pashës i kishte bërë presion prefekti i Elbasanit Abedin Nepravishta, pranoi të dilte jashtë qytetit me kusht që të mos e përcillnin me forcë11. Në këtë situatë Halit Lleshi u tërhoq në Qafë Priskë. Trupat e qeverisë u shtuan, me ata u bashkuan Ministrat e Qeverisë Ypi bashkë me përkrahësit e Shefqet Vërlacit.

Elez Isufi qëndroi në Tiranë me luftëtarët e tij në pozicione luftarake në pritje të ardhjes së Bajram Currit e Halit Lleshit, Aqif Pashës e Hamit Toptanit, që sipas marëveshjes do të marshonin në drejtim të Tiranës. Do të takoheshin me 8 mars në rrugët hyrëse të kryeqyetit për të sulmuar njëherësh atë.

Braktisja e aleatëve, mungesa e municioneve së bashku me përgjegjësinë që ndjente për fatin e kryengritësve e detyruan Elez Isufin të pranonte më 10 mars 1922 ndërmjetësinë e ministrit anglez në Tiranë Ajres për një zgjidhje paqësore të konfliktit. Elezi pranoi të hiqte dorë nga lufta e armatosur me kusht të mos merrej asnjë masë ndëshkimore ndaj malësorëve kryengritës12.

“Luftëtarët dibranë, – do të shkruante gazeta “Liria Kombëtare” – e morën Tiranën me forcën e armëve, por e lanë atë si rezultat i ndërhyrjes së anglezit Ajres për ndalimin e luftimeve13.

Bajram Curri u ndal në Pukë mbasi Paria e Shkodrës nuk u përgjigj pozitivisht lëvizjes për të marshuar drejt Tiranës për përmbysjen e qeverisë e mbledhjen e Ansamblesë Kushtetuese. Ahmet Zogu kërkoi ndihmë përfaqësuesit anglez në Tiranë Ajres, për të hyrë në bisedime me Elez Isufin. Duke vlerësuar situatën e krijuar bashkë me mungesën e municioneve Elez Isufi nënshkroi armëpushimin me Ahmet Zogun. Më 11 mars u kthye në Dibër. 

 

  1. DISA MËSIME QË DALIN NGA LËVIZJA E MARSIT 1922

Forca kryesore lëvizëse e lëvizjes së Marsit ishte fshatarësia mbi kurrizin e së cilës rrëmonte shtypja dhe shfrytëzimi i egër i bejlerëve dhe çifligarëve, shtresës së pasur të shoqërisë shqiptare. Ishte lëvizje antiqeveritare, antifeudale.

Qeveritë e ardhura pas Kongresit të Lushnjës nuk bënë asnjëpërpjekje për të vënë në jetë Programin e atij Kongresi, nuk e thirrën asnjëherë Ansamblenë Kushtetuese, e vetmja aspiratë që do të ndërtonte shtetin.

Lëvizja e Marsit ishte demokratike dhe përparimtare sepse në drejtim të saj ishin patriotë të luftës për liri e pavarësi, që kishin drejtuar lëvizjen kombëtare gjatë gjithë jetës siç ishin Bajram Curri, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Elez Isufi, Aqif Pashë Elbasani, Ramiz Daci, Dan Cami, Bajram Xhani, Hamid Toptani etj.

Lëvizja e Marsit nuk i arriti objektivat dhe qëllimet e saj për faktin se: a) i mungoi një program i qartë politik. b) Bashkëveprimi i udhëheqësve që drejtuan lëvizjen nuk ishte në lartësinë e duhur. c) Mungoi vendosmëria e plotëm që me çdo çmim të arrihej objektivi. d) Pesha kryesore e veprimeve luftarake i mbeti Dibrës e vetëm Elez Isufi dhe Halit Lleshi u angazhuan në veprime luftarake.

Fshatarësia e Shqipërisë së Mesme me gjithë mbështetjen nuk pati organizim e mobilizim si ajo e Dibrës. Udhëheqësit e saj mbeten vetëm vrojtues të situatës, ndërmorën veprime e angazhime spontane. Ata u treguan pasivë në kohën kur duheshin kryer sulme të shpejta për të rrethuar kryeqytetin nga të gjithë anët njëkohësisht. Kjo i dha lëvizjes karakter krahinor dhe jo gjithëpërfshirës.

Ajo që i solli më shumë dëm kryengritjes ishte paqartësia politike e organizatorëve të saj, të cilit me qëllim që të rritnin “efektivin” e armatosur, pranuan që të merrnin pjesë edhe disa forca “antizogiste” si Mustafa Kruja, Abas Kupi të cilët nuk kishin asgjë të përbashkët me lëvizjen demokratike14

Lëvizja e Marsit kishte synime ekonomiko-sociale, ajo synonte të frenonte politikën ekonomike të konservatorëve që me anë të taksave të reja rënduan gjendjen ekonomike të popullit. Populli i Dibrës do të thoshte Elez Isufi, është helmuar nga kjo qeveri, sepse ka vënë taksa të rënda dhe s’i le të qetë15.

Lëvizja e Marsit ishte një lëvizje e gjerë popullore që shënoi një hap tjetër përpara në luftën për demokraci e përparim. Ajo i dha goditje të fuqishme forcave konservatore16.

Synimi politik i lëvizjes së Marsit ishte siç konstatoi publicistika e kohës: t’i priste rrugën realizimit të ambicieve dikatoriale të konservatorëve të cilët pasi shtinë në dorë pushtetin në dhjetor 1921, s’donin me ndigjue zanin e popullit, s’donin Ansamblenë Kushtetuese17.

 

4.DEMOKRATËT PAS LËVIZJES SË MARSIT

Dështimi i Lëvizjes së Marsit 1922, (jo për faj të dibranëve) pati pasoja të rënda18 për lëvizjen demokratike në Dibër e Shqipëri. Ndonëse sipas marrëveshjes së 10 marsit qeveria dhe ministri i brendshëm i saj ishin “pajtuar” për të siguruar lëvizjen e dibranëve në shtëpitë e tyre, nuk do të merrej asnjë masë ndëshkimore kundrejt drejtuesve të kryengritjes dhe pjesëmarrësve të saj.

Menjëherë filluan spastrimi i aparatit shtetëror nga nëpunësit kundërshtarë si në qendër ashtu edhe në pushtetin lokal, prefektura, n/prefektura e komuna, sidomos në Dibër, Kosovë, Lumë, Mat, Elbasan, Durrës, Kavajë etj.

Pengesa të mëdha i bënë Elez Isufit me luftëtarët e tij në rrugën e kthimit në Lis të Matit, pasi kaluan Qafën e Shtamës dhe zbritën në malin e Germanit, dibranët i gjetën shtigjet e zëna nga forcat e armatosura qeveritare, prandaj çanë përpara me forcën e armëve19.

Ahmet Zogu me përkrahësit e tij spastroi aparatin shtetëror në qendër dhe në bazë nga kundërshstarët e tij politik dhe reagon ashpër kundër tyre. Ai urdhëroi çarmatimin e popullsisë edhe në viset kufitare me Jugosllavinë, nxiti Këshillin e Lartë t’u hiqte udhëheqësve të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” mandantin e deputet në parlamentin shqiptar.20 

Ndër të parat viktima të Ahmet Zogut pjesë e obskurantizmit mesjetar e vrasjes mbas shpine, pabesisë, prej krimineli duke fshehur dorën e vrasësve të patriotëve pa gjyqe, gjykime siç bënin dikur qeveritë apo pushtuesit e huaj osman, serbë, austriakë, bullgarë etj.

Me porosi të Ahmet Zogut disa ditë pas Lëvizjes së Marsit togeri Fiqiri Dine arrestoi në Peshkopi Ramiz Dacin dhe ia dorëzoi, gjoja për ta përcjellë në Tiranë, Shefqet Korçës, i cili pa kryer asnjë procedurë e vrau barbarisht (pas shpine) te ura e Qytetit pranë Valikardhës (Bulqizë)21

Ahmet Zogu burgosi 500 vetë, vari e pushkatoi 52 patriotë, ç’mobilizoi 70 oficerë, pushoi nga puna qindra nëpunës etj.

Vrasjet vazhduan siç janë të njohura me patriotin e madh Avni Rustemin, Luigj Gurakuqin, Zija Dibrën, Bajram Currin për ta mbyllur me Hasan Prishtinën. Kështu mund të themi se regjimi feudoborgjez likudoi pjesën më të shëndoshë e demokratike të intelektualëve e patriotëve shqiptarë që luftuan me mish e me shpirt, me mendje e pushkë për demokracinë e përparim shqorëror.

Referenca: 
1 Milo Shqipëria dhe Jugosllavia 1918-1927 , 1992 fq 143
2 DUKA 2007, 138.
3 Gazeta “Dita e Re”, 10 maj 1922, f. 7.
4 STRAZIMIRI 1931, 135-136.
5 MURRA 1982 (Gazeta “Ushtima e Maleve”, 28 prill 1982, f. 3).
6 AQSH, Fondi i M.P.B., 252, Dosja 13, 1922 dok. Nr. 6, 162, 1922.
7 FRASHËRI 2012, 374.
8 LALA 1982 (“Ushtima e Maleve”, 31 mars 1982).
9VLLAMASI 2000, 284. 
10 VLLAMASI 2000, 283.
11 Idem, 283.
12 FRASHËRI 2012, 376.
13 LALA 1982 (Ushtima e Maleve”, 31 mars 1982) 
14 FRASHËRI  2012, 374.
15 Elez Isufi, Gazeta “Puna e Korçës” 18 mars 1922.
16 KORDHA 1996.
17Ora e Maleve”, 19 korrik 1924. 
18 FRASHËRI 2012, 376.
19 AQSH, F. 252, Dosja 1, viti 1922, f. 133.
20 Histori e Shqipërisë, vëll. III, Tiranë 1964, f. 258.
21 FRASHËRI 2012,  376.