“Gjergj Elez Alia i Dardhës”


Ramadan Islami nuk doli nga legjenda, por doli nga populli trim dhe liridashës i Dardhës e me gjashtë plagë në trup ngrihet si shqiponjë e qëllon mbi oficerin serb.

Nga Shaqir Skarra

Në Dibër dhe jashtë sinorit të saj, besoj se nuk ka mbetur njeri pa dëgjuar e lexuar për Kodrën e Shkekës në Shumbat ose siç njihet ndryshe në popull si Kodra e Istikameve. E tashmë Kodra e Shkekës ka filluar të flasë…
Ajo kodër që mbart dhe fsheh historinë jo vetëm të Shumbatit, por të gjithë Dibrës, e sot këtu na ka mbetur thjeshtë një toponim “Kalaja e Bukadollit” por pa e ditur as vetë se çfarë fsheh e ruan poshtë nëntoka e saj.
Kodra e Shkekës është një kodër mjaft dominuese për të gjithë Shumbatin, ku nga të gjitha anët e ke si në pëllëmbë të dorës Çidhnën matanë Drinit, Korabin, zonën e Dardhës e Reçit e deri në Lurën me bukuritë e saj.
Kjo kodër ka parë shumë e ende mbetet një muze i atyre kohrave të shkuara, por që gjurmët e historisë tonë komnbëtare kanë mbetur ende në kujtesën e të gjithëve.
Sot jo vetëm armë, predha e gjyle topi por po të gërmosh gjen varre, varre të shumta që armiku la kokën në këtë kodër të bukur të Shumbatit. E, nëse historia ka qëndruar më së shumti memece, është vetë kjo kodër që vitet e fundit ka filluar të flasë e të tregojë çka parë ato vite të zjarrta lufte ku gjaku skuqi edhe gjelbërimin e saj.Ishte pikërisht ky shekull, ky njëqind vjetor i luftës së përgjakshme dibrane kundër hordhive të shumta serbe ku Kodra e Shkekës nisi të flasë e të thotë të vërtetën midis fakteve. Në këtë kodër janë ndeshur romakët me ilirët,më vonë osmanët me shqiptarët. Për luftën e gjatë anti serbe kjo kodër është dëshmitare e vetme, që nëpërmjet fakteve, të dhënave, folklorit, historisë por edhe gjetjeve tregon shumë, e nëse historia ka qëndruar deri diku memece , tashmë kodra e Shkekës ka filluar të tregojë vetë për ato dtë të vështira e lufte të përgjakshme ku forcat e shumta mirë organizuara serbe u ndeshën me forcat vullnetare dibrane.
…Ishte 15 gusht e vitit 1920. Në Shumbat lufta ishte ndezur e ashpër. Korabi vështronte fushë betejën, por madhështia e tij nuk mund ta pengonte, ta ndërpriste dhe ta ndalonte luftën…
Pas një beteje të gjatë dhe të përgjakshme, pamvarsisht numrit të madh të ushtarëve serbë dhe armatimit të bollshëm të tyre, ushtria serbe u thye, u shpartallua.
Në fushë betejë, ushtarë dhe oficerë serbë të vrarë, armatim dhe municion i hedhur dhe braktisur, ushtarë pa komandantë dhe kuaj pa kalorës… Sigurisht, edhe disa luftëtarë dibranë derdhën gjak. Ranë në fushën e betejës për të mbetur përjetësisht dëshmorë të atdheut, të lirisë.
Ramadan Islami nga Lashkiza e Dardhës plagoset rëndë, jo njëherë por gjashtë herë, gjashtë plagë dhe si zgalem qëndronte në llogore me armë në dorë. I thoshte shpesh herë Isuf Xhelili:”Kujdes o djali i Lashkizës se plumbi të kap shpejt ty se je dy pëllëmbë më i gjatë se sa unë”.
Ushtarët serbë, ato që kishin mbetur gjallë, të ç’orientuar tashmë e pa komandantë iknin nga sytë këmbët, kërkonin të shpëtonin kohën.
Disa u ngjitën Grykës së Gramës e disa pasi kaluan Shumbatin të trembur u ngjitën në Venisht e Sllatinë për tu bashkuar me shokët e tyre dhe kaluar matanë kufirin. Të çakorduar të gjithë për atë që panë me sy dhe përjetuan vetë duke lënë shokët por dhe komandantët e tyre të vrarë në Kodrën e Shkekës..
Ishte pasdite vonë, dielli ishte në zenit dhe luftës po i vinte fundi. Një oficer madhor edhe sipër kalit tek po largohej pas ushtarëve në panik qëllonte, qëllonte vazhdimisht në drejtim të forcave vullnetare.
Ramadan Islami (Çerpja) nga Lashkiza e Dardhës e pikasi se nga vërshëllonin këto plumba dhe pse vetë kishte marrë gjashtë plagë, e plagët i kullonin gjak mori nishan dhe për herë të parë qëllon drejt mbi oficerin serb. Ra në tokë sa gjërë e gjatë duke bërtitur në gjuhën e tij. Fjalët e fundit i shpërndau lugina tej e tej. I dëgjuan të gjithë. I dëgjuan edhe ushtarët e tij që vraponin Grykës së Gramës por nuk ktheu kush pas me i dhënë ndihmë komandantit, sejcili kërkonte të shpëtonte kokën .
Luftës i kishte ardhur fundi, fitorja u qeshi forcave vullnetare dibrane. Ishte vonë pasdite e Kodra e Shkekës u brakis nga të gjithë.
Gjakun e malsorëve dibranë e thithi toka e zhuritur e Shumbatit, toka jonë e etur për liri, e zhuritur nga zjarri dhe flakët e luftës, ndërsa gjakun e pushtuesve serbë , toka jonë nuk e thithte, sepse nuk e pranonte gjakun e huaj, gjak pushtuesi por e mblidhnin dhe e tërhiqnin përrenjtë, që së bashku me llumrat e tyre ti çonin larg, shumë larg, sa më larg, ti përmbyllte si histori të trishtë Drini i Zi dhe ta mbyllte epokën e tyre në det.
Kali i oficerit serb të vrarë nga Ramadan Islami (Çerpja) vraponte dhe hingëllinte në fushën e betejës. Ndoshta kërkonte kalorsin, të zotin e vet apo bënte dhe apelin e ushtarëve dhe oficerëve të vrarë të cilët kishin mbetur përrenjëve, shkurreve, gjerdheve e porenëve me ferra, arave djerrë të kthyera në livadhe.
Kali hingëllinte por askush nuk i përgjigjej sepse ushtria ishte shpartalluar. Me plagët që i kullonin gjak Ramadan Islami tamam si Gjergj Elez Alia i legjendës që me plagë në trup u ngrit nga shtrati që lëngonte dhe fitoi luftën me bajlozin e detit, u hodh mbi kalin e oficerit serb që vrau vetë.
Dhe pasi i hodhi një vështrim përmallues fushës së Shumbatit mori rrugën për në Dardhë. Plagët i kullonin gjak dhe gjaku i tij njomëte, lagte dhe skuqte kalin, rrugën nga po ecte. Pasi kaluan Drinin, Ramadan Islami me gjashtë plagë mbi kalë dhe burrat që e shoqëronin vazhduan rrugën lart për në Lashkizë. Të tjera beteja e prisnin trimin e Lashkizës.
Jo pak por iu deshën shtatë-tetë muaj ti mbylleshin plagët e shumta, të përgaditej për të tjera beteja.Ushtria serbe e mirë organizuar vazhdonte mësymje kundër trojeve tona Mesymjet serbe vazhdonin …. djegja e shtëpive në pranverën e 1921e dëmtoi shumë zonën. Shtëpitë dhe kullat ishin djegë dhe braktisur.
Mësymja serbe ishte shumë e egër. Beteja e Qafë-Gëlqeres është një tjetër betejë e ashpër e forcave vullnetare kundër ushtrisë serbe.
Marka Gjoni bëri një marrëveshje të fshehtë me klikën e Beogradit, marrëveshje në dëm të trojeve shqiptare.
Qeveria e drejtuar nga Iljaz Pashë Vrioni dhe ministër i mbrojtjes Salahudin Shkoza urdhëruan një mesymje kundër kësaj marreveshje të fshehtë e në kurriz të popullit shqiptar, ku do të sulmonin forcat e Mirditës që ishin pro Jugosllavisë.
Nga krahina e Dibres u caktuan tre krahina që do të merrnin pjesë në këtë mësymje.
– Forcat e Lurës të komanduara nga bajraktari Muharrem Mena .
– Forcat e Dardhës dhe Reçit nën komandën e Ramadan Islamit me Halim Shehun.
Ishte fundi i Qershorit 1921. Forcat e Dardhës e Reçit u bashkuan në Lurë me Muharrem Menën dhe forcat vullnetare të Lurës. Natën e kaluan të ndarë në grupe nëpër familjet e Krej- Lurës dhe Mërkurthit të Mirditës. Ramadani me disa trima kaloi natën tek një kullë e njohur në Mërkurth ku aty zot shtëpie ishte një plakë e moshuar por shumë burrëreshë e quajtur Dava e Ndue Markut.
Gjithë natën e kaluan me muhabet. Plaka mirditore burrneshë shpërndante duhan dhe mbante oxhakun e ndezur mirë që mysafirët e lirisë të mos kishin të ftoftë.
Të nesërmen në Orosh të Mirditës. Shkallgjani ishte stacioni i fundit i jetës për Ramadanin. Istikame nën tokë kishin ba ata. Filloi lufta dhe mësymja…. mbi dy orë luftime…humbje të mëdha pësuan pro serbët…. Në këtë mësymje u vra një nga djemtë e Lurës. U plagos rëndë edhe Halim Shehu. Në krah të Ramadanit ishin Rrahman Rasha, Imer Topuzi e Xhemal Mera.
Pas përleshjeve dhe thirrjes “a besa besë”, Ramadani është hedhur mbi istikamet e armikut gati në përleshje trup me trup deri sa një plumb i zi e merr në ballë…
Vendosi dorën e majtë në ballë dhe e hoqi kur e pa se dora iu lag nga gjaku që vazhdonte të dilte pa pushim . Lëshoi një piskamë të fuqishme … “ mos e kurseni jetën për lirinë” dhe u rrezua si një lis .Ramadan Islami e mbylli jetën e tij në mënyrë heroike duke lënë pas një djalë të vogël vetëm tetë vjeç. “Ra heroikisht si në luftrat e mitologjisë Homeriane- do ta cilësonte historiani Bajram Xhafa në sesionin shkencor me rastin e 100 vjetorit të luftës së dibranëve anti serbe që u mbajt në Akademinë e Shkencave më datë 20/12/2021, në Tiranë.
Po kush është Ramadan Islami (Çerpja), ky hero i asaj lufte të gjatë, të madhe disa vjeçare që edhe pse pas kaq vitesh tek ne vjen si nëpërmjet legjendës?
Ramadan Islami nuk doli nga legjenda por doli nga populli trim dhe liridashës i Dardhës e me gjashtë plagë në trup ngrihet si shqiponjë e qëllon mbi oficerin serb.
Historia nuk e tha tamam të vërtetën, heshti për kaq vite, por plagët e marra në këtë betejë, të rënët, gjaku i derdhur, kjo kodër që u fut në histori si kodra e istikameve nuk heshtin, tregojnë të vërtetën se çfarë ndodhi në atë ditë gushti të vitit 1920.
Lindi në Lashkizë në vitin 1880. Ishte i biri i Islam Adullahut dhe Kade Xhedikes (nip i Isuf Xhedikut). Që në moshë të re mori drejtimin e familjes pas vdekjes së vëllait të parë ushtar në Turqi Man Islamit. Ai kishte dhe tre vëllezër më të vegjël dhe dy prindërit në moshë të thyer. Sipas thënjeve dhe përshkrimit të bashkëmoshatarit ( Imer Topuzi)… Ramadani kishte një fizik të veçantë në të gjithë krahinën e Dardhës. Ishte i gjatë në trup, zeshkan në fytyrë, me mustaqe të zeza që me shikimin e parë të krijonte pamjen e një burri të guximshëm dhe trimi të rrallë. Karakteristike kishte një dorë të fuqishme me gishta të gjatë. I veshur me kostum kombëtar të gjalishnajkut, dhe një qystek sahati sermi me tre levar. Në vitin 1900 u ngjit nga Lashkiza në Zhugjërr, pikërisht aty tek kalaja mesjetare, ku ndërtoj kullën e parë dy kateshe me sharishane…dhe brenda dy vitesh kullat u shtuan nga kusherinjt e vet duke krijuar kështu lagjen Zhugjerr. Për trimin, heroin Ramadan Islami, edhe pse historia nuk na tregoi tamam heroizmin e tij, poeti Naim Plaku na e solli në vargje:

1
“O moj Dardha maj mbi shkrepa,
Në troje t’veta rritet Çerpja.
Ku je kulla me nishana?
Le e rrit ke tre “Osmana”
Le e rrit ke tre Osmana”
Vjen haberi e ndez konakun,
A po e njeh moj kullë oxhakun
Brez pas brezi o ka rrit trima
O jep e merr selam gjithë Dibra.
Po i çon Shkodra selam Dardhës
Më ka ardh hasmi n’ prag të Rozafës,
Më ka shkel hasmi në konak
Sot po më lypset nji grusht gjak.
Çerpja i Dardhës o në tabe të parë,
Luftë me krajla e pashallarë,
Mbaje lart burrnin e fisit
O e ke varrin në fushë te Nishit.
Në kodër të Shkekës pa zbardh drita,
Luftë të madhe ka nis Dibra
Kush është ai bajrak i gjallë
O me gjashtë plagë qëndron në kamë.
Nga Korabi n’ Orosh të Mirditës
Heu të lumt pushka o trimi i Dibrës,
Hej n’ t’ katër anët o ka shku zani,
O jo nuk vdes Ramadan Islami.
Besa besë për troje t’ veta
Pushka top Ramadan Çerpja
Unë jam Çerpja i Lashkizës
Nuk ja heq mejdanin Dibrës.

Referenca:
“Lufta e Dibrës 1920” Bajram Xhafa.
“Borxhin ta ktheva vendlindje” Shaqir Skarra.
“Xhelal Çerpja, diamant i kulturës dibrane” Shaqir Çerpja.
Të dhëna gojore nga Kujtim Çerpja.