“Fshati në këmbët e Temlës” – një testament që i lihet fshatit


Nga ESMERALDA BICA

Sa herë lexojmë një libër të shkruar për vendlindjen, gëzohemi pa masë. Dhe kemi të drejtë, pasi brenda tij fshihen ndodhitë e hershme të fshatit, të cilët duke i lexuar mësuar apo kujtuar, çmallemi, mallëngjehemi dhe shpesh herë pyesim veten dhe themi: Heu bre, si nuk i paskemi ditur gjithë këto ngjarje? Dhe në të njëjtën kohë ndjehemi krenar për vendlindjen tonë. Të gjitha këto do ti mësojmë duke lexuar librin e ri ”Fshati në këmbët e Temlës”, me autor Destan Ramën. Autori në këtë libër ka sjellë në vëmendjen e lexuesve vlerat shpirtërore, patriotike, atdhetare, arsimore, kulturore, të fshatit Peladhi, ku i ka rrënjët, ku për herë të parë ka parë dritën e diellit dhe ku mësoi ABC-në. Nëpërmjet librit njihemi me vendndodhjen e fshatit, një pozicion ky, i vendosur bri një qyteti të hershëm i quajtur ”Qyteti i Valikardhës”, i ndërtuar në perëndim të tij dhe që mbyll krahinën e Grykës së Madhe.
Me punën e tij hulumtuese autori ka zbuluar origjinën e emrit të fshatit. Një emër ky, që vjen nga legjenda. Ka të bëjë me betejat dhe luftën e Skënderbeut kundër turqve. Pela e ushqyer me grurë dhe e hedhur nga shkëmbi e copëtuar aq shumë sa që nuk kuptohej nëse është pelë apo dhi, mbyll debatin e ushtarëve turq (Peladhi).
Me mjaft interes dhe kureshtje lexohet puna e bërë nga autori për gjetjen e origjinës së fiseve të fshatit. Për këtë i erdhën në ndihmë fletorja nr.1 e Sami Kamberit, një ish kuadër me vlera të çmuara në fshat, si edhe vjelja e tregimeve apo e kujtimeve nga tregimtarë popullorë, dokumentet dhe fotot që ata kanë ruajtur. Po edhe ata të mbledhura në Desovë, Manastir, fshatrat Duf dhe Rekë në Dibrën e Madhe (Maqedonia e Veriut). Ndjen një kënaqësi dhe mallëngjehesh kur lexon mënyrën e festimit të festave tradicionale dhe zyrtare në fshat. Nëpërmjet tyre jepen mesazhe të rëndësishme mësimi dhe edukimi. Skeci ”Lufense” që luhej nga djemtë dhe vajzat e fshatit ishte mjaft domethënës. Lufencja nga një grua dembele me ndihmën e dy motrave të saj, bëhet një grua e mençur e pastër, e dashur për fëmijët e burrin e saj. Nëpërmjet këtij skeçi zbulohet mesazhi; se edhe në varfëri, jetesa mund të bëhet e pranueshme, po të mos biesh në dëshpërim, dhe po t’i vësh në përdorim të gjitha mundësitë që ke. Zhvillimi i bujqësisë dhe i blegtorisë, zë një vend të rëndësishëm në libër, si dy tregues kryesorë për të mbajtur gjallë jetën në familjet e fshatit.
Në libër autori na bën një retrospektivë të rëndësishme për ish kooperativën bujqësore me të mirat dhe të këqijat e saj. Zhvillimi i zejtarisë në fshat shihet si dritëdhënës për të. Pa zejtarinë nuk kishte se si të arrihej zhvillimi i fshatit. Dhe se kjo nuk i ka munguar kurrë atij. Një vend të rëndësishëm, dhe që lexohet me kureshtje zë kapitulli: kultura familjare, shoqërore materiale në fshat. Këtu vihet në dukje se këta nuk i kanë munguar kurrë fshatit. Mjaft bukur përshkruhen këtu peripecitë nëpër të cilat ka kaluar jeta e banorëve; nga kasollet të mbuluara me kashtë, në shtëpi e vila të bukura banimi, nga veshje tradicionale në atë të kohës, nga sofra, koshtenja në kondrabufe e dhoma gjumi moderne. Të tërheq vëmendjen, veçanërisht mënyra e organizimit të fshatit, ku bazë ishte itifaku dhe zbatimin me korrektësi normave zakonore, i gjyqit me të cilët zgjidheshin problemet jetikë të fshatit.
Me kërshëri dhe kënaqësi lexohet kapitulli për atë më kryesorin; zhvillimin e arsimit në fshat pasi aty e ka bazën dituria, ku tek odat e tij të verbrit i erdhën sytë. Zhvillimi i veprimtarive kulturoro-artistike dhe fizkultiroro-sportive në libër trajtohet në mënyrë të hollësishme. Në fshat kishte grup artistik, kishte skuadër futbolli dhe zhvilloheshin veprimtari nga më të ndryshmet për argëtimin e banorëve. Mjaft interesante është përshkrimi i organizimit dhe i zhvillimit të dasmës dhe të mortës në fshat. Banorët kanë ditur të zhvillojnë dasma sipas stilit të tyre, që në kohët e hershme, kanë ditur të shijojnë gëzimin e saj,ashtu siç kanë ditur të përballojnë me hidhërim, por me solidaritet e respekt mortën. Në libër përshkruhet me mjaft kujdes edhe zhvillimi i shëndetësisë në fshat, nisur me metodat më primitive deri te ato shkencore për shpëtimin e jetës të banorëve. Një vend të rëndësishëm në libër zë përshkrimi i portretit të disa personaliteteve që kontribuan dhe vazhdojnë të kontribuojnë për fshatin e tyre. Të gëzon fakti se në rrugëtimin e tyre po ecën edhe gjenerata e re.
Për mua ky libër është një testament që i lihet fshatit, për të mësuar ç’ka ndodhur në fshatin e tyre dhe që u lihet trashëgimi gjeneratave të ardhshme. Suksese autorit.