Ilmi Dervishi, letrari modest


Autorët Bujar Muça dhe Burbuqe Agolli sjellin monografinë “Gjurmë në kohë”, kushtuar poetit
Ilmi Dervishi me rastin e ditëlindjes.

Nga RAMADAN TOPUZI

Ikudondodhur, në takime letrare, ceremoni, organizime kulturore; Ilmi Dervishi bie në sy me thjeshtësinë e tij. Me sjelljen e tij dashamirëse plot respekt për të gjithë, duke prezantuar të gjithë të njohurit e tij të tjerëve, me dashuri të madhe, pa intriga, pa ego, por me dëshirën e mirë të njohjes, të promovimit të vlerave. Dashuria për librin e ka ushqyer që në rini, kur nisi me shkrime të ndryshme; kronika e artikuj problemorë. Më pas ka vijuar me poezinë, me të cilën fle e zgjohet, me rrethet letrare, me poetë nga të gjitha trojet ku flitet shqip. Për këtë flasin dhjetëra botime me poezi të tij, plot shpirt e muzë. Promotor i lëvizjes së organizimeve poetike, plot ide e pasion me të vetmin qëllim – poezinë.
Prej vitesh ia ka dalë të organizojë rreth vetes me qindra poetë: me origjina, besime, profesione e kultura ndryshe por që i bashkon poezia. Kjo duhet të ketë qenë edhe motoja e “Na bashkoi poezia” edhe pse nuk e kam pyetur ndonjëherë, por kjo ndjehet, kuptohet. Antologjia e njohur me të cilën ia doli t’i grupojë e sistemojë në dhjetëra vëllime poetike, ashtu thjeshtë, pa bujë, pa përtesë e me plot shpirt artistik, diversitetet poetike.
Vijon të krijojë: pafundësisht, poezi; nga ato më të ndjeshmet, për jetën, padrejtësitë e saj, brengat, për fatin e poetit e ndoshta ato për të cilat shquhet janë ato romantiket, ku derdh shpirtin e tij rinor, të çiltër, të guximshëm, rrezatues.
Nuk dua të zgjatem, vetëm desha t’i them dhe unë dy fjalë për poetin rinor, për letrarin me sjellje modeste – Ilmi Dervishi. Diku jam shprehur: “shkrimtari njeri” për shkrimtarin Zija Çela; Ilmiu është pikërisht njeriu poet.
I uroj jetë të gjatë sa Korabi e vëllime të pafundme si uji i Drinit, me këtë freski e shpirt rinor që ka!