Për librin e Halil Ramës “Magjia e fjalës”


Halil Rama, i mirënjohur si gazetar dhe esesist, është prej atyre që e kanë librin një ushqim të përditshëm shpirtëror e mendor.

Nga Preç ZOGAJ

Një libër me shkrime për disa libra është më pak se secili prej tyre veç e veç dhe më shumë se të gjithë bashkë në kuptimin e informacionit përmbledhës që përcjell. Shkrime të tilla, kur shkruhen bukur, të mësojnë, të japin kanaqësi, të shtyjnë t’ia besosh fatin letërsisë së mirë, domethënë të jesh njeri, siç thotë kritiku franko gjerman Alen Finkielkraut. i cili, me që ra fjala, është një nga mjeshtrit më të mëdhenj të kësaj fushe. Në librin me titull Një zemër inteligjente”, përshembull, ai ka përbmledhur nëntë “lexime” për nëntë romane, ku çdo “lexim” të jep çelësin e një thellimi gratis në brendinë, domethënien dhe vlerat e veprës. Mund të sillen plot shembuj të tjerë kësisoj.
“Magjia e fjalës”, botim i Shtëpisë Botuese Universitare “UET Press” bën pjesë në këtë familje. Autori Halil Rama, i mirënjohur si gazetar dhe esesist, është prej atyre që e kanë librin një ushqim të përditshëm shpirtëror e mendor; një lexues i paepur, siç do thoshte Borhes, i cili, duke folur për veten e tij, e çmonte të qenit lexues si një meritë më të madhe se të qënit krijues.
Të lexuarit për Halilin nuk mbetet në kuadrin e nevojave dhe kënaqësive individuale. Duke hedhur në letër e botuar rregullisht vështrimet e tij për librat që pëlqen, ai vihet në rolin e ndërmjetësit special mes Librit dhe lexuesve. Merr kështu rolin e një shërbyesi publik, që ndërsa nuk ekziston në nomenklaturën zyrtare të fuksioneve, i përgjigjet një kredoje më të lartë që përcakton vendin e intelektulit në shoqëri.
Leximet e shumëllojshme – në prozë, poezi, monografi, historiografi, diplomaci, gjeopolitikë, folklor, etnokulturorë e tjerë – dëshmojnë spektrin e gjerë të kërshërisë, interesave, shijeve dhe kërkesave kulturore dhe intelektuale të autorit.
Te “Magjia e fjalës” lexuesi do të gjejë dyzetëenjë shkrime. Shumica janë reçenca për libra artistikë apo monografikë. Pjesa tjetër janë kryesisht profile letrare dhe paraqitje botimesh nga etnokultura. Reçensave u prin nga radha dhe cilësia ajo për monografinë “Kur mbretëron karakteri – Ronald Regan” të autores Peggy Noonan, për të vijuar me ato për për vëllimin me tregime “Thikat pa gjak” të Zija Çelës, romanet “Dëmtuar gjatë rrugës” të Besnik Mustafajt, “Një shaka e vogël me vdekjen” të Bashkim Hoxhës, “Saga përtej Atlantikut” të Shefqet Mekos, “Änja” të Ahmet Prençit, “Martesa e dytë” e Flamur Buçpapaj, e tjerë.
Galeria e profileve letrare vjen si një lloj Wikipedia me informacione pothuajse shterruese për jetën dhe veprën e shkrimtarëve Teodor Laço e Shefki Karadaku, të shkrimtarit e studiuesit, Hajri Mandri, të artistit të mirënjohur dibran, Hazis Ndreu dhe bardit Naim Plaku.
Një kategori tjetër shkrimesh kanë në fokus libra monografikë dhe studimorë për historinë dhe etnokulturën e arealit dibran e më gjerë. Ato kthejnë vëmendjen e merituar nga një kategori hulumtuesish të përkushtuar, siç janë Fatmir Terziu me “Toponimia e Gollobordës: Diskursi i dygjuhësisë dhe derivati i origjinës”, Besnik Këbej me “Origjina dibrane e Skënderbeut”, Naim Berisha me “Berishët e Muhurrit”, Faik Bruçi me “Fisi Bruçi i Lukanit të Dibrës”, Haki Përnezha dhe Ruzhdi Bitri me “Toponimia e Çidhnës”, e tjerë.
Në tërësi, autori ka ndaj librave që merr në shqyrtim një qasje përbashkuese që do ta quaja “protoniste”. Ky është një term i përdorur nga shkrimtari dhe doktori i shkencave humane, Gjekë Marinaj. Termi në fjalë, siç kuptohet lehtë, është një metaforë që rrjedh nga fizika me referencë atomin: kritiku protonist kujdeset për protonin e qëndrueshëm me peshë dhe pozitiv. Thënë ndryshe fokusohet te ana e mirë e veprës. Protonizimi është zhvilluar nga Marinaj dhe është pranuar si teori letrare filimisht nga Universiteti i Dallasit në SHBA dhe pastaj më gjerë. Teoria sugjeron që një kritik protonist, kur përballet me një tekst, duhet të kërkojë sëpari atë që ka vlerë estetike, intelektuale dhe morale në vepër. Kritiku që gjen pak vlerë në një vepër, thjesht duhet ta lerë mënjanë dhe të përmbahet tërësisht nga diskutimi i tij, duke e lënë atë në errësirë në vend që të bëjë një shfaqje të retorikës përçmuese.
Halil Rama mund ta ketë lexuar por mund edhe të mos ketë dëgjuar për teorinë protoniste. Atë e çon te praktikimi i saj pozitivizmi i tij si njeri dhe si intelektual, dhuntia e tij për të parë të bukurën dhe të mirën në veprat për të cilat shkruan, për t’i dashur e promovuar më gjithë shpirt ato.
Kjo dhunti e karakterit do të ishte krejt e pamjaftueshme pa një set cilësish të tjera, ku spikat profesionalizmi, njohja e termave dhe nocioneve bazë të kritikës letrare, aftësia për të përkufizuar me fjalë të kursyera subjektin e veprës, ndërtimi i një parashtrese jo skematike mbi tekstin që përcjell e analizon, duke ndërthurur referimet nga të tjerët me pohimet e veta autentike.
Romani “Dëmtuar gjatë rrugës” i Besnik Mustafajt është për Halil Ramën zbërthimi i “lëmshit torturues të lotëve që ia kishin zënë lëfytin e hollë të grykës një nëne”. Në fakt unë nuk kisha lexuar për këtë vepër një frazë kaq lakonike që në pikpamjen strukturore shëmbëllen kolonën vertebrale të subjektit dhe e paralajmëron lexuesin në formën e joshjes se do të lexojë “anantominë” e një lëmshi lotësh.
Reçensa për ish – Presidentin Ronald Regan vjen si një koleksion sentencash që japin saktë identikitin e një personazhi të jashtëzakonshëm, që erdhi në skenën e madhe nga “ëndrra amerikane e lirisë dhe mundësive të pashterrshme”. Reçensuesi fokosuhet jo pa qëllim te prejardhja e Reganit nga një familje e thjeshtë amerikane. Ai kërkon të nënvizojë faktin se konservatorizmi politik nuk derivon vetëm nga pasuria apo dinastitë, por vjen gjithashtu nga një traditë e ngulitur vlerash të familjes, besimit, lidhjes me vendin apo oikos-in.
Përmeda këtu vetëm dy shëmbuj që ilustrojnë pohimin se aftesia për të shkuar në thelbin e veprave që merr për të analizuar është një karakteristikë e shkrimeve të Halil Ramës.
Thuhet me të drejtë se është shija që përzgjedh çfarë të lexojë e promovojë dhe janë citimet ato që pasqyrojnë shijet. “Po zemra e kërkon nudon e bukur, / e të jetë ajo si mbretëreshë, /që nëpër gjoksin e saj malli i shkurtër /si tajfun Floride të përqeshë…”. Këto vargje të Shefki Karadakut janë cituar nga Rama në shkrimin për profilin letrar të një shkrimtari dhe poeti që ndoshta nuk i ka marrë vlerësimet e merituara. Janë vargje shumë të bukura që e shtyjnë lexuesin drejt krijimtarisë së autorit.
“Magjia e fjalës”, përveçse një adresar titujsh për t’u lexuar dhe një koleksion citimesh që në lidhjen e tyre krijojnë një buqetë perlash për njohjen dhe kujtesën, është një shërbesë e madhe letrare dhe intelektuale në këto kohë të vështira për artin dhe kulturën. Nëse do të përfytyronim një “Urdhër” për mbrojtjen dhe promovimin e kulturës si pasuri e shoqërisë dhe njerëzimit, Halil Rama është aty në shërbim të librit në gjuhën shqipe.