Mirëkuptimi për guximin klinik të justifikuar


Tregim nga Ahmet Kamberi

Doktor Agimin e shqetësonte shumë mjekimi i të sëmurëve me prishje kronike të punimit të zemrës – një gjendje e rëndë paaftësuese që vjen kryesisht për shkak të dëmtimit të muskulit të zemrës nga shkaqe të ndryshme. Të sëmurët shtroheshin në spital, mjekoheshin me injeksione brendavenore të një bari që quhej strofantinë dhe ujëzbrazës me bazë zhive. Ato bëheshin mirë por ktheheshin përsëri në spital, kush pas dy, kush pas tri a katër javësh e kush hiç…, pasi mjekimi me injeksione ditëpërditë, nuk ishte aspak praktik. Kishte barna të tjera, me prejardhje nga bima e digitalit, të cilat i prodhonte Profarma në Tiranë, si digitalina dhe lanatozidi C, të cilat mund të përdoreshin për mjekim kronik. Por ato kishin një të metë të rëndësishme. Në gjendjet e rënda kur mëlçia ishte e mbushur me ujë, ato nuk mund të përdoreshin, sepse nuk përthitheshin mirë në zorrë. Përdorimi me pluhura ose pika e bënte të vështirë dozimin e tyre, dhe shpesh, të sëmurët pësonin helmime. Nga fundi i viteve 1960, Depoja e barnave në Tiranë, kishte filluar të importonte një preparat shumë të pastër të digitalit: Digitoksinën. Kjo përthithej shumë mirë në zorrë edhe kur prishja e punimit të zemrës ishte shumë e rëndë e me enjtje të skajshme të mëlçisë. Në Spitalin klinik të Tiranës, ku doktor Agimi bënte specializimin për sëmundje të brendshme, digitoksina – nga frika e helmimit prej saj- përdorej rrallë dhe me doza të vogla e të papërshtatshme, për analogji të përvojës negative me preparatet e vjetra. Doktor Agimi kishte kohë që punonte me literaturë mjekësore amerikane dhe angleze. Që në vitin 1962 ai ishte i abonuar në revistën e Shoqatës Mjekësore Britanike: Revista Mjekësore Britanike (British Medical Journal) dhe kishte në bibliotekën e tij librat bazë më të mira bashkëkohore amerikane të mjekësisë së brendshme. Ato ai i porosiste nëpërmjet librarisë së qytetit në Peshkopi, e cila ia përcillte Ndërmarrjes së librit ndërkombëtar në Tiranë. Gjatë kohës së specializimit në Tiranë, ai shfrytzonte revistat amerikane mjekësore me emër si Revista Mjekësore e Anglisë së Re (New England Journal of Medicine) dhe Revista Mjekësore e Shoqatës Amerikane të Mjekësisë (JAMA), që gjindeshin në bibliotekën e spitalit. Këto, i kishin mundësuar atij të kuptonte se mjekimi i të sëmurëve me prishje kronike të punimit të zemrës, mund të përmirësohej shumë përmes digitalizimit të shpejtë (ngopjes së shpejtë të trupit me barna që nxirren nga bima e digitalit). Para se të kthehej përsëri në Peshkopi, në shtator të vitit 1969, ai vajti në Depon e barnave dhe porositi një sasi të mirë digitoksine për spitalin e atjeshëm.
Me t’u kthyer në Peshkopi, puna e parë që bëri, ishte instruktimi i infermiereve për mënyrën e digitalizimit të shpejtë. Mënyrën sesi ato duhet të vrojtonin të sëmurin para se t’i jepnin atij dozën e radhës, dhe se çfarë duhej të bënin nëse vinin re shenja të dyshimta. Digitalizimi i shpejtë dukej i frikshëm, pasi i sëmuri duhej të mirrte ditën e parë gjithë sasinë e tabletave të digitoksinës që duhej për të ngopur organizmin. Me metodat e vjetra të mjekimit duheshin dy javë për arritur digitalizimin e plotë (ngopjen me digital). Me metodën e re, pas 24 orësh kalohej menjëherë në dozën mbajtëse, e cila duhej individualizuar për secilin të sëmurë, por që gjithsesi ishte një doze shumë e vogël. Doktor Agimi e kishte menduar thellë përdorimin e kësaj metode, e cila do t’i ndihmonte të sëmurët në kapërcimin e shpejtë të vuajtjes së tyre, shkurtimin e qëndrimit në spital, përmirësimin e cilësisë së jetesës e ruajtjen për kohë të gjatë të saj, si edhe shmangien e shtrimeve të shpeshta, të përsëritura në spital. Ai besonte se zbatimi i një metode mjekimi që përdorej gjerësisht në Amerikë dhe Kanada, nuk do të thoshte medoemos se ajo po vihej në përdorim për herë të parë. Kjo e ndihmoi atë të mos trembej. Megjithatë, kjo nuk mund të merrej me aq lehtësi. I sëmuri me sëmundje të rëndë të zemrës, është gjithnjë pranë rrezikut për jetën. Mjekimi mund të mos jetë kurdoherë i suksesshëm. Por, kur përdoret një metodë e re mjekimi, dhe i sëmuri mund të vdesë, dyshimi i parë që ngrihet e lidh atë me mjekimin e ri të përdorur. Në kohën e socializmit, një dyshim i tillë donte të thoshte shumë. Megjithatë, doktor Agimi e kishte mbledhur mendjen tashmë. Në mendësinë e tij, përparim në mjekësi do të thoshte të shpëtoje sa më shumë jetë njerëzish, të lehtësoje vuajtjet e të sëmurëve, t’u riktheje atyre aftësitë e humbura deri në maksimumin e mundshëm, si edhe t’u zgjasje jetën me një cilësi të mirë. Kjo e bënte atë të mendonte se guximi klinik i justifikuar ishte i nevojshëm. Nga ana tjetër ai besonte se edhe urdhëri më dobiprurës e i shqiptuar qartë mund të jetë i padobishëm, e madje i rrezikshëm kur zbatohet nga njerëz të pastërvitur, të painstruktuar, ose të painstruktuar si duhet. Prandaj ai e kishte bërë zakon që kur kishte filluar punën në atë pavijon që një orë në javë, t’ia kushtonte edukimit profesional të pandërprerë të infermiereve të tij, me një program tematik të përcaktuar. Kishte vënë gjithashtu, kryeinfermierin ta bënte këtë gjë edhe me sanitaret e pavionit. Kjo kishte dhënë rezultate të shkëlqyera dhe i kishte mundësuar atij që vetëm në katër orë, të përballonte për shumë vite drejtimin e mjekimit të pesëdhjetë e pesë të sëmurëve që kishte pavioni i tij, pasi katër orët tjera të orarit zyrtar duhej ti kalonte në poliklinikën e qytetit.
Kështu, kur ai u bind se e kishte përgatitur mjaftueshëm personelin e tij edhe për problemet që lidheshin me digitalizimin e shpejtë, nisi ta zbatojë atë në rastin më të parë që iu paraqit. Mori zemër nga rezultati pozitiv befasues dhe pastaj vazhdoi pa u ndalur. Ndjekja e vëmendshme e të sëmurëve dhe kujdesi i veçantë i infermiereve, i mundësoi atij të shmangte çdo ndërlikim të parandalueshëm. Brenda një muaji, pa bujë, kjo punë ishte kthyer në rutinë.
Mirëpo, një ditë aty nga fundi i nëntorit, shtrohet në pavijon një e sëmurë nga Sopoti me një prishje të rendë të punimit të zemrës, e enjtur kokë e këmbë nga mbushja me ujë dhe e pazonja të lëvizte. Në mënyrë të natyrshme, ajo iu nënshtrua mjekimit të ri.
Por doktor Agimi kishte bërë gabimin e zakonshëm të kërkuesve dhe zbatuesve të heshtur, të cilët përqendrohen pa zhurmë në punën e tyre, me besim të plotë në dijet e veta të përftuara nga studimi intensiv dhe të vetëdijshëm për atë që bëjnë, por pa u kujdesur të parambrohej nga mjedisi i kolegëve të painformuar. Kështu, të nesërmen e shtrimit të kësaj zonje, doktor Agimi do të përballej me një situatë vërtetë të vështirë. Në mbledhjen e mëngjesit, mjeku i rojës, specialist radiolog dhe që pati drejtuar repartin e patologjisë para se t’ia dorëzonte atë doktor Agimit, para se të fillonte raportimin për shërbimin e tij, iu drejtua drejtorit me ton kritik:
-Shoku drejtor, ky është i çmendur, – duke rrëfyer me gisht doktor Agimin.
-E, pse? – ia ktheu i habitur drejtori.
-I ka dhënë një gruaje të sëmurë me prishje të rëndë të punimit të zemrës, me enjtje të krejt trupit, 18 tableta digitoksinë.
-Po ti, e pyete Agimin pse e kishte bërë këtë?
-Jo. Kur e pashë unë në mbrëmje, Agimi sapo kishte ikur dhe e sëmura e kishte përfunduar marrjen e të gjitha tabletave. Por ishte shumë rëndë. Nuk ishte në gjendje të bisedohej me të. Ajo do të jetë helmuar keqas.
-Po më pas e pe të sëmurën?
-Jo. Infermierja nuk më thirri gjatë natës. Sot në mëngjes nuk kalova nga pavijoni, se m’u desh të merresha me një urgjencë.
-Po ti, doktor Agimi, ç’dreqin ke bërë kështu, – shpërtheu i zemëruar drejtori – si mund t’i japësh një të sëmure të tillë kaq shumë tableta digitali!
-Shoku drejtor, kjo është mënyra e zakonshme e mjekimit të këtyre të sëmurëve, – i habitur nga mënyra se si e paraqiti rastin kolegu i tij më i vjetër në profesion.
-Si more, na qenka “mënyrë e zakonshme mjekimi”, kur as kemi parë e as kemi lexuar për një gjë të tillë, – ia ktheu drejtori – me një ton më të lartë.
-Kështu mjekohen të sëmurët me këtë lloj prishjeje të punimit të zemrës në Amerikë, shoku drejtor, -u përgjigj me qetësi doktor Agimi.
-Lëre mor Amerikën, ç’punë kemi ne se ç’bën Amerika. Por, po e pat gjetur gjë të sëmurën, ti e din se ç’përgjegjësi mban, apo jo?
-E di shoku drejtor, si nuk e di, po kjo është mënyra më e mirë e mjekimit sot për prishjen e rëndë të punimit të zemrës. Nuk jam unë që e kam shpikur atë. Pastaj, kjo nuk është hera e parë që unë po e përdor atë. Të sëmurët e tjerë te të cilët e kam përdorur kanë pasur përmirësim të jashtëzakonshëm dhe kanë shkuar shumë mirë. Ata kanë dalë nga spitali brenda 10 ditësh, kur ne i kemi mbajtur më parë një deri dy muaj në spital.
Ndërkohë ai po mendonte vetëmevete, po sikur t’i ketë ndodhur gjë me të vërtetë të sëmurës? Se një përfundim fatal nuk ishte i pazakonshëm në një të sëmurë të tillë, pavarësisht nga çfarëdo mjekimi bashkëkohor që mund të merrte. Kjo do t’ishte katastrofë e vërtetë. Për një çast, një drithmë i përshkoi, gjithë trupin. Vdekja e çdo të sëmuri në spital, i nënshtrohej një analize të veçantë mjekësore, shumë të përgjegjshme, e cila i vlente edhe kualifikimit profesional, sidomos kur ajo bazohej edhe në të dhënat e autopsisë. N’atë kohë, pothuajse të gjithë të vdekurit në spital i nënshtroheshin autopsisë. Por një rast si ky, kur mund të ngriheshin dyshime, se vdekja mund të ketë ndodhur nga mjekimi i gabuar, bëhej menjëherë problem mjekoligjor, pas të cilit vinte hetuesia. Dhe hetuesia nuk ishte aspak e urtë. Megjithatë, ai e mblodhi veten shpejt dhe i tha drejtorit:
-Shoku drejtor, sa rrimë e debatojmë këtu, pse nuk shkojmë ta shohim të sëmurën dhe pastaj kthehemi e vazhdojmë diskutimin?
-Mirë, – ia ktheu menjëherë drejtori i mërzitur, ashtu po bëjmë.
Drejtorit i vinte keq, që mjeku të cilin e kishte shok, kishte besim të plotë dhe e vlerësonte shumë, të bënte një marrëzi të tillë. Mendonte edhe për pasojat e rënda. U ngritën të gjithë dhe pa bëza fare, iu drejtuan pavijonit. Pacientja ishte në dhomën Nr 1 në shtratin Nr 6, menjëherë pas derës, në krahun e djathtë. I pari hyri drejtori e pas tij të tjerët. Doktor Agimit, i cili hyri menjëherë pas drejtorit, i shkriu gjaku, kur e pa të sëmurën.
-Cila është e sëmura, -iu kthye atij drejtori.
-Ja kjo këtu, – iu përgjigj ai buzagaz, – duke i treguar me gisht të sëmurën, e cila ishte ulur këmbëkryq mbi shtrat dhe po hante qetësisht një tas përshesh me kos.
-Oo! – tha drejtori, – unë e njoh këtë, se e kam parë edhe herë të tjera në spital. Po kjo qenka për bukuri, si nuse me tel!
-Po mor po, meir jam sot, meir, po ta dish tei or doktorr se ç’i ka hjek bitha gjithë natën kësaj nane! atëherë kishnje për ta marrë vesht me tamam, – ia ktheu vetë e sëmura.
-E ç’ke hequr? – e pyeti drejtori, gjithë kurreshtje.
-Po, mener jush, meta gjith natën me uturak nër bithë, or doktorr. Po shiqir, teshtei (tashti) afër mjesit shkova vetë në nevojtore. Po u lodha e u këputa tu shku e ardhë. E ç’them ne unë shkreta! Po dje mu më kanë pru me vig or doktorr, s’kishnje fuqi as me fol e jo ma me lëviz. Po, juu, Zoti u faltë! se me thanë të drejtën, kësaj here s’ma meirrte (mirrte) menja se do ngreihesha (ngrihesha) ene (edhe) nji herë në kamë.
-A po të shijon përsheshi, e pyeti drejtori, të cilit i erdhi humori, kur pas atij diskutimi që ishte bërë para pak minutash në drejtori, pa atë skenë që iu duk për të qeshur.
-Me thanë të drejtën, m’i çeli sëtë (sytë), -ia priti ajo – kishnje (kisha) trei (tri) ditë pa fut gja në giojë (gojë).
-E po! Të bëftë mirë! – i tha asaj drejtori, – gjithë duke buzëqeshur. Ne kaluam, të të shohim, pasi mjeku i rojës na raportoi se dje ti kishe qenë shumë keq.
-Keq, theee?! Ishnje (isha) tu dhanë shpirt, mor lum nana. Po sa erdha këtu, më pa qiki (qe ky) doktorri, – duke treguar me gisht doktor Agimin. Mastaj (pastaj) infermieret më dhanë një grusht barna, më dhanë prapë ma vonë ene një grusht tjetër me barna, deri në mramje më dhanë prap si ato kokrrat, por vetëm ka nja a dii. Më banë ene nji gjilpanë në tule. E, kur të më plasi muu!… ku je – ku je! Shurra krue! m’u desh të mos e daja uturakun prej bithe. Po shiqir Zotit, sot më duket sikur s’jam unë ajo e gjeshmja (e djeshmja). M’ ka hik krejt e emja (enjtja). Ashtë tue më hik menja prej kreje. Jam a sjam unë, ajo si (që) ishnje gjie. Zot shiqir, ja rabi!
– Shumë mirë, ia ktheu asaj drejtori, buzagazas. Kemi infermiere të kujdeshme, apo jo?
-Të kujdesshme theee?! – ia ktheu ajo me habi, -më kanë shërbie si t’i kishnje pas cucat e meia (mia), që unë e shkreta kam vetëm një gjalë (djalë). Zoti i lashtë ato!
Drejtori u kthye nga të sëmurat tjera, i pyeti edhe ato si ndjeheshin, u uroi atyre shërim të shpejtë dhe doli nga dhoma. Në korridor, ai u ndalua dhe u tha mjekëve:
-Shkojmë në zyrë.
Si zunë vend të gjithë, drejtori iu drejtua Agimit:
-Që kur ke filluar ta përdorësh këtë mënyrë mjekimi ti Agim?
-Që në fillim të shtatorit, – u përgjigj ai, – pasi u ktheva nga Tirana.
-Atje e mësove këtë?
-Jo – u përgjigj doktor Agimi – këtë e kam mësuar nga librat dhe revistat e mia.
-Ç’do me thënë kjo, të përdorësh doza të tilla të mëdha barnash, pa e diskutuar më parë? –pyeti ai, i nervozuar.
– Shoku drejtor, unë nuk e kam quajtur të nevojshme të diskutojmë për metoda standarde mjekimi. Unë jam këtu i vetmi patolog i specializuar. Asnjëri prej jush nuk është i detyruar të njohë hollësitë e mjekimit me digital. Unë, nuk po bëj një veprim që bëhet për herë të parë. Kjo është një mënyrë standarde mjekimi për të sëmurët me prishje të punimit të zemrës në Amerikë. Edhe në letër-udhëzimin e prodhuesit, kështu përshkruhet. Kështu që…
Por drejtori e ndërpreu atë me zemërim:
-Po lëre more Amerikën! – ta thashë edhe një herë, – vazhdoi ai. –Si nuk na qenka për herë të parë! Ti vetë po thua që kjo mënyrë nuk përdoret as në Tiranë.
-Kjo nuk do të thotë që të mos e përdorim edhe ne këtu në Peshkopi. Ju vetë e paskeni parë disa herë në spital këtë të sëmurë. Të vazhdojmë atëherë ta mjekojmë me injeksione strofantine, e të na kthehet prapë pas dy javësh në spital, ose të mos arrijë të kthehet fare?… Kjo kategori të sëmurësh, nuk mund të jetojë pa mjekim të rregullt kronik. Dhe, mjekimi kronik me injeksione përditë, merret me mend, që është i pamundur. As mjekim me digitalinë e lanatosid C me pika, nuk mund të përdorim për të sëmurët nga fshati, të cilët mund të vijnë në spital vetëm kur bëhen për vig. Kemi parë plot helmime me këto barna.
-Po t’i japësh të sëmurit 18 tableta digitoksinë në ditë, qenka më pak toksike?! – ia preu drejtori.
-Jo! Nuk është aspak kështu. Së pari, kjo është vetëm doza e digitalizimit të plotë, të shpejtë që merret brenda ditës. Pastaj, të nesërmen kalohet menjëherë në dozën mbajtëse, e cila individualizohet për çdo të sëmurë, sipas tolerancës përkatëse. Së dyti, unë i kam stërvitur infermieret që para se t’i japin të sëmurit dozën e radhës, të hetojnë për shenja helmimi. Dhe në dyshimin më të vogël, ta pezullojnë atë deri sa të shkoj vetë për ta parë të sëmurin. Ato e bëjnë kaq mirë këtë, sa deri më sot nuk kemi pasur asnjë helmim të përfillshëm. Ja, ku është dhe kolegu im më i ri – duke kthyer kokën nga kolegu i tij, i cili e kishte zëvendësuar gjatë kohës që ai vetë ishte për specializim në Tiranë. Ky mund t’ju thotë nëse është ndryshe. Të sëmurët që i kemi mjekuar kështu, nuk na kthehen si më parë, brenda dy tri javësh. Unë i udhëzoj ata të vijnë pas një muaji në poliklinikë për konsultim. Kam krijuar dhe një regjistër të posaçëm për ndjekjen e tyre. Kështu, ne mund të bëjmë korrigjime të dozimit të barit kur është e nevojshme dhe u mundësojmë që të mos mbeten në derë të spitalit, por të jetojnë jetën e tyre pa shumë kufizime e vuajtje.
Në zyrën e drejtorit kishte rënë një heshtje e thellë. Drejtori dhe kolegët e dëgjuan atë me vëmendje, por nuk po e hapte kush gojën. Tashti që u pa se e sëmura ishte mirë dhe nuk e kishte gjetur gjë, doktor Agimi nuk ndjehej më i trembur. Ai e kuptonte se në një mjedis ku gjerat nuk diheshin, ose nuk diheshin mirë nga të gjithë ata që duhej të përziheshin në një punë që nuk ishte fusha e tyre, duhej gjetur një zgjidhje tjetër. Për shkak të numrit të vogël të mjekëve, ata duhej të bënin shërbim roje për gjithë spitalin. Kështu që, secilit prej tyre i binte të merrej me të sëmurë që i përkisnin kirurgjisë, patologjisë, pediatrisë, infektivit a dispanserisë antituberkulare. Natyrisht, dijet e marra në shkollë, nuk ishin të mjaftueshme për ta bërë këtë njësoj si specialisti i fushës, të cilin megjithatë, ata mund ta thërrisnin kur nuk ia delnin dot vetë. Kështu, pas disa çastesh heshtjeje, doktor Agimi vazhdoi:
-Shoku drejtor, meqenëse na lindi ky problem, unë mund të jepja një informacion shkencor të përditësuar, që edhe kolegët të mos ndjehen të befasuar, kur t’u qëllojë të ndeshen me mjekime të tilla gjatë shërbimit të rojës.
-Nuk e ke keq, – ia ktheu drejtori mendueshëm. Mirë! më mirë kështu. Atëherë, sot është e mërkurë, të shtunën, pas mbledhje së mëngjesit, ke një gjysmë ore kohë në dispozicion, të na japësh një informacion shkencor të përditësuar, për përdorimin e digitalit, – dhe u ngrit nga vendi për të dhënë të kuptohej se mbledhja kishte mbaruar.
Të shtunën, doktor Agimi, ashtu si ç’ishin marrë vesh, i informoi kolegët e tij për mënyrën e digitalizimit të shpejtë, një metodë mjekimi që në Shqipëri nuk përdorej tjetërkund. Ai u tregua bindës. Në raftin prapa shpinës së drejtorit, përveç revistave mjekësore sovjetike, binte në sy revista e Shoqatës Amerikane të Mjekësisë (JAMA), që spitali e kishte abonuar me kërkesën e doktor Agimit. Ishte aty edhe revista italiane Minerva Medica e porositur me kërkesën e kolegut radiolog, i cili lexonte në italisht. Ai u tregoi, gjithashtu, referencat ku ai ishte mbështetur. Të gjitha në librat mjekësore më autoritare bashkëkohore amerikane, të cilat gjindeshin në bibliotekën e tij personale. Ai, i blinte ato në librarinë e qytetit, përmes së cilës i porosiste. Drejtori i atëhershëm i librarisë Peshkopisë, Abdulla Hoxha, ishte një njeri shumë dashamirës për ata që blenin libra. Ai bënte kujdes të jashtëzakonshëm për ndjekjen e porosive që bëheshin për libra perëndimore. Nuk kishte ndodhur asnjëherë që porositë të refuzoheshin. Në vitet 60 dhe në fillim të viteve 70, blerja e librave perëndimore nga mjekët nuk ishte e vështirë, se numri i atyre që lexonin në gjuhë të huaja ende nuk ishte i madh. Më pas ajo do të bëhej më e shtrënguar, kryesisht për shkak të kursimit të valutës së huaj. Por për bibliotekat e spitaleve kufizimi nuk ishte aq i shtrënguar sa për individët.
Në përfundim të informacionit përditësues, doktor Agimi propozoi të organizohej një sesion shkencor. Fillimisht, ky propozim u prit me hezitim nga kolegët. Por pas një diskutimi më të thelluar secili erdhi në përfundimin se mund të kishte diçka për të kumtuar. Të gjithë, më së fundi, hoqën dorë nga droja dhe propozimi për sesionin shkencor u miratua. Kështu, në Sesionin I shkencor të Shoqatës së mjekëve të Dibrës, mjekët e spitalit dhe maternitetit të Peshkopisë, midis të cilëve edhe doktor Agimi, paraqitën punimet e tyre. Brenda shtatë-tetë vjetësh niveli i kujdesit mjekësor e shëndetësor në rrethin e Dibrës ishte ngritur dukshëm. Në spitalin e Peshkopisë kujdesi mjekësor ishte vënë mbi baza të shëndosha të mjekësisë moderne. Nga ana tjetër në të gjitha zonat kryesore: Shupenzë, Klenjë, Ostren, Lurë, Sllovë, Selishtë e Zallë-Dardhë ishin ndërtuar spitale rurale dhe pajisur me mjekë e personelin e nevojshëm. Kujdesi mjekësor u ishte afruar pranë banorëve të këtyre zonave dhe ata mund ta përfitonin atë me më shumë lehtësi.
Pas transferimit të doktor Agimit në Tiranë, mjekimi me mënyrën e digitalizimi i shpejtë mund të ketë vazhduar të përdorej edhe për njëfarë kohe në spitalin e Peshkopisë, por ajo nuk u përdor tjetërkund në Shqipëri. Ajo kërkonte një bashkëpunim shumë të ngushtë të mjekëve me infermieret, gjë që nuk ishte e realizueshme kudo. Në kohën e sotme, për shkak të futjes në përdorim të një numri barnash shumë të efektshme për mjekimin e prishjes kronike të punimit të zemrës, përdorimi i digitalizimit të shpejtë është kufizuar. Sot ai përdoret vetëm kur kjo sëmundje e zemrës shoqërohet me një aritmi të shpejtë me çrregullsi të plotë, ose kur kjo aritmi shfaqet edhe në mungesë të një dëmtimi serioz të zemrës. Por mjekimi me digital, sukseset dhe dështimet e tij, u bënë shkak për studime e kërkime të panumërta shkencore, që së bashku me përparimin teknologjik, çuan në gjetjen e mënyrave më të efektshme të mjekimit të prishjes së punimit të zemrës prej dëmtimit të muskulit të saj nga shkaqe të ndryshme.
Gjithkush beson se në qendrat e mëdha bëhet mjekësi klinike e mirë, dhe ashtu është. Por mjekësi e mirë klinike mund të bëhet gjithashtu kudo ku mjeku, si njeridashës i madh, kërkon të bëjë më të mirën e mundshme për të sëmurët që ka në ngarkim. Kjo, natyrisht, kërkon që ai ta mbajë veten të përditësuar me zhvillimet e vrullshme të shkencës, teknologjisë dhe praktikës më të mirë klinike. Por, ajo kërkon gjithashtu, guxim klinik të justifikuar, siç kërkon edhe që ky guxim të mirëkuptohet. Kështu është shtyrë dhe do të vazhdojë të shtyhet përpara mjekësia klinike.