“Të ngremë kullën muze të Dom Nikollë Kaçorrit”


Thirrjes së këngëtarit të mirënjohur Arif Vladi, për të ngritur kullën muze të Dom Nikollë Kaçorrit, nënshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë dhe zëvendëskryeministrit të qeverisë së Islamil Qemalit, i janë përgjigjur pozitivisht djemtë e Lurës dhe qytetarë shqiptarë brenda e jashtë vendit

Këngëtari i mirënjohur Arif Vladi, aktualisht drejtor i Qendrës Kulturore të Peshkopisë, ka marrë nismën për ngritjen e shtëpisë së Dom Nikollë Kaçorrit.
“Djemtë e mirë të Lurës vendosën të më përkrahin që këtu, në trojet e vjetra, të ngremë kullën muze të Dom Nikollë Kaçorrit”, shkruan Vladi në një postim në profilin e tij në Facebook më 24 prill 2022, shoqëruar me foton ilustruese.
“Ka pas dhe ka prap djem Lura”, mbyll postimin Arif Vladi.
Thirrjes së tij i janë përgjigjur banorë të Lurës, me banim brenda e jashtë vendit.
Mënyra se si do të bëhet mbledhja e fondeve dhe projekti i ndërtimit nuk janë bërë publikë akoma, por puna ka nisur. Një grup djemsh nga Lura, me banim në Londër, kanë njoftuar një takim në kryeqytetin britanik, ku Arif Vladi do të jape një koncert me qëllim mbledhjen e fondeve.
Disa prej tyre janë angazhuar në krijimin e një unioni të emigrantëve në Londër, i cili do të ketë qëllim kryesor harmonizimin e punës për mbledhjen e fondeve për ndërtimin e muzeut të Dom Nikollë Kaçorrit.

Kush ishte Dom Nikollë Kaçorri?

Dom Nikollë Kaçorri u lind në fshatin Krejë të Lurës më 1862, me të atin katolik dhe të ëmën myslimane. Mësimet e para fetare i mori në shkollën e Troshanit dhe më pas u shkollua në Romë, ku dhe u dorëzua prift. Kur u kthye më 1895, nisi shërbimin fillimisht si meshtar në Delbnisht. Me kryengritjen e Kurbinit, në bashkërendim me Gjin Pjetri u mundësoi kryengritësve 500 armë. Më 1907 emërohet kryetar nderi i klubit “Vllaznia” dhe më 1909 u anëtarsua në klubin “Bashkimi”. Më 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit. Në vitin 1909 mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit. Pasi iu zunë prova që e përfshinin në një kryengritje, u arrestua dhe u dënua disa vjet burg.
Verën e 1912 qe ndërlidhës i kryengritjes që kishte ndërmarrë Maz’har bej Toptani, i cili lidhi besë me malësorët katolikë të Kurbinit, Kthellës e Mirditës dhe së bashku me disa myslimanë doli në mal. Në tetor së bashku me klerikë të tjerë shkoi në mision në Rubik, Mirditë, Kthellë, etj., me synimin që të bashkonte katolikët me forcat osmane kundër Malit të Zi që kish rrethuar Shkodrën. Ishte Imzot Kaçorri ai që priti delegacionin e mërgatës, që arriti nga Trieste me datë 22 nëntor 1912. Durrësi ishte parashikuar nga atdhetarët si qyteti ku do të bëhej Shpallja e PavarësisëNë nëntor të vitit 1912, si delegat i Durrësit, mori pjesë në kuvendin e Vlorës dhe firmosi dokumentin e pavarësisë me siglën “Kaçorri”. U zgjodh nënkryetar i qeverisë së dalur nga Kuvendi i Vlorës.
Pas dështimit të Qeverisë së Ismail Qemalit imzot Nikollë Kaçorri së bashku me Mustafa Krujën, Luigj Gurakuqin, Fahri Gjilanin, Themistokli Gërmenjin themeloi lidhjen “Për atdheun e për Thronin” për shpëtimin e atdheut nga trazirat e ndryshme antikombëtare. Me shpërthimin e kryengritjes së Shqipërisë së mesme, nga kryengritësit iu dogj qela ku banonte si dhe biblioteka e tij personale.
U largua drejt Vjenës, ku me dekret të 28 janarit 1916, Perandori Franc Jozef e dekoroi me Kryqin e Konturës (Kommtur Kreuz) të Urdhërit të Franc Jozefit. Në kryeqytetin austro-hungarez qëndroi tri vjet, ku dhe u ekzaminua e mjekua për sëmundjen e mushkërive. Ndërroi jetë në sanatoriumin Würth, më 29 maj 1917. Varrimi i tij u bë më 1 qershor 1917 në Zentralfriedhof, në praninë e autoriteteve më të larta të kohës
Në Janar të vitit 2011, kleriku Dom Izak Doda gjeti varrin e Kaçorrit në kryeqytetin austriak. Muajt pasardhës me interesimin e klerikëve të tjerë dhe pjesëtarëve të komunitetit shqiptar në Vjenë, u bë i mundur riatdhesimi i eshtrave të tij si dhe varrosja në kishën e Shën Luçias, Durrës më 13 shkurt 2011.