Ura e Lezedres në Rrugën e Arbrit.


Emërtimin Ura e Lezedres e ka përdorur zyrtarisht për herë të parë Hysen Uka, që i njeh rrugës çdo toponim metër pas metri. Deri më tani njihet si ura e fshatit Fshat. Përroi që kalon poshtë quhet përroi i Lezedres. Vendasit i thonë edhe Gryka e Lezedres.

Ura e Lezedres dhe Ura e re Vashës në të ardhmen mund të shërbejnë si një vend i mirë për sportet ekstreme: hedhja nga ura me litar, alpinizëm etj. Mbi këto dy ura dhe mjedisin përreth mund të organizohet çdo vit një festival lokal, që do të zgjonte interesin e të pasionuarve pas sporteve ekstreme nga e gjithë bota. Ky festival mund të marrë shumë shpejt një njohje ndërkombëtare.

Kjo është Ura e Lezedres! Këtë emërtim zyrtarisht e ka përdorur për herë të parë Hysen Uka, që i njeh rrugës çdo toponim metër pas metri.
Të gjithë të tjerët, përfshirë edhe mua, e njohim deri më tani si ura e fshatit Fshat. Përroi që kalon poshtë quhet përroi i Lezedres. Vendasit i thonë edhe Gryka e Lezedres ose Gryka e Fshatit. Disa banorë thonë se quhet edhe Gryka e Xhebrit. Adi Darsi, një gazetar nga Klosi, saktëson se “Gryka e Xhebrit është sipër tuneleve në rrugën e Arbrit dhe e merr emërtimin prej fshatit Xibër”.
Shpesh, kjo urë ngatërrohet nga kalimtarët e zakonshëm me Urën e re të Vashës, mbi të cilën nuk kalojnë akoma makinat lirshëm për qarkullim. Emërtimi si “ura e fshatit Fshat” nuk tingëllon mirë dhe shpesh ngatërrohet fshati si katund dhe Fshati si toponim.
Ndaj emërtimi më i saktë do të ishte “Ura e Lezedres” dhe i ftoj lexuesit që ta mbajnë mend dhe të përpiqen që ta emërtojnë kështu në ditët e ardhshme. Ndoshta një pllakë që emërton emrin e saktë të saj mund të vihet nga autoritetet në ditët në vazhdim.
Pak mbi urën:
Ura e Lezedres është një nga gjashtë urat e Rrugës së Arbrit, e dyta për nga rëndësia, pas Urës së re të Vashës.
Ura e Lezedres ka një gjatësi 174 metra dhe lartësi 157 metra. Në krahasim me Urën e re të Vashës, ajo është 5 metra më e lartë dhe 142 metra më e shkurtër.
Dy harqet e Urës së Lezedres u bashkuan më 25 nëntor 2021, një vit para se të niste zyrtarisht qarkullimi (28 nëntor 2021). Konstruksionet metalike të saj janë realizuar me elemente çeliku me karbon të saldueshëm.
Gjatë ndërtimit të saj, një vinç u rrëzua, duke i marrë jetën drejtuesit të tij.
Ura e Lezedres dhe Ura e re Vashës në të ardhmen mund të shërbejnë si një vend i mirë për sportet ekstreme: hedhja nga ura me litar, alpinizëm etj. Mbi këto dy ura dhe mjedisin përreth mund të organizohet çdo vit një festival lokal, që do të zgjonte interesin e të pasionuarve pas sporteve ekstreme nga e gjithë bota. Ky festival mund të marrë shumë shpejt një njohje ndërkombëtare.
Teksti dhe foto: Bujar Karoshi