Veçanti në ndarjet kanunore në Dibër


Nga Haki PËRNEZHAstudiues

Traditat ndër shqiptarë kanë ngjashmëri njëra me tjetrën, por edhe dallime e veçori, të cilat vërehen nga një krahinë në tjetrën. Krahinat (Malet) e Dibrës, përkundër disa ndryshimeve të vogla, në lëmin e organizimit të vetëqeverisjes sipas së drejtës dokësore, kanë ngjashmëri të plotë, e cila, tregon dhe shkakun pse emërtimi “9 Malet e Dibrës” erdhi deri në ditët tona….Ruajtja  e së drejtës për tu vetëqeverisur sipas dokeve vendore, veç tjerash, pati rëndësi se  siguroi  “… mbijetesë rendit fisnor, si një formë vetëmbrojtjeje prej ligjeve të një perandorie teokratike dhe ushtarake…”(1) Kjo e drejtë, është “përkundur” në shtratin e rendit etnojuridik, i cili, sipas etnologëve “… është shumë më i hershëm se ai i kanuneve”(2)dhe që ka lulëzuar para pushtimit osman. Këtë pasuri e vlerë shpirtërore, në shekuj “…  nuk e humbën as ilirët nën sundimin romak e as arbrit nën sundimin bizantin.  Në bashkësitë e tyre ata gëzonin një farë  vetëqeverisjeje dhe zbatonin të drejtën zakonore lokale, sidomos në çështjet gjyqsore.”(3)Studiues të ndryshëm, realizimin e vetqeverisjes e lidhin edhe me shkallën e madhe të urbanizimit të trevës i cili shihet “që në periudhën e kalimit prej lashtësisë antike në atë mesjetare.”(4)

 Është e kuptueshme që ky zhvillim e urbanizim mesjetar, nënkupton edhe zhvillimin e rendit etnojuridik, i cili në fund të fundit shprehej me rregulla e parime të cilat rregullonin jetën e malësorëve. Këto rregulla, të quajtura “kanun”,  i cili”…mësohej përmendësh si një trashëgimi…”(5) dhe që mbijetoi falë përpjekjeve  e luftrave të shumëta “me armë në dorë kundra sllovenve e kundra turqve…”(6)u ruajtën dhe u mbajtën gjallë deri në ditët tona. Çdo Mal a Krahinë, përfshi edhe pjesën fushore të Dibrës,  kishte kontributin e vet në këtë mori rregullash e parimesh, fillimisht morale e më vonë edhe norma juridike të cilat mbartnin “të gjitha tiparet e një të drejte që shkon në përputhje relative me besimet dhe me vlerat morale.”(7)të asaj shoqërie që gjallonte në hapsirën dibrane. Kështu prej kohësh, në etninë dibrane  të  vendosur si  në pjesën malore por edhe në atë fushore, shërbente tradita vendase në zgjidhjen e problemeve të së drejtës dhe kjo si “dëshmi e lashtësisë dhe mbijetesë kulturore.”(8)Pas vitit 1839, trysnia e pushtetit osman u bë më e madhe dhe ia arriti të ndërhyjë dhe të imponojë zbatimin e sheriatit në pjesën fushore të Dibrës e për pasojë, u shkatrrua “ngrehina” e Vetqeverisjes. Ndërsa në pjesën malore të Dibrës, “Vetqeverisja” u ruajt përkundër tentativave osmane për të ndërhyrë në sistemin juridik të malsisë. Sipas disa studiuesve, shtrëngimi për  zbatimin e sistemit të sheriatit në Male, ishte njëri ndër shkaqet që ngjalli revoltë të madhe dhe që solli edhe Luftën kundër Hajredin Pashës 1844. Malet e Dibrës ia arritën ta ruajnë të paprekur vetqeverisjen sipas së drejtës zakonore, e cila sipas Pulahës, vetëm në këtë mënyrë, njësitë krahinore mundën t’i siguronin individit “mbrojtjen e gjithë kolektivit, të fshatit  e gjithë krahinës.”(9)Pavarësisht nga lloji i pushtuesit të radhës që ka shkelë këto troje, ligjet zakonore, të cilat kanë rregulluar jetën shoqërore në male, i janë nënshtruar një procesi të gjatë dinamik, duke iu përshtatur rrethanave të krijuara. Zhan Klod Faveirial vëren se “… malësorët janë të përjashtuar nga taksa e së dhjetës dhe taksa e tokës. Ata udhëhiqen nga disa ligje zakonore që kryetarët e fiseve i zbatojnë në çështje civile dhe kriminale, pa asnjë ndërhyrje të gjyqësorve turq.”(10)Edhe akademik Kristo Frashëri, vëren të njëjtën gjë kur flet për dy nga tre figurat që mbajtën më këmbë Vetqeverisjen  në Malet e Dibrës. Ai përmend “dy figurat e larta të shoqërisë patriarkore Plaku, këqyrsin e së drejtës zakonore dhe Kefalinë, udhëheqësin ushtarak të bashkësisë.”(11) Duke vlerësuar se “e drejta është ideali i ligjit dhe jo e kundërta”(12)në të gjithë njësitë etnokulturore dibrane në përgjithësi janë evidentuar përpjekje serioze në dhënien e drejtësisë. Dhe kjo ka ardhë pasi në Malet e Dibrës  ka qenë i madh kapaciteti i fiseve për të nxjerrë pleqë kanuntarë. Prof Nebi Bardhoshi këtë e quan hierarki e cila “vlerësohet më së tepërmi për të klasifikuar fiset, fshatrat, krahinat”(13) Pleq të ndryshëm dibranë, të regjur në punë të kanunit, kanë shkëlqyer në dhënien e zgjidhjeve interesante në situata të ndërlikuara. Shpeshherë ata kanë krijuar mbi shtratin a mbi kornizën e së drejtës zakonore duke “prodhuar” norma të reja juridike. Sipas Pospisil-it “secila bashkësi apo nivel social ka kapacitetin të krijojë normat e veta juridike.”(14)Jo rrallë herë këto norma janë shndërruar në zgjidhje duke u bërë kazus dhe kanë shërbyer si motërzime për raste të tjera të ngjashme si brenda ashtu edhe jashtë krahinës. Pleqë kanuntarë të dalë nga fise të shquara si Murrja, Pira, Noka, Lusha, Kaja etj-etj, kanë kontribute të prekshme në lëmin e së drejtës zakonore.  Pleqë të njohur dibranë të një Krahine,  shpesh herë thirreshin edhe nga krahina të tjera për të ndarë kanune dhe kjo ndodhte pasi “kufiri krahinor nuk konsiderohej si kufi ligjor”(15) “Heret – heret,- shkruan Shtjefën Gjeçovi, ndër të gjitha krahinat e malet e Mirditës, të Thkellës, të Malësisë së Lezhës etj,… Lusha e Noka në Qidhën të Dibrës janë pvetë ndër gjyqe e pleqni me kanu…”(16) Për këtë arsye edhe numri i tregimeve me përmbajtje kanunore, në çdo fshat të Dibrës, është mjaft i madh dhe përbën një pasuri të madhe shpirtërore të etnisë dibrane. Janë bërë përpjkeje të lavdërueshme nga disa dibranë  në këtë fushë si Xhafer Martini, Fatos Daci, Petrit Fetahu e disa tjerë, por përsëri mbetet shumë për tu bërë. Secili nga lexuesit mund të tregojë plot raste të këtyre krijimeve etnodokësore. Tregime të tilla me lëndë kanunore janë të shumta në Dibër, ato gëlojnë në gojën dhe mendjen e pleqve të urtë dibranë. Nga ky numër i madh tregimesh me përmbajtje kanunore dibrane unë zgjodha dhe paraqita Konferencë katër të tillë që kanë karakteristika dhe qasje të veçantë në rrafshin e së  drejtës zakonore apo  kanunin në Dibër dhe kuantropologët dhe studiuesit e së drejtës i konsideruan si krijime monumentale mbi shtratin etnojuridik e etnodokësor të etnisë dibrane.

Ende në kujtesën popullore dibrane ruhen disa raste, që zor se shekujt që vijnë, do t’i pluhurosin. Kështu, në të folurën e përditshme ende dëgjon të përmenden togfjalëshat  si: 1.Kanuni në kal’hipt’; 2.Kanuni i shekës së kosit; 3.Kanuni i ndarë mekëmesëapo edhe 4.Pajtim, o dilni fare!

Tani le të shpjegojmë se pse, nga kjo mori tregimesh me lëndë kanunore u zgjodhën vetëm këto raste?

Rasti i parë ose “Kanuni n’kalë hipt’”është i vetëm, i padëgjuar në zonat tjera ku kanë  vepruar kanune të ndryshme. Është një krijim juridik mbi shtratin etnodokësor i cili lidhet me vrasjen e një gruaje shtatzënë për shkak të prishjes së një lidhjeje martesore. Për zgjidhjen e këtij konflikti, pleqtë e përmendur Lusha dhe Noka në Çidhën vendosën të sfidojnë njëri-tjetrin duke e ndarë këtë kanun në …kalë. Cilat janë kushtet a vështirësitë realizimin e kësaj praktike kanunore. Së pari pleqtë duhet të qëndrojnë në kuaj. Së dytikuajt ecin në drejtim të njëri-tjetrit; së treti”gjyqi” fillon kur kuajt janë “kokë më kokë” dhe mbaron kur kuajt ndodhen “bisht më bisht”. Siç mund të kuptohet, koha që pleqtë kanë në dispozicion për të ndarë këtë kanun ishte mjaft e shkurtër, vetëm 5-7 sekonda. Kjo ishte arsyeja që kjo formë nuk përdorej në ndarjet kanunore, duke mbetur “pronë” vetëm e atyre pleqve që ishin të “regjur” në punët e kanunit. Dhe së fundmi shumë dibranëve ju kujtohet një njësi frazeologjike e cila është e njëjtë me shprehjen Kanun n’kalë dhe ajo është”Pse ma derdhe drithin…?-Mos e futje n’thesin tim…”

– Rasti i dytë, ose “Kanuni i shekës së kosit” tregon se si njohuritë praktike a teknike shërbejnë për të dhënë zgjidhje përplasjeve në mes njerëzve.

– Rasti i tretë, “Kanuni me kmesë”,  na njeh me  një mënyrë rënqethëse për ndarjen e së drejtës. Mjeti dhe mënyra e përdorur nga plaku i kanunit për të “ndarë” përgjysmë fëmijën e pretenduar nga dy gra, është kanibalesk por që shërben për të zbardhur të vërtetën dhe dhënien e drejtësisë.

– Rasti i katërt, “Pajtim, o dilni fare” na njeh me një formë të veçantë shtrëngimi për pajtim. Kjo formë shtrëngimi përdorej në ato raste kur dështonin të gjithë mënyrat e pajtimit në mes palëve në  konflikt.

KANUN NË …KALË (!)

Çdonjëri prej nesh që ka ndenjur në odën dibrane, besoj, i ka qëlluar të dëgjojë dhe për …”kanuni në kalë”, apo:…”e ndan në kalë…”.  Këto shprehje, ende sot, në të folurën e zonës përdoren për të treguar një person i cili është i zoti për ti dhënë zgjidhje çdo problemi të koklavitur që lind në komunitet. Jo rrallë herë këto shprehje janë përdorë nga persona të cilët në biseda të ndryshme vetdeklaroheshin, herë me shaka e herë seroizisht, duke u shprehur: …këtë problem unë e “ndaj në kalë”

Po ç’është në të vërtetë Kanuni në kalë? Të gjithë lexuesit e dinë se kanunet  bëheshin (apo ndaheshin) në odat e fshatarëve, në livadhe a kudo tjetër por jo në kalë…! Ndërsa në Çidhën të Dibrës së Poshtëme, ka ndodhë që kanuni të ndahet edhe në kalë dhe ky ka qenë momenti më pikant ku zgjuarsia dhe mendjemprehtësia e pleqve çidhnakë, është shpalosur në të gjithë dimensionin e saj të mundshëm. Pleqtë  çidhnakë, Lusha dhe Noka, duke ndarë kanunin në kalë, vendosën një standard që për shumë të tjerë mbetet i paarritshëm. Askund tjetër, përveçse në Çidhën, nuk është tentuar të përdoret  kjo «praktikë» kanunore, me nda kanunin në kalë. Në fakt as në Kanunin e Lekës dhe as në atë të Arbërit (Skënderbeut) nuk është e përshkruar një «praktikë» e tillë dhe kjo, mendoj, për shkak të vështirësisë dhe kushteve  të «rënda» për realizimin e kësaj «norme» kanunore.  Ajo që e bën gati të pamundur  ndarjen e kanunit në kalë, është koha e paktë që pleqtë e kanunit kanë në dispozicion për të ndarë të drejtën. Për ndonjë që nuk ka informacionin e mjaftueshëm për sa flitet, po përpiqemi të sqarojmë “procedurën” e ndarjes së kanunit në kalë për të nxjerrë në pah cila është vështirësia reale që kjo praktikë kanunore  të mbetet «pronë» e pak pleqve.  Le të përshkruajmë «hapat» që duhen bërë për të realizuar praktikën e ndarjes së një kanuni në kalë. Palët  në konflikt zgjedhin pleqtë dhe janë ata pastaj që  vendosin të ndajnë kanunin në kalë. Për këtë, ata në fillim caktojnë vendin e pikëpjekjes i cili duhet të jetë një shesh, livadh apo lëndinë ku të ketë mjaftueshëm hapësirë për tu ulur edhe personat që do dëshironin të ishin prezent. Pas kësaj caktohet data e zhvillimit të gjyqit. Në ditën e caktuar, në vendin ku do zhvillohet gjyqi, përveç njerëzve kureshtarë, veç e veç uleshin edhe palët që ishin në konflikt. Pleqtë, nga dy anë të kundërta, qëndronin përballë njëri tjetrit në një largësi rreth 100 ml, hipur në kuajt e tyre dhe në momentin e duhur fillonin lëvizjen në drejtim të njëri tjetrit. (Foto nr 1)

Foto 1. Vendosja e pleqve në 100 ml larg e përballë njëri tjetrit.

Ecja e kuajve duhet të jetë e zakonshme. “Debati” mes pleqve fillonte kur kuajt të jenë përballë njëri-tjetrit dhe shumë afër, d.m.th “kokë më kokë”, (shih fig. nr 2) ndërsa përgjigja e plakut tjetër duhej të jepej para se kuajt të ishin “bisht për bisht”(shih fig nr 3).  Pleqtë kanuntarë thonë se kanuni në kalë fillon “kokë m’kokë dhe mbaron bisht m’bisht”.

Foto 2: Ky është pozicioni “kokë më kokë” ose fillimi i “gjyqit”.
Foto 3: Ky është pozicioni “bisht më bisht”
ose mbarimi i “gjyqit”

Siç mund të kuptohet, koha që pleqtë kanë në dispozicion është mjaftë e kufizuar 5-10 sekonda. Ja, pikërisht për këtë arsye kjo praktikë kanunore ishte atribut vetëm i pleqve të regjur si Noka e Lusha në Çidhën.

 

Lënda kanunore: Një djalosh nga fshati G. N. kish marrë për nuse një vajzë nga një fshat fqinj. Disa muaj pas martesës, nusja e re, ikën me një djalosh tjetër nga zona me të cilën kufizohej Çidhna. Djaloshi nga Gryka po vëzhgonte situatën, nëse babai i ish gruas do ta bënte për bijë vajzën e tij apo jo. Për këtë arsye ai disa kohë po ruante nga larg lëvizjet tek shtëpia e ish mikut.

 Një pasdite ai dalloi nga larg një burrë e një grua që udhëtonin drejt shtëpisë së ish mikut. Ai njohu ish gruan e tij së cilës i printe një tjetër burrë. Shpejtë e shpejtë zgjodhi pozicionin dhe priti deri sa u afruan të dy, burri dhe gruaja. Ngadalë e me qetësi tërhoqi këmbëzën e armës. Gruaja ra e vdekur në tokë. Shpejt u kuptua që këtë vrasje e kish bërë gryknokasi. Babai i vajzës e mendoi gjatë këtë punë dhe vendosi të nxisë burrin e ri të vajzës të kërkonte gjak tek vrasësi. Pas pak ditësh një plak i dërguar nga familja e dëmtuar trokiti në shtëpinë e gryknokasit duke i thënë: “ Kam një fjalë prej filanit nga fshati…-Më ke gjakun e fëmijës se gruaja ka qenë shtatzënë.” Nuk shkoi shumë dhe një tjetër plak drejtohet shtëpisë që iu vra gruaja e cila ndodhej dy fshatra përtej krahinës së Çidhnës i cili i thotë: “ Ke fjalë nga XY (djaloshi grykënokas) unë të kam vra por të vij në një të drejtë, kur dhe ku të duash ti.” Ashtu u bë, secili zgjodhi plakun e vet. Pala e dëmtuar zgjodhi Lushën ndërsa gryknokasi mori Nokën. Lusha dhe Noka ishin të sprovuar në situata të tilla kanunore. Noka i dërgoi fjalë Lushës që këtë kanun do e ndajmë në kalë…Lusha menjëherë pranoi pasi, sipas së drejtës, ai duhej të fliste i pari dhe besonte se do ta “gozhdonte” Nokën. U caktua vendi, data dhe ora zhvillimit të “gjyqit”.Tek Kroji i Madh në Çidhën do të mblidheshin dhjetra burra që do të ndiqnin “ndeshjen” në mes galdiatorve të së drejtës zakonore. Stërpleqtë (ndihmës gjyqtarët) e të dy pleqve ndërkohë filluan të merreshin me organizimin. Në çdo mexhelis nëpër gjithë krahinën filluan debatet, njerëzit hamendsonin se cili do të fitonte. Dikush thoshte Noka e kush Lusha. Interesi u rrit më shumë kur u muar vesh se ky kanun do të “ndahej” në kalë(!)… Dita e “gjyqit” erdhi shpejt. Në sheshin tek Kroi i Madh ishin ulur mbi 100 burra të cilët kishin ardhë nga të gjithë fshatrat e Çidhnës por edhe nga fshati fqinj i krahinës nga vinte personi që i ishte vrarë gruaja. Stërpleqtë u kujdesen që palët në konflikt të vendoseshin larg njëra tjetrës dhe të prisnin përfundimin e “gjyqit”.

 Nga ana Shëmërtajthit në kodër dukej kali mbi të cilin qëndronte rëndë- rëndë plaku i fisit Noka ndërsa në anën tjetër ndodhej plaku i Lushës në kalë. Që të dy përballë njëri tjetrit pas një shenje filluan të ecnin ngadalë – ngadalë dhe në kokë secili bluante zgjidhjen. Plaku i Lushës sipas së drejtës ishte në avantazh pasi i pari do të shtronte problemin. Ai prej kohësh e kishte përgatitur fjalinë «gozhduese» ndaj dhe priste momentin kur kuajt do ishin «kokë më kokë», përballë njëri tjetrit. Plaku i Nokës ishte mjaft i shqetësuar pasi duhej t›i përgjigjej kundërshtarit në një kohë mjaft të shkurtër. Mijëra variante i kishte çuar në mendje plaku i Nokës, por cila do të ishte «fjalia» e Lushës. Në raste të tilla, në «kanunin në kalë» koha e shkurtër të mundëson vetëm një fjali, nuk ka debate.

 Me një fjalë a fjali fiton ose humbet «gjyqin». Ndërkohë kuajt po afroheshin dhe plaku i Lushës me solemnitet i drejtohet Nokës: “-Pse ma derdhe drithin?” Plaku i Nokës sapo iu përmend fjala “drith” menjëherë dhe falë përvojës së madhe në punët e kanunit i erdhi përgjigja e shumënjohur:

 “-Mos e futje në thes tim.” Të dy kuajt ecën edhe për pak metra në drejtime të kundërta pastaj të dy pleqtë ndaluan, kthyen kuajt dhe bashkërisht u nisën drejt gjithë atyre burrave të cilët prisnin me ankth se cili do të ishte përfundimi. Fjalitë e pleqve edhe pse ishin thënë me zë të lartë, jo të gjithë i kishin dëgjuar mirë ndaj dhe ata u ulën përballë pjesëmarrësve dhe filluan të japin “vendimin”. Fjalën, i pari e mori Lusha i cili iu drejtua djaloshit që i ishte vrarë gruaja: “- Dëgjo oj shpia e X, ne e humbëm kanunin. Unë kërkova drithin (fëmijën e vrarë) por e kishim pasë shti në thes të huaj.” Pas Lushës e mori Noka i cili iu drejtua djaloshit dhe gjithë pjesëmarrësve:

 “-Ti or XY, nuk i ke gjak askuj. Çdo grua ku hyn me duvak, del me qefin. Dhe kush nuk është dakord me këtë zgjidhje le të grejë pleq të tjerë se unë këtu jam.” Gjyqi mbaroi dhe palët nuk mbetën në gjak. Në fund të fundit ky është edhe misioni i çdo pleqërimi: të mos keqësojë situatën dhe të synojë të zbusë zemrat e ndezura të palëve në konflik. Pleqërimi i bërë në Çidhën nga Noka e Lusha shpejt u bë objekt i bisedave në Dibër dhe më gjërë.

 Pleqërimi “në kalë” u shndërrua shpejt në “motër-kazus-precedent” edhe për raste të tjera të ngjashme deri në krahinat përreth si Mati, Elbasani etj.

 

  1. Kanun me …shekë të kosit (!)

 Këtu bëhet fjalë për një konflikt të ashpër mes fisesh për zgjidhjen e të cilit pleqtë e kanunit bënë një eksperiment fizik në prezencë të palëve të konfliktuara.

 Lënda kanunore: Rreth viteve 1870, në fshatin X të Çidhnës dy gra, njëra nusja e tjetra vjehrra, po mbushnin ujë me bucela tek një krua që ndodhej larg nga shtëpitë e fshatit, d.m.th., në një pyll afër. Gjatë kohës që gratë ishin te kroi dhe po mbushnin ujë, një krismë arme dëgjohet dhe të dyja gratë tremben. Ishte krisma e armës së një fshatari i cili gjuante aty afër. Gratë mbushën bucelat dhe drejtohen nga shtëpia. Porsa shkoi në shtëpi, nusja filloi të ndihej keq dhe shtrihet në krevat. Të nesërmen nusja dështon barrën. Pas kësaj ngjarjeje situata u bë serioze. I shoqi i gruas së dëmtuar e akuzoi gjahtarin se krisma e pushkës së tij ishte shkaku i vdekjes së fëmijës në bark (!) ndaj dhe i kërkon gjakun. Lajmi mori dhenë dhe njerëzit, të afërmit e dy shtëpive në konflikt, filluan të lëviznin për t’i pajtuar.

 Pasi nuk qe i mundur pajtimi, palët shkuan në të drejtë. Familja e gjahtarit i deklaroi familjes së dëmtuar se “… unë të vij në të drejtë dhe pranoj atë plak që do zgjedhësh ti. ” Kjo ishte një shenjë e fortë dhe tregonte se gjahtari ishte i bindur në pafajsinë e tij. Familja e dëmtuar mori plak Nokën por edhe familja e gjahtarit atë mori. Plaku i kanunit, Noka, e pranoi sfidën edhe pse i njihte shumë mirë të dy palët në konflikt.

 Situata kanunore nuk ishte aq e lehtë pasi duke i njohur ato fise, përplasja me armë ishte shumë pranë. Stërplaku i konakut të Nokës, i propozoi Plakut të merrej mendimi i esnafit të bagëtive KM nga Fushë Alia.

 Meqenëse problemi, (konflikti) kishte marrë vëmendje të madhe në opinion, Plaku i kanunit Noka vendosi që ky gjyq të ndahej larg fshatit dhe pikërisht te Gurra e Gjyqit në Prat. Aty përveç se ndodhej një fushë ku mund të uleshin njerëzit, kishte edhe ujë për të pirë por mbi të gjitha ishte emri Gurra e Gjyqit, i cili për shkak të ndodhive të mëparshme, kishte ndikim në psikologjinë e opinionit. Ishte caktuar data dhe ora e zhvillimit të gjyqit. Koha e tij ishte vendos në mëngjes rreth orës 10. Stërplaku, i porositur nga Plaku kishte siguruar një shekë(17) me kos të xanun një natë më parë si dhe një armë të njëllojtë me armën e përdorur nga gjahtari. Dita erdhi dhe shumë njerëz varg e varg shkonin drejt Gurrës Gjyq. Afër kroit ulet Noka dhe në krahë të tij dhe stërplaku me shekën e kosit. U zgjodh, nga pjesëmarrësit dëgjues të rastit, edhe çekiçi për të formuar numrin tre të gjyqtarëve apo për të bërë kourumin e “trupës” gjykuese.

 Plaku i drejtohet me solemnitet gjahtarit: -largoju nga këtu, aq sa ke qenë larg kroit atë ditë që ke qëlluar me armë… Gjahtari ngrihet më këmbë dhe duke e mat vendin me sy, zë vend diku përtej. Plaku i kanunit merr miratimin e palës së gruas së dëmtuar për largësinë ku u vendos gjahtari dhe i jep stërplakut armën e njëllojtë me të gjahtarit duke i thënë të qëndrojë pranë gjahtarit. Stërplaku bëhet gati të qëllojë në ajër ndërsa Noka ngrihet më këmbë e ngadalë i afrohet shekës së kosit. Pas shenjës me dorë të Plakut, krisi pushka. Plumbi çau ajrin duke lënë kumbimin në veshtë e pjesëmarrësve.

 Stërplaku rëndë-rëndë afrohet te grumbulli i fshatarëve dhe i dorëzon armën Plakut të kanunit i cili thërret burrin e gruas së dëmtuar, stërplakun dhe çekiçin të cilët afrohen pranë shekës së kosit. Ngadalë, Plaku ia hoqi kapakun asaj dhe i ftoi ato të shohin nëse është “ çarë cipa, mbulesa” e kosit apo jo. Burri i gruas së dëmtuar, e vërejti mirë e mirë cipën e kosit në shekë dhe tha:- Jo nuk është çarë, nuk ka krisë. U ftuan edhe disa të tjerë për ta parë. Përfundimi ishte i njëjtë: “cipa e kosit në shekë nuk është çarë…” Pas kësaj Plaku i kanunit, Noka iu drejtua burrit të dëmtuar: “- Fëmija n’bark të nanës është si kosi në shekë. Gjahtari nuk është fajtor për vdekjen e fëmijës. Përmas k’tij shteku çdo gjahtar do i qëndrojë larg kroit sa rref pushka. Kush s’asht dakord të grejë pleqë tjerë e të hahen me mu…”Kanuni u nda. Gjahtari mori frymë i lehtësuar. Shumica e njerëzve bashkë me Nokën por edhe burri i gruas së dëmtuar, u nisën për te shpia e gjahtarit ku do hahej buka, e cila do ishte edhe buka e pajtimit. Nga ajo kohë e deri në ditët tona, kjo praktikë kanunore është thirrë kanuni i “shekës së kosit”.

III. Kanun me …kmesë(!)

 Në Dibër janë të njohura dy variante të kësaj ndarjeje kanunore. Them dy variante duke marrë parasysh mënyrën e “ekzekutimit” të vendimit të Plakut. Ne Çidhën, Plaku i thirrur për të ndarë kanunin, ka përdorë kmesën (objekt prerës si satër) për të “ndarë” përgjysmë një fëmijë që e pretendonin dy gra (!). Kjo ndarje kanuni, e çuditshme, pasi ishte bërë objekt diskutimesh nëpër odat e Maleve të Dibrës, aty këtu, pësoi ndryshime. P.sh.: në Krahinën e Luznisë, për ti dhënë ngarkesa emocionale më të forta palëve në konflikt, në vend të prerjes së fëmijës me kmesë, tregohet për “shqyerjen e fëmijës me thonj nga dy gratë”(!)(18)

 Lënda kanunore: Ngjarja ka ndodhë para viteve 1850, në fshatin X të Dibrës së Poshtëme. Një banor i këtij fshati kish shumë vite martesë por nuk kishte fëmijë. Gruaja ishte “vizituar” në sa e sa plaka për tu kthye mbarë, por kishte qenë e pamundur.

 Burri i bindur se gruaja nuk po lindte, vendosi të marrë një grua tjetër për të mos e mbyllë derën edhe pse gruaja nuk ishte fare dakord. Ajo, i përsëriste atij prit dhe pak se dhe unë do të lind…Por kur? Pas shumë përpjekjeve nga rrethi miqësor, u arrit të gjendej një grua edhe pse ajo ishte,”copë mishi me dy sy” dhe gra të tilla quheshin “grua halli”. Gruaja e parë filloi të shqetësohet dhe të grindet por që në ditët e para e kuptoi se nuk do ta kish të vështirë, pasi e reja ishte shumë e urtë. Kështu, autoriteti i së vjetrës në shtëpi ishte i padiskutueshëm edhe mbi gruan e re, e cila ishte e detyruar ta pyeste të vjetrën, apo ti tregonte asaj , për gjithçka. Pas njëfarë kohe, e reja filloi të ndjente shqetësimet e shtatzanisë dhe këtë ia tregoi së vjetrës. Shpejt e vjetra filloi realizimin e planit të cilin kishte kohë që e kish përgatit. Ajo, ia mbushi mendjen gruas së re se “është turp me i tregue burrit për këtë punë…” dhe e reja mbylli gojën para burrit. E vjetra mori situatën në dorë dhe një natë i deklaroi të shoqit se kishte mbetë “shtatzënë”(!!!). Burri u çudit, megjithatë e besoi dhe u gëzua shumë. E vjetra e këshilloi të shoqin që këtë muhabet të mos ia tregonte as gruas së re pasi ajo është e trashë dhe budalle. Veç kësaj, e vjetra e këshilloi burrin që të marrë udhën e kurbetit pasi pas lindjes së fëmijës familja bëhet e madhe dhe duhet shpi e re, duhet me ble tokë, bagëti etj,etj. Burri nuk kish si ta kundërshtonte këtë ide, përkundrazi iu shtua më shumë admirimi për gruan e tij të vjetër e cila pas shtatzanisë(!) kishte ndryshuar shumë. Ai, ishte shprehur se po të kish mbetë gruaja shtatzënë para një viti nuk do e kish marrë edhe këtë tjetrën, të renë…Nuk shkoi shumë dhe burri u nis për kurbet i cili aso kohe ishte i gjatë në kohë dhe askush nuk kthehej pa bërë 5-6vite.

 Gruaja e vjetër filloi të dalë nëpër lagje, takonte shoqet dhe deklaronte se burri iku në kurbet se duhet me ba shpi të re, pasi kam mbetë shtatzanë dhe na duhet me ble tokë, bagëti … etj., etj. Gruaja e re, që në fakt ishte shtatzënë, qëndronte gjithnjë në shtëpi dhe ndërsa barku i saj rritej ajo i fshihej syrit të grave. E vjetra filloi të ngjishte lecka në pjesën e barkut duke dhënë pamjen e një barku që çdo ditë fryhej. Pas pak kohësh gruaja e re lindi në shtëpi, siç lindnin aso kohe gratë por në shtrat u shtri e vjetra me djalin e porsalindur në gji, ndërsa e reja shërbente. Filluan të vinin gratë e fshatit dhe uronin. Gruaja e re, i quante për mirë këto veprime të së vjetrës, i dukej normale që djalin e saj po e rriste e vjetra. Kështu jeta vazhdoi në këtë familje dhe djali rritej çdo ditë. E vjetra gjatë gjithë kohës e ushqente djalin me urrejtje ndaj së ëmës biologjike. Situata në familje gjithnjë po vështirësohej për gruan e re. Pas gjashtë vitesh burri u kthye nga kurbeti dhe gëzimi qe i madh kur pa djalin e tij që luante në oborr. Gruaja e vjetër po i fliste të shoqit, pa pushim, për vështirësitë gjatë shtatzanisë dhe sakrificat që kishte bërë për rritjen e djalit. Burri vërejti se gruaja e dytë, e reja, ishte mjaft e dobësuar, ndaj dhe një natë ai ia kërkoi me këmbëngulje arsyen. Gruaja e re merr guximin dhe i tregoi gjithçka. Burri u habit nga ajo që dëgjoi dhe kuptoi çfarë kish ndodhë. Gruaja e vjetër kishte bërë hak të largohej menjëherë nga shtëpia…

 Në lojë hynë edhe vëllezërit e gruas së vjetër dhe njerëzit e së resë. Situata u ngatërrua shumë. Shumë veta në fshat, edhe pse të çuditur, thonin se djalin e lindi e vjetra, ndërsa kish të tjerë që thonin të kundërtën, duke e quajtur të vjetrën grua të keqe. Një ditë ai e pyeti të vjetrën se kush e ka lindë djalin. Gruaja u bë si e xhindosur dhe filloi të bërtasë- Ti mos dëgjo atë budallenj, se ajo nuk di çfarë thotë, po pyet gratë e katundit se ato e dinë… Burri i zënë ngushtë, kërkoi ndihmë për zgjidhjen e kësaj situate. 

 

REFERENCAT:
1. Sinani Sh. “Tradita si etnotekst” fq 50
2. Sinani Sh. “Etnosi në epos” fq 202
3. “E drejta zakonore shqiptare” fq 8
4. Sinani Sh. “Etnosi në epos” fq 227
5. Sinani SH. “Etnosi në epos” fq 227
6. Palaj B. “Bota e maleve shqiptare” fq 147
7. Bardhoshi N. “ Antropologji e kanunit” fq 30
8. Sinani Sh. “Antropologji etnojuridike” pj. II, fq 55
9. Pulaha S. “Konferenca Komb. e stud etnogr.” fq 160
10. Frashëri K. “Konf. Komb. e stud etnogr” fq 241
11. Frashëri K. Vepër e cituar fq 240
12. Bardhoshi N. “Antropologjia e kanunit” fq 28
13. Bardhoshi N. “Antropologjia e kanunit” fq 127
14. Cituar nga “Antropologjia e kanunit” fq 131 e
Bardhoshi N.
15. Bardhoshi N. “Antropologjia e kanunit” fq 123
16. Faverial Zh.K. “Historia më e vjetër…” fq 333