Në pritje të “28 Nëntorit të Tretë” – ditës së bashkimit etnik të shqiptarëve


Refleksione / 28 Nëntori – Dita e Flamurit Kombëtar Shqiptar

Nga nëntori i Skënderbeut te Nëntori i Ismail Qemalit, një historik i shkurtër i ngritjes së flamurit dhe rritjes së ndërgjegjës kombëtare, për të ardhur të nëntori i tretë i shumëpritur: bashkimi i shqiptarëve nën një shtet.

 Nga: Dr. Enver HALILI, Australi

Shqiptarët sot janë në pozitë shumë më të volitshme gjeopolitike. Ne e kemi përkrahjen e vendeve demokratike  në tërë botën, sidomos të SHBA-së, Britanisë, Gjermanisë, Japonisë, e vende tjera. Shqiptarët duhet ta shfrytëzojnë këtë moment historik, t’i lënë mënjanë interesat e ngushta dhe dallimet politike, të këndellen e të bëhen unike në veprimet e tyre. Sot, si asnjëherë më parë kumbon thirrja e rilindësit tonë të shquar Pashko Vasa “zgjohuni shqiptarë nga gjumi zgjohuni, rreth Flamurit Kombëtar me një besë bashkohuni”. Sot  po vjen ora jonë  dhe Shqipëria duhet të bëhet njëherë e përgjithmonë.

Politikanët shqiptar kudo që janë në mëmëdhe apo diasporë sot, duhet të udhëhiqen nga Doktrina e Skënderbeut, Programi i Rilindjes Kombëtare dhe të frymëzohen nga veprat e patriotëve që u  sakrifikuan ndër shekuj për çlirimin e mëmëdheut. Këto janë udhërrefyesit më të mirë për lidershipin politik shqiptar për të marshuar drejt fitores. Drita e “28 Nëntorit” dhe Flamuri Kuq e Zi janë forca shpirtërore, e cila mbajti gjallë kombin shqiptar ndër shekuj, është një fanar i pashuar i cili shndritë rrugën tona drejt çlirimit të tokave të pushtuare dhe na mëson për të krijuar e ndërtuar Shtetin Etnik Kombëtar, i cili do të kurorëzohet në “28 Nëntorin e Tretë!”

28 Nëntori – Dita e Flamurit Kombëtar Shqiptar – është dita më e rëndësishme e kombit tonë, por është edhe një ndër ditët më të lavdishme të popujve liridashës të Europës dhe më gjerë.  Historia e lashtë dhe shumë e lavdishme e flamurit tonë kombëtar  bëri që 28 Nëntori t’i lëshojë rrënjët thellë në dijen dhe ndërdijen e popullit shqiptar.

“28 Nëntori” i parë në Krujën e Kastriotëve vuri themelet e kombit shqiptar; “28 Nëntori” i dytë në Vlorën heroike të Ismail Qemalit krijoi Shqipërinë Politike; ndërsa “28 Nëntori“ i tretë, presim që  ta kurorëzojë Shqipërine Etnike!

“28 Nëntori”  i  Gjergj Kastriotit  është një mishërim natyral me Flamurin Kuq e Zi dhe Shqiponjën dy krenare, e cila ka një histori të moçme dhe shumë të lavdishme që nga parahistoria. Shkabën dy krenare  e patën simbol pellazgët e lashtë dhe vetë Zeusi kishte një respekt të veçantë për të. Mandej, Pirroja i Epirit, Konstandini dhe Justiniani i Madh shqiponjën dykrerëshe e kishin simbol të perandorive të tyre. Edhe Konstandini i Fundit (nga Hasi i Prizrenit)  me këtë flamur ra në fushëbeteje  në mbrojtjen e Konstandinapojës me 1453.

Me të drejtë mund të pohohet se “28 Nëntori” i ka lëshuar rrënjët thellë në historinë tonë të lavdishme dhe u brumos me shqiponjën dykrenare. “28 Nëntori” dhe shqiponja dykrerëshe u përjetësuan qysh atëherë kur heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti, me 300 trima shqiptarë ngriti Flamurit Kuq e Zi në kalanë e Krujës në vitin 1443.  Rëndësinë e “28 Nëntorit” të Krujës kreshnike më së miri e përshkruan rilindësi ynë i madh Naim Frashëri në vargjet e tij të mrekullueshme: “Krujë o qytet i bekuar,/ prite, prite Skënderbenë,/ po vjen si pëllumb i shkruar,/ të shpëtojë mëmëdhenë.” Valimi i lirë i flamurit kuq e zi në kështjellën e Krujës solli shpresë në popull dhe i dha një shtytje të fortë papara luftës për çlirimin e atdheut.

Gjergj Kastrioti kishte vizion, ishte largpamës,  ishte i vetëdijshëm se për të realizuar dëshirën e popullit, duhet të bashkohen të gjithë princat arbëror dhe të veprojnë me një program të koordinuar nga një qendër.  Kështu që, më 2 Mars të vitit 1444, Skënderbeu arriti t’i bashkoje shumicën e princave arbëror në Kuvendin e Lezhës me “besë-besë” me qëllim që të punojnë e luftojnë për çlirimin e vendit, ndërtimin e shtetit dhe mbrojtjen e etnisë arbërore.

“Shqiptarët sypatrembur nuk mundën ta konceptonin përuljen e nënshtrimin nga pushtuesi, ata donin admirim dhe jo mëshirë e nënshtrim nga pushtuesi”, nënvizonte Aristidh Kola (1983). Prandaj, Princat arbëror u bashkuan në një front të vetëm për çlirimin e vendit dhe për të ndërtuar një jetë të dinjitetshme.

Mendja racionale e princërve arbërorë arriti që interesat e tyre personale e krahinore t’i venë në shërbim të interesit të lartë të atdheut. Në Kuvendin e Lezhës, për herë të parë në historinë tonë, u krijua shteti kombëtar. Në Kuvendin e lavdishëm të Lezhës u arrit kalimi nga praktika  e modelit të trashëguar të principatës rajonale, si formë e shtetit, në atë të “shtetit-komb” me një qendër të vetme, kësaj radhe në qendrën e Kastriotëve në Krujë. Kruja u bë qendra e parë kombëtare, e cila arriti ta përfaqësojë interesin e përgjithshëm të arbërve nën Mbretërinë Kombëtare. Kuvendi i Lezhës vuri bazën mbi të cilin do të krijohet, kultivohet dhe ngrihet ndërgjegjja shtetërore e kombëtare shqiptare.

Mbretëria e Arbërore nuk arriti të jetojë gjatë, por idetë, parimet dhe vizionet  e Kastriotit u përjetësuan në mendjen dhe krenarinë shqiptare. “28 Nëntori” i Gjergj Kastriotit do të bëhet një frymëzim për të gjitha gjeneratat, të cilat pavarësisht kushteve të rënda, çdo herë gjetën frymëzim dhe u motivuan që të  rezistojnë dhe luftojnë  për çlirimin e atdheut.

“28 Nëntori” u shndërrua në një faktor motivues për çlirim kombëtar në të gjitha periudhat e mëvonshme kohore dhe për të gjitha gjeneratat duke përfshirë Gjon e Gjergj Kastriotin e Ri, Pjetër Bogdanin, Ali Pashë Tepelenën e Balshajt e Shkodrës, Sulejman Vokshin e Micë Sokolin, Marko Boçarin e Oso Kukën, Bajo e Çerçiz Topullin, Dedë Gjo Lulin, Isa Boletinin dhe Idriz Seferi, Shote e Azem Galicën, Shaban Polluzhën, Hysen Terpezën e Xhemë Gostivarin, e deri te Adem e Hamzë Jashari.

Rilindësit tanë mendje ndritur, të udhëhequr nga Abdyl Frashëri, nën Flamurin e Kastriotit, u mblodhën në Prizren në qershor të vitit 1878, ku i treguan fuqive të mëdha  se shqiptarët  do të luftojnë deri sa të çlirohet vendi, qoftë të mos mbetet edhe një njeri i vetem (S. Frasher 1878). Në Kuvendin e Prizrenit shqiptarët arritën të bashkohen rreth një qëllimi, sepse ishin të prirur nga porosia e Kastriotit “të jeni gjithmonë të bashkuar” në  luftë për çlirimin e vendit. “28 Nëntori” i Gjergj Kastrioti u shndërrua në simbol të bashkimit, pavarësisht besimeve të ndryshme fetare (Repishti 2004).

Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878), ishte krijuar sipas Doktrinës së Gjergj  Kastriotit dhe ishte frymëzuar nga “28 Nëntori” i Krujës kreshnike. Ajo është lëvizja e parë me përmasa gjithëkombëtare e organizuar me tërë kompleksitetin e vetë shtetformues si  arsimor, kulturor, politik, ushtarak, administrativ dhe social. Qëllimet e lëvizjes ishin të parashtruara nga Programi i Rilindjes Kombëtare me syninimin bashkimin e popullit në një front të përbashkët për të çliruar atdheun. Rilindësit luftonin  për të çliruar e bashkuar tokat shqiptare  dhe për të krijuar një shtet autonom kombëtar (S. Frashëri 1878; A. Ermenji 1973). Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878), edhe pse nuk arriti ta çlirojë vendin, arriti me sukses të mbjellë, kultivojë dhe zhvillojë ndjenjën e lirisë. Siç theksonte lideri i Lidhjes, Abdyl Frashëri “fara u mbuall” dhe frytet do të korren shumë shpejt.

Luftërat e përgjakshme shekullore të popullit tonë arritën ta kurorëzojnë porosinë e Gjergj Kastriotit dhe idenë e Programit të Rilindjes Kombëtare për çlirimin e atdheut me 28 Nëntor 1912, kur Ismail Qemali me patriotët shqiptar ngriti Flamurin e lirisë në Vlorën heroike. Sikurse dikur Gjergj Kastrioti, edhe Isa Boletini me 300 kalorës kosovarë arriti në Vlorë, ku me respekt të veçantë u përul dhe puthi flamurin e Kastriotit. Garda e Parë Kombëtare me plisa të bardhë nën komandën e Isa Boletinit me pushkë në dorë mbrojti flamurin kombëtar dhe u çimentos  në themelet e shtetit shqiptar, më 28 Nëntor 1912.

Ngritja e flamurit të Kastriotit në Vlorë më 1912, përfaqësonte fitoren kombëtare e të gjitha trevave shqiptare, prej Tivarit në perëndim, e Sjenicës në veri, deri në Artë e Prevezë në jug, prej brigjeve të Adriatikut e Jonit në perëndim, deri në Manastir, Shkup, Kumanovë, Luginën Moravës në lindje e deri në Vranje, e Nish në verilindje. Patriotët e të gjitha regjioneve shqiptare dhanë një ndihmë kolosale për çlirimin kombëtar dhe ngritjen e Flamurit Kuq e Zi në Vlorë.

Ashtu si vepruan dikur princat arbërore në krye me Gjergj Kastriotin, ashtu edhe patriotët e Pavarësisë si L. Gurakuqi H. Prishtina, I. Boletini, Çerçiz e Bajo Topulli, M. Grameno, D. Gj. Luli, I. Seferi, e shumë të tjerë me I. Qemalin në krye,  shkrinë tërë pasurinë e tyre dhe u flijuan në altarin e lirisë. Por “Nëntori i Dytë“ arriti të çlirojë vetëm një pjesë të vogël atdheut, dhe fatkeqësisht, shumica e vendit dhe popullit tonë mbeti jashtë kufijve të shtetit të ri dhe u pushtuan nga forcat greke dhe sllave të ndihmuar nga Rusia cariste.

Pavarësisht rrethanave shumë të vështira të shekullit njëzet, lavdia e “28 Nëntorit” të Kastriotit arriti të futet thellë në mendjen dhe shpirtin e popullit tonë.  “Dita e Flamurit – 28 Nëntori” u shndërrua në një festë të dhembjes krenare për shqiptarët. Nga viti 1912, populli shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë politike, “28 Nëntorin” e festonin me demonstrime e kryengritje të përgjakshme në shenjë kujtimi të kaluarës sonë të lavdishme dhe duke shfaqur hapur aspiratat e tyre për liri.  Kremtimi i Ditës së Flamurit u shndërrua në një faktor inspirues si për Tiranën, Prishtinë, Shkupin, Manastirin e qendrat tjera që të punohej për të arritur amanetin e Kastriotit dhe realizuar idenë e Programit të Rilindjes Kombëtare: çlirimin përfundimtar të atdheut dhe bashkimin e të gjitha trojeve në një shtet të vetëm kombëtar.

Festa e “28 Nëntorit – Dita e Flamurit” është faktori kryesor i krenarisë kombëtare, e cila u mundësoi, jo vetëm shqiptarëve, të cilët jetojnë në viset e pushtuara, por edhe emigrantëve shqiptarë që t’u rezistojnë dallgëve të asimilimit në kohëra dhe vende të ndryshme. “Dita e Flamurit” ishte forca shpirtërore për shqiptaret jashtë mëmëdheut, të cilët i mbijetuan asimilimit  dhe krenohen me gjakun e tyre shqiptar. Shembuj të mbijetesës kombëtare kemi ane e kënd globit, siç janë arbëreshët në Itali, çamët dhe arvanitasit në Greqi, shqiptarët e emigruar në Turqi, Rumani, Bullgari, Ukrainë, në vendet perëndimore si në: Itali, Zvicër, Gjermani, Angli, SHBA, Australi e vendet tjera. Festa e “28 Nëntorit” mot për mot bashkon shqiptarët rreth Flamurit Kombëtar, për të kremtur me krenari këtë ditë të madhe kombëtare. Emigrantet shqiptar, kudo që ata punojnë dhe jetojnë, e festojne “28 Nëntorin”  me dashuri e dinjitet, në shenjë respekti dhe krenarie për gjakun e derdhur dhe sakrificat mbinjerëzore të popullit tonë ndër shekuj.

Mund të pohohet lirisht se vështirë është të gjendet në ndonjë vend apo popull tjetër një festë aq e lavdishme siç është “28 Nëntori” i Gjergj Kastriotit dhe “28 Nëntori” i Ismail Qemalit. Në këtë ditë, të gjithë pjesëtarët e kombit tonë, anë e kënd botës, me flamuj me shkabën dykrenare në duar bashkohen për të kremtuar një festë, sa të lashtë, aq edhe  madhështore, për të shprehur  respektin për të gjithë ata që u sakrifikuan për atdhe. Kjo feste është materializuar me sukses gjatë historisë sonë.

Sukseset e “28 Nëntorit“ të Krujës kreshnike dhe “28 Nëntorit“ të Vlorës heroike kanë vënë vulë të pashlyeshme në ndërgjegjen e popullit tonë në tërë hapësirën e Gadishullit Ilirik dhe gjithkund ku jetojnë e veprojnë shqiptarët. Andaj mund të thuhet lirish se “28 Nëntori”  është bënë “ikonë e lirisë së popullit shqiptar!

Festa e “28 Nëntorit – Dita e Flamurit” sot dhe gjithmonë do të jetë faktor kryesor shtytës për të gjithë shqiptarët veçanërisht për politikëbërësit e shtetndërtuesit në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Preshevë, Ulqin, e udhëheqësit komuniteteve në diasporë. Shtetndërtuesit e sotëm, udhëheqësit e diasporës  duhet ta ndjekin shembullin e Gjergj Kastriotit dhe Ismail Qemalit, patriotëve të Rilindjes Kombëtare dhe dëshmorëve të të gjitha luftërave çlirimtare dhe të mblidhen me “besa-besë” në Kosovë dhe të shkojnë për festuar me dinjitet “28 Nëntorin” në Mitrovicën e Isa Boletinit.

Politikëbërësit e shtetndërtuesit shqiptarë, kudo që veprojnë, e kanë obligim që ta materializojnë gjakun e derdhur  në të mirë të popullit dhe tokës sonë të lashtë. Ata  kanë obligim ndaj gjakut të derdhur nga shumë familje shqiptare si familja Jasharaj, Deliaj, Mehaj, Berisha, Bogujevci etj; kanë obligim ndaj gjakut të derdhur në masakrat e shumta në këta dy-tre shekujt sidomos ndaj masakrave të fundit si ajo Prekazit, Reçakut, Rezallës, Rugovës, Poklekut, Dubravës, Studimes, Krushës, Kleçkës, Izbicës, etj; kanë obligim ndaj motrave dhe nënave të dhunuara e të masakruara; kanë obligim ndaj mbi 1,500 personave të pagjetur ende; kanë obligim ndaj qindra mijëra shqiptarëve të vrarë, torturuar dhe shpërngulur me dhunë nga vatrat e tyre në këta dy shekuj fundit nga kriminelet serbe. Politike-bërësit e shtet-ndërtuesit shqiptar e kanë obligim që sot  ta ndërtojnë një shtet funksional për popullin, i cili dha aq shumë për çlirimin e vendit.

Liderët dhe politikanët e sotëm duhet të motivohen nga “28 Nëntori” i Krujës dhe Vlorës dhe t’i vënë interesat e tyre personale në shërbim të kombit dhe ta mbrojnë çdo pëllëmbë të tokës shqiptare. Nuk duhet lejuar që sot në Mitrovicën tonë të lashtë të lodrojnë kriminelet e Vuçiçit sikurse dikur vendoseshin e harliseshin çetniket e Pashiqit, Rankoviqi e Millosheviqit. Mitrovica dhe tërë Kosova-Dardania e lashtë ka qenë, është dhe do të jetë çdo herë e jona.  Dardania (Kosova)  është e bekuar nga Zoti. Vetë  Zeusi e ka emëruar Dardaninë me emrin e të birit të tij të preferuar-Dardanit (Homeri, Iliada). Dardania ka forcë hyjnore dhe  u ka rezistuar rrebeshëve të kohës gjatë të gjithë katrahurave historike që kur njerëzimi u krijua në rruzullin tokësor. Dardania (Kosova) siç do të thoshte Ismail Qemali “ka qenë dhe do të jetë shqiptare” (A. Ermenji 1973).  Prandaj është obligim i çdo shqiptari (sidomos i lidershipit të tij) ta mbrojë këtë tokë të shenjtë dhe të ndërtojnë një të ardhme të lumtur për kombin tonë në këtë hapësirë të globit.

Shtetndërtuesit e sotëm  duhet të ndjekin shembullin e Kastriotit, ta realizojnë Programin e Rilindjes Kombëtare, ta vazhdojnë rrugën e patriotëve dhe dëshmorëve të luftërave tona çlirimtare dhe amanetin e Adem Jasharit, të cilët jo vetëm sakrifikuan të gjithë pasuritë materiale, por derdhën gjakun dhe flijuan famlijet e tyre me qëllim që të çlirohet atdheu. Shtetndërtuesit dhe politikanët e sotëm   e kanë obligim kombëtar që  të japin kontributin maksimal për krijimin e një shteti funksional e demokratik, me qëllim që popullit t’i sigurohet një e ardhme më e mirë dhe të jetojë e punojë i lumtur në tokën tonë të shenjtë.

Mëmëdheu  ynë i bekuar, sot me një vijë bregdetare prej mbi 450 km gjatësi, me fusha pjellore, me male të begatshme, me lumenj e liqene të kristaltë, me gryka e kanione mahnitëse, me minerale të pasura, me një forcë punëtore dhe intelektuale shumë vitale, i ka të gjitha kushtet për ta ndërtuar një ekonomi i fortë dhe të bëhet një vend i zhvilluar. Vendit tonë me gjithë këto begati natyrore dhe fuqinë njerëzore sot i duhet vetëm  një qeverisje efektive e cila “…t’u hapte udhën e,… të vështrohet mirë, …, mund të vejë shumë mbarë e t’ushqejë katër herë më tepër njerëz se sa ushqen sot”, sugjeronte eruditi Sami Frashëri (1878). Një e ekonomi e fortë dhe stabile mundëson që populli ynë të shëndrrohet në një faktor të rëndësishëm, jo vetëm në rajon por edhe më gjerë. Faktori shqiptar duhet ta konsolidojë gjithë forcat e veta dhe  të marrë detyra të rëndësishme, të luajë rolin e duhur përkrah aleateve tanë  në aksione të ndryshme.

Është detyrë parësore e liderëve tanë të angazhohen dhe vënë në funksion të zhvillimit të vendit të gjithë potencialin material e njerëzore, sidomos atyre nga diaspora, me qëllim që populli ynë ta ndërtojë një jetesë të lumtur në trojet e veta. Fatkeqësisht, ende “Arbëria matanë detit na kujton, se ne të huaj jemi në këtë dhe” (Serembe 1860). Por një gjë dihet mirëfilli, se diaspora shqiptare fizikisht jeton jashtë vendit, por shpirtërisht gjithmonë ka qenë e lidhur me mëmëdheun dhe vazhdimisht ishte dhe do të jetë në qendër të të gjitha veprimtarive kombëtare. Diaspora shqiptare sot disponon me kapital vital financiar, profesional dhe intelektual, të cilët janë faktorët parësor të zhvillimit ekonomik dhe kulturor të vendit. Andaj, është një detyrë akute sot që shtetndërtuesit dhe politikanët tanë të bashkërendojnë veprimet me intelektualët dhe forcat profesionale e krijuese brenda dhe në diasporë dhe të fillojnë përgatititjen e projekteve për nxjerrjen e vendit nga kjo varfëri  ekonomike. Për shembull, papërgjegjësia e politikebërëseve kosovarë në dy dekada e fundit solli që sot Kosova të përballet me problemin e rrymës elektrike (pa drite dhe pa ngrohje në dimër) edhe pse kosovarët flenë në mbi 15 miliardë ton thëngjill.

Një zhvillimi i harmonizuar ekonomik mundëson ndërtimin e një sistemi kualitativ arsimor, shëndetësor, kulturor dhe administrativ. Krijimi i mundësive për investimet e kapitalit nga jashtë, dhe sidomos të kapitalit të diasporës sonë, do sendërton një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Një ekonomi e fortë do ta ngrejë nivelin  e mirëqenies individuale dhe shoqërore dhe mundëson që njerëzit të jetojnë dhe festojnë të lumtur dhe me dinjitet “28 Nëntorin”. Një shtet funksional e demokratik u hap rrugë investimeve efektive dhe mundëson të krijohet dhe zhvillohet një ekonomi me një strukturë të qëndrueshme afatgjate. Një ekonomi stabile do të jetë në gjendje ta bartë barrën e zhvillimit të gjithë superstrukturës kombëtare. Vetëm atëherë kur shqiptarët janë të punësuar dhe ndërtojnë vendin e vet ata mund ta festojnë “28 Nëntorin” të lumtur e me dinjitet.

Shtetndërtuesit dhe liderët shqiptarë brenda vendit dhe në diasporë duhet të kthjellohen sot kur bota gjendet para një  riorganizimi të madh gjeopolitik. Ata sot duhet të veprojnë të unifikuar mes vete, të koordinuar me aleatët tanë dhe të ecin në hap me kohën për të realizuar qëllimet kombëtare. Ne nuk kemi kohë për të humbur. Tani është momenti kur liderët shqiptarë duhet të veprojnë me një program të koordinuar nga një qendër, sikurse vepruan shqiptarët në kohën e Gjergj Kastriotit, Abdyl Frashërit e Ismail Qemalit. Mënjanimi i mosmarrëveshjeve mistrece u mbyll shtegun e ndërhyrjeve të huaja dhe eliminon pengesat drejt realizimit të qëllimeve të larta kombëtare (A. Ermenji 1973). Udhëheqësit shqiptarë duhet të operojnë si një trup i vetëm, sidomos sot kur armiku ynë historik – Rusia e Putinit, – po përballet me zjarrin e luftës së dështuar pranë derës së shtëpisë së vet.

Rusia është arkitekte e krijimit të Serbisë dhe përkrahësja kryesore e politikës së saj gjenocidiale kundër shqiptarëve në këta dy shekujt e fundit.  Të gjitha telashet e sotme të shqiptarëve rrjedhin për shkak të qëllimeve dhe interesave të Rusisë, nënvizonte S. Frashëri (1878). Po ashtu edhe “La Republika” (e datës 13.11.2022) shkruante se pas konfliktit Kosovë-Serbi qëndron Rusia me mercenarët Grupit Wagner për të nxitur një konflikt të ri në Europë. Gjithmonë është Rusia ajo, e cila e nxit dhe përkrah Serbinë ekstremiste kundër shqiptarëve, kroatëve, boshnjakëve, malazezëve dhe popujve tjerë liridashës.

Rusia sot udhëheqët me të njëjtën ideologji agresive e pushtuese të rafinuar dhe shtrembëruar nga ideologu i saj A. Dugin. A. Dugini pohon se ruset si shpëtimtar të njerëzimit e kanë marrë bekimin e Zotit për të krijuar perandorinë e Euroazisë me qendër në Rusi (Moskë), si Roma e Tretë (Dugin 1997). Euroazia do të jetë një union i sllaveve, turqve dhe muslimanëve ortodoks (Heiser 2014; Laruelle 2006; Waynne Allensworth 2009).  Ai pohone se fuqia e Euroazisë e ka origjinën nga “vendi mitik” i Hiperboresë. Dugini, ashtu si paraardhësit e tij pansllavist, është munduar që ta rrëmbejnë historinë tonë duke manipuluar me argumente të shpifura dhe në anën tjetër Rusia i shtynë ekstremistët serbmëdhenj ta na rrëmbejnë edhe tokën tonë, me qëllim që nesër të ndërlidhë sllavet me hiperboreanët pellazgë. Për çështjen e hiperboreanënëve janë bërë  shumë studime. Eqrem Zenelaj (2017) bazuar në literaturën perëndimore, ka bërë një studim të shkëlqyer dhe ka vërtetuar në mënyrë shkencore se Hiperborea e lashtë është Sharri i sotëm, i cili ngrihet krenar në qendër të truallit shqiptar. Banorët e këtij regjioni janë shqiptarët e sotëm të regjionit të Ferizaj, Tetovës dhe Prizrenit, të cilët flasin  gjuhën shqipe si trashëguese e drejtëpërdrejtë e gjuhës së pellazgëve hiperborean.

Ideologjia e botës sllave është stërprovuar si një politike ekstremiste, ekspansioniste, pushtuese dhe gjithmonë kontraverse. Politika pansllaviste u shpërfaq sidomos  në këto tre-katër dekadat e fundit, me politikën e saj ndaj Ballkanit, Lindjes së Mesme, Europës dhe së fundi me sulmin e paprovokuar dhe të pajustifikuar kundër Ukrainës.

Dështimet e njëpasnjëshme të Putinit njëherit janë dështimet e përkrahësit kryesor të Serbisë së Vuçiçit.  Të dy këta  diktatorë, të cilët nuk mund t’i pranojnë rregullat e lirisë dhe demokracisë, janë të dënuar të dështojnë. Andaj, liderët shqiptarë duhet ta thonë hapur e qartë, ashtu siç deklaroi në Paris Presidentja Osmani, se “agresori nuk duhet të shpërblehet… dhe se vlerat duhet të jenë ato që mbrojnë viktimën ndaj agresorit. Sot Europa demokratike duhet të bashkohet  për të mbrojtur vlerat dhe parimet e qenies njerëzore” (Paris, Nëntor 2022).

Rusia dhe Serbia pushtuese duhet të sillen para drejtësisë dhe paguajnë të gjitha dëmet, të cilat i shkaktuan Ballkanit në këta 150 vjetët e fundit. Serbia duhet dënuar, sikurse u dënua Gjermania para dhe pas Luftës së Dytë botërore, e cila u kompensoi dëmet e luftës të gjitha vendeve të cilat më parë i sulmoi. Masat ndëshkuese ndaj Gjermanisë pas Luftës së Parë Botërore shkuan deri atje sa që gjermanët nuk kishin të drejtë ta shfrytëzojnë ujin e lumit Rajna përveç se për t’u larë (Keynes 1919). Masat ndëshkuese ndaj Gjarmanisë pas Luftës së II Botërore ishin edhe me të ashpra. Gjermania u nda në dy pjesë për gati tre dekada ndërsa edhe sot nuk e ka një pushtet fuqiplote politike. Gjermania edhe sot pas 70 vjetëve paguan dëmshpërblime të mëdha për viktimat dhe traumat, të cilat u shkaktoi çifuteve e popujve tjerë fqinje.

Serbisë duhet t’i merret e drejta për të pasur një qeverisje sovrane. Ajo duhet të sanksionohet me një sovranitet të kufizuar, sikurse Gjermania, deri sa Europa të bindet se ajo nuk paraqet rrezik për vendet fqinje. Shqiptarët kanë argumente të pamohueshme të paraqesin para botës demokratike se pushtetarët serbë janë problemi i Ballkanit në këta 150 vjetët e fundit. Serbia është përgjegjëse e drejtëpërdrejta për gjakderdhjen, gjenocidin dhe shkatërrimet masive të Ballkanit në Luftën I dhe të II Botërore. Serbia është përgjegjëse e drejtëpërdrejtë për luftërat e viteve 1990. Në ato luftëra totalisht iu shkatërrua baza materiale e kroateve, boshnjakeve dhe shqiptarëve. Ndërsa vetëm në atë dekadë u vranë e masakruan afër 200 mijë njerëz të pafajshëm, u dhunuan the torturuan dhjetëra mijëra femra nga kriminelët serbë. Ndërsa veprimet serbët kundër shqiptarëve janë edhe më drastike; ata bënë disa gjenocide e shpërngulje masive që nga viti 1887; ku për këtë arsye, vetëm në Turqi sot jetojnë disa herë më shumë shqiptarë se sa në trojet tona. Vajtimi me lotët e krokodilit i Vuçiçit në Kosovë është i njëjti sikurse pretendimi i Putinit, i cili provoi ta luajë lojën e “çlirimtarit” në Ukrainë.

Lidershipi serb është i njëjtë dhe nuk ka kurajo për të pranuar të vërtetën e tyre të errët e kriminale. Ballafaqimin me të vërtetën nuk mund ta bëjë garda e Vuçiçit. Vuçiçi është ai i cili i shtynte çetniket serbë të vrisnin njëqind boshnjak të pafajshëm për një kriminel serb të vrarë në Bosnje. Qeveria e Vuçiçit është e vetmja në Europë, e cila e përkrah hapur luftën gjakatare të Putinit. Vuçiçi vajton për të drejtat e serbëve të Kosovës ndërsa, në Serbi i dekoron kriminelet e dënuar në Hagë dhe udhëheqësit e bandave kriminele të serbëve të Kosovës. Vuçiçi në njërën anë vajton për lirinë e serbëve të Kosovës, ndërsa në anën tjetër u pezullon adresat dhe u bën presion shqiptarëve të Kosovës Lindore t’i lëshojnë trojet e tyre.

Liderët shqiptarë të Tiranës, Prishtinës e Shkupit, duhet të  kërkojnë të paktën paritet për shqiptarët e Kosovës Lindore me serbët në Kosovë. Ne nuk duhet të lejojmë që sot banorët serbë të Kosovës të shpërblehen dhe shqiptarët në Kosovën Lindore të shtypen, përdhunohen dhe detyrohen të shpërnulen nga trojet e veta të lashta. Parimet e drejtësisë, lirisë e barazisë mbi të cilat ngrihet Europa demokratike duhet të veprojnë njësoj kudo dhe për secilin popull e grup etnik. Çdo krim duhet të zbulohet dhe aktorët duhet të identifikohen e të dalin para drejtësisë ndërsa viktimat duhet të kompensohen për dhunën dhe vuajtjet e përjetuara.

Liderët shqiptarë e kanë obligim të punojnë për t’u mundësuar shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë e Kosovës politike ta festojnë “28 Nëntorin” me dinjitet. Udhëheqësit  shqiptar duhet ta mbrojnë hapur këtë të vërtetë dhe mos të hezitojnë të ngrejnë zërin kudo në zyrat e Evropës. “Nuk është faj me lyp të drejtën tënde” (A. Pipa 1959) dhe se “Kosova – do të thoshte prof. Abas Ermenji (1973), – nuk është një vend i huaj që shqiptarët duan ta pushtojnë, por është gjysma e kombit dhe ne duhet ta mbrojmë”. E drejta është në anën e lirisë dhe demokracisë, pra është në anën e shqiptarëve dhe liderët shqiptarë duhet ta mbrojnë atë.

Shqiptarët sot janë në pozitë shumë më të volitshme gjeopolitike. Ne e kemi përkrahjen e vendeve demokratike  në tërë botën, sidomos të SHBA-së, Britanisë, Gjermanisë, Japonisë, e vende tjera. Shqiptarët duhet ta shfrytëzojnë këtë moment historik, t’i lënë mënjanë interesat e ngushta dhe dallimet politike, të këndellen e të bëhen unike në veprimet e tyre. Sot, si asnjëherë më parë kumbon thirrja e rilindësit tonë të shquar Pashko Vasa “zgjohuni shqiptarë nga gjumi zgjohuni, rreth Flamurit Kombëtar me një besë bashkohuni”. Sot  po vjen ora jonë, dhe Shqipëria duhet të bëhet njëherë e përgjithmonë. Shqipëria do të bëhet sepse, “gjërat që kërkon kombi shqiptar, janë gjera legjitime, përbëhen nga e drejta e natyrshme dhe ligjore si e çdo kombi” (S. Frashëri 1878). Andaj, në këto momente Pavarësia e Kosovës dhe sovraniteti i saj territorial janë një kompromis, siç pohonte Dr. I. Rugova. Por nëqoftëse vjen deri te ristrukturimi i kufijve të Ballkanit, atëherë duhet të shpaloset  opsioni i tretë i Dr. I. Rugovës, bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare me  shtetin amë-Shqipërinë, si zgjedhja e drejtë dhe e natyrshme e kombit tonë.

Politikanët shqiptar kudo që janë në mëmëdhe apo diasporë sot, duhet të udhëhiqen nga Doktrina e Skënderbeut, Programi i Rilindjes Kombëtare dhe të frymëzohen nga veprat e patriotëve që u  sakrifikuan ndër shekuj për çlirimin e mëmëdheut. Këto janë udhërrefyesit më të mirë për lidershipin politik shqiptar për të marshuar drejt fitores. Drita e “28 Nëntorit” dhe Flamuri Kuq e Zi janë forca shpirtërore, e cila mbajti gjallë kombin shqiptar ndër shekuj, është një fanar i pashuar i cili shndritë rrugën tona drejt çlirimit të tokave të pushtuare dhe na mëson për të krijuar e ndërtuar Shtetin Etnik Kombëtar, i cili do të kurorëzohet në “28 Nëntorin e Tretë!”

 Literatura:

Allensworth, W., (2009), “Dugins and the Euroasian controversy: is Russian Eurasianism “patriotic”, London.

Barleti, M., (1508, ose10), “Historia e Skënderbeut”, Romë.

Dugin, A., (1997), “Foundations of Geopolitics”, Publisher: Arktogeja,  ISBN: 978-58592-8019-3, (version elektronik).

Ermenji, A., (1973), “Fjalim ne Kongresin -I- të Lidhjes Kosovare”, Çikago

Frashëri, S., (1899), “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, Bukuresht.

Frashëri, S.,(1878),“Kush e prish paqen në Ballkan: Publicistika e Sami Frashërit turqisht”, Shtëpia Botuese Dukagjini,Pejë, 2000.

Hadri, F., (1995), “Gjergj Kastrioti- Skënderbeu”, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë.

Heiser D., J., (2014), “The American Empire should be Destryed- Aleksandr Dugin and the Perils of Immantized Eschalagy”, Repristination Press, Malone, Texas

Homeri  “The Iliad”, publikuar nga Pinguin Group, Londër, 2003, Mbreteria Bashkuar.

Keynes, J., M., (1919), “The Economic Consecuences of the Peace”, King’s College, Cambridge

Kola, A., (1983),“Arvanitet dhe prejadhja e Grekëve”, botuar në gjuhën shqipe, 2008, Tiranë.

Laruelle, M., (2006), “Aleksandr Dugin: A Russian Version of the European Radical Right?”, Kennan Institute Occasional Papers, Nr.294

Pipa, P., (1959), “Kosoves” nga “Libri Burgut”, https://www.xhafershatri.info/kosovesarshi-pipa/

Repishti, S., (2005), “Mbi kontekstin historik të fenomenit Gjergj Kastrioti- Skënderbeu (1405-1468)”

Serembe, Z., (1860), ”Kënga e Mallit të Parë”, https://www.epokaere.com/poezi-nga-zefserembe/

Zenelaj, E., (2017), “Pellazgët, Ilirët, Shqiptarët”, Artini, Prishtinë.