Dom Nikoll Kaçorri, Nënkryetar i Qeverisë së Vlorës 1912  


Nga SALI AJAZI  

Historia nuk i harron personalitetet e kombit të çdo vendi. Për ne shqiptarët, pas 25 vjetëve të shtetit të Skënderbeut, arritën të ribëhemi shtet i shqiptarëve nën drejtimin e Ismail Qemalit të Nikoll Kaçorrit, të Vehbi Dibrës e Luigj Gurakuqit me shokë.

 Don Nikolla gjatë karrierës së tij fetare nga 1904 e deri në fund të jetës së tij 29 maj 1917 ka drejtuar ritet fetare e aktivitetin patriotik vetëm në Durrës. Një kohë relativisht të shkurtër. Nëntor 1912 – mars 1913 (si klerik dhe si politikan). Për më gjatë i kam trajtuar në monografinë e tij të vitit 2002, botuar në kuadrin e 90-vjetorit të pavarësisë. 

Në 90 vjetorin e vdekjes, gjej rastin të pasqyroj dy-tre të dhëna të reja të aktivitetit të tij: 

Së pari po japim një dokument të ri, për lexuesin e pikërisht atë të 28 qershorit të vitit 1914 i cili thotë: 

  1. Lidhja “Për atdheun…” që është edhe titulli i këtij dokumenti, tregon se në Durrës u krijua lidhja e sipërme, qëllimi i saj ishte që t’i shërbejë e t’i ndihmojë me këshilla e me mjete të tjera M.T. Mbretit e Qeverisë (është fjala për Princ Vidin (shënimi im) në përpjekjet e tyre për shpëtimin e atdheut nga trazirat e rrezikshme në të cilat ndodhej vendi. 
  2. Lidhja përbëhet e do të qeverisej prej një këshilli 22 vetësh. Themelues të lidhjes ishin: zotërinjtë Imzot Kaçorri, Dr. Temo Abdyl Ypi, Mustafa Kruja, Dr. Fahri Gjilani, Luigj Gurakuqi, Refik Toptani, Eshref Idhomene Kosturi, Selfi Hamasi, Ahmet Dakli, Shefqet Dajiu, Kosta Paftali, Nuri Vila, G. Cilka Kasneci, Syrja Bojani etj. 
  3. Kryetar i Këshillit u zgjodh z. Refik Toptani, nënkryetar Kasneci e shkronjës z. Luigj Gurakuqi. 
  4. Këshilli ka zgjedhur një komision prej 5 vetash që do të ishin organ i tij për të mbaruar qëllimet e vendimet e tij. 
  5. Vendimet e Komisionit do të merreshin me vota të plota, jo më shumë se katër veta, ndryshe çështja do të hidhej në Këshill. 

E fundit, shokët e këshillit mund të shtoheshin dhe ato do të propozoheshin nga themeluesit e do të zgjidheshin nga këshilli, si të rinjtë do të kishin të drejtë të propozonin ndryshimet e pikave themelore të programit. 

Çështja e dytë që dua ta evidentoj në këtë përvjetor, është 21 shkurti 1914. Kur delegacioni shqiptar shkon në Vjenë për t’i dorëzuar kurorën Princ Vidit. Aty morën pjesë: E. P. Toptani kryetar delegacioni, Dom N. Kaçorri, Dr. Xhemil bej Vlora, Spiro G. Koleka, Shefqet Vërlaci, Laf Nasi, Hasan Prishtina etj., gjithsesj 22 vetë. 

  Në librin “Historia e popullit shqiptar 1912-2007″ të autorit Kastriot Dervishi thuhet: “Mbeti Princ Vidi u nis për Shqipëri, kaloi në Trieste, aty u prit më 5 mars jo vetëm nga autoritetet Austro- Hungareze, por edhe nga mjaft shqiptar të ndodhur atje ku spikati Don Nikoll Kaçorri. Mëngjesin e 7 marsit 1914 (vazhdon autori K.D.) çifti mbretëror mbërriti në Durrës”. 

Së fundi dua të trajtoj me respekt, veprimtarinë e priftit të sotëm të Durrësit, Monsinjor Damian Kurti. I nderuari në fjalë mirëpriti monografinë e Don Nikollës, i bëri një vend të përshtatshëm ekspozimi. Më shprehu urimet e falënderimet e përzemërta për këtë iniciativë e shumë prej librave të Dom Nikollës i përcolli për në Kosovë (nga ku është edhe vetë). Realizoi me iniciativën e tij, vendosjen e bustit të patriotit Kaçorri në lulishten ballë për ballë postit të Durrësit. Bust të cilin e sponsorizoi me të ardhurat e kishës. E porositi me iniciativën e tij, gjithashtu i organizoi edhe ceremoninë e promovimit të tij. Morën pjesë personalitete lokale e klerike të Durrësit, si dhe … e të afërm të Kaçorrit. Skulptori Qazim Kërtusha shprehu edhe ai konsideratat dhe kënaqësinë që ndiente në përfundimin me sukses të bustit të këtij patrioti të mirënjohur të të gjitha kohërave. 

Prifti në fjalë mbajti meshën kushtuar Dom N. Kaçorri për shpirt të tij. Për të gjitha këto gjej rastin ta falënderoj përzemërsisht Mon sinorin kosovar, për të gjitha çka bëri e do të bëjë për kolegun e adhuruar të tij. 

 “Kaçorri është dalluar në të gjitha rastet për mendje të kthjelltë, vullnet të fortë, fjalë të mençura dhe të ëmbla, siç ia donte zanati. Këto cilësi i shpalosi, veçanërisht në kuvendin historik të Vlorës 1912. Kudo ndriti duka e tij si në pari të vendit në kishë si klerik, ashtu edhe në krenë të Shqipërisë e të diplomacisë, duke i bërë nder vendit e kombit të vet”. 

Bash për këto cilësi regjimi turk shkoi, deri atje, kundër tij ia arriti ta burgosë në Jedikule. 

 (Citimi është marrë në “Hylli i Dritës”, nr. 1, viti 1942, f. 17) 

Botuar me rastin e 90 vjetorit të vdekjes në gazetën “Rruga e Arbërit”, Nr. 5 (13), Maj 2007