“Përkrenare ilire në Shqipëri dhe Kosovë”, një arritje e arkeologjisë


Reçensë e monografisë “Përkrenare ilire në Shqipëri dhe Kosovë” të studiuesit prof. Adem Bunguri.

Nga Prof. dr. Neritan CEKA

Punimi i studiuesit Adem Bunguri me titull “Përkrenare ilire në Shqipëri dhe Kosovë” vjen për diskutim vetëm një vit pas monografisë “Vegla bakri dhe sëpata bronzinë Shqipëri dhe Kosovë”. Në këtë punim, ashtu si edhe në punimin e mëparshëm, autori trajton një kategori të veçantë objektesh prej bronzi, siç janë përkrenaret ilire. Në këtë punim paraqiten të gjitha përkrenaret ilire të zbuluara deri më sot në territorin e Shqipërisë dhe atë të Kosovës. Përveç 40 përkrenareve të tipit ilir të zbuluara në të dy vendet tona, ai ka përfshirë në studime edhe 5 përkrenare të tipeve të tjera të zbuluara në Shqipëri. Gjithashtu, duke i parë përkrenaret si një element të setit mbrojtës të aristokracisë ushtarake, ai ka përfshirë në këtë punim edhe elementët e tjerë të këtij seti, si parzmoret, kallçinjtë dhe mburojën ilire. Gjithësesi kategoria kryesore janë përkrenaret, që zënë mbi 98% të të gjithë punimit. Që në fillim duhet të vlerësoj faktin e trajtimit të kategorive të veçanta të objekteve si një qasje mjaft pozitive në studimet arkeologjike.
Qëllimi thelbësor i këtij punimi është të jap një pasqyrë sa më të plotë analitike të përkrenareve ilire të zbuluara në territorin e Shqipërisë dhe të Kosovës, të identifikojë tipet dhe variantet e përfaqësuara dhe të bëjw mbi këtë bazë edhe një vlerësim kronologjik dhe historiko-kulturor të tyre.
Punimi është struktuar në 8 kapituj, sipas kritereve kronologjikë dhe tipologjik. Në kapitullin I, “Të dhëna të përgjithshme”, përveç hyrjes, pozitës gjeografike dhe historikut të kërkimit, jepen të dhëna të përgjithshme mbi përkrenaret ilire, tipologjinë dhe kronologjinë e tyre, tipet, variantet dhe veçoritë morfo-strukturore të tyre, shpërndarjen e tyre në hapësirë, si dhe një tabelë katalogimi të tyre në Shqipëri e Kosovë. Në këtë të fundit jepet database i plotë për çdo ekezemplar, ose pasaporta e çdo objekti, që përfshin vendgjetjen, vendruajtjen, nr. inventarit, përmasat, pesha si dhe referenca e plotë në rastet kur objekti është i botuar.
Në kapitullin II, “Përkrenare të fazës së hershme dhe të mesme (tipet I-II)”, trajtohen përkrenaret e tipeve më të hershme të njohura në Shqipëri. Është fjala për përkrenaren e Borovës, që i takon variantit b të tipit I, kronologjikisht e lidhur me periudhën arkaike, dhe përkrenarja e Ungrejt që i takon variantit b të tipit II, kronologjikisht pak më e vonë. Autori thekson me të drejtë që Shqipëria është rajoni i vetëm në Ballkan pas Korinthit, ku është përfaqësuar tipi I i përkrenares së prodhuar nga një copë e vetme bronzi. Me rezervë përfshihet në këtë tip edhe përkrenarja e humbur e Karicës, bazuar mbi një foto të saj të botuar në një album filatelik.
Kapitulli III, “Përkenare të fazës së zhvilluar (tipi III)”,është kapitulli kryesor i krejt librit. Në këtë kapitull trajtohen përkrenaret e tipit III me kalotë gjysëmsferike, hapje trapezoidale të fytyrës, hapje këndore mbiveshore etj. Ky tip përkrenare në Shqipëri është përfaqësuar nga 24 ekzemplarë, që sipas autorit klasifikohen në disa variante, si IIIA1a (6 ekzemplarë), IIIA2a (13 ekzemplarë), IIIA2b (2 ekzemplarë) dhe IIIA3a (3 ekzemplarë). Gjithashtu në Shqipëri, ndryshe nga viset përreth, është përfaqësuar dhe një variant i vonë i përkrenareve të tipit III, varianti IIIB, me 4 ekzemplarë (Starovë, Petrushë, Kryegjatë, Dushk). Është pikërisht ky variant i vonë i stampuar në monedhat e tipit mburojë-përkrenare të qyteteve ilire të Skodrës e të Lisit (prerje e pas vitit 186 para Kr.) me legjendën “Σ-KO-ΔРI-NΩN” dhe “ЛIΣΣI-TAN” si dhe në monedhën e po këtij tipi të prera nga mbreti ilir Genti me legjendën “BACIЛЄωC-ГЄNθI0Y”, i konsideruar me të drejtë si terminus ante quem i përdorimit të përkrenares ilire në Shqipëri.
Po ashtu, autori tërheq vëmendjen edhe mbi një variant të veçantë të përkrenareve ilire, të konsiderua si variant hibrid ose kombinativ, që gërshetojnë elementët e tipit korinthik dhe ato të tipit ilir në një objekt të vetëm. Ky variant është përfaqësuar vetëm në Shqipëri nga dy ekzemplarë (Bitinckë, Apolloni). Nisur nga këto të dhëna të reja, që nuk kanë qenë të njohura më parë, autori mendon se frymëzimi tipilogjik i përkrenareve ilire ka ardhur nga tipit i përkrenares korinthike.
Në kapitullin IV trajtohen “Përkrenare ilire në Kosovë”. Është fjala për 7 ekzemplarë variantit AIIIA1a (3 copë nga Banja e Pejës), 3 copë të variantit IIIA2a (ekzemplari i Dejës së Rahovecit dhe dy ekzemplarët e Korishës) dhe një copë e variantit IIIA3a (ekzemplari i Neprabishtit (Shirokë), kjo e fundit e zbuluar nga austriakët gjatë një gërmimi të kryer në vitin 1918.
Në kapitullinV, “Përkenare të tipeve të tjera në Shqipëri”,trajtohen shumë shkurt përkrenret e tipeve të tjera në Shqipëri, përkatësisht përkrenarja korinthike e Bastarit, përkrenarja atike e Monunit (Pogradec), përkrenarja e tipit maqedonas e Apollonisë si dhe dy përkrenare të tipit kelt, njera prej bronzi (Belsh) dhe tjetra prej hekuri (Lin), duke dhënë për të gjitha edhe kontekstin historik. Gjithashtu, në katalog, përfshihet edhe një përkrenare kali e Antigonesë e zbuluar nga Dh. Budina. Një syth i rëndësishëm i këtij kapitulli është, padyshim, “Numizmatika ilire”, ku jepen shkurt monedhat e tipit mburojë-përkrenare të përmendura më lart.
Në kapitullin VI trajtohen në mënyrë të përmledhur ”Elementë të tjerë të kompletit mbrojtës”, përkatësisht, triparzmoret e bronzit (Urakë I, Urakë II, Karicë), 4 çifte kallçinjsh bronzi (Urakë II, Belsh, Çinamak dhe Dobraç), mburoja rrethore ilire (Urakë I, Apoloni) dhe versionet e gurta të saj (Apolloni, Balsh dhe Selcë e Poshtme).
Në kapitullinVII, “Përkrenare ilire në Ballkan dhe në Europë”,jepet një pasqyrë përgjithësisht e plotë e përhapjes së përkrenareve të tipit ilir në Ballkan dhe jashtë tij si dhe pasqyrimi i përkrenareve ilire në Muzet e Europës. Kapitulli mbyllet me një tabelë katalogimi e përkrenareve ilire në Europë.
Në kapitullinVIII, “Analiza, kronologjia dhe origjina”, përveç analizës analitike mbi përkrenaren e tipit ilir, origjinën dhe zhvilllimin e saj morfo-strukturor dhe tipologjik në Shqipëri në një linjë kronologjike ngjitëse, synohet të jepet edhe konteksti social dhe politiko-ushtarak i shtetit ilir dhe atij dardan, si shtete të fuqishme në skenën ballkanike të kohës.
Libri mbyllet me “Përfundime” në shqip dhe në gjuhën angleze, si dhe me anekset e tjera të fundit të monografisë, si lista e figurave, lista dhe përmbajtja e tabelave, lista e shkurtimeve, bibliografia.
Sikurse shihet qartë nga analiza e përmbledhur e kapitujve, objekt i këtij punimi është trajtimi i përkrenareve prej bronzi të tipit ilir të zbuluara në territorin e Shqipërisë dhe të Kosovës. Katalogu përfshin 40 ekzemplarë të përkrenareve të tipit ilir në të dy vendet tona, 33 prej të cilave nga territori i sotëm i Shqipërisë dhe 7 ekzemplarë nga territori i Kosovës. Përveç tyre, në katalog janë përfshirë edhe 5 përkrenare të tipeve të tjera të gjetura në Shqipëri, përkatësisht një përkrenare e tipit korinthik, një atik me strehë, një e tipit maqedonas dhe dy ekzemplar të tipit kelt, vetëm njera prej të cilave është prej bronzi.
Janë përfshirë gjithashtu edhe elementë të tjerë të armëve mbrojtëse, që plotësojnë kompletin luftarak të princërve dhe kalorësve ilirë të periudhës arkaike dhe antike si dhe të dhëna numizmatike mbi këto armë mbrojtëse. Duhet thënë se një pjesë e rëndësishme e kërkimit i kushtohet analizave klasifikuese, tipologjike dhe ndarjes se tipeve të identifikuar në grupe kronologjike. Autori bën klasifikimin tipologjik të përkrenareve të zbuluara në Shqipëri, ku janë përfaqësuar të tri tipet suksesive I-III të të zhvillimit të përkrenareve ilire, si dhe 7 variante të tyre, përkatësisht variantet Ib, IIb, IIIA1a, IIIA2a, IIIA2b, IIIA3a dhe IIIB, ndërsa në Kosovë vetëm tipi III me variantet IIIA1a, IIIA2a dhe IIIA3a. Në Shqipëri është përfaqësuar gjithashtu edhe varianti hibrid ose kombinativ, që gërsheton elementë të përkrenares së tipit korinthik dhe atij të tipit ilir.
Autori e thekson disa herë faktin me mjaft interes se në Shqipëri është përfaqësuar një numër i madh variantesh, duke filluar që nga ai Ib, më i hershmi i serisë, deri tek varianti i fundit, ai IIIB, që mbyll serinë e zhvillimit të përkrenareve të tipit ilir. Meritë e këtij punimi është padyshim katalogimi i të gjithë gjetjeve të kësaj kategorie, me të dhëna të plota mbi vendgjetjen, gjendjen dhe vendin e ruajtjes, përmasat, peshën, tipin variantin, referencën kur është e botuar më parë etj.
Pavarësisht frymëzimit tipologik nga Korinthi, autori thekson se trualli ilir është rajoni ku përkrenarja u zhvillua morfologjikisht dhe tipologjikisht dhe u pagëzua si përkrenare e tipit ilir. Etnikoni “ilir”, logjik dhe i natyrshëm, buron jo vetëm nga fakti se në truallin ilir u krijuan tri tipet kryesore të zhvillimit të saj, por edhe nga përqëndrimi i vendgjetjeve të saj në hapësirën historike të Ilirisë si dhe nga koha shumë e gjatë e përdorimit të saj në këtë hapësirë. Përkrenarja shfaqet në një stad të veçantë të zhvillimit ekonomiko-shoqëror dhe politik të ilirëve, që i referohet lindjes, zhvillimit dhe lulëzimit të aristokracisë ushtarake ndër ilirët.
Punimi ka meritën e madhe se plotëson një boshllëk të kahershëm në studimet prehistorike shqiptare. Për këtë arsye, përshkrimi dhe analiza e përkrenareve ilire prej bronzi përbën një ndihmesë origjinale që do të zerë vend në trajtesat e prehistorisë shqiptare në përgjithësi. Të dhënat e sjella nga autori përforcojnë hipotezën e prodhimit në vend të përkrenareve ilire, të mbrojtur nga stuiuesit H. Ceka, N. Ceka, F. Prenddi, S. Aliu, B. Jubani etj. Libri ofron në mënyrë koherente përceptimin e të dhënave që janë akumuluar ndër vite në Shqipëri e Kosovë për përkrenaret e tipit ilir. Pas një diskutimi sistematik të tyre dhe dokumentimi rigoroz, autori përpiqet të shpalos gjithë potencialin informues të këtyre gjetjeve në kontekstin social dhe politiko-ushtarak të zhvillimit të vendit gjatë periudhave arkaike, klasike dhe qytetare ilire.
Punimi ka një karakter të fortë shkencor. Ai mbështetet tërësisht në të dhëna të dokumentuara mirë arkeologjikisht; edhe gjetjet që vijnë nga kontekste të padokumentuara mirë ose si gjetje rasti, vendosen nga autori në një kontekst rajonal dhe tipologjik. Në këtë mënyrë edhe këto gjetje marrin vlerë dhe mbështesin argumentet e autorit për përhapjen gjeografike të metalurgjisë prehistorike dhe formimin e një ansambli gjetjesh që është jo vetëm i plotë, por edhe shkencërisht përfaqësues. Studimi ka meritën se ndjek një logjikë të fortë shkencore që fillon me formulimin e problemit kërkimor dhe pasohet nga një analizë rigoroze, me parashtrimin e hipotezave dhe diskutimin e tyre në formën e përfundimeve.
Aparati shkencor i këtij libri është mjaft i pasur. Autori ka shfrytëzuar një literaturë të gjërë dhe të përditësuar, e reflektuar në mbi 140 tituj dhe 501 fussnota.
Aparati ilustrativ përfshin një material shumë të pasur ilustrativ. Autori ka Monografia shoqërohet nga një aparat i pasur ilustrues i përbërë nga 24 figura, harta diagrama dhe 76 tabela, prej të cilave 36 tabela me vizatime objektesh dhe foto të tyre dhe 30 tabela vetëm me foto të përkrenareve si dhe 10 harta të përhapjes së përkrenareve ilire në Shqipëri, Kosovë dhe Ballkan sipas tipeve dhe varianteve të tyre. Ilustrimet e pasura të dhëna në këto tabela, fotografitë, hartat, grafikët, diagramat etj përbëjnë një pasuri të vërtetë dhe kontribut shumë të vlerësueshëm, dhe njëkohësisht shënojnë një arritje të arkeologjisë ilire,që do t’u shërbej edhe studiuesëve të tjerë në të ardhmen. Shpreh mbështetjen time për botimin e këtij punimi të sukseshëm të Bungurit, në trajtimin e një kategorie objektesh metalike të pastudiuar më parë në mënyrë sistematike nga arkeologët shqiptarë, që përkon plotësisht me natyrën e botimeve akademike.