PËR NJË ORË E GJYSMË NË TIRANË!


Dibranët gjatë fundjavave përmes Rrugës së Arbrit

Rruga e Arbrit, e cila ka një karakter mbarëkombëtar është një mundësi e madhe edhe për zhvillimin të krahinës së Dibrës por edhe qytetit të Dibrës. Këtë e pohojnë udhëheqësit vendor, biznesmenët por edhe qytetarët në përgjithësi. Rruga, e cila ka afruar qytetin e Dibrës me Tiranën për 1 orë e 30 minuta, është një garanci e mirë që dibranët të vizitojnë kryeqytetin shqiptar, por edhe qytete të tjera bregdetare, sidomos Durrësin

Nga Vjollca SADIKU

Dibër, 29 maj – Rruga e Arbrit, e cila u ndërtua nga qeveria shqiptare, ka ndryshuar dukshëm frekuentimin të dibranëve për të kaluar fundjavat jashtë Dibrës. Rruga në fjalë, e cila ka një karakter mbarëkombëtar, është një mundësi e madhe edhe për zhvillimin të krahinës së Dibrës, por edhe të qytetit të Dibrës. Këtë e pohojnë udhëheqësit vendorë, biznesmenët, por edhe qytetarët në përgjithësi. Rruga, e cila ka afruar tani qytetin e Dibrës me Tiranën për 1 orë e 30 minuta, është një garanci e mirë që dibranët të vizitojnë kryeqytetin shqiptar, por edhe qytete të tjera bregdetare, sidomos Durrësin. Gjallëria në këtë rrugë është gjatë fundjavave, meqë një pjesë e madhe e dibranëve fundjavat i kalojnë te të afërmit e tyre në Tiranë, por edhe në qytetin bregdetar të Durrësit. Në krahasim me të kaluarën, kur dibranët fundjavat i kalonin kryesisht në Strugë, Ohër, Mavrovë etj., me ndërtimin e Rrugës së Arbrit, dy vitet e fundit, drejtimi i dibranëve është Tirana dhe Durrësi.
Në vendkalimin kufitar në Bllatë, në kufirin të RMV-së dhe Shqipërisë në afërsi të Dibrës, ka frekuentim të lartë, por frekuenca është disa herë më e madhe e gjatë fundjavës. Biseduam me disa bashkëqytetar, të cilët ditën e shtunë udhëtonin në Shqipëri. Besim. O. na tha se “pothuajse dy herë në muaj, nga vendkalimi kufitar i Bllatës nëpërmjet rrugës së Arbrit udhëton me familjen katër antarshe në Tiranë ku ka të afërmit e tij”.
“Kam shumë të afërm të mi, të cilët jetojnë në rrugën e Dibrës. Jemi të një trungu familjar dhe ata i vizitoj gjatë udhëtimit tim në Shqipëri. Në rrugën e Dibrës jeton kryesisht komuniteti dibran i cili është shpërngulur nga Dibra gjatë masakrave serbe 1913. Ardhja ime në Tiranë ka të bëjë edhe me blerjen të produkteve të ndryshme si dhe gardërobë”, thotë Besimi.
Në vendkalimin kufitar të Bllatës takuam edhe anëtarët e familjes Klloboçishta. Ata na thanë se me përmirësimin e kohës pothuajse çdo fundjavë udhëtojnë nëpërmjet rrugës së Arbrit në qytetin turistik të Durrësit. Familja ka edhe banesën e vet, të cilën e ka blerë para pesë viteve.
Nga ky vendkalim kufitar udhëtojnë shumë dibranë. Dy vitet e fundit, në krahasim me situatën aktuale, dibranët për në Shqipëri udhëtonin kryesisht nga vendkalimi kufitar i Qaf Thanës. Tani, duke marrë parasysh afërsinë e Tiranës me Dibrën, me ndërtimin e rrugës në fjalë, e cila është më e shkurtër se 70 kilometra, kryesisht udhëtimet bëhen nëpërmjet vendkalimit kufitar të Bllatës.
Në lidhje me domethënien e kësaj rruge me kënaqësi shprehen edhe biznesmenët dibran. Sipas tyre, shkëmbimi i mallrave bëhet nëpërmjet këtij vendkalimi, por për shkak të mungesës së terminalit, pjesa më e madhe e tyre bëhet nëpërmjet vendkalimit kufitar Qafa e Thanës, meqë terminali është në Strugë. Biznesmenët dibran disa herë kanë kërkuar nëpërmjet Odave ekonomike që veprojnë në Dibër të ndërtohet terminal në afërsi të Dibrës dhe harxhimet për transport të mallrave do të jenë shumë më të vogla, meqë rruga e Arbrit mundëson atë. Edhe kompanitë për transport të udhëtarëve thonë se rruga e Arbrit dukshëm ka përmirësuar buxhetin e tyre. Tani kompanitë të transportit në Dibër pothuajse çdo ditë transportojnë udhëtarë në drejtim të Tiranës, Durrësit dhe qyteteve të tjera bregdetare të Shqipërisë edhe atë nëpërmjet rrugës së Arbrit. Kërkesat janë shumë të mëdha, thotë pronari i kompanisë “Unik turist”, Azem Ballanca.
Ai shton se tani meqë funksionon rruga e Arbrit edhe shumë dibran realizojnë udhëtimet e tyre ajrore për në shtete të Evropës, por edhe në SHBA nga aeroporti i Tiranës. Odat ekonomike që veprojnë në Dibër thonë se rruga e Arbrit garanton edhe një zhvillim të përshpejtuar të Dibrës, sidomos në sferën e turizmit dhe zhvillimin e bizneseve. Kohëve të fundit, edhe banorët të Shkupit, Tetovës dhe Gostivarit për në Shqipëri udhëtojnë nga Dibra, e jo nga Struga. Shkurtimi i rrugës për në kryeqytetin shqiptar është joshës për të gjithë shtetasit e vendit tonë për të udhëtuar në qytete të ndryshme të Shqipërisë nëpërmjet rrugës së Arbrit. (koha.mk)