Skavica nuk është çështje e një partie


Pamje nga Muhurri

Çështja e Skavicës, më së pari, është çështje e atyre banorëve që dielli i mëngjesit i gjen në arë, duke punuar për të ndërtuar jetën e tyre në ato vende, pa u shkuar kurrë mendja për ta braktisur, siç kemi bërë shumë prej nesh.

Nga BUJAR KAROSHI

Çështja e HEC të Skavicës në fushatën e fundit lokale u kthye në një element thelbësor të fushatës elektorale. Grupimi politik “Bashkë Fitojmë” u përpoq shumë që me kartën e mbrojtjes së Skavicës të mblidhte çdo votë, duke premtuar se jo vetëm do ta ndalonte ndërtimin e Skavicës, por do t’i ndalonte edhe kryeministrit “Edi Rama të kalonte Qafën e Buallit”.
Pas humbjes se zgjedhjeve nga ky koalicion, në rrjetet sociale filloi mllefi, sulmet dhe fyerjet ndaj banorëve të Dibrës, sidomos në ato fshatra përgjatë luginës së Drinit të Zi, të cilët kishin votuar kandidatin e PS-së.
“Mirë t’u bëhet. Tani të marrin leckat në krah dhe le t’u mbyten trojet, shtëpitë dhe varret e të parëve të tyre”, – ishte pak a shumë refreni i atyre që rrahin gjoksin si “mbrojtësit e Dibrës” kundër atyre që votuan për kandidatin socialist.
Në qoftë se vota “Pro” ose “Kundër” kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” do të lexohej si votë “Pro” ose “Kundër” Skavicës, në Dibër, përgjatë luginë së Drinit të Zi, Skavicën nuk e duan vetëm në Laçes dhe Blliçe. Ndërsa katundet e tjera, së paku 28 fshatrat e tjerë që mbyten, nga Gjorica në Reç, duket sikur duan që Skavica të ndërtohet një orë e më parë.

Vota nuk duhet lexuar siç e lexojnë “profesorët” e Facebook-ut. Sepse çështja e Skavicës nuk ishte një çështje e koalicionit “Bashkë Fitojmë” e as më pak një çështje Partisë Demokratike të udhëhequr nga Sali Berisha. Skavica nuk është as një çështje e Partisë së Lirisë të udhëhequr nga Ilir Meta. Sepse, të dy këta liderë të tranzicionit shqiptarë, në kohën kur kanë qeverisur, kanë qenë “Pro” Skavicës, madje asaj më të madhes, 485 metra, që mbyt gjithë Dibrën.

Por vota nuk duhet lexuar siç e lexojnë “profesorët” e Facebook-ut. Sepse çështja e Skavicës nuk ishte një çështje e koalicionit “Bashkë Fitojmë” e as më pak një çështje Partisë Demokratike të udhëhequr nga Sali Berisha. Skavica nuk është as një çështje e Partisë së Lirisë të udhëhequr nga Ilir Meta. Sepse, të dy këta liderë të tranzicionit shqiptarë, në kohën kur kanë qeverisur, kanë qenë “Pro” Skavicës, madje asaj më të madhes, 485 metra, që mbyt gjithë Dibrën.
“Propozimi i ndërtimit të HEC Katundi i ri me kuota maksimale deri në 400 metër, do të bënte të pamundur ndërtimin e Kompleksit Hidroenergjetik Skavicë me kuota shfrytëzimi 445 metër dhe kuotë maksimale 485 metër, duke sjellë për pasojë humbje të mëdha” thoshte në parlament në vitin 2016 Sekretari i Partisë së Metës.
Çështja e Skavicës është një problem mes qeverisë shqiptare dhe popullit të Dibrës. Atij popullit të Dibrës që voton edhe majtas, edhe djathtas. HEC Skavica është çështje e banorëve të Dibrës që kanë më shumë se 20 vite që kundërshtojnë fuqishëm planet e qeverive shqiptare, madje duke marrë edhe pasoja për këtë mbrojtje.
Çështja e Skavicës, më së pari, është çështje e atyre banorëve që dielli i mëngjesit i gjen në arë, duke punuar për të ndërtuar jetën e tyre në ato vende, pa u shkuar kurrë mendja për ta braktisur, siç kemi bërë shumë prej nesh.
Çështja e Skavicës është edhe çështje e atyre socialistëve e demokratëve që gjithë këto vite janë vendosur në ballë të mbrojtjes së Dibrës. Disa prej tyre kanë mbajtur dhe mbajnë funksione zyrtare, por kjo nuk i ka penguar ta ngrenë zërin aty ku duhet. Së paku kur flasin në publik.
Partia Demokratike në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021nuk e kundërshtoi ndërtimin e HEC të Skavicës asnjë ditë. Kandidatët e saj në fushatë nuk e përmendnin këtë çështje, madje edhe kur u kërkohej nga votuesit të mbanin një qëndrim, ata premtonin se “do ta vendosnin në transparencë të plotë me banorët dhe se do t’i dëmshpërblenin kokërr më kokërr”.

Sepse Skavica nuk është çështje vote për një parti. Është çështje e gjithë popullit të Dibrës. Ndaj duhet unifikim qëndrimi, hapje e debatit, dëgjimi i zërave të ekspertëve. Me grupe të mbyllura në facebook dhe regjistrim online protestuesish, këto grupime ngjajnë si parti të dështuara politike akoma pa u themeluar. Dhe kështu po i bëjnë keq Dibrës dhe krah qeverisë.

Çështja e Skavicës u kthye në një çështje elektorale në Dibër atëherë kur Partia Demokratike u nda në dysh. Kandidatët degës së partisë që ndiqnin liderin e tyre historik e bënë çështje elektorale që në zgjedhjet e parakohshme vitin e kaluar, dhe sidomos kur Berisha u tha se për Skavicën kishte pasur një ide ”me tunel” në Bicaj, madje këtë ua kishte kërkuar edhe italianëve që më parë kishin marrë një miratim nga qeveria e Fatos Nanos në vitin 2005. Por Berisha nuk u tha dibranëve se pse në dhjetor të vitit 2008 zhvilloi një tender ndërkombëtar ku morën pjesë 6 kompani, pas premtimeve se “do ta ndërtonte Skavicën me forcat e veta”. Pse dështoi tenderit i vitit 2008 nuk pati asnjë deklaratë publike nga qeveria, megjithëse në këndvështrimin e sotëm do të kishte qenë një justifikim i madh të thuhej që atëherë se “qeveria nuk ka në plan të mbysë Dibrën”.
Berisha dhe deputetët e tij kishin në dorë edhe formalisht të kundërshtonin ligjin “Bechtel” në Gjykatën Kushtetuese, por edhe këtë as nuk e bënë dhe as nuk e premtuan.
HEC i Skavicës me tunel është një shpikje elektorale e liderit historik të PD-së, kështu që nuk mund të kishte asnjë ndikim elektoral në këto zgjedhje, siç nuk pati as në zgjedhjet e parakohshme.
Vitet e fundit ka një angazhim të disa shoqatave, dy prej tyre të krijuar kohët e fundit, të cilat kërkojnë të mobilizojnë publikun dhe të ndalojnë qeverinë të vazhdojë me projektin e Skavicës. Ndërsa në fillim pati një plan të mirë për unifikimin e qëndrimeve dhe organizimin e protestave të vazhdueshme dhe masive, dalëngadalë grupimet filluan të zënë pozicione të kundërta. Kërkohej bashkëpunimi dhe bashkimi, por disa grupime zgjodhën të rreshtohen në Partinë Demokratike dhe bashkimin e konceptonin vetëm nëse u shkohej pas atyre. Dhe kush nuk u shkonte pas, baltaxhinjtë e facebook-ut nuk përtonin të shpifnin, gënjenin, fyenin dhe denigronin ata që nuk mendonin si ata. Madje, për ta ishte rruga më e lehtë edhe t’i dënonin si tradhtarë, pse jo, me varje në litar. Ndërsa ushtarët e këtij grupimi natë e ditë sulmonin bashkëqytetarët e tyre, liderët e kësaj organizate u rreshtuan krah Foltores, duke e kthyer gjysmën e PD-së si shpresa e fundit për të mbrojtur Skavicën.
Por ja që kjo çështje nuk u dha vota. Sepse Skavica nuk është çështje vote për një parti. Është çështje e gjithë popullit të Dibrës. Ndaj duhet unifikim qëndrimi, hapje e debatit, dëgjimi i zërave të ekspertëve.
Me grupe të mbyllura në facebook dhe regjistrim online protestuesish, këto grupime ngjajnë si parti të dështuara politike akoma pa u themeluar. Dhe kështu po i bëjnë keq Dibrës dhe krah qeverisë.