Anekdota Mblodhi: Shaqir Skara


Jepi ujë kalit

Një udhëtar, hipur mbi kalë, u ndal tek një bunar në qoshe të fshatit me i dhanë ujë kalit. Aty ishte një nuse e re tue la tesha. Kjo i hapi vend udhëtarit me pi ujë kali, e udhëtari jabanxhi, duke pa nusen, filloi me fishkëllye.

Atëherë kjo nuk duroi ma, por mori një kovë me ujë të nxehtë edhe ia hodhi udhëtarit fytyrës, duke i thanë:

– Jepi kalit ujë e mos fishkëlle në bunar të huej!

Një burrë e dy gra

Për udhe ishin tre veta. I kishte marrë uria dhe u ndalën në shtëpinë më afër fshatit. Nusja e shtëpisë u doli në derë:

– Oj motër, a i ke burrat në shtëpi?

– Nuk i kam, por tani vijnë, por ju hajdeni brenda!

– Jo, jo brenda nuk vijmë, po vetëm na jep pak bukë në dorë!

– Besa, bukë në dorë nuk po u jap, por hajdeni brenda!

Pasi hangrën bukë, nusja i nxori deri në oborr. Në këtë kohë erdhi edhe i shoqi i kësaj shtëpie bujare. Pyeti gruen:

– Kush ishin ata që përcolle?

– Qe një burrë me dy gra, – foli nusja.

– Po ata ishin tre burra, unë i pashë me këta dy sy!

– Ai burri që u printe përpara, hangri bukë pa e çue kryet fare. Ata dy të tjerët mbetën pa ngranë bukë, tue më pa mue, – i foli nusja.

Tahmaqar mbi tahmaqar

Në fshat e njihnin të gjithë për tahmaqar. Kursente kudo e çdo gja. Një natë i shkon një mik për darkë. Ky, në fakt, nuk e deshi, por nuk pati çfarë me ba. Kishin ndodhë tahmaqarë të dy. Kur miku pa se u errësua dhe zoti i shtëpisë nuk po e ndizte llambën për të kursyer vajgurin, ma së fundmi hoqi tirqit që kishte veshë. I zoti i pas pak foli:

– Or mik, a ta ndezi llambën?

– Prit pak, sa t’i veshi tirqit, se i hoqa mos më prishen për mutafi!

– Vallahe, paska ma tahmaqar se unë! – foli i zoti i shtëpisë.

Hallall lopa me gjithë viç

Pas një dasme të madhe që banë në fshat, kur martuan djalin e vetëm që kishin, burrë e grua po bisedonin në shtëpi dhe bënin llogari borxhet që kishin për të paguar.

– Dasma na doli e mirë dhe të gjithë mbetën të kënaqun! – foli gruaja.

– E mirë e mirë, po borxhe kemi shumë dhe vështirë me i pague të gjitha!

– Shesim lopën, more burrë, e borxh kujt nuk po i rrimë, veçse të na dalë nusja e mirë.

Djali e dëgjoi gjithë bisedën në dhomën e tij.

– Hallall lopa me gjithë viç, se nusja na ka dalë e mirë, oj nanë! Vetëm borxh mos i rrini kujt!…

Si dava në venisht

Një natë i zoti i shtëpisë u ndau detyrat të gjithëve për ditën e nesërme.

-Ti, Davë, nesër do të shkosh në Venisht! – i tha. E Dava si Dava ma, se ishte pak i metë, ra në gjumë herët me mendimin se nesër do të shkonte në Venisht.

Nesër në mëngjes, pa pyetur asnjeri, u nis herët. Shkoi Dava në Venisht dhe u kthye i gëzuem se kishte përfunduar para të gjithëve detyrën që i kishin ngarkuar. Kur u kthye, i zoti i shtëpisë i pyeti të gjithë me radhë për detyrat që kishin mbaruar:

– Po ti Davë?

– Unë isha, babë, në Venisht!

– Po çfarë bane atje?

– Shkova, si më thae ti dhe u ktheva prapë.

Ende sot përdoret shprehja: “Shkon si Dava në Venisht”

Pleqëria më e rëndë se çdo gjë tjetër

Në një odë në Shumbat ishin mbledhë shumë burra të mençur edhe nga katundet përreth. Në atë konak ndodhej edhe Xhetan Lima, një plak i bëshëm e që i kishte lezet konaku. Pas do kohe e merr fjalën Majrë Skarrra dhe e pyet:

– Desha të di, o Xhetan, se ç‘gja asht ma e randë në këtë jetë?

– Asht toka, – foli Xhetani hazër xhevap.

– Unë them se asht fukarallajku, – ndërhyni në bisedë Qerim Leka.

– Unë them se as njana, as qetra nuk janë ma të randa se pleqnia. Kësaj nuk ke se çfarë i ban. Ka kohën dhe vjen pa të pyetur, – e mbylli bisedën Majra.

Të gjithë s’kishin ç‘të flisnin më. Ishin të një mendimi me fjalët e këtij plaku të mençëm.