Legjendë
Thana e skënderbeut


Në fshatin Sinë ndodhen shumë toponime që lidhen me heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriotin, Skënderbeun. Një toponim i tillë është edhe “Thana e Skënderbeut”. Thonë se pikërisht në këtë vend kulloste kali i Skënderbeut, në ditë pushimi, kur kryetrimi nuk kishte beteja. Kali hante e ujë s’pinte, pasi ishte toka e tillë që mbante ujë. Po si dhe pse i mbeti ky toponim? Legjenda thotë se në kohë shumë të hershme, edhe para epokës së Skënderbeut, fshati nuk ishte këtu ku është sot, por ndodhej shumë më poshtë.

Në fshat nuk kishte asnjë burim uji, ku njerëzit ecnin me orë për të gjetur ujë të pijshëm. Gratë e fshatit, ngaqë lodheshin shumë, filluan të dërgojnë një grua nga fshati, e cila ishte e urtë, e sjellshme dhe e papërtueshme e që nuk dinte t’i thoshte njeriu jo. Pikërisht, kjo grua, filloi të sjellë ujë për fshatin ditë me radhë, edhe pse ishte larg. Ajo shkonte e vinte në mënyrë të shpejtë, sa për njerëzit e zakonshëm ishte e pabesueshme. Një ditë e pyetën fshatarët:

– Po ku e mbush ujin ti?

– Ja atje sipër dhe u tregonte një kodër. Fshatarët e morën pas këtë gruan e mirë dhe ec e ec, por rruga nuk po mbaronte.

– Po ku është, moj, burimi? – i thonë fshatarët.

– Ja, ja, matanë. Pas një ore e ca rrugë më së fundi arritën, por aty nuk kishte fare ujë.

– Hë, pa na thuaj, ku e mbush ujin ti?

– Ja këtu tek trungu i thanës! – dhe uli dy shtambat, të cilat filluan të mbushen me ujë të pastër si kristali. Shtambat u mbushën e fshatarët çuditeshin se aty nuk kishte ujë fare. Filluan nesër gratë e fshatit të shkonin për ujë, por aty ujë nuk kishte. Sa herë që shkonte kjo gruaja e mirë, shtambat e saj mbusheshin me ujë. Edhe sot e kësaj dite, pikërisht në këtë vend, thonë se po të rrinë bagëtitë gjatë në kullotë, nuk kanë nevojë të pinë ujë! Ndoshta …